Nga Prof. Asoc. Dr. Bledar Kurti
Në demokracitë moderne ekziston një paradoks i madh. Ne sot besojmë se politikanët formësojnë opinionin publik, ndërsa në të vërtetë gjithnjë e më shumë janë algoritmet ato që formësojnë politikanët dhe turmat.
Nëse dikur rruga drejt pushtetit kalonte përmes partive, televizioneve dhe institucioneve, sot ajo kalon përmes një formule matematike të shkruar në serverët e kompanive gjigante të teknologjisë.
Algoritmi nuk voton. Nuk kandidon. Nuk mban konferenca për shtyp. Megjithatë ai vendos çdo ditë se çfarë do të shohim, për çfarë do të zemërohemi, kë do të admirojmë dhe kë do të urrejmë.
Në ekonomi thuhet se “kërkesa krijon ofertën”. Në epokën digjitale ndodh e kundërta: algoritmi krijon kërkesën. Platformat sociale nuk janë projektuar për të shpërblyer të vërtetën. Ato janë ndërtuar për të maksimizuar kohën që përdoruesi kalon në ekran. Çdo sekondë më shumë përkthehet në reklama, të ardhura dhe fitime.
Prandaj algoritmi nuk shpërblen qetësinë. Nuk promovon argumentin e balancuar. Nuk favorizon analizën akademike. Ai shpërblen zemërimin.Ai promovon konfliktin. Ai shumëfishon emocionin.Sepse emocionet prodhojnë klikime. Klikimet prodhojnë para.
Kjo nuk është më teori. Studime të publikuara nga revista shkencore PNAS kanë treguar se algoritmet e platformave sociale mund të amplifikojnë në mënyrë të pabarabartë përmbajtjen politike, duke ndikuar drejtpërdrejt në atë që qytetarët shohin në ekranet e tyre.
Po kështu, kërkime të tjera mbi demokracinë dhe rrjetet sociale argumentojnë se platformat nuk janë më thjesht pasqyra të opinionit publik, por aktorë që mund të ndikojnë vetë mbi procesin demokratik.
Shembujt ndërkombëtarë janë të shumtë. Skandali Cambridge Analytica tregoi se miliona profile në Facebook u përdorën për të ndërtuar mesazhe politike të personalizuara gjatë zgjedhjeve amerikane dhe referendumit për Brexit.
Në SHBA, studime të viteve të fundit kanë ngritur pyetje mbi mënyrën se si algoritmet e TikTok apo X (ish-Twitter) favorizojnë ose amplifikojnë lloje të caktuara të përmbajtjes politike.
Në Francë, Gjermani apo Itali, partitë tashmë kanë ekipe të tëra që nuk analizojnë më vetëm sondazhet, por edhe mënyrën se si funksionojnë algoritmet e platformave.
Politika nuk pyet më vetëm “çfarë mendojnë qytetarët?” Pyet gjithnjë e më shumë: “Çfarë do të pëlqejë algoritmi?”
Në këtë kontekst, edhe protestat nuk janë më vetëm ngjarje fizike.
Ato janë edhe ngjarje algoritmike.
Një protestë me pak pjesëmarrës, por me mijëra video virale, mund të krijojë perceptimin e një lëvizjeje shumë më të madhe. Nga ana tjetër, një protestë masive që nuk arrin të depërtojë në rrjetet sociale mund të duket sikur nuk ka ekzistuar aspak.
Rasti i protestave të fundit në Tiranë është ilustrues për këtë realitet të ri. Përveç debatit politik mbi shkaqet dhe kërkesat e protestuesve, një pjesë e rëndësishme e diskutimit publik është përqendruar pikërisht tek roli i algoritmeve, rrjeteve sociale dhe ekonomisë së vëmendjes në përhapjen e mesazheve, mobilizimin dhe perceptimin publik të protestave.
Kryeministri Edi Rama e ka përshkruar këtë fenomen si një “ciklon digjital”, duke argumentuar se algoritmet favorizojnë konfliktin dhe zemërimin, ndërsa kritikët kanë kundërshtuar se algoritmet nuk krijojnë pakënaqësinë, por vetëm e amplifikojnë atë.
E vërteta është që po, algoritmi e krijon pakënaqësinë dhe arrin ta shumëfishojë atë. Mjafton një video emocionale e mund të shikohet nga miliona njerëz brenda pak orësh. Një deklaratë provokuese mund të dominojë debatin kombëtar. Një slogan mund të bëhet identitet politik.
Kjo është arsyeja pse sot nuk mjafton më të fitosh zemrat e qytetarëve.
Duhet të fitosh edhe algoritmin.
Dhe këtu lind rreziku më i madh për demokracinë.
Nëse politikanët fillojnë të flasin vetëm për atë që algoritmi shpërblen, atëherë politika humbet funksionin e saj përfaqësues dhe shndërrohet në industri të vëmendjes.
Vendimet nuk merren më mbi bazën e analizës. Por mbi bazën e angazhimit. Jo të së vërtetës. Por të viralitetit. Demokracia nuk matet me numrin e “like”-ve. As me shikimet në TikTok. As me shpërndarjet në Facebook.
Ajo matet me qytetarë që mendojnë kritikisht dhe me institucione që marrin vendime mbi fakte, jo mbi trendet e algoritmit.
Në fund të fundit, sfida e shekullit XXI nuk është vetëm të mbrojmë demokracinë nga propaganda. Është ta mbrojmë atë edhe nga matematika e padukshme që vendos çdo ditë se çfarë do të shohim, çfarë do të besojmë dhe, ndoshta, edhe si do të votojmë.
Rasti i protestave në Tiranë është ilustrimi më i qartë se si kjo matematikë e padukshme arrin të krijojë shtigje për anarki dhe përpjekje për të rrëzuar rendin kushtetues. Përdorimi i emocioneve dhe jo i racionalizmit për të zhbërë mazhorancë, opozitë, kuvend, gjyqësor, çon në mosgjë e shkel parimet themeltare kushtetuese të një republike. E çfarë ndodh më pas? Ajo që Sokrati e quajti “Anija e të marrëve.” Në një anije në mes të detit timonin nuk e merr ai që di të drejtojë e çojë anijen në breg por dikush pa përvojë, një demagog apo gaztor, në këtë rast produkt i algoritmit, i cili e përplas anijen te shkëmbijtë.
Një dimension edhe më kompleks është ndërhyrja e aktorëve të huaj në këtë ekosistem digjital. Sot nuk është më e nevojshme të financosh media tradicionale apo të dërgosh agjentë ndikimi në terren. Mjafton të kuptosh se si funksionon algoritmi. Përmes rrjeteve të koordinuara të llogarive, reklamave të targetuara, faqeve anonime, “influencuesve” të paguar apo fushatave të dezinformimit, aktorë të huaj shtetërorë dhe joshtetërorë mund të amplifikojnë ndarjet ekzistuese në një shoqëri, duke rritur polarizimin dhe mosbesimin ndaj institucioneve.
Rastet e dokumentuara të ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, operacionet e dezinformimit të zbuluara nga Bashkimi Evropian, si edhe fushatat e ndikimit të atribuuara aktorëve nga Irani dhe vende të tjera, tregojnë se algoritmet janë shndërruar në një mjet të ri të konkurrencës gjeopolitike. Objektivi nuk është domosdoshmërisht të bindësh qytetarët të besojnë një ide të caktuar, por të mbjellësh konfuzion, të thellosh përçarjet dhe të dobësosh besimin tek demokracia.
Shqipëria u prek ndjeshëm e dukshëm nga ky fenomen. Debati ynë publik i brendshëm mori përmasa të mëdha në rrjetet sociale duke bërë që aktorë të jashtëm ta shfrytëzojnë atë për interesat e tyre strategjike. Rasti i fotos së një vajze të vogël shqiptare (diku 6-8 vjeçare) me flamurin e kuq me shqiponjën dykrenore në bulevardin e Tiranës u postua e u shpërnda në mbarë botën nga faqje iraniane, shoqëruar me një mesazh kundër SHBA. E vërteta duket se nuk ka vlerë. Emocioni, manipulimi, jehona, zhurma, konflikti, shkatërrimi, përçarja, lufta, këto vlejnë për algoritmin. Sukses përmes rrënimit të njerëzve dhe të shtetit.
Mbroni republikën. Mbroni rendin kushtetues. Mos lejoni që algoritmi të mendojë në vendin tuaj. Mos u bëni pjesë e turmës digjitale. Informohuni, dyshoni, verifikoni dhe jini qytetarë me mendim kritik. Demokracia nuk mbijeton nga emocionet virale, por nga arsyeja e lirë.
Republikat nuk rrëzohen vetëm nga armët. Ato mund të dobësohen edhe nga manipulimi i mendjes. Mbroni lirinë tuaj më të çmuar: aftësinë për të menduar vetë. Mos u përdorni. Bëhuni qytetarë të përgjegjshëm, sepse vetëm mendimi i lirë dhe i shëndetshëm mbron demokracinë.
“Unë mendoj prandaj jam” tha Dekarti. Mendoni e jini. Qytetarë të lirë e të përgjegjshëm që rendin veçse pas së vërtetës. Veritas. E vërteta të çliron.
© 2026 Argumentum





























































