Nga Ardit Gjinali| ARGUMENTUM
Politolog
Zgjedhje vendore thuajse të përmbyllura….thuajse, për shkak të katër komunave Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë ku do mbahet një tjetër proçes zgjedhor lokal….i mëparshmi nuk u përmbyll për shkak të mosarritjes së numrit minimal të parashikuar për pjesëmarrjen në zgjedhje, hap i nevojshëm për konsiderimin e proçesit zgjedhor si të vlefshëm.
Proçesi zgjedhor u parapri nga një fushatë e ethshme zgjedhore, tërësisht polarizuese, me një retorikë të ashpër ku elementët emocionalë të nacionalizmit u thirrën në vëmendje, një thirrje ku fillesa e evokimit vijonte akuzën politike me qëllimin fundor të fitores vendore….një fushatë ku vendorja dhe politikja ngërtheheshin si parathënie interpretimi të shumanshëm të së nesërmes së lokaleve….në fakt zgjedhjet lokale janë të dënuara të jenë objekt i interpretimeve të shumëanshme, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, jo vetëm ndër faktorin politik Shqiptar, por gjithashtu dhe përtej.
Në bllokun politik maqedonas, zgjedhjet vendore ishin një vazhdimësi e valës politike të zgjedhjeve parlamentare, situatë politike e ngjashme me zgjedhjet lokale të vitit 2017 ku opozita e tanishme LSDM , asokohe në pushtet pas një viti, realizoi një fitore të përmasave të njëjta me të VMRO-DPMNE në zgjedhjet e këtij viti.
Përtej interpretimeve të ndryshme që kanë qenë objekti kryesor i retorikës politike të palëve, mbetet të theksohet fitorja e thellë e VMRO-DPMNE përkatësisht në nivel të kryetarëve të komunave dhe në nivel këshilltarësh komunalë e njehsuar me votën kombëtare; humbja e thellë e partisë kryesore të opozitës, partia kryesore ish-qeverisëse, LSDM ( Lidhja SocialDemokrate e Maqedonisë) dhe një rritje e vijueshme elektorale në nivel të votës kombëtare për partinë “LEVICA” ose e “MAJTA” , moment politik që kulmoi me sigurimin e garimit në raundin e dytë për bashkinë ose komunën më të madhe në vend, Komunën e Shkupit.
Në bllokun politik Shqiptar, përballja mes dy koalicioneve përkatësisht “AKI” dhe “VLEN” ishte tërësisht politike ku drejtuesit kryesorë të koalicioneve u përballën në dy komunat më të rëndësishme si Çairi dhe Tetova.
Zgjedhjet vendore bartin karakteristikën tipike të dy-lexueshmërisë përkatësisht të votës në rang kryetarë komunash/bashkish dhe në rang të këshilltarëve komunalë/bashkiakë. Fitorja e “VLEN”, koalicion i përbërë nga “Lëvizja për Integrim”, Lëvizja “Besa” , partia “Alternativa”, lëvizja “Arbëria” , fitore përkatësisht në 10 komuna; ishte e qartë në rang kryetarë komunash, nga ana tjetër, koalicioni “AKI” i përbërë nga Bashkimi Demokratik për Integrim i përfaqësuar nga Ali Ahmeti dhe dy krahët politikë të Aleancës për Shqiptarët të përfaqësuar nga Arben Taravari dhe Zijadin Sela ka fituar në rang të votës kombëtare për këshilltarët komunalë/bashkiakë dhe shënoi një rezultat të ulët në numrin e komunave të fituara, përkatësisht katër.
“Çashka si fitore me thelb politik përtej një aleancë përkatëse politike”
Në nivelin e përfaqësimit etnik, mbetet të theksohet që komuna e Çashkës do të drejtohet për herë të parë nga një përfaqësues Shqiptar, Suad SHAQIRI, koalicioni “AKI”, nga ana tjetër Kërçova është komuna që pas tre mandatesh, do të drejtohet sërish nga një përfaqësues maqedon, përkatësisht përfaqësues i “VMRO-DPMNE” dhe komuna e Bërvenicës nuk u fitua dot nga përfaqësuesi i koalicionit “VLEN” përballë kandidatit të partisë në pushtet “VMRO-DPMNE”. Komunat, përkatësisht të Kërçovës dhe Bërvenicës ishin në qendër të retorikës politike, vëmendjes dhe angazhimit të kryeministrit MICKOSKI, moment kulmor kur i njëjti përmendi dhe mundësinë e mbajtjes së pozitës në nivel qendror nga kandidati i “VLEN” RAMADANI në komunën e Bërvenicës.
Përgjegjësia historike e klasës politike Shqiptare për Kërçovën dhe Bërvenicën
Në një shoqëri shumëetnike si Maqedonia e Veriut, nuk mund të konsiderohet herezi qeverisja e shumicës një komuniteti nga një përfaqësues i një komuniteti tjetër, por lipsej një bashkërendim i faktorëve politikë shqiptarë për të garantuar fitoren në të dy komunat, veçanërisht të Kërçovës, një komunë me një rëndësi thelbësore gjeografike, politike dhe historike.
Kërçova dhe Bërvenica përbëjnë dy stacionet politike që dëshmojnë mungesën e koherencës, bashkërendimit, aleancave të vërteta larg secilit moment të ndarjeve të politikës së ditës.
Rastet e dyshuara të korrupsionit, rregjistrimet e publikuara ndaj kryetarit në detyrë të komunës përbëjnë elementë jo të pranueshëm, të tillët mund të ishin objekt i hetimeve të mëvonshme të drejtësisë përmes verdiktit të qartë nëse subjekti përkatës do të rradhitej ose jo si fajtor. Nga ana tjetër, rasti i Kërçovës është evokimi për një ndryshim të mendësisë ndër partitë Shqiptare mbi kandidimet rradhazi të figurave të njëjtave politike, të tillat shndërrohen në subjekte polarizuese si shkak i qëndrimit të gjatë në udhëheqjet lokale;- kufizimi i mandateve në ligj ose standarte jo te shkruara të implementuara nga partitë si një nevojë thelbësore e hapjes , demokratizimit dhe ndryshimeve të mira në qeverisje.
Për sa më lartë, secili prej këtyre elementëve mbetet i rëndësishëm në përcaktimin e rezultatit përfundimtar, por nuk largon nga përgjegjësia politike dhe historike secilin prej aktorëve politikë me vullnet të munguar në tejkalimin e shumë prej ndasive mes aktorëve që kanë bashkëndarë dhe kombinuar shumëllojshmëri aleancash pa thelb politik në funksion të jetësimit të qëllimeve të tyre elektorale në secilin cikël zgjedhor.
Bërvenica shënoi aktin e dytë të dramës politike ku raundi i dytë shpresëdhënës u shndërrua në një debakël të pamerituar ku angazhimi publik i përbashkët i faktorëve politikë lokalë nuk u përcoll efektshëm për shkak dhe të ndasive të forta në nivel qëndror;- shfaqja publike përbashkët e përfaqësuesve lokalë të Bërvenicës nga koalicionet “AKI” dhe “VLEN” në diasporë ishte e pamjaftueshme për të frenuar ofensivën politike të partisë qeverisëse, e tilla në një pozitë të lakmueshme për shkak të fitores së madhe në raundin e parë, rezultat që lejoi përqëndrimin tërësor në Kërçovë dhe Bërvenicë, gjithashtu.
“Mërgata shqiptare si e zhgënjyera e madhe nga klasa politike e Shqiptarëve të Maqedonisë”
Fluksi i gjerë i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë vendit ku mund të klasifikohen si; të njëjtët të larguar përpara viteve 90-të, të larguar në periudhën 90-2001 dhe fluksi i fundit i larguar pas vitit 2001 dhe në periudhën në vijim. Secili largim nga vendi shënon fundin e padëshiruar të një rrugëtimi, përkatësisht njerëzor, emocional, profesional ku takimi i së panjohurës në secilën tokë të huaj është inkurajuar nga mungesa dhe kufizimi i mundësive në tokën amtare si shkak i politikës së ushtruar keq, qeverisjes jo të mirë, politikës së mbyllur, elitave jo të përtërira, përsëritjes së palavdisshme të fabulave të njëjta me sfond nacionalist, por pa patriotizëm.
Largimi i shumicës së cilësuar të shqiptarëve pas vitit 2001 është përgjegjësi e një klase politike të pandryshuar ku ndryshimi i pritur është shndërruar në hapa jo të vegjël në vijimin pa ndalim drejtë ofiqeve pushtet-ushtruese që ngurtësojnë dhe mpakin secilën energji, mpakin demografikisht , mpakin pritshmëri, mpakin besimin dhe inkurajojnë largimin . Integrimi asfare i lehtë përmes sakrificash njerëzore të pashembullta përbën historinë e heshtur të suksesit të secilit prej shpirtrave të qëndresës që zgjodhën ndryshimin diku larg, por vijojnë kontributin thelbësor për vendin e tyre në secilin dimension.
Organizimi i mërgatës Shqiptare për pjesëmarrje në zgjedhjet e raundit të dytë në Kërçovë dhe Bërvenicë shënoi përgjegjshmërinë historike dhe patriotike përballë përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë së munguar të faktorëve politikë për të realizuar një marrëveshje patriotike të qeverisjes së mirë dhe të përbashkët në bashki apo komuna ku balancat etnike mund të dërgonin drejtë ndryshimeve si në Kërçovë apo mosndryshimeve si në Bërvenicë. Mërgata shqiptare është e tradhtuara e madhe nga tërësia e përfaqësisë politike ku të njëjtët aktorë të 20 viteve, pavarësisht ndryshimit të aleancave për të garantuar sigurimin dhe mbarëvajtjen e pushtetit të tyre politik, bartin të njëjtën aleancë të vijimit të formave dhe instrumentave të njëjtë në kufizimin e mundësive të lira për secilin fluks të shëndetshëm të shoqërisë përkatësisht të rinjtë , intelektualët, profesionistët.
Mërgata shqiptare mund dhe duhet të jetë promotorja e një organizimi të ri politik, me retorikë, mendësi dhe thelb të ri, larg kompromiseve të vogla, por me vullnetin e mirë të kompromiseve të mëdha, me një vizion të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare ku Shqiptari i shekullit të 21-të nuk është vetëm një luftëtar i madh, por gjithashtu një patriot i madh me vizionin për shtetin, qeverisjen dhe mbi të gjitha për Integrimin Europian, një proçes jetik dhe thelbësor për efektshmërinë shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut si një tërësi dhe entitet shtetëror Republikan.
“Heshtja për Integrimin Europian të Maqedonisë së Veriut nuk është urtësi”
Integrimi Europian është një objektiv madhor për secilin vend të rajonit, të paanëtarësuar ende në Union, një anëtarësim i munguar mes detyrave për përmbushjen e standarteve, rrethanave gjeopolitike dhe gatishmërisë së kufizuar të Brukselit politik për vijimin e proçesit të zgjerimit.
Viti 2025 shënon momentin historik të shpalljes së vullnetit pozitiv për inkurajimin e secilit prej vendeve ende të paanëtarësuara të rajonit mbi përmbushjen e standarteve drejtë një afati fundor përkatësisht viti 2030;- një etapë e rëndësishme inkurajuese, e njëjta nuk mund të lihet të largohet në efektin mekanik të kalimit të kohës fizike, me pasoja të dukshme dhe të padukshme në perspektivën e kohës politike për Maqedoninë e Veriut. Përtej pjesëmarrjes dhe respektimit të protokollit në secilin prej samiteve, konferencave, mbledhjeve apo organizimeve të ngjashme, mbetet e nevojshme një qasje pro-aktive dhe një presion pozitiv i shpërfaqur në rritjen e sensibilizimit dhe inkurajimit të përballjes me sfidat duke inkurajuar nje dialog të vërtetë kombëtar dhe shtetëror, thelbësor dhe gur themeli për sfidën e ekzistencës efektive të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky dialog lips një tejkalim të llogarisë së politikës së ditës, numrave zgjedhorë, emocioneve njerëzore me sfond të ndezur ballkanik….një dialog kombëtar që nuk mund të diktohet nga realitete zgjedhore të mbrujtura nga taktika të inxhinierisë politike, por duke analizuar me vërtetësi secilin komponent përkatësisht demografik, etnik, politik, ekonomik…..e vërteta përmes veprimit politik shkund pluhurosjen që buron nga shmangia e temave thelbësore që përbëjnë udhëkryqin e së tashmes……udhëkryq për tu zgjidhur për të shmangur shndërrimin në pengesë të së ardhmes.
Raporti i progresit të Bashkimit Europian për rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut nënvizon ecurinë e ngadaltë të adresimit të sfidave thelbësore për jetësimin e proçesit të Integrimit. Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta KOS do të theksonte si vijon :”
Progres i kufizuar në fushën e drejtësisë, ngecje e theksuar në luftën kundër korrupsionit dhe mosrealizimi i ndryshimit të kushtetutës janë disa kritikat në raportin e KE-së për Maqedoninë e Veriut. Zonja KOS vijon argumentin duke shtuar : “Vendi nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të përparuar në negociatat brenda këtij viti. Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të ecur përpara në rrugën e saj euro-integruese.” Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, MICKOSKI konfirmoi mbështetjen ndaj proçesit të Integrimit Europian në tërësi, si frymë, vlerë dhe si qëllim kombëtar, por shprehu kundërshti ndaj përdorimit të mekanizmit të vetos nga një shtet anëtar si Bullgaria si një kushtëzim/pengim për aspiratat e Maqedonisë së Veriut. Zoti MICKOSKI deklaroi si vijon: “ Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor do të thotë ribashkim i Evropës. Pavarësisht të gjitha zhgënjimeve, ne ndajmë të njëjtat vlera me BE-në. Por le ta përfundojmë detyrën tonë, t’i dorëzojmë detyrat e shtëpisë që të lëmë përshtypje tek BE-ja edhe pse kjo dëmton vlerat tona, ne jemi zgjedhur për të qeverisur” dhe më tej theksoi : “ Unanimiteti si mekanizëm brenda BE-së po keqpërdoret. Maqedonia nuk ka garanci se pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të përballet me kërkesa të tjera bilaterale”.
Përtej tezave të Kryeministrit MICKOSKI, është shumë e rëndësishme vijimi i përnbushjes së detyrave në luftën kundër korrupsionit, depolitizimit të administratës shtetërore, nepotizmit dhe inkurajimit të mekanizmave ndikues për transparencën publike të praktikave, vendimeve dhe llogaridhënies.
Integrimi Europian është çështja më e rëndësishme shtetërore për republikën e Maqedonisë së Veriut, çështje madhore gjithërfshirëse, vëmendja ndaj së njëjtës duhet të jetë e pandërprerë ku zëri politik i partive Shqiptare në qeverisje duhet të jetë pozitivisht shtytës drejtë një agjende parlamentare ku çështjet Integruese të jenë në qendër të veprimtarisë politike-legjislative. Momenti historik që përkon me vullnetin pozitiv të Bashkimit Europian për zgjerim duhet të jetë në koherencë me vullnetin dhe qasjen patriotike të shumicës qeverisëse për të realizuar proçeset në kohën e duhur politike larg pezullive negative të së shkuarës ku adresimi i munguar në kohë i çështjeve polarizuese dërgoi në ngecje dhe vonesa të skalitura ku shembulli i anëtarësimit të munguar në Aleancën e Atlantikut të Veriut në samitet 2008-2009 mbeten një stacion i errët, por referues për të shmangur përsëritjet e njëjta në kontekste të ndryshme historike dhe politike, gjithashtu. Lidhja SocialDemokrate e Maqedonisë, me një mbështetje të diskutueshme në elektoratin maqedon, me një shumicë parlamentare të brishtë, përtej fenomeneve negative në qeverisje, korrupsionit, efektivitetit të munguar të politikave të majta, realizoi dhe inkurajoi një hap historik drejtë anëtarësimit të vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Ky moment politik historik nuk mund të jetë objekt i llogarive të vogla politike elektorale; VMRO-DPMNE, një parti politike me fuqi elektorale të konsoliduar ka përgjegjësinë historike të udhëheqjes së proçesi dialogu përfshirës, informues dhe qetësues për mendjet e flukseve të nxehta dhe skeptike, të njëjtët jo thellësisht të informuar mbi pasojat e riparueshme për shëndetin institucional dhe politik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Republika e Maqedonisë së Veriut ndodhet përpara një momenti historik, në një udhëkryq të rëndësishëm ku përgjigja ndaj sfidave të integrimit Europian mbetet në pyetje dhe thërret për vendime jo të thjeshta, por të nevojshme. Nga ana tjetër, rritja zgjedhore e “LEVICA” është një moment jo thjeshtë statistikor, por shkundës në një shoqëri ku vonesat dhe lodhja me proçesin e Integrimit dërgon segmente shoqërore në vështrimin politik kah ekstremit, balotazhi i Shkupit është më shumë se i tillë, është sinjali i rritjes kombëtare së skepticizmit që jetësohet tek një votë për “LEVICËN”.
Situata politike historike kërkon një angazhim të kthjellët dhe pro aktiv të faktorit politik Shqiptar, larg gëzimit politik të fitoreve të vogla komunale apo betejës për dhjetërat votat më shumë në nivel kombëtar; retorika dhe veprimi politik i faktorit politik duhet të jetë kah inkurajimit dhe presionit pozitiv në shtytjen përpara të proçeseve Integruese si thelbi i funksionimit efektiv të republikës së Maqedonisë së Veriut, një republikë gjithëpërfshirëse ku harmonia mes etnive është një realitet dhe është larg ndarjeve segmentare politike të udhëheqësive përkatëse.
© 2025 Argumentum





























































