Nga Janusz Bugajski
Për të mirën e vendit dhe mbijetesën e shtetit, politikanëve të Kosovës i duhet të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e anshmërisë dhe legjitimitetit. Me rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me mbështetjen e BE-së është e rëndësishme të shqyrtohen pikat e forta dhe të dobëta të të dy protagonistëve dhe se si Prishtinës i duhet të veprojë për të arritur objektivat e veta.
Kryeministri kosovar Avdullah Hoti ka deklaruar se takimi me presidentin serb Aleksander Vuçiç në Bruksel më 16 korrik inicioi hartimin e një “marrëveshjeje përfundimtare” mes Kosovës dhe Serbisë. Ky mund të jetë optimizëm i tepruar për dy arsye kryesore: vendosmëria e Beogradit për të mos përfunduar bisedimet dhe përçarjet politike të vazhdueshme të Kosovës.
Udhëheqja politike e Kosovës është e përçarë në një kohë kur ka nevojë urgjente për unitet. Presidenti Hashim Thaçi është mënjanuar dhe është i gatshëm të japë dorëheqjen për shkak të akuzave të Hagës për krime lufte të pretenduara. Udhëheqësi kryesor i opozitës Albin Kurti po sulmon Hotin me pretendimet e mungesës së legjitimitetit, transparencës dhe përgatitjeve për bisedime. Dhe Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, drejtues partish në koalicionin qeverisës, pretendojnë se nuk janë pyetur mbi emërimin e Skënder Hysenit koordinator shtetëror për dialogun me Serbinë.
Mbetet e paqartë nëse roli i Hysenit është ai i koordinatorit në një dialog teknik apo i negociatorit në një marrëveshje përfundimtare. Mungesa e konsensusit politik rreth negociatave dhe rolit të Hysenit është një dhuratë e madhe për Beogradin. Hoti bëri thirrje për një seancë parlamentare mbi bisedimet e Brukselit, por kjo jo vetëm u bojkotua nga drejtuesit e partive opozitare, por edhe nga partnerët e koalicionit. Dikush mund të pyesë veten se edhe për sa kohë realisht do të mbijetojë qeveria me një shumicë të ngushtë në parlament, në këto kushte antagonizmi.
Nga kërcënimi i rënies së qeverisë dhe shtyrjes së mëtejshme e bisedimeve përfiton Vuçiç i cili dëshiron të kufizojë negociatat mbi (diskutimin) e detajeve teknike të pafund. Kjo strategji ka për qëllim të tregojë se Kosova është një shtet i dështuar, i keqqeverisur nga politikanë që bëjnë zënka (me njëri tjetrin), një qendër e krimit të organizuar, e udhëhequr nga kriminelë lufte që po viktimizojnë serbët dhe një burim i paqëndrueshmërisë rajonale. Duke argumentuar se Kosova nuk është një shtet i besueshëm, Beogradi dëshiron që BE-ja të braktisë kushtet e saj në njohjen e Prishtinës dhe të përqëndrohet në mbështetjen e Serbisë.
Qëllimi fundor i Beogradit është që Kosova të jetë aq e zhytur në konflikt të brendshëm sa që shteti të pushojë së funksionuari dhe ekonomia të shembet. Nëse Beogradi nuk mund ta rimarrë Kosovën, atëherë ai dëshiron të sigurohet se shteti nuk do të mbijetojë dhe përsëri të zgjojë fantazmat me një ndarje territori midis Serbisë dhe Shqipërisë si zgjidhja e vetme.
Paqartësia mbi përmbajtjen e bisedimeve të BE-së gjithashtu ndihmon Beogradin. Pas takimit të 16 korrikut, Mirosllav Lajçak, Përfaqësuesi Special i BE-së, deklaroi se të dy krerët ranë dakord të punojnë intensivisht në nivel ekspertësh. Hoti hodhi poshtë idenë se kjo thjesht nënkupton vazhdimin e një dialogu teknik, por do të përqendrohej në njohjen e ndërsjellë. Vuçiç e kundërshtoi deklaratën e Hoti se një marrëveshje përfundimtare po hartohej nga dy kryeqytetet.
Përpjekjet e ndërmjetësimit të BE-së janë të bazuara në idenë se Serbia do të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën në këmbim të pranimit në BE. Problemi është se Beogradi nuk i beson Brukselit në përmbushjen e premtimeve të tilla.
Edhe pse Vuçiç mbështet në publik hyrjen e Serbisë në BE, mbetet e paqartë nëse ai me të vërtetë dëshiron që Serbia të bashkohet me një organizatë që kërkon përgjegjësi politike dhe transparencë ekonomike. Brukseli nuk ka të ngjarë të aprovojë anëtarësimin e një shteti ku një parti ka një monopol dhe ku sundimi i ligjit është shkelur dhe mediat janë heshtur.
Në qoftë se negociatat e tanishme Kosovë-Serbi nuk kanë një qëllim të qartë dhe një afat kohor, ata do të vazhdojnë ta mbajnë rajonin në udhëkryq. Një zgjidhje do të ishte një ultimatum nga ana e BE-së, (i llojit) ose Serbia e njeh Kosovën si shtet të pavarur ose negociatat e pranimit BE-Serbi do të pezullohen, ndërsa marrëdhëniet me Kosovën do të zhvillohen përmes liberalizimit të vizave dhe marrëdhënieve më të ngushta. Fatkeqësisht, Brukselit i mungon guximi të ndërmarrë hapa të tillë të guximshëm.
Fakti zhgënjyes është se në të gjithë spektrin politik në Kosovë ekziston konsensusi se çdo marrëveshje përfundimtare me Serbinë duhet të përfshijë njohje reciproke. Fatkeqësisht, në Prishtinë ka mungesë besimi dhe udhëheqjeje që të sigurojë që ky mesazh të dëgjohet me zë të lartë dhe në mënyrë të vazhdueshme në të dy anët e Atlantikut. Dhe konfliktet e brendshme politike ndihmojnë Beogradin duke krijuar përshtypjen se liderët e Kosovës janë të ndarë në objektivat e tyre. Për të arritur qëllime konkrete, duhet si strategji ashtu dhe unitet./Ekskluzive -Dita





























































