Konferenca Ndërkombëtare Kinë-Europë mbi Arsimin Profesional dhe Zhvillimin e Talenteve të Kualifikuara u mbajt në Qingdao, provinca Shandong, me pjesëmarrësit që bënë thirrje për masa për të përqafuar mundësitë dhe sfidat e sjella nga kompjuterizimi, dixhitalizimi dhe inteligjenca artificiale, shkruan “China Daily”.
“Në epokën e inteligjencës artificiale, cikli i njohurive, aftësive dhe përditësimeve teknologjike është shkurtuar, duke çuar në ndryshime të shpejta në profesione. Profesione të reja po shfaqen, ndërsa aftësi të vjetruara po zhduken gradualisht”, – tha Liu Qibao, nënkryetar i Komitetit të 13-të Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez.
Në maj, Ministria e Burimeve Njerëzore dhe Sigurimeve Shoqërore propozoi shtimin e 17 profesioneve të reja, duke përfshirë menaxherët e operacioneve të tregtisë elektronike ndërkufitare, planifikuesit e fluturimeve të dronëve, projektuesit e qarqeve elektronike, si dhe 42 lloje të reja pune, të tilla si testues të sistemeve gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe teknikë të mirëmbajtjes inteligjente.
“Inteligjenca artificiale do të sjellë ndryshime të thella në metodat, përmbajtjen dhe skenarët e arsimit profesional. Përparimi i shpejtë i teknologjisë hap mundësi të gjera për zhvillimin e tij”,- tha Liu, i cili është gjithashtu president i Shoqatës Kinë-BE.
Jose Luis Rodrigue Zapatero, ish-kryeministër i Spanjës, i cili mori pjesë në këtë aktivitet, vuri në dukje se ndërsa inteligjenca artificiale nxit inovacionin, ajo gjithashtu paraqet sfida shoqërore.
“Ajo nuk do të kërcënojë në thelb punësimin. Megjithëse disa vende pune mund të zhduken, do të shfaqen të reja”,- tha ai, duke bërë thirrje për udhëzime etike dhe bashkëpunim global për të rregulluar dhe udhëhequr zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Pjesëmarrësit ranë dakord të rrisin aksesin në trajnimin dixhital. Po ashtu, u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi midis kompanive kineze dhe europiane dhe shkollave nga vende të tilla si Gjermania dhe Finlanda. Këto partneritete synojnë të zhvillojnë kurrikula ndërkombëtare, të integrojnë trajnimin gjuhësor dhe kulturor me aftësi teknike, të lehtësojnë shkëmbimet e studentëve dhe të krijojnë platforma inovacioni industri-akademi./cgtn