Fitoi Macron, Franca dhe Europa!

Ekskluzivisht për ARGUMENTUM

Dr. Jorgji KOTE

Të dielën, më 24 Prill, politika, media dhe publiku në Europë dhe gjithandej ishin në Paris dhe në Francë, ku u zhvillua ballotazhi pë zgjedhjet presidenciale midis Emmanuel  Macron dhe  kandidates karizmatike të “Rassemblement National  (Bashkimi Kombëtar) të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen. Ishte  një betejë e vërtetë politike dhe zgjedhore; jo vetëm se  bëhet fjalë për Francën, bashkëthemelues i BE-së, vendi më i madh në BE me Gjermaninë; mbi të gjitha mbasi është vendi i parë i madh ku konkuroi për zyrën më të lartë të shtetit partia më e madhe e  ekstremit të djathtë. Kjo ndodhi mbasi në raundin e parë më 10 Prill, Macron siguroi 27,8 për qind të votave, ndërsa Le Pen u rendit e dyta me 23,1 për qind.   

Ja pse rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe sidomos fitoren e Macron mezi e prisnin jo vetëm në Francë por dhe në Uashington, Berlin, Londër, Romë, Bruksel dhe kudo gjetkë. Për fat të mirë nuk u zhgënjyen me rezultatin, edhe pse nën nivelin e 5 viteve më parë, por më i lartë se parashikimet. Macron fitoi me 59 për qind kundrejt 41 për qind të Marine le Pen, me një pjesëmarrje në votime prej 72 për qind. Në fitore pa shkëlqim, me rënie 7 për qind më 2017, por gjithsesi e trefishtë, për Macron, Francën, por dhe Europën dhe më gjerë.

Sepse 24 Prilli  shkonte shumë më larg se  kufijtë e Pallatit presidencial dhe të vetë Francës. Elysée-ja u kthye në “fushë-betejën” e madhe për gjithë Europën.

Sfidantja e Presidentit aktual Macron ishte sërish 53 vjeçarja Marine Le Pen, liderja populiste e “ Rassemblement National”, organizata më e madhe dhe më aktive e ekstremit të djathtë dhe e gjithë forcave të tjera të ngjashme në Europë. E  njohur për qëndrimet e saj armiqësore ndaj emigrantëve, vlerave perendimore, mulilaterizmit, NATO-s, BE-së, etj.

Le Pen është aleate besnike e Rusisë, aq sa e quajnë dhe Marine Putin. Megjithë manovrat e saj taktike në fushatë dhe sidomos në debatin televiziv më 20 Prill me Macron, ajo nuk arriti ta fshihte këtë realitet të hidhur për të. Për pasojë, nëse fitonte më 24 Prill, kjo do të ishte një fitore tjetër, madje e bujshme  politike e Putinit, pas atyre në Budapest dhe Beograd; sepse vërtet që beteja e tij ushtarakisht zhvillohet në Ukrainë, por lufta politike ndërkombëtare është e zhvendosur në Bruksel, Paris, Londër, Berlin dhe Uashington. Mbi të gjitha, fitorja e Le Pen do të ishte nxitje dhe inkurajim i madh për homologët e saj në Itali, Gjermani, Spanjë dhe gjetkë.

Fitorja e saj do të sillte një ndryshim radikal të politikave të brendshme dhe të jashtme franceze, qëndrime armiqësore dhe kufizime të mëdha për emigrantët dhe ndaj organizatave ndërkombëtare, në radhë të parë NATO-s dhe BE-së. Megjithë disa ndryshime taktikash dhe fasadash, themelet e politikës së saj anti – Euro&Atlantike kanë mbetur të pandryshuara. Ndonëse ajo nuk foli si më si më parë për FREXIT, dmth daljen jashtë,  por “ ribërjen “ e BE-së, ku fuqinë do të kenë shtetet kombëtare dhe jo Brukseli, ajo do të kërkonte  ndër të tjera, rishikimin e traktateve dhe shkurtimin e ndjeshëm të kontributeve financiare të Francës  çka do të krijonte turbullira të shumta politike dhe financiare brenda BE-së.

Ndërkohë, ajo është kundër NATO-s dhe sidomos bashkëpunimit me Gjermaninë. Mirëpo kjo e fundit do të disekuilibronte boshtin historik franko-gjerman, “ motorri” i funksionimit të BE-së, me pasoja të pallogaritshme për gjithë Europën.

Autori Dr. Jorgji KOTE

Rrezikshmëria e Le Pen qëndron dhe në faktin se si kryepopuliste karizmatike, me forcën e saj politike dhe aleatët në Francë, ajo kryesisht etiketon, kritikon, denigron, mohon, denoncon dhe kërkon “ qiqra në hell”, duke abuzuar me problemet dhe vështirësitë e shumta në përditshmërinë e francezëve të thjeshtë; premtimet e saj të bujshme për uljen e moshës se pensionit, rritjen e fuqisë blerëse, etj, dhe pse pa kurfarë analize dhe përvojë qeveritare tingëllojnë vërtet “ muzikë” për një numër të madh zgjedhësish  të pakënaqur, por me pasoja të pallogaritshme për ta. Kështu, ulja sipas propozimit të saj e moshës së pensionit në 62 vjeç do t’i kushtonte shtetit mbi 60 miliard Euro shtesë.

Lidhur me emigrantët e huaj, Le Pen kërkon të mbulojë largimin e tyre si të padëshiruar, duke u dhënë shtetasve francezë përparësi ligjore në arsimim, punësim dhe në trajtimet e tjera social-ekonomike. Mirëpo, kjo bie në kundërshtim me parimin e shenjtë të barazisë, të mishëruar në Kushtetutë dhe kështu me radhë.

Problemi tjetër i madh këtë radhë është se partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë janë rritur ndjeshëm sidomos në Francë, duke shfrytëzuar pakënaqësitë dhe zhgënjimin te  njerëzit e thjeshtë pas gjithë këtyre krizave. Raundi i parë zgjedhor më 10 Prill dëshmoi se dy ekstremet e majta dhe të djathta  në Francë mbizotërojnë me rreth 60 për qind të elektoratit. Ndërkohë që dy partitë tradicionale, ajo socialiste dhe konsevatore vazhdojnë tatëpjetën e tyre politike. Në raundin e parë, Kryebashkiakja e Parisit, socialistja  Anne Hidalgo dhe kandidatja e republikanëve Valerie Precesse, e cila pretendonte se ishte “2/3 Thatcher dhe 1/3 Merkel”  nuk siguruan të dya bashkë as  5 për qind të votave!!!.Gjithashtu, në balotazhin e 24 Prillit, për herë të parë në historinë zgjedhore franceze, vetëm Partia e Le Pen siguroi  mbi 40 për qind të votave, ose 7 për qind më shumë se më 2017!

Për pasojë, në Francë është shtuar ndjeshëm Euroskepticizmi. Gjithsesi,  ndryshe nga parashikimet e mëparshme,  në përfundim të fushatës zgjedhore u shtua numri i mosbesuesve ndaj Le Penit. Kjo mbasi siç e shigjetoi atë Macron, “ ajo ka vetëm “ fantazi politike” me  një program që fillimisht do sqaruar, ndërsa Macron kishte një program bindës, të verifikuar dhe fitues, pavarësisht nga dritëhijet e pamohueshme.

Veç kësaj, shpresa për një fitore bindëse të Macron ishin të pavendosurit dhe votat e partisë së ekstremit të majtë të Jean Luc Melenchon, i cili siguroi 22 për qind më 10 Prill. Sipas të dhënave më të fundit,  në përgjigje të thirjes së tij që asnjë votë të mos shkonte për Le Pen,  66 për qind e tyre votuan për Macronin, çka duket se u konsolidua pas suksesit  të tij të dukshëm  në debatin televiziv të 20 Prillit  ndërmjet dy sfidantëve  presidencialë.

Më tej, Presidenti në detyrë, Emmanuel Macron dhe partia e themeluar prej tij “ La  Rèpublique en Marche” erdhi duke i ka forcuar vazhdimisht pozitat, sidomos pas paraqitjes dinjitoze ne debatin televiziv, ku bindi 60 për qind të votuesve. Ai përfaqëson pjesën më të moderuar europianiste të shoqërisë franceze.

Gjatë 5 viteve në Elysée, Macron e ka tregur vehten menaxher të vërtetë të situatave dhe kampion të vlerave më të mira demokratike në periudha të jashtëzakonshme; pas trazirave sociale me “ jelekverdhët” dhe Brexit,  plasi kriza e koronës dhe shumë kriza të tjera të rënda, deri te lufta në Ukrainë me pasojat e saj. Mjafton të përmendet se megjithë situatat e jashtëzakonshme, niveli  i papunësisë në Francë është më i ulti në 13 vitet e fundit!

Pas largimit të Merkel, ai është lideri më i besueshëm i një vendi të madh që bashkë me Gjermaninë dhe vende të tjera ka marrë në dorë dhe do t’i çojë më tej fatet e BE-së dhe NATO-s, me SHBA-ë dhe aleatët e tjerë.

Rikujtojmë me këtë rast se gjatë presidencës së tij, Macron ka bërë goxha me Merkel dhe aleatët e tjerë për BE-në, në sfidat e saj më të mëdha historike. Kështu, me nismën Franco-gjermane u miratua paketa më e madhe e  ndihmave për COVID-19 për vendet më të prekura prej 750 Miliard Euro, në formën e borxheve që do të përballohen për herë të parë nga të jitha vendet antare të  BE-së, një “revolucion” i vërtetë në BE. Po ashtu, përmes debatesh dhe kompromisesh historike, u miratua për periudhën 2021 – 2027 buxheti më i madh në historinë e BE-së prej 2,4 Trilion Euro.

Ja pse, fitorja e Macron si europianist i shquar është një goditje e rëndë për forcat populiste dhe ekstremiste në Francë dhe kudo. Brenda vendit do të vazhdojë procesi i reformave me ndryshimet e duhura që prekin jetën e përditshme të njerëzve. Në politikën e jashtme, do të ketë rrjedhoja pozitive për forcimin e multilaterizmit, të OKB-së, BE-së dhe NATO-s, në përgjithësi të Euro-Atlantizmit. Macron është artizan dhe partizan për një ndryshim cilësor, sidomos në funksionimin e BE-së. Ai ka hedhur me kohë disa ide sfiduese për një Europë të re, që të thellohet më shumë nga brenda, përpara se të zgjerohet më tej nga jashtë, por koha, ngjarjet, pandemia dhe zhvillime të tjera nuk i kanë dhënë kohën dhe hapësirën e duhur për realizimin e tyre.

Ca më tepër që këto zgjedhje përkojnë dhe me Presidencën franceze të BE-së deri në fund të muajit Qershor. Kur tashmë Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia kanë kërkuar antarësimin e tyre, krahas 6 vendeve të Ballkanit Perendimor. Si lider i një vendi të madh si Franca, Macron ka gjithë të drejtën e vet për t’u shprehur dhe sugjeruar ide dhe lëvizje të reja politike, me qëllim që BE-ja të mësojë dhe të shmangë  gabimet dhe mangësitë e kaluara dhe t’i përgjigjet sfidave të reja madhore në të gjitha fushat e sidomos në ato të mbrojtjes  dhe sigurisë; që më në fund, të mos ngelë më “ xhuxhmaxhuxh politik dhe krimb ushtarak”.

Në këtë drejtim, Ballkani Perendimor ze vend të veçantë. Shenjë dhe mesazh i rëndësishëm i vëmendjes dhe interesit gjeopolitik francez për këtë rajon nevralgjik është organizimi në fund të muajit Qershor i një Konference të madhe të posaçme te BE-së mbi perspektivën e rajonit tonë. Nuk është fjala për samitet që kanë filluar të bëhen rregullisht çdo vit por për një konferencë, pra format më i gjerë, zyrtar dhe vendimarrës. Ai do të paraprihet nga Samiti i rregullt i BE-së më 14/15 Qershor, i cili me siguri do të miratojë një platormë të re strategjike për Ballkanin Perendimor, në dritën dhe zhvillimeve të reja pas agresionit rus në Ukrainë.

Megjithë vonesat e rastit, BE-ja me mbështetjen franceze vitet e fundit ka bërë goxha për rajonin. Ballkani Perendimor përfiton 3,3 miliard Euro për COVID-19, ndërsa për periudhën  2021 – 2027, BE-ja ka akorduar 30 Miliard Euro në kuadrin e Planit gjigand të Investimeve në këtë rajon. Po ashtu, Franca është ndër vendet më aktive të Procesit të Berlinit dhe mbështetëse e fuqishme e “Tregut të Përbashkët Rajonal” të Ballkanit Perendimor. Megjithë Jo-në e saj dhe kushtet e caktuara më 2018-2019, Macron është partizan i çeljes së negociatave me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut, pra dhe në këtë drejtim, Franca “ nuk ka të sharë”

Ja pse, pavarësisht nga sfidat e mëdha e të vështira që e presin brenda dhe jashtë,  sidomos zgjedhjet e reja dhe tejet sfiduese parlamentare në Qershor, fitorja e Macron  po shoqërohet me interes dhe entusiazëm ngado në Europë dhe në botë, si një ogur i mirë dhe i mbarë për përparimin e mëtejshëm të  BE-së, NATOS dhe Aleancës Perendimore në përgjithësi.

/Argumentum.al

© 2022 Argumentum