Prof.Dr. Enver Bytyçi| ARGUMENTUM
Para pak ditësh në Korenë e Jugut u bë takimi midis dy liderëve më të fuqishëm të globit, atij amerikan, Donald Trump dhe presidentit kinez, Xi Jinping. Në atë takim u mor vesh se tarifat amerikane për mallrat kineze që eksportohen në SHBA ishin mjet pët ta bindur presidentin e Republikës Popullore të Kinës që ai të ndihëmonte në zgjidhjen e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës. Dihet se Pekini dhe Moska kanë tashmë një partneritet dhe aleancë të shpallur, por që deri më sot ka rezultuar të jetë efektive në fushën e politikës, ekonomisë, infrastrukturës etj. Lufta në Ukrainë nuk është përkrahur nga ana e liderëve kinezë, së paku në masën që kishte shpresuar Moska.
Në të vërtetë Xi Jinping e dinte këtë lloj loje. Ai kishte qenë gjithmonë I gatshëm për të dhënë kontributin e tij për përfundimin e luftës në Ukrainë, pavarësisht lidhjeve të ngushta me Putin. Ishte presidenti kinez ai që ndaloi retorikën e Vladimir Putin për kërcënimin me përdorimin e armëvë bërthamore të para dy viteve. Që do të thotë së Kina nuk u bë direkt palë në anën e Rusisë në këtë konflikt. Edhe vetë Volodymyr Zelensky shprehu disa herë shpresën dhe dëshirën që Kina të ndihëmonte për t’i dhënë fund luftës. Madje ai i kërkoi Kinës të bëhej ndërmjetëse e bisedimeve për përfundimin e këyij konflikti shkatërrues. Dhe Pekini e bëri këtë thuajse nga dita e parë e agresionit me shumë kujdes dhe me shumë durim. Pa ngutje. Pa presione. Pa mburrje! Deri te deklarata se duhet të respektohet sovraniteti tokësor i Ukrainës.

Ndërkohë presidenti Trump ia përsëriti homologut të tij kinez, Xi, kërkesën që të ndërmjetësojë paqen në Ukrainë. Kjo do të thotë se paqja ose lufta varen nga dy më të mëdhenjtë e planetit, SHBA dhe Kina. Kurse presidenti i Koresë së Jugut i kërkoi homologut të tij kinez që të ndërmjetësojë për një marrëdhënie paqësore me Korenë e Veriut. E në harkun k0hor të tri ditëve, sërishmi presidenti Xi bën një hap tjetër drejt paqes me Japoninë. Takoi dhe bisedoi me kryeministren e re të Japonisë, konservatoren Sanae Takaichi.
Në pak ditë ka kaq shumë dëshmi se Pekini është i përkushtuar për paqe dhe se roli i tij në botë është i pazevendësueshëm. Dhe kur të gjithë duan të punojnë me Kinën, atëherë do të thotë se superfuqia aziatike ka në dorë të bëjë gjëra të mëdha. A mund ta zhgënjejë Pekini shpresën për paqe të njerëzimit? Do të ishte gabim, nëse ndodh e kundërta. Por unë besoj se jo. Liderdshipi kinez ka provuar se nuk zhgënjen. Autoriteti i saj nuk bazohet aq në fuqinë politike, ekonomike, demografike dhe ushtarake e teknologjike të saj, sa në respektimin e parimeve të barazisë midis shteteve dhe të ligjit ndërkombëtar për rendin botëror.
Megjithatë bota ndodhet ende midis dilemës për konflikte deri në shpërthimin e Luftës së Tretë Botërore dhe shpresës për paqe. Kurrë ndonjëherë pas Luftës së Dytë Botërore nuk është folur kaq shumë për luftën dhe paqen, si dy koncepte të kundërta, me të cilat mund të përballet njerëzimi. Nga njëra anë Rusia dhe Izraeli, të cilat kryejnë agresione dhe vrasin njerëz të pafajshëm. Nga ana tjetër SHBA-të, Kina dhe vende të tjera, të cilat po përpiqen për paqen. Dy pamje të ndryshme. Dy realitete me të cilat gati sa u mësuam t’I shohim si normalitet.
Gjatë këtij viti bota ka shënuar disa momente historike në dramat dhe përpjekjet për t’i shëruar ato. Plagët e luftës që u hapën kërcënojnë rendin, stabilitetin dhe rregullin ligjor ndërkombëtar. Donald Trump duket qartë se dëshiron t’I shërojë këto plagë. Ai erdhi në në janar në Shtëpinë e Bardhë gjithnjë me shpresën se do të bëjë paqe në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. Pati premtuar se do ta sillte paqen në Ukrainë brenda një kohe të shkurtër. Për këtë ndërtoi skemën e bisedimeve dhe ngarkoi diplomatë të fuqishëm. Para pak javësh priti për bisedime në Alaska presidentin rus, Vladimir Putin. Më pas përdori një sërë mjetesh për të imponuar paqen, deri te kërcënimet me sanskione. U bëri presion Indisë dhe Kinës që të ndërpresin furnizimin me naftë dhe gaz nga Rusia. Këtë presion ua bëri edhe vendeve të Europës dhe atyre anëtare të NATO-s. Kështu në një dorë mbajti kulaçin e në anën tjetër përdori presionin. Por pavarësisht kësaj Vladimir Putin i ka bërë bisht deri më sot përfundimit të luftës në Ukrainë. Madje ka intensifikuar sulmet ushtarake dhe shtuan numrin e viktimave të pafajshme në Ukrainë.
Tani, pas 10 muajve të ardhjes në pushtet të presidentit Trump shohim se ka arritur së paku një lloj armëpushimi në Gaza, pavarësisht se ky armëpushim nuk po respektohet. Ka realizuar nënshkrimin e marrëveshjeve të paqes midis Azerbajxhanit dhge Armenisë, si dhe së fundmi atë midis Kamboxhias dhe Tajlandës. Ka mundur që të ndalojë një konflikt të mundshëm midis Pakistanit dhe Indisë. Po ashtu ka kërcënuar Serbinë, me qëllim që ajo të mos mund të ndërmarrë ndonjë aventurë lufte e konflikti në Kosovë. Në një farë mënyre Donald Trump bëri që Izraeli të ndalë luftën kundër Iranit dhe e qortoi Tel Avivin për sulmet e tij ushtarake kundë Katarit. Ndërkaq faktorizoi Turqinë në Lindjen e Mesme, si fuqinë më të madhe të rajonit midis Europës dhe Azisë, pas Rusisë, e cila nuk është në trenin e paqes.
Në këto përpjekje Trump tërhoqi Turqinë në anën e tij dhe vendosi disa ekuilibre me shtetet e fuqishme të Europës, sidomos me Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë. Turqia dhe presidenti i saj, Rexhep Tayp Erdogan, u bënë pika e rëndesës në orientimin e zotit Trump për të sjellë paqen në Lindjen e Mesme. Të gjitha këto lëvizje kanë shkuar në drejtimin e krijimit të një koalicioni të madh të paqes. Duket qartë se ky koalicion do ta vendosë në pozitë të vështirë presidentin rus, Vladimir Putin.
Kurse gjatë turit të tij në Azi Trump u përpoq sërishmi të bëjë të njëjtën gjë, të zgjerojë koalicionin anti-luftë, që do të thotë anti-Rusi. Pak a shumë u mor vesh edhe me presidentin kinez, Xi Jinping. Reduktoi tarifat doganore për mallrat kineze, të cilat hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këmbim të kontributit të Pekinit për paqen. Deri diku ia arriti qëllimit, sepse me shumë gjasa e ka ankoruar më aktivisht Pekinin pro paqes.
Ndërkohë që kur nisi sulmi ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës, mediet perendimore kanë artikuluar dhe projektuar vazhdimisht atë se tani “Edhe Kina do ta sulmojë dhe aneksojë Tajvanin”! Por kjo nuk ndodhi, megjithëse Tajvani nuk është subjekt i të drejtës sovrane ndërkombëtare, sepse nuk është anëtar i OKB-së. Ukraina po. Ajo është subjekt shtetëror ndërkombëtar së bashku me territorin e Krimesë dhe e njohur në OKB. Pse Kina nuk ndërmori ndonjë aventurë ushtarake në Tajvan? Së pari, sepse ajo i përmbahet zgjidhjeve paqësore dhe me dialog të konflikteve dhe të së drejtës. Nëse do të ndërmerrte një sulm ushtarak kundër Tajvanit, atëherë predikimi i saj moral për paqen nuk do të kishte vlerë. Vendet e vogla dhe aleate të saj do ta humbisnin besimin se Kina i përmbahet parimeve dhe zotimeve që ajo merr. Por edhe se Kina e di që një sulm kundër Tajvanit në kushtet e luftës në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme do të çonte në pragun e një lufte të përbotëshme. Ajo është kundër Luftës së Tretë Botërore. Ndaj dhe i përgjigjet në formën e saj bashkimit në koalicionin e paqes.
Në këtë kuptim, Donald Trump ka të drejtë kur thotë se “Kina nuk do ta sulmojë Tajvanin” gjatë mandatit të tij presidencial. Në fakt Kina nuk do ta sulmojë ishullin në fjalë as gjatë kohës së Trump, as pas tij. Jo se, siç thotë presidenti amerikan, “Xi i di pasojat, nëse sulmon Tajvanin”. Por se Pekini ndjek strategjinë që Tajvani t’i bashkohet Kinës vullnetarisht e paqësisht. Dhe sa kohë që ky ishull nuk do të jetë subjekt i së drejtës sovrane ndërkombëtare, në Tajvan do të ketë forca politike, siç është sot opozita e këtij vendi, që do të proklamojnë bashkimin e ishullit me Republikën Popullore të Kinës.
Ndërkohë sipërmarrësit tajvanezë sot që po shkruajmë kanë investuar në Kinë një kapital prej 400 miliard dollarësh amerikanë. A mundet që biznesi i një vendi të caktuar të investojë kaq shumë kapital në një vend fqinjë, i cili na qenka kaq armiqësor, sa e bëjmë ne Kinën për Tajvanin?! Absurde ta mendosh. Përkundrazi, kjo është shenjë e qartë se nëse ndodh bashkimi i Tajvanit me Kinën dhe kjo do të ndodhë një ditë, ky bashkim do të bëhet në mënyrë paqësore, sipas kritereve ndërkombëtare. Dhe nëse i përmbahemi logjikës raicionale, atëherë rezultati do të jetë i tillë.
Pas gjithë kësaj panorama, mund të themi se paqja në botë varet nga marrëdhëniet kino-amerikane. Një mirëkuptim dhe bashkërendim I veprimeve për paqen nga ana e Uashingtonit dhe Pekinit do ta bëjë botën stabile, të qëndrueshme dhe shumë më të sigurt. Thjesht duhet dialog dhe respekt për interesat e ndërsjellta të të dy vendeve.
© 2025 Argumentum





























































