Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian çeli sesionin e parë të punimeve me pjesëmarrjen e liderëve europianë, të cilët pas ceremonisë së mikpritjes dhe fotos familjare u drejtuan në “Shtëpinë e Europës” të ndërtuar enkas në sheshin “Skënderbej”, dhe të zbukuruar me vizatimet e fëmijëve të Shqipërisë, e cila kthehet sot në simbolin e bashkimit për “një Europë të re në një botë re”.
Seanca e parë plenare u fokusua në sigurinë dhe qëndrueshmërinë demokratike të Evropës, duke adresuar të dyja imperativat imediate – siç është mbështetja e Ukrainës në përpjekjen e saj për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme – dhe sfidat afatgjata, duke përfshirë mbrojtjen e proceseve demokratike nga ndërhyrja e huaj dhe forcimin e aftësive të mbrojtjes kolektive të Evropës.
Kryeministri Rama drejtoi punimet e seancës plenare, ku fillimisht u drejtua me një fjalë përshëndetëse.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Është vërtetë një nder i jashtëzakonshëm për të gjithë vendin tim, për të gjithë popullin shqiptar që t’ju mirëpres në këtë vend të gjithëve e në këtë shtëpi të ndërtuar enkas për Komunitetin Politik Europian në Tiranë, ku nuk jeni të rrethuar nga makthet e Europës në pikturën rilindjes e as nga zbrazëtia e një hapësire të përkohshme takimesh.
Jeni të rrethuar nga imagjinata e fëmijëve shqiptarë për Europën.
Kjo ishte një zgjedhje e qartë për ne sepse ëndrrat e fëmijëve, kurrë nuk mbahen peng nga mitet e së shkuarës, në të kundërt, ato ëndërrojnë të ardhmen dhe shumë të ngjashme meqë ra fjala me ëndrrat e etërve themelues të Europës.
Në fakt keni ardhur në një moment mjaft domethënës në këtë vend ku kemi mësuar të shohim të shkuarën përmes syve të së ardhmes e jo më ta shohim të ardhmen më sytë së shkuarës. Në fakt mbërritja juaj vijon një fushatë zgjedhore ku Europa ka qenë më e pranishme se kurrë dhe jo si një çështje që krijon ndasi, por si një deklaratë e përbashkët e pretendim i përbashkët identiteti; jo si një listë politikash, por si një përgjërim i thellë për përkatësi; jo si një grup e grumbull detyrash shtëpie por si një fat i bashkëndarë. Ja pse është kaq kënaqësi që fushata u përqendrua tek këto fjalë; Europë, identitet, përkatësi, e identitet fitoi më shumë se 52% të votave.
Për mikun tim të dashur këtu, Kier, ishte një rezultat mjaft i ngjashëm me referendumin e Brexit, por me role të përmbysura, 52% për ne për të mbetur apo në rastin tonë për tu bashkuar, por aty ku nuk kishte krahasim, ishte 48% -shi i mbetur i votuesve. Ata nuk janë euroskeptikë. Jo, janë thjesht euro-optimistë të painformuar të cilët mendojnë që duhet të isha shkarkuar meqë nuk ia dola të bashkoja Shqipërinë me BE-në shumë kohë më parë, por në fakt nuk është kjo, nuk është ky argumenti im.
Ideja e Europës së bashkuar është në mënyrë paradoksale e lashtë dhe krejt e re. Një prej kampionëve të saj ka qenë një francez në shekullin XVIII, Abati i Shën Pjetrit. Në hirin e traktatit të Utrehtit pas vitesh luftë, ai parashikoi bashkimin e shteteve evropiane, në vizion kurajoz, idealist i paqes së përhershme. Projekti i tij përfshinte dhe bashkëpunimin me Rusinë si edhe me Ballkanin dhe shtetet e Mesdheut që asokohe ishin nën sundimin osman, kështu qe më ha mendja që për Abatin vizionar, Turqia e sotme do të ishte po kështu një partner i domosdoshëm në një bashkim paqeje të përhershme, por sigurisht projekti dështoi, u vra nga interesa pa peshë e kapriço të vogla, siç do ta thoshte Volteri e u gëlltit nga frika që e ka mbajtur peng për kaq kohë Evropën.
Edhe sot miti i Europës vazhdon të jetë i pranishëm dhe ngjan Europës së mbledhur këtu sot, në mënyrë të frikshme ka qenë goditëse. Ëndrra e paqes së përhershme është zëvendësuar nga makthi i luftës së përhershme. Në vend të kambanave të paqes dëgjojmë daullet e luftë. E ka një ndjesi të prekshme, sikur mungon fryma ndërkohë që përballemi me forcat që kërcënojnë vetë themelet e Evropës. Agresioni i jashtëm, fragmentimi i brendshëm, fantazmat e miteve imperiale, zhvendosja e aleancave gjeopolitike, paqëndrueshmëria e tregtisë globale dhe vështirësia e thellë, shumë e thellë e kaq shumë njerëzve që të besojmë tek një Evropë e re për kohë të reja, por besoj se nuk ka moment më të mirë se ky për të na kujtuar se ndërkohë që me të drejtë kemi menduar për Evropën e qëndresës, të mbrojtjes e të kapaciteteve të reja ushtarake, nuk duhet të harrojmë Evropën tjetër, Evropën e iluminizmit, të arsyes njerëzore e të përpjekjes për një paqe të përhershme jo vetëm mes vetes por edhe me armiqtë tanë. Kjo Europë që në një moment të caktuar i dha jetë projektit më të pangjashëm në historinë njerëzore, Bashkimit Europian, na mësoi se edhe ish-armiqtë mund të bëheshin bashkë edhe pse me plagë të hapura nga lufta dhe të krijonin një lidhje të përjetshme.
Ata kthyen lumenjtë e vjetër të gjakut në rrugë të reja paqeje duke rënë dakord se konflikti mund të zbutej vetëm përmes tregtisë dhe tregtia e lirë është thelbësore për mendje të lira dhe se siguria nuk vjen nga rritja e kërcënimeve, por nga zgjerimi i të drejtave dhe mundësive të barabarta.
Ishte ajo Evropë që na mësoi që në mes të konflikteve më të tmerrshme duhet të kemi besim te humanizmi i armiqve tanë, në të kundërt ashtu siç na kujton Immanuel Kant “kur armiqësitë degjenerojnë në luftë shfarosjeje, e gjithë drejtësia shkatërrohet dhe paqja e përhershme bëhet varreza e njerëzimit.”
Armiqtë e paqes nuk duhet të na tërheqin me vete që t’u thurim lavdi armëve.
Këtu në Ballkan i kemi mbijetuar luftës, bombave, konflikteve territoriale, shkatërrimit e rrënimit, e ka ndodhur gjatë jetës sonë, jo në ndonjë dokumentar të largët të arkivës bardh e zi, e kemi mësuar se paqja nuk ka konkurrentë.
Ndoshta ja pse shpresa me atë Europën tjetër është më e madhe këtu.
Euro-optimisti më i madh mes të gjithëve ne, të mbledhur këtu, në këtë shtëpi nuk jeton në Paris a Berlin, por në Tiranë e Podgoricë, ku besimi në idealin europian i ka rrënjët thellë.
I kemi mbijetuar kolapsit ekonomik, i kemi mbijetuar migracionit, zhvendosjes, i kemi mbijetuar lajmeve të rreme edhe përpara se sa të krijohej ky term dhe kemi mësuar se bashkëpunimi nuk ka humbës. Ndoshta ja, pse besojmë se Europa mbetet terreni më pjellor për t’i shndërruar rrjedhat e zymta të historisë, në rrugë të shndritshme për të ardhmen.
Europa për ne është po aq një vend i bashkwndarë shpirtëror, saç është një mozaik rajonesh, gjuhësh e besimesh të ndryshme fetare. Ndoshta ja pse ndjejmë nevojën, jo vetëm për politika të reja, por për një lloj të ri politike, një politikë, e cila ripërcakton, jo vetëm atë çfarë jemi, por edhe se si jemi së bashku mes vetes e me botën.
Një politikë, e cila e sheh Europën, jo si një fortesë për t’u mbrojtur, apo një muze për t’u ruajtur, por si një shpirt i përbashkët që duhet mbrojtur, një fat i të gjithëve për t’u jetuar, e një e ardhme e përbashkët për t’u ndërtuar. E për ta bërë këtë, nuk duhet të investojmë vetëm tek qëndresa e tek mbrojtja, por tek zemrat e mendjet që do të mbartin me vete shpirtin e Europës, fatin e Europës dhe të ardhmen e Europës.
Dhe më lini t’ju pyes: Shumë të dashur miq, pse mos të imagjinojmë një KPE të arsimit, të shkencës, e të inteligjencës artificiale? Një aleancë ndërkombëtare përtej armatimit, një terren burimesh të ndërlidhura dijeje, kërkimi shkencor, novacioni, ku territoret që nuk janë anëtare të BE-së apo ende jo anëtare të BE-së mund të bëhen kufi të ri investimi pa burokraci, pa rregullime e barra fiskale.
Një ringjallje e asaj çfarë pasoi rënien e murit të Berlinit, ku Europa Perëndimore zbuloi gjysmën e saj lindore, e ku investimet vërshuan në drejtim të lindjes, duke tërhequr të rinjtë në përqafimin e Europës, e duke nxitur epokën e fundit të mbështetur të rritjes reale, ku nga këto investime pati dividend mjaft të lartë në këta kufij të rinj.
Le t’u japim të rinjve të Europës, bizneseve të reja një arsye më të mirë për të qëndruar, se sa të flasim vetëm për armë apo riarmatim, dhe le t’u japim një motiv të fortë për të ndërtuar, për të ëndërruar në tokën europiane, në vend që t’i hedhin sytë e të shkojnë larg, për të ndjekur ëndrrat e tyre.
Në fakt, beteja jonë nuk mund të ketë të bëjë vetëm me qëndresën ndaj asaj çka mund të na bëjnë të tjerët, por duhet të jetë po kështu, diçka që lidhet me atë çfarë ne mund të bëjmë për veten tonë, për fëmijët tanë dhe për Europën tonë.
Nuk ka të bëjë vetëm me qëndresën kundër shkatërrimit, kjo është afërmendsh, por ka të bëjë me kurajën për të ndërtuar, për të ringjallur urtinë e historisë sonë dhe për të forcuar besimin në kapacitetet tona njerëzore të arsyetimit.
Kur Donald Trump tha se Zoti e shpëtoi nga plumbi, sepse i plotfuqishmi kishte një plan për Amerikën, tha vetëm gjysmën e së vërtetës, gjysma tjetër është se Zoti kishte një plan edhe për Europën, e nuk mund të ishte më e qartë se sakaq, Europa edhe njëherë ka një mundësi të dhuruar prej Zotit për të rishpikur veten.
Le të sigurohemi që rrugëtimi i Europës, i yni në këtë rast nuk është një rrugëtim rrëmbimi si në pikturën e Veroneses, por një udhëtim kthimi dhe rilindjeje. Një kthim në shtëpi, në një shtëpi që gëlon nga ëndrra për të ardhmen, e çliruar nga mitet e së shkuarës, e pa aspak dyshim e mbrojtur mirë, por pa dyshim një shtëpi që nuk ngjan me formën e armëve, por me imagjinatën e fëmijëve tanë dhe të etërve tanë themelues. Një vizion që na takon ne ta sjellim në jetë.
Faleminderit shumë dhe tashmë si mikpritës t’i jap fjalën Presidentit të Këshillit Europian Antonio Costa.
vijon…