Zoran Meter –[i]
- Të mençurit thonë se shumë njerëz nuk mësojnë kurrë dhe asgjë nga historia. Gjermania në shekullin e 20-të dy herë tentoi të merrte mbi vete “përgjegjësinë për Europën”. E dimë mirë se kësaj herë të mençurit e politikës kanë plane shumë më të mira përsa i përket rezultatit përfundimtar.
- Strategjia amerikane është e orientuar në marrjen në zotërim, nëse kjo nuk është e mundur, ose, asgjësimin e partnerëve kryesorë të rusëve dhe kinezëve në mbarë botën. Nisi me Venezuelën, vazhdon me Iranin, e ndoshta do të zgjatet edhe me Kubën.
- Trumpi dëshiron t’i japë goditje ekonomike jo vetëm Kinës e cila merr një sasi të madhe të naftës nga Gjiri Persik, por edhe vendeve kryesore të Europës – Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë – si hakmarrje për refuzimin e tyre për çbllokimin e përbashkët të Hormuzit.
- Me hedhjen e monarkive të pasura arabe në vështirësi financiare për shkak të ndalimit të eksportimit të naftës dhe gazit të tyre, Trumpi do të zgjidhte edhe synimin, e pakëndshëm për ShBA-të, të monarkive arabe për krijimin e së ashtuquajturës “botë Arebe”, si një prej poleve të ardhshëm të botës multipolare.
- Trumpi për vete gabon shumë, por edhe nuk i fal gabimet e të tjerëve. Dhe realiteti është i tillë, se ai ka levat e fuqisë në duart e tij.
Trumpi e ka mësuar leksionin e vjetër
Presidenti amerikan Donald Trump, dhimbshëm, në lëkurën e vet, po mëson leksionin e vjetër për të cilin shumë veta, madje edhe disa nga bashkëpuntorët e tij të afërt e kanë paralajëmruar, por nuk i ka dëgjuar: në Luftën e Lindjes së Afërt është e lehtë të hysh, por është e vështirë të dalësh.
Por deri para një muaji e gjysëm, Trumpi kishte gjithçka në dorë: ishte në kulmin e fuqisë politike pas rrëzimit të efektshëm nga pushtetit të Nicolas Maduros në Venezuelë dhe pasojat de facto të bllokadës së plotë të Kubës, frikësimin e aleatëve amerikanë në NATO dhe mbarë botën me rrëmbimin e Groenlandës, kërcënimi me doganat dhe nisjen e luftërave tregtare, kontrollin e eksportit të naftës ruse, para hundës së të madhit Vladimir Putin – gjë për të cilën nisën t’i përulen pothuajse të gjithë liderët e botës gjë e cila u bë e pështirë t’a shihje. Por i vetmi që vendosi të mos i përulej ishte Irani (krahas Kinës dhe Rusisë të cilët gjithsesi luajnë njëfarë loje të tyre gjeopoltiiek dhe janë në kategorisë e “pjesës tjetër të botës” e quajtur kështu sipas Trumpit).
A ishte ky qëndrim i Iranit i cili e tërboi Trumpin dhe e shtyri të nisë luftën? Megjithëse një gjë e tillë nuk mund të përjashtohet, një arësye të tillë, pa marrë parasysh ekscentricizmin e Trumpit gjithsesi e konsideroj të tepruar dhe triviale dhe për më shumë jo primare në marrjen e një vendimi kaq të rëndësishëm. Sepse në ShBA ende ekzistojnë “koka” të cilat merren në mënyrë profesionale me marrjen e vendimeve strategjike. Ata kurrë nuk mund të jenë punë e një individi të vetëm (qoftë edhe nëse ky quhet Trump), i cili, meqë ra fjala, është 80 vjeç. Sepse do të ishte çmenduri (majde edhe në diktatura nuk janë kështu punët) që një lider plak dhe ekscentrik të marrë vendime me karakter vendimtar për tërë popullin dhe vendin të cilin e udhëheq. Në ShBA kjo kurrë nuk ka qënë dhe as do të jetë kështu.
Për këtë kam besimin e plotë se vendimi për luftën me Iranin vetëm formalisht (kështu është gjithmonë në rastin e presidentëve) është inicuar nga ana e Trumpit, por nën ndikimin mbizotërues të strategëve kryesorë, megjithëse edhe mes tyre ka patur qëndrime të kundërta ose “mendime të ndara” mbi drejtësinë e një vendimi të tillë por ata dukshëm kanë qënë pakicë.
Faktori izraelit
Në kontekstin e kësaj të fundit si një prej faktorëve vendimtarë shpesh përmendet edhe gjoja “ndikimi katastrofik” mbi Trumpin i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu. Ndikimi i tij vërtetë ka ekzistuar, por gjithsesi vendimi mbi këtë “është përtypur mirë” nga ana e strategëve amerikanë, të cilët nuk ka dyshim se janë të lidhur fuqishëm me qarqet tradicionale sioniste në vend. Por në asnjë mënyrë në dëm të interesave amerikane. Në këtë kuptim përgjigja mund të shkojë vetëm në drejtimin se me shkatërrimin e Iranit të bëhet Izraeli dominion rajonal i perandorisë amerikane, ndërsa ShBA-të hegjemon global ose sëpaku lojtari dominues global – njëfarë violine e parë sipas notave të së cilës duhet të luajnë të gjithë lojtarët e tjerë të mëdhenj.
Nga ana tjetër, kam bindjen se Netanjahu, me ekipin e tij, përfshirë edhe Mosadin të cilët qëndruan me ditë të tëra në Uashington (në një hotel në afërsi të Shtëpisë së Bardhë, i rezervuar zakonisht për personat me rëndësi botërore), ka qënë ai i cili i ka premtuar Trumpit një “shëtitje të lehtë” nëpër Iran duke patur parasysh mbifuqinë e stërmadhe ushtarake dhe teknologjike amerikane, së cilës, natyrisht i duhet shtuar edhe ajo izraelite.
Sidoqë të jetë, punët me Iranin nuk po ecin në mënyrën më të mirë të mundshme për Trumpin. Përveç që u thyen të gjitha afatet e deklaruara në fillim, për më tepër edhe katër synimet e vëna ende nuk janë arritur (zëvendësimi i regjimit teokratik, ndëprerja e programit bërthamor iranian e cila përfshin edhe marrjen në zotërim të uraniumit të pasuruara iranian, asgjësimi i programit raketor iranian dhe ndalimi i Teherranit për të sponsorizuar organizatat proxy të Teheranit- Hejzbollahët, hutitë jemenitë, milicitë shìite irakene) – Irani për herë të parë në histori realizoi kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Pentagoni në fazën e deritanishme të luftës (në ditën e shkrimit të kësaj analize dhe e cila është dita e dytë e gjendjes as luftë dhe as paqe, pas përfundimit të armëpushimit dyjavor të zgjatur) ka zbrazur arsenalet e mëdha të armëve të teknologjisë së lartë, gjë për të cilën shkruan edhe CNN, por edhe ka pësuar dëme të mëdha në 13 bazat e tij në Gjirin Persik.
Trumpi ra në kurthin e “luftës të së ardhmes” si edhe Putini në Ukrainë
Pra, lufta amerikano-izraelite kundër Iranit tani ka hyrë në fazën as luftë as paqe. Ende nuk ka as fitimtarë as të mundur, megjithëse përpjestimi i forcave ushtarake është në anën e të parëve, gjë që është e dukshme dhe për nga përmasat e shkatërrimeve reciproke. Në tërë këtë punë ekziston një faktor që ka luajtur rolin kryesor. Teknologjia më e re, mes tjerash edhe ajo e cila përhapet shumë shpejt sëbashku me atë të telekomunikacionit edhe në sektorin e mbrojtjes, e cila ka shkaktuar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, plakjen e metodave të deridjeshme moderne të bërjes së luftës. Operacionet klasike ushtarake – të cilët realizohen nëpërmjet kombinimit të gjinive të ndryshme të forcave të armatosura përfshirë edhe njësitë për operacione speciale krahas elementit të pritshëm të befasisë, i cili shpesh ka qënë, nëse jo vendimtar, sëpaku shumë i rëndësishëm në zhvillimin e tërë operacionit – sot nuk duken të jenë më aq të efektshme sa deri dje. Për më shumë! Janë bërë të brishtë dhe në fund të fundit – tejet të shtrenjtë.
Përshembull, një raketë amerikane për sistemin antiajror Patriot kushtin mes 4 dhe 4,5 milionë dollarë, ndërsa droni luftarak iranian nga 30.000 deri në 50.000 dollarë. Është e qartë se kjo lojë numurash shprehet edhe në sasinë e prodhimit, prandaj është e qartë sesa e paefektshme është mbrojtja nga dronët me antiraketa nga sistemi MKA të tipit të lartpërmendur të cilitdo vend i cili i ka në armatimin e tij.
Përveç kësaj, është ende jo i njohur, por me siguri numur i madh, i dronëve të cilët i disponon Irani i cili nuk lejon invazionin tokësor duke patur parasysh se mund të pësojnë fatin e ushtarave rusë në fillim të invazionit në Ukrainë në muajin shkurt të vitti 2022. Nga balta ukrainase, me zbatimin e teknologjive të reja (para së gjithash pikërisht dronët, por edhe të dhënat e zbulimit satelitore mbi gjendjen në terren në kohë reale) Putini ende nuk po arrin të shkulet dhe të ruajë dinjitetin nga humbja.
Nëse nuk arrin të gjejë një rrugëdalje nga lufta nëpërmjet diplomacisë (dhe kjo do të jetë problem sepse Irani e ka marrë vesh mirë se pikërisht kjo i nevojitet), Trumpin e kërcënon tërheqja në një luftë afatgjatë dhe të kushtueshme me përfundim të diskutueshëm – sikurse është ajo e Ukrainës. Përveç kësaj, nëse dëshiron të vazhdojë luftën, në fillim të majit duhet t’i praqesë personalisht Kongresit planin e tij luftarak për vazhdimin e luftës pas kalimit të afatit të 60 ditëve të cilin i’a ka mundësuar Kushtetuta për nisjen e një lufte pa miratimin paraprak të organit më të lartë ligjvënës. Përveç kësaj (por në kuadër të kësaj) do t’i duhet të kërkojë nga Kongresi shumën deri tani të paparë prej një trilionë e gjysëm dollarë për mbrojtjen, gjë e cila është madje afro 500 miliardë më shumë si vitin e kaluar.
Të gjithë këto, natyrisht, i ndjekin me shumë vëmendje Moska dhe Pakini, në interesin e të cilve është marrja për një kohë sa më të gjatë e ShBA-ve me Iranin i cili cfilit kapacitetet ushtarake por – jo më pak e rëndësishme kjo – krijon një pamje të qartë mbi mundësitë e problemeve të cilët ekzistojnë në forcat e armatosura amerikane. Njëlloj sikurse ShBA-të dhe aleatët e NATO-s ndjekin gjithçka në lidhje me ushtrinë ruse e cila lufton në Ukrainë dhe nga kjo nxjerrin konkluzione me rëndësi.
Dëshirojnë të vjelin frytet e aventurës së Trumpit
Në kontekstin e laprtpërmendur sjellim në vemendje tekstin e mediat së njohur amerikane Foreign Affairs të datës 23 prill me autor John B. Alterman dhe Alija Vaez me titull: “Si mund t’a shfrytëzojnë Kina dhe Rusia luftën në Iran”. Ja disa pjese të cilat kanë të bëjnë me ato për të cilat folëm më lart:
“Moska dhe Pekini tani duan të vjelin frytet e përzierjes së Uashingtonit në rajonin e Lindjen së Afërt. Rusët dhe kinezët kanë interes të madh ti shtyjnë amerikanët në luftëra me intensitet të ulët të cilat shpenzojnë burimet amerikane dhe groposin dinjitetin e saj ndërkombëtar. Të dy vendet kanë mjaftueshëm aleatë për t’i ndihmuar në arritjen e këtij synimi me mbështetjen që i bëjnë Iranit. Uashingtoni mund t’a parandalojë këtë faktor pengues duke evituar qëllimet maksimaliste në konflikt. Në vend të kësaj, duhet të ndjekë rrugën mesatare pragmatiste e cila do të frenonte potencialin pengues iranian, dhe ndërkohë të gjejë rrugën prapa drejt diplomacisë dhe të rivitalizojë aleancat amerikane. Lufta iraniane nuk do të sjellë fitimtar të qartë, por ShBA-të mund të sigurojnë që as Kina dhe as Rusia të mos marrin fitoren.
… Në këtë kontekst, strategjia e vërtetë amerikane nuk është as luftë maksimaliste dhe as tërheqje naive. Uashingtoni duhet të synojë ekulibër kokëfortë: të parandalojë Iranin të ndërmarrë aksione shprehimisht destabilizuese, t’a kthejë diplomacinë në rrugë dinjitoze dhe të parandalojë shndërrimin e këtij konflikti në njëfarë lufte të hapur rajonale të cilën Moska dhe Pekini e duan aq shumë. Nëse Shtetet e Bashkuara e përcaktojnë suksesin si poshtërim të Iranit ose thyerje të Republikën Islamike, ndoshta do të marrin të kundërtën e asaj që duan: Iranin e plagosur dhe agresiv, të lidhur fort me Rusinë dhe Kinën, si dhe dëmin e vazhdueshëm për legjitimitetin ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara”- nënvizon media amerikane.
Në ShBA dobësohet mbështetja për Trumpin dhe e luftës në Iran
Sidoqë të jenë punët mbështetja e luftës me Iranin në ShBA po bie, megjithëse edhe në fillim nuk është se ka qënë e lartë. Por gjithashtu po dobësohet edhe mbështetja ndaj Trumpit, e cila sipas anketimeve të fundit sillet rreth shifrës 35% që është shifra më e ulët qysh nga koha e mandatit të Richard Nixonit në fillim të viteve 70-të të shekullit të kaluar, në fund të mandatit të tij të ngarkuar rëndshëm me aferën e famshme Watergate.
Anketa e javës së kaluar e NBC News Decision Desk, të cilën e publikoi SurveyMonkey, nënvizon e “rejtingu i miratimit të Donald Trumpi ka rënë në minimumin e ri ndërsa amerikanët shprehin gjithnjë e më shumë shqetësim për shkak të shpenzimeve në rritje dhe luftës me Iranin”. Gjithsejt 37% e amerikanëve në moshë madhore e miraton Donald Trumpin si president, ndërsa 63% nuk e miraton – përfshirë edhe 50% e atyre të cilët shprehen se nuk e mbështesin aspak, vlerësim i cili e vë në pikën më të ulët të mandatit të tij. Dy të tretat e të anketuarve gjithashtu nuk miratuan zgjidhjen nga ana e Trumpit të inflacionit dhe luftës me Iranin – shkruan me 21 prill NBC Neës.
Meqënëse operacioni ushtarak i Trumpit “Zemërimi epik” në të vërtëtë është shndërruar në “Rrëmbim epik”, administrata e tij ka vendosur për ndryshim të strategjisë dhe është kthyer prapa, në vend të vazhdimit të goditjeve luftarake nëpër Iran – drejt bllokimit të porteve iranianë gjë e cila, sipas mendimit të tyre duhet të çojë drejt dështimit ekonomik të Iranit. Sepse Trumpi i ka sjellë në situatën në të cilën çfarëdo lëvizje e tij mund t’a bëjë situatën akoma më të keqe për vetë ShBA-të. Për këtë tani ka vendosur për lëvizjen më të sigurtë – taktikën e pritjes. Thjesht, në rast të zhvillimit negativ të veprimtarisë ushtarake dhe përgjigjeve të paparashikuara iraniane (për të cilët do të bëhet fjalë më poshtë në këtë tekst) ky i fundit mund të gjendet në situatë mjaft të pafavorshme.
Media amerikane e sipërcituar Foreign Affairs, në tekstin e saj për muajin maj/qershor nën titullin “Republika e Tretë Islamike” të autores Suzane Malobey, mes të tjerash reflekton edhe për problemet përballë të cilëve gjendet Trumpi dhe ofron zgjidhje për dalje nga ata. Ja një pjesë nga ky tekst interesant:
“Nga ana tjetër, nëse lufta nuk arrin të realizojë qëllimin e saj të shpallur, eleminimin e regjimit iranian, ka mundësi, madje me shumë mundësi, që Teherani të gabojë në pasoja. Regjimi në Teheran ndoshta ka kryer një kundërsulm asimetrik të efektshëm i cili kërcënon të shkaktojë kaos në ekonominë globale, kapacitetet e tij konvencionale ushtarake kryesisht janë asgjësuar, por erozioni i vazhdueshëm i tërë eshalonit të krerëve ushtarakë do t’i shkaktojë dëm të ndjeshëm aftësive të tij operative dhe drejtuese. Dhe gjatë 47 viteve të kaluara, regjimi postrevolucionar rrallë herë e ka humbur rastin për këtë.
Gjithashtu është e mundur që Teherani të fitojë luftën, por të humbasë paqen, si rezultat i rebelimit të tij, optimizmit të pabazë ose trazirave të brendshme, njëlloj sikurse bënë krerët paraardhës iranianë në momentet kritike të luftës me Irakun. Në muajin qershor 1982, vetëm disa ditë pas sulmeve të suksesshme irakene kundër sistemeve iraniane për eksportin e naftës, Këshilli i sapoformuar për bashkëpunim në Gjirin Persik (Gulf Cooperation Council – GCC), i përbërë me shumicë nga vendet arabe në Gjirin Persik, propozoi ndërprerjen e zjarrit; sipas raporteve të atëhershme të Associates Press-it, GCC i ofroi Teherani 25 miliardë dollarë dëmshpërblim – më shumë se 84 miliardë me vlerën e sotme të dollarit- në këmbim që Irani të pranonte përmbylljen e luftës pa nisur ofensivën për përmbysjen e Saddamit. Teherani këmbënguli se dëmshpërblimi duhej të ishte gjashtë herë më i madh se shifra e ofruar dhe në fund refuzoi të përfundonte luftën. Vitet në vazhdim të konfliktit i sollën dëme të mëdha Iranit, ndërsa Republika Islamike nuk pati sukses në këmbënguljen e saj për rrëzimin nga pushteti të Sadamit. Kësaj here, nëse Teherani shfrytëzon përparësinë e tij duke u përpjekur të mbajë ose të shfrytëzojë ndikimin e tij në Ngushticën e Hormuzit, fqinjët e tij do të jenë të gatshëm të përballojnë shpenzime të jashtëzakonshme dhe rreziqet e rrëzimit përfundimtar të regjimit”
I njëjti tekst i sugjeron haptazi Trumpit se duhet të gjejë një zgjidhje diplomatike të luftës, dhe se ajo gjithsesi parë në periudhë afatgjatë do të jetë në përfitim të interesave amerikane.
Megjithatë, mendoj se Trumpi nuk ka kohë për pritje afatgjatë të përfitimeve nga lufta që ai ka nisur. Ai e di shumë mirë se demokratët qysh tani po punojnë seriozisht kundër tij për shkak të – thënë butë – rezultateve të pabesueshme që kanë marrë ShBA-të deri tani nga kjo luftë. Për më shumë, Trumpi së shpejti, do apo nuk do, do të duhet të përqëndrohet plotësisht në luftën e ndezur politike brendaamerikane në dritën e meszgjedhjeve të vjeshtës në të cilat republikanëve nuk u buzëqesh suksesi nëse nuk ndryshojnë diçka në përfitim të Trumpit. Tërheqja e ShBA-ve në një luftë akoma më të thellë (përveç që mund të përmbyllet me sukses) definitivisht do të ishte barrë e rëndë e cila do t’i groposte shanset e republikanëve në meszgjedhjet e vjeshtës.
Gjykimi
Gjithçka u tha më lart i ka rrënjët te strategjia e re kombëtare amerikane e cila parashikon vazhdimin e sigurimit të dominimit amerikan në shekullin e 21-të. Atë, sipas mundësive, do të mund t’a siguronte administrata e Trumpit pas mossuksesit të asaj të Bidenit, kur rënia e ndikimit amerikan u duk më shumë: nga dedollarizimi befas i përshpejtuar në tregtinë ndërkombëtare, deri te forcimi blloqeve ekonomike dhe politike nën kontrollin e fuqive rivale – nga Kina deri te Rusia: nga Organizata e Shangait deri te BRICS-i. Me të ardhur Trumpi në pushtet në këto organizata u përfshinë edhe një sërë vendesh, mes të tjerave edhe partnerët e mëdhenj të ShBA-ve: si puna e Egjyptit dhe EBA-ve (të cilët hynë në BRICS me të drejta të plota, dhe shumë më afër kësaj ishte edhe Arabia Saudite, madje edhe Turqia e cila përllogarit seriozisht këtë mundësi por gjithsesi, deri tani, është penguar nga fakti i përparësisë momentale në NATO dhe ndërtimi i raporteve tregtare me BE-në. Këtij procsesi i kontribuoi ardhja përsëri në pushtet e Trumpit – në një formë tashmë shumë më luftënxitëse dhe me paparashikueshmëri akoma më të madhe të lëvizjeve të tij në raport me mandatin e parë i cili ishte i turbullt).
Strategjia amerikane e lartpërmendur, përveç dominimit të plotë të ShBA-ve në Hemisfreën Perëndimore përfshin edhe dy elementë të tjerë me rëndësi
- I pari, shndërrimi i Europës (BE-ja plus antarët e NATO-s) në një bllok monolit antirus nën kontrollin e plotë amerikan, me vetëm një detyrë: parandalimin e depërtimit të ardhshëm të ndikimit rus në Perëndim krahas detyrimit të njëkohshëm të Moskës për t’u fokusuar plotësisht ndaj Europës për shkak të nisjes së militarizimit të saj të shpejtë (krahas, sipas mundësive, zgjatje sa më shumë e luftës ukrainase e cila cfilit kapacitetet ruse). Kjo detyrë, sipas idesë së Uashingtonit, është e lidhur ngushtë me synimin e zvoglimit të vëllimit dhe të dinamikës së veprimit të bashkuar global të Rusisë dhe Kinës në kohën kur ShBA-të përgatisin larjen e llogarive me këtë të dytën në Lindjen e Largët.
- Elementi i dytë i strategjisë amerikane është i orientuar në marrjen ose, sipas mundësive nëse kjo është e mundur, asgjësimin e partnerëve kryesorë strategjikë kinezë dhe rusë gjithandej nëpër botë. Nisi me Venezulelën, vazhdoi me Iranin, e ndoshta do të zgjatet edhe deri në Kubë.
Shtetet e Bashkuara, parë akoma më afër, kanë vetëm një detyrë kyçe: asgjësimin e boshtit Rusi-Kinë-Iran (Koreja e Veriut këtu është e parëndësishme sepse është shtet plotësisht i vetëizoluar, pa dëshirë për të zgjeruar ndikimin e saj madje as në rajonin e afërt, domethënë kryesisht është e orientuar vetëm te vetëmbrojtja nga ndikimi e Koresë së Jugut kapitaliste)
Momentalisht, krahas cfilitjes së Rusisë në luftën ukrainase, është duke u zhvilluar edhe demontimi i Iranit. Sesi do të shkojë kjo tentativë, askush nuk e di me siguri. Ka mundësi që në fund të fundit Trumpit të pajtohet me pamundësinë e zgjidhjes ushtarake dhe t’ia nisë asaj për të cilën tashmë po punon: operacionin ushtarak “Zemërimi epik” t’a shndërrojë në “Zemërimi ekonomik”- sikurse me 22 prill deklaroi ministri i tij i financave, Scot Bensent duke shpjeguar arësyet e bllokadës amerikane të Ngushticës së Hormuzit.
Në fakt, goditjet masive amerikane dhe izraelite kundër Iranit përfundimisht do të shkaktonin një përgjigje të ashpër iraniane në mbarë rajonin. Teherani flet hapur për një fakt të tillë, madje thekon edhe shënjestrat luftarake: asgjësimi i plotë i sistemit të industrisë së naftës në Lindjen e Mesme dhe shkatërrimin e infrastrukturës së të gjithë shteteve arabe territori të të cilave përdoret për të sulmuar Iranin, përfshirë edhe Izraelin; prerja e kabllit nënujor të internetit i cili kalon nëpër Detin e Kuq, Ngushticën detare Bab el-Mandeb dhe detin Arabik i cili lidh Perëndimin me vendet e Gjirit Persik gjë e cila do të kishte pasoja të stërmëdha jo vetëm në Lindjen e Afërt; sulme masive raketore kundër aeroplambajtëseve amerikane në rajon. Kërcënimet e lartpërmendura në ditën kur po shkruhet ky tekst i bëri publike, nëpërmjet agjensisë Tasnim, Korpusi i Gardës revolucionare iraniane i cili tani, de facto drejton këtë vend, pas eleminimit të kreut të tij politik, përshirë edhe udhëheqësin fetar ajatollah Klamenei që në ditën e parë të luftës.
A dëshiron në këto kushte Trumpi të nisë vazhdimin e operacioneve luftarake, këtë vetëm mund t’a hamendësojmë. Megjithatë, jam më shumë i prirur të besoj se, në mungesë të çfarëdo lloj lëvizjeje të mundshme për një zgjidhje pozitive, në përfitim të tij, të luftës së nisur – ai më me shumë qejf do të zgjidhë strategjinë e re të “Zemërimin ekonomik” kundër Iranit, duke pohuar se bllokada detare amerikane e Hormuzit dhe e porteve irnaniane i sjell Teheranit 500 miliardë dëm në ditë dhe se ajo “do të vazhdojë derisa Irani të pranojë marreveshjen”
Me këtë formulë Trumpi dëshiron t’i japë një goditje të fuqishme ekonomike jo vetëm Kinës (kjo është zaten edhe shkaku i luftës së nisur me Iranin) e cila merr një pjesë të naftës për nevojat e veta pikërisht nga Gjiri Persik, por edhe ekonomive kryesore europiane- asaj gjermane, franceze, italiane dhe britanike – si hakmarrje për refuzimin nga ana e tyre të ftesës së tij për zhbllokimin e përbashkët të Hormuzit.
Kjo, pra pengimi i plotë i eksportit të naftës nga Gjiri Persik, do t’i mundësonte vënien e Europës nën kontrollin gjithëpërfshirës të ShBA-ve në kuadër të strategjisë globale amerikane.
Njëkohësisht, me vënien e monarkive të pasura arabe në vështirësi financiare për shkak të eksportit të naftës dhe gazit, Trumpi do të zgjidhte edhe problemin, e pakëndshëm për ShBA-të, të krijimit të së ashtuquajturës “botë arabe” nga monarkitë e pasura arabe, si një prej poleve të ardhshme dhe gjithsesi të rëndësishme të botës multipolare për të cilën kemi kohë që kemi folur hapur.
E gjitha kjo është ende, në pjesën më të madhe, në sferën e dëshirave amerikane, ndërsa realizimi i synimeve të mësipërme mbetet i panjohur dhe në shumë gjëra do të varet nga rezultati i fushatës iraniane të Trumpit. Por për këtë nuk duhet kurresei të nënvlerësojmë vendosmërinë e Uashingtonit që këto synime të arrihen. Trumpi edhe vetë gabon shumë, por gjithsesi nuk i fal gabimet e të tjerëve. Dhe realiteti është i tillë, se është pikërisht ai i cili ka në dorë levat e fuqisë. Sepse sikurse kam thënë disa herë më parë – kjo nuk është luftë e pavarur e Trumpit, tekë e tij si produkt i mendjes së sëmurë ose diçka e ngjashme sikurse shpesh herë shpallet mediatikisht. Trumpi është në radhë të parë mjet i përzgjedhur për tentativën e arritjes së qëllimeve të lartpërmendura. Atëherë kur ai të mos arrijë në detyrën që i është vënë, do të shfronëzohet nga Shtëpia e Bardhë. Nuk është as i pari dhe as i fundit. Jeta ecën përpara, por ajo që është e padyshimtë është se ky Trumpi ekscentrik po arrin dukshëm të realizojë interesat kombëtare amerikane dhe është gjithashtu e sigurtë se nuk do të rikthehet në kompozimet paraardhëse – të kohëve para tij.
Se sa e pakëndshme për botën është kjo gjendje (megjithatë shumë më pak se për ShBA-të) dëshmon edhe teksti i medias së famshme The Economist të datës 21 prill me titull: “Kriza globale energjetike buzë katastrofës”, ndërsa “skenarët variojnë nga të këqinj në të tmerrshëm”. Në të flitet se nga kriza energjetike globale mbetet gjithsejt vetëm një hap. Krahasohet gjendja e tanishme me atë nga koha e pandemisë së Covid-19. Gjendje veçanërisht e vështirë parashikohet për Azinë dhe Europën. Për Europën nënvizohet se, me shpejtësi të madhe, po mungojnë karburantet, ndërsa në të njëkohësisht po mbyllen disa rafineri për shkak të mungesës së naftës në tregun botëror.
Sikurse shkruan me 22 prill CNN “Grupi gjerman Lufthansa deklaroi se deri në muajin tetor do të zvoglojë numurin e fluturimeve me 20.000 në mënyrë që të kursejë karburantin, çmimi i të cilit është dyfishuar që nga shpërthimi i konfliktit iranian”.
Këtu sjellim në kujtesë se ShBA-të kanë prodhimin e tyre të naftës i cili është më i madhi në botë (rritja e çmimit të karburanteve në tregun amerikan është pasojë e faktorëve të tjerë, jo vetëm ata të lidhur me kuftën iraniane, gjë e cila gjithsesi kërkon një analizë të veçantë). Pra Shtetet e Bashkuara mund të përballen shumë më lehtë me krizën energjetike në krahasim me Europën dhe(ose) Azinë Juglindore.
Gjithsesi Kina është përgatitur shumë më mirë për këtë krizë në krahasim me Europën dhe fqinjët e saj të pasur – Japoninë dhe Koreenë e Jugut, si dhe nga shtetet e varfëra si Filipinet, Tajlanda, Vietnami. India gjithashtu nuk e ka ndëprerë blerjen e naftës ruse (Ural) tani me çmimin e tregut me 120 dollarë për barelë. Por Kina nuk mund të mbahet për një periudhë afatgjatë, nëse lufta iraniane, ose më mirë të themi bllokada e Hormuzit vazhdon në pafundsi. Ajo vërtetë nuk do të shkatërrohet, sepse një pjesë të naftës e siguron nga Rusia, por nuk ka dyshim se do të përjetonte një rënie të fuqishme ekonomike e cila do të kishte pasoja shkatërrimtare gjeopolitike. Por në rrethana të caktuara, për të fatlumë, kjo krizë mund të përshpejtojë dhe të forcojë akoma më shumë lidershipin e saj global në sferën e teknologjisë së gjelbër.
Paralelisht, me 23 prill, BE-ja miratoi paketën e 20 sanksioneve antiruse nga të cilat në fund hoqi pjesën e parashikuar kryesore të tyre: sanksionet për kalimin e tankerëve të naftës (është e qartë se për çfarë arësyeje).
Njëkohësisht Gjermania javën e kaluar miratoi strategjinë e saj të parë të pasluftës të cilën e paraqiti ministri i saj i mbrojtjes Boris Pistorus (SDP), me titullin domethënës “Përgjegjësia për Europën”.
Në këtë strategji, mes tjerash, nënvizohet haptazi ajo për të cilën fola më lart në kontekstin e strategjisë së re amerikane: “Moska dhe Pekini kohët e fundit kanë forcuar aktivitetet diplomatike, meqënëse lufta e Shteteve të Bashkuara kundër shtetit të Iranit është e orientuar kryesisht kundër Kinës. Në këtë konflikt të ri mes Lindjes dhe Perëndimit, Gjermania duhet t’u ruajë shpinën amerikanëve duke parandaluar Rusinë”.
Në këtë kontekst, të mençurit mund thonë se shumë njerëz nuk mësojnë kurrë dhe asgjë nga historia. Gjermania në shekullin e 20-të dy herë tentoi të merrte mbi vete “përgjegjësinë për Europën” (atëherë gjithsesi me iniciativën dhe vullnetin e saj). E dimë mirë si përfundoi si për njërën ashtu edhe për tjetrën.
Le të shpresojmë se kësaj herë të mençurit e politikës kanë plane shumë më të mira përsa i përket rezultatit përfundimtar.
[i] https://www.geopolitika.news/analize/tjedna-analiza-zorana-metera/tjedna-analiza-zorana-metera-njemacka-je-u-20-st-pokusavala-uzeti-odgovornost-za-europu-znamo-epilog/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA



























































