Vllado Vurushiç-Jutarnji List[i]
Sulmet amerikano-izraelite në Iran vazhdojnë dhe konflikti po zgjerohet sepse Irani po godet shënjestrat në shumë vende të Lindjes së Afërt. Vështirë të thuhet sa do të zgjasë ende kjo situatë, pa marrë parasysh faktin se është vrarë udhëheqësi fetar Ali Hamenei dhe shumë zyrtarë të tjerë ushtarakë dhe politikë. Irani ishte i gatshëm për një gjë të tillë, kësisoj që tani dihet se kush dhe cilin do ta zëvendësojë në rast të vdekjeve të mëtejshme.
Me siguri sulmet tani nuk mund të ndalen, por nëse nuk ndodh kapitullimi i regjimit, atëherë mund të thuhet se Irani fitoi. Për regjimin ka rëndësi të mbijetojë çfarëdo që të ndodhë. Pra, për atë, sipas logjikës së thjeshtë, fitore është vetëm fakti se nuk është përmbysur. Por, a mund të përmbyset vetëm me operacione ajrore pas aksione tokësore? Zbarkimi eventual i trupave amerikane mund të tërheqë ShBA-të në një Vietnam tjetër ose Ukrainë amerikane. Kjo është ajo me të cilën ndoshta opinioni publik i atjeshëm, por edhe “subjektet” politike tmerrohen. Nuk merret më parasysh skenari i brendshëm – që revolta e popullsisë të shpjerë në rënien e regjimit. Në të vërtetë, kohët e fundut ka patur disa revolta të pasuksesshme. Por momentalisht ky obsion nuk duket se është në horizont. Reporterët e atjeshëm bëjnë me dije se predispozicioni i opinionit publik mund të përshkruhet në diapazonin nga euforia deri në panik. Gjithsesi, shumica sillen si “vëzhgues neutralë” – duke pritur sesi do të zhvillohen ngjarjet dhe, në përputhje me to, edhe të sillen në të ardhmen.
Kështu siç janë punët, Donald Trumpi duhet t’i shkojë luftës deri në fund, deri atëherë kur ndonjë flamur tjetër të valvitet mbi Teheran. Sikurse shkruan BBC-ja, presidenti amerikan ka ndërmarrë një rrezik të stërmadh duke sulmuar Iranin, qëllimi i të cilit është ndryshimi i regjimit njëkohësisht dhe i pozitës gjeopolitike të Iranit në Lindjen e Afërt. Nëse Trumpi i’a arrin asaj që shumë paraardhës të tij nuk i’a arritën (Irani, që nga viti 1979, ka qënë dhe mbetet pika amerikane më e dhimbshme dhe më e turpshmja) – të modelojë Lindjen e Afërt “me çekiçin e makinës ushtarake amerikane” – do të shpallë triumfin personal historik dhe atëherë pakkush do të mund t’a ndalë ego-n e tij të padurueshme.
Një nga arësyet e këtij operacioni është fakti se ai dëshiron që para opinionit publik amerikan të shfaqet si fitimtar, por edhe nëpërmjet kësaj të përpiqet të kapitalizojë fitoren zgjedhore në meszgjedhjet e vjeshtës. Sipas rezultateve të anketave të tanishme, demokratëve u buzëqesh fitorja, ose më mirë të themi republikanëve humbja e kontrollit mbi Kongresin dhe Senatin, gjë e cila mund të shpjerë te ajo se ata mund t’a bëjnë zap presidentin në çdo moment dhe të ndalojnë lëvizjet e tij ekonomiko-politike shkatrrimtare – nga tarifat doganore deri te fantazmagoria mbi Groenlandën dhe Kanadanë, politikën migratore ose kërcënimet me izolim nga Europa.
Por, nëse në ndonjë rast sulmi nuk i’a arrin qëllimit zgjatet ose përshkallëzohet në luftë të madhe, Trumpi rrezikon groposjen jo vetëm të shansit të republikanëve për të ruajtur kontrollin mbi Kongresin në zgjedhje, por kërcënon edhe famën personale dhe “vendin qendor” që i’a ka destinuar veten në panteon.
Irani godet me raketa fqinjët e tij arabë në Gjirin Persik dhe bllokon Ngushticën e Hormuzit strategjikisht të rëndësishme, gjë që do të thotë zgjerim i luftës në rajon, por edhe krijim i krizës energjetike botërore sepse është fjala për vende që janë eksportuesit kryesorë botërorë të naftës. Çmimet e naftës do të rriten, por ata nuk do të kenë asnjë përfitim, për këtë kjo situatë nuk u shkon për shtat kurrsesi. Megjithëse Teherani këmbëngul të gjallërojë muslimanët në mbarë botën që të solidarizohen me të dhe të sulmojnë shenjestrat e ShBA-ve, duket qartë se nuk gjeti atë “solidaritet” që kërkonte.
Të gjithë presin si do të reagojnë dy shtetet më të rëndësishme rajonale: Turqia dhe Arabia Suadite. Ankaraja nuk u ka dhënë mbështetje sulmeve kundër Iranit dhe nuk do të lejojë që prona e saj ajrore, tokësore apo detare, përfshirë në hapësirën e saj ajrore, të përdoret për qëllime operative ose në përfitim të palëve në cilindo konflikt apo luftë në të cilën ajo nuk është palë. “Ky është një prej parimeve themelore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së vendit tonë”, nënvizohet në deklaratën e Qendrës turke për luftë kundër dezinformimit. Arabia Suadite madje i ka dënuar sulmet iraniane kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Katarit, Kuvajtit dhe Jordanisë. Në deklaratën e Ministrisë saudite të punëve të jashtme shprehet solidariteti dhe mbështetja për “vendet vëllazërore”. Riadi është i gatshëm të vërë në dispozicion të gjithë kapacitetet e tij për “çfarëdolloj mase” të cilat këto shtetet dëshirojnë ose mund të ndërmarrin si përgjigje kundër sulmeve iraniane. Nga Riadi deklarojnë se Irani po shkel sovranitetin e vendeve të gjirit të cilët kanë të drejtën e tyre për përgjigje. Për këtë shtrohet pyetja nëse nga këto shtete do të nisin të fluturojnë raketa drejt Iranit, gjë e cila do t’a ndryshonte plotësisht situatën në rajon.
Por, gjithsesi mbetet pikëpyetje nëse Irani ka fuqi jo vetëm t’i përballojë, por edhe të aktivizoje përsëri Hejzbollahët e tij “të fjetur” në Liban, Irak, Siri dhe kudo ku ka shiitë në rajon, dhe e gjitha kjo shpie në një konflikt më të gjërë dhe të panjohur. Gjithashtu është pikëpyetje se çfarë do të ndodhë në rajon madje edhe në rastin e ndryshimit të regjimit në Iran, a do të jetë “zëvendësim” pas konfliktit apo do të shndërrohet në luftë civile. Dhe, natyrisht, pyetja kryesore kush mund të ketë fuqi dhe logjistikë për të marrë pushtetin në këto rrethana.
[i] https://www.jutarnji.hr/vijesti/svijet/trump-sad-mora-ici-do-kraja-jer-prijeti-mu-rasplet-u-kojem-iran-moze-proglasiti-pobjedu-15684494?cx_linkref=jl_home_g2_g3
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA




























































