Boshko Jakshiç- Vreme[i]
Botën e ka kapluar gjendja e përgjithshme e konfuzionit dhe shqetësimit teksa vështron presidentin e ShBA-ve të shkelë rregullat e marrëdhënieve ndërkombëtare, shkatërron aleancën perëndimore dhe u dërgon sinjal despotëve nga lindja se mund të bëjnë çfarë t’u ketë qejfi në oborret e tyre, por të mos e prekin Hemisferën e tij perëndimore. Rrotullimi i politikës së jashtme të Donald Trampit është dramatik. Kur nisi fushatën elektorale në vitin 2016 pati kritikuar ashpër politikën intervencioniste të paraardhësve të tij, qofshin demokratë apo republikanë. Më pas, ky paqeberës i vetëquajtur, në mandatin e tij të dytë urdhëroi operacione ushtarake në tre kontinente: Iran, Siri, Jemen, Nigeri dhe Venezuelë. Tani kërcënon edhe Europën i vendosur të marrë prej Danimarkës Groenlandën, mbasi hemisferën perëndimore e përcaktoi si zonë të interesit të tij parësor.
Ambicjet imperialiste dhe sedra kolosale e “presidentit të paqes” janë planetare. Në stilin më të mirë të teatralitetit të tij grotesk Trampi nuk përmbahet të thotë se do të ishte i gatshëm të pranojë çmimin Nobël për paqe nga fituesja e vitit të kaluar, liderja e opozitës venezueliane Marija Korinë Maçado – por për fat të mirë komiteti i ndarjes së Nobelit ndalon transferimin apo ndarjen e këtij çmimi.
Trampi kërkon dëgjueshmëri në çdo adresë që i’a vë syrin. Në të kundërtën bomba ose forcat speciale Delta. Bën lëshime vetëm atje ku respekton fuqitë rivale: Kinën dhe Rusinë. Kjo nuk është aspak risi. Ndërhyrjet ushtarake, ndryshimet e regjimeve dhe likujdimi i kundërshtarëve Uashingtoni dhe CIA i kanë organizuar deri tani me dhjetra herë, kurdoherë nën firmën e përhapje së demokracisë, luftës për të drejtat e njeriut dhe bllokadën e ideve kancerogjene komuniste. Kjo çoi deri atje saqë Trampin nuk e interesojnë vlerat mbi të cilat është krijuar bota perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. Ai drejton nëpërmjet një hordhie piratësh militantë, tekno oligarkë dhe petro oligarkë, miliarderë të inteligjencës artificiale, bosë të kriptovalutave dhe bankierë në hije. Synimi i ri është grabitja e burimeve, nga Ukraina deri në Groenlandë. Presidenti të cilin kritikët e tij e quajnë “gënjeshtar serial” – në mandatin e parë të të cilit janë dokumentuar 30.573 deklarata të tilla- tani na u bë papritmas i sinqertë. Deklaroi para gazetarëve, pas rrëmbimit të Maduros, se ShBA-të do të marrin “administrimin” e Venezuelës me telekomandë nga Uashingtoni, dhe më pas i’u turr naftës.
Nuk flitet këtu për demokratizimin e pushtetit në Karakas, as për ndryshimin e thelbit të rregjimit diktatorial të Maduros, madje as për narkoterrorizmin të cilin në fillim e shfrytëzoi si pretekst për ndërhyrje ushtarake. I intereson vetëm nafta. Jo sepse ajo është e nevojshme në Amerikë, jo, jo, por që Venezuelën t’a shkulë nga përqafimi me Kinën, e cila tashmë edhe bërë partneri i dytë tregtar i Amerikës Latine, pas ShBA-ve. Që Kubës t’ia heqë mundësinë e furnizimit me naftë venezueliane.
PËRFITIM NGA HEMISFERA PERËNDIMORE
Trampi e përdor naftën si armë, njëlloj sikur Rusia bën me gazin. Ai e dëshiron Hemisfarën perëndimore “të pastër” dhe të bindur, në të cilën do të sundojë dhe të nxjerrë përfitime. Mesazhi njëkohësisht mbart edhe vlerë të gjërë universale: përhapje frike. Kërcënon Kolumbinë dhe Kubën, dërgon sinjale se është i gatshëm për sulme ajrore kundër narko karteleve për të cilët thotë se sundojnë Meksikën. Në këtë mënyrë, në një shfaqje të papritur të sinqeritetit brutal, i’u kthye idesë së marrjes së Groenlandës, me para ose me armë. Trampi e ka fiksim të marrë territorin gjysëm autonom i cili i përket Danimarkës. Kur e pati hedhur për herë të parë këtë vizion në vitin 2019, shumë veta mendonin se bëhej fjalë për një prej akrobacive retorike konfuze të presidentit i cili ka treguar qartë se nuk është mjaft i njohur me hartografinë e botës. Pas Venezuelës askush më nuk guxon, megjithëse pothuajse të gjithë bien dakord se marrja në mënyrë të njëanshme e këtij ishulli botëror, qoftë me dollarë qoftë me armë, do të ishte gafa me e madhe e politikës së jashtme të Amerikës që nga koha e Vietnamit në fillim të viteve gjashtëdhjetë dhe invazionit në Irak në vitin 2003. Do të ishte një gabim i stërmadh strategjik i cili kërcënon të ardhmen e NATO-s dhe shkatërronte ariktekturën e sigurisë së pas luftës së dytë botërore të Perëndimit. Problemi është se me Trampin kurrë nuk i dihet. Rejtingu i tij ka rënë nën atë që kishte Xho “i përgjumur” Bajdeni dhe do të bëjë gjithçka që ta rrisë. Episodi nga Karakasi, i ndjekur me kërcënimet për Groenlandën, i detyroi partnerët europianë të kujtohen shumë shpejt sesi Trampi për poshtëruar presidentin ukrainas Volodimir Zelenski. Tani në të njëjtën pozitë janë liderët në Kopenhagë, të cilët përsërisin se Groenlanda nuk është në shitje. Aspak më mirë nuk qëndron as kryeministri britanik, kancelari gjerman apo presidenti francez, të cilët u drejtohen parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe bëjnë thirrje për solidaritet brenda NATO-s.
Jemi dëshmitarë të një situate shqetësuese: ndërsa europianët mbrojnë sovranitetin e Ukrainës, Trampi kërcënon sovranitetin e Venezuelës, ndërsa në rastin e Groenlandës kërcënon sovranitetin e Danimarkës. Loja e kaosit sapo ka nisur. Liderët botërorë përpiqen të gjejnë një përgjigje sesi të përballen me dallgën e shfaqjes së re trampiste të imperializmit amerikan. Pas operacionit ushtarak në Venezuelsë shtrohet pyetja se çfarë përbën për pjesën tjetër të botës kjo lëvizje agresive dhe neokoloniale, në kundërshtim direkt me të drejtën ndërkombëtare.
BËLBËZIMI EUROPIAN
Në pozitën më delikate janë europianët. Trampi vazhdon të injorojë aleatët perëndimorë ndërsa përgatitet për ndërhyrje të reja nëpër hemisferën perëndimore, të cilën e ka shpallur oborrin e tij, duke u lënë rivalëve nga Moska dhe Pakini që ndikimin e tyre t’a sendërtojnë në fqinjësinë e tyre. Ky është realitet i ri dhe i rrezikshëm në botën në të cilën vendet e vogla nuk pyeten për asgjë ndërsa Trampi – me miratimin e heshtur të Vladimir Putinit dhe Si Gjinpingut – u imponon vetëm të dëgjojnë.
Gjatë takimit në Paris rreth Ukrainës, gjashtë vende europiane kërkuan solidaritet me Danimarkën, bënë thirrje për siguri kolektive të NATO-s në Arktik, përfshirë edhe ShBA-të, por pa kritikuar Trampin. Tingëllojnë bukur fjalët e kancelarit gjerman Fridrih Merc , i cili u bën thirrje europianëve të “ngrenë çmimin e luftës” në mënyrë që Moska të detyrohet të vijë në tryezën e bisedimeve për Ukrainën. A i duhet besuar Trampit kur pranon garanci të forta sigurie për Ukrainën për një dekadë e gjysëm pas përfundimit të luftës? Presidenti Zelenski e ka detyrim një gjë të tillë për nga detyra zyrtare, por liderët europianë nuk janë të bindur: falenderojnë publikisht amerikanin, privatisht dyshojnë se do të vazhdojë koketimi me Putinin në përfitim të “mundësive fantastike” të bashkëpunimit dypalësh në një kohë që Rusisë i duhen vënë sanksione. “Koalicioni i vullnetarëve” i Europës përpiqet të paraqitet si monolit, por janë krijuar shumë të çara në unitetin e tij menjëherë pas agresionit në Ukrainë. Edhe përkundër njëzet paketave sanksionesh kundër Moskës, BE-ja vitin e kaluar e rriti eksportin e gazit të lëngshëm dhe pagoi 7,2 miliardë euro – duke financuar kësisoj në mënyrë direkte luftën e Putinit. Brukseli, menjëherë pas invazionit ndëpreu rrrymën nëpërmjet gazsjellësve tokësorë, mori detyrimin se do të ndalojë importin deri në vitin 2027, por tankerët akullthyes vazhdojnë të çajnë nëpër Arktik në mënyrë që të arrijnë deri në portet europiane. Groenlanda është këtu në rrugën e mbrojtjes së hemisferës perëndimore. Përse dikush u dashka të presë që Trampi të respektojë të drejtën ndërkombëtare kur në shtëpi shpërfill Kongresin dhe shkatërron në mënyrë hakmarrëse sistemin juridik të vendit të tij? Përse t’i besohet se punon për mbrojtjen nga Rusia kur sheh mineralet e rralla? Nëse paraardhësit e tij ndërhyrjen në mbarë botën e mbështillnin me mbulesën për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, këto vlera atij nuk i interesojnë. Trampi dëshiron një botë të ndërtuar sipas modeleve të fuqisë dhe përfitimit. Është i gatshëm për të bërë marrëveshje me të fuqishmit rivalë nga Kina dhe Rusia, të tjerët nuk i interesojnë. Edhe përkundër gjykimeve retorike të “plaçkitjes” në Venezuelë, Lindja është për të ruajtur komunikimin me Trampin, i cili një herë ka thënë se është më e lehtë të merret vesh me autokratët në Moskë dhe në Pekin se me partnerët europianë.
“Është e nevojshme të parandalohet ata më të paskrupujt të marrin çfarë të duan dhe rajone dhge vende të tëra të trajtohen si pronë e një numuri të vogël fuqish të mëdha”, u shpreh ashpër, por gjithsesi i vetmuar, presidenti gjerman Frank-Valter Shtajnmajer. “Te partneri jonë më i respektuar, ShBA-të, kanë ndodhur thyerje të vlerave që mund të ndihmonin për të ndërtuar këtë rend botëror”. “Nëse Shtetet e Bashkuara zgjedhin të sulmojnë një vend tjetër të NATO-s, atëherë të gjithë kësaj do t’i vijë fundit” paralajmëron kryeministrja daneze Mete Frederksen, por të tjerët bëjnë kujdes nga frika se në rast të një kundërshtimi energjik të planeve të Trampit ai mund të ndalojë mbështetjen për Ukrainën, të heqë garancitë e saj për sigurinë e pasluftës dhe t’a lërë Europën që të merret e vetme me kërcënimet e tanishme dhe ato të ardhshme të Rusisë.
MENDJA E DONALD TRAMPIT
Presidenti amerikan nuk e pyet Europën për asgjë, por ndërsa liderët e saj privatisht janë në panik, ndjejnë detyrimin që të thonë diçka në mënyrë që të mos i’a acarojnë nervat pushtetmbajtësit amerikan. Shefja e diplomacisë së BE-së Kaja Kalas në lidhje me komentet e Trampit mbi marrjen e kontrollit mbi Groenlandën thotë se janë “thellësisht shqetësuese”. Presidenti francez Emanuel Makron konstaton se Trampi shkel rregullat ndërkombëtare dhe “institucionet multilaterale funksionojë gjithnjë e më pak në mënyrë efikase” dhe se ai “po u’a kthen shpinën” disa për aleatëve europianë. Mirëmëngjez Kolomb!
Trampi edhe në mandatin e tij të parë ka treguar se nuk i interesojnë institucionet dhe rregullat ndfërkombëtare. I ka larguar ShBA-të nga UNESKO-ja, Organizata Botërore e Shëndetsisë, dhe Marrëveshja e Parisit për klimën, por këtyre ditëve edhe nga 66 organizata, marrëveshje dhe konventa të tjera ndërkombëtare, nga të cilat gjysma i përkasin sistemit të OKB-së. Ka pezulluar në mënyrë të njëanshme dhe marrëveshjen ndërkombëtare me Iranin.
Injorimi i hapur ndaj partnerëve të BE-së dhe NATO-s, si dikur ndaj Angela Merkelit, tani është më se transparent. Në ndryshim nga disa paraardhës të tij, të cilët ishin të rezervuar ndaj aleatëve në anën tjetër të Atlantikut, Trampi këtë e bën në stilin e tij: haptazi dhe brutalisht poshtëron Europën si kontinent i cili është i dobët dhe në perëndimin e tij. Bashkimi Europian përballet me sulmin e së djathtës ekstreme, sovranistëve dhe nacionalistëve, po në vend që të qajë fatin e saj, BE-së në kohën e kërcënimeve gjeopolitike i duhet të rikthejë forcën e parimeve të demokracisë liberale dhe të fillojë të zvoglojë prapambetjen teknologjikë me ShBA-të dhe Kinën. Groenlanda është shansi që qeveritë europiane t’i kundërvihen praktikës e cila normalizon aksionet unilaterale ushtarake të ShBA-ve ose Rusisë. Kredibiliteti i projektit të paqes sot më shumë se kurrë varet nga Europa, por liderët europianë sikur i ka paralizuar kobra e Shtëpisë së Bardhë e kësisoj sjellja e tyre kthehet në atë të viteve tridhjetë të shekullit të 20-të. Gjë që është edhe një pohim tjetër i dobësisë së Europës.
Ka përshkallëzuar kriza brenda NATO-s, por askush nuk ka fuqi të pengojë Trampin në idenë e tij sipas së cilës “Groenlanda i nevojitet” për arësye të “sigurisë kombëtare” edhe përkundër faktit se Danimarka është antare e NATO-s dhe se ShBA-të e kanë njohur sovranitetin e saj mbi Groenlandën që në vitin 1916, në këmbim të blerjes së ishujve indianoperëndimorë (sot ishujt e Virgjër) danezë.
Neni 5 i Kartës së NATO-s thotë se sulmi mbi një antar do të thotë sulm kundë rtë gjithëve, por nëse ShBA-të ndërhyjnë direkt kundër Danimarkës, ky është konflikt brenda Aleancës dhe ky rregull nuk vlen. Sikurse ishte rasti në vitin 1974 në konfliktin mes Greqisë dhe Turqisë. “Askush nuk do t’i kundërvihet ushtarakisht ShBA-ve për Groenlandën”, konkludon këshilltari i Trampit Stiven Miler. Sekretari i shtetit Marko Rubio pranoi takimin me kolegun nga Danimarka, por refuzoi t’i përjgigjet pyetjes nëse ndërhyrja ushtarake do të thotë fundi i aleancës ushtarake perëndimore dhe sistemit të sigurisë kolektive të ndërtur pas Luftës së Dytë Botërore. Vendimi i takon Trampit, i cili disa herë deri tani ka kërcënuar se ShBA-të do t’a braktisin NATO-n, ndërsa aleatët europianë do ti lërë të kujdesen vetë për rreziqet që vinë nga Lindja.
Trumpi tregon se ruleta ruse nuk është e huaj për të. Ai mendon se është aq i fuqishëm saqë nuk ka nevojë të fshehë asgjë. Saktëson se çfarë mund t’a ndalojë aksionet e tij: “Moraliteti im. Mendja ime. Këto janë të vetmet gjëra që mund të më ndalin”.
Ndoshta edhe nuk është kështu. Nëse nuk duhet të shqetësohet për rezistencën e europianëve, Trampi duhet të shqetësohet për faktin se Senati, me ndihmën e republikanëve që i janë bashkuar demokratëve, ka votuar rezolutën e cila ndalon ndonjë aksion të ri ushtarak në Venezuelë pa miratimin e Kongresit, gjë të cilën ai nuk e kërkoi herën e parë.
Siç flasin parashikimet, opinioni publik amerikan tashmë po përgatit kartonin e verdhë për Trampin. Pritet që në zgjedhjet e nëntorit në gjysëm sezon republikaët të humbasin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit – gjë e cila do ta kufizonte ndjeshëm fuqinë e njeriut i cili nuk respekton ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare, por ekskluzivisht mbështetet të mendja dhe morali i tij narciziodal dhe i biznesit.
[i] https://vreme.com/vreme/posle-venecuele-niko-se-vise-ne-smeje/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA





























































