Bordi i Transparencës përcakton çmimin e ri për naftën

Bordi i Transparencës vendosi sot çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas.

Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.

Nisur sa më sipër, Bordi vendosi miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 27 prill deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit.

Kështu çmimi do të jetë 221 lekë/litër për gazoilin; 201 lekë/litër për benzinën; 92 lekë/litër për gazin e lëngshëm të naftës.

Bordi vendosi gjithashtu edhe miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 27 prill deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit.

Çmimi do të jetë 233 lekë/litër për gazoilin; 213 lekë/litër për benzinën; 104 lekë/litër për gazin e lëngshëm të naftës.

Çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrialë çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën.

Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 27 prill, ora 18:00, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim.