Pyetja nuk është nëse shqiptarët do të reagojnë. Pyetja është nëse shteti është i gatshëm të përballojë pasojat e një politike që, në emër të ligjit, po e çmonton barazinë. Dhe historia, zakonisht, nuk i fal këto gabime. Asnjëherë nuk i ka fal!
Nga Vedat MEMEDALIU
Ajo që po ndodh sot në Maqedoninë e Veriut nuk është debat juridik, por zhvendosje e rrezikshme e kufijve politikë përmes institucioneve. Gjykata Kushtetuese, e thirrur për të qenë gardiane e barazisë dhe e rendit kushtetues, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në mjet testimi të durimit ndëretnik. Në shënjestër nuk është një nen, një procedurë apo një formulim teknik. Në shënjestër janë gjuha shqipe, historia shqiptare dhe gjithçka që është arrit që nga konflikti i armatosur i vitit 2001.
Nga tentativa për ta relativizuar përdorimin e shqipes në ambalazhet e produkteve, te hapja e plagëve të mbyllura me Ligjin e Amnistisë dhe deri te rreziku për zhveshjen e Tetovës nga emrat që bartin kujtesë historike, mesazhi është i qartë: asgjë nuk është e paprekshme më! Në fakt, “pjesa e dytë e ndeshjes” ka nis.
Këto nuk janë iniciativa të rastësishme. Janë hallka të një zinxhiri politik, i cili nën petkun e “interpretimit kushtetues”, po synohet të rishkruhen ekuilibrat e pas vitit 2001. Dhe kjo po ndodh në heshtjen e një Qeverie që, ose nuk e kupton peshën e këtyre vendimeve, ose më keq – po e nxit dhe toleron këtë kurs. Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat të rishkruajë historinë, as të përkthejë identitetin. Ajo nuk ka të drejtë të shndërrohet në filtër politik, përmes të cilit kalojnë vetëm narrativat e shumicës. Kur drejtësia humb ndjeshmërinë shoqërore, ajo pushon së qeni drejtësi dhe shndërrohet në faktor destabilizimi.
Më shqetësuese se vetë vendimet është logjika që po instalohet: se të drejtat e fituara mund të rishqyrtohen sa herë që ndryshon raporti i forcave politike. Se Marrëveshja e Ohrit është dokument i negociueshëm. Se barazia është luks, jo parim. Qeveria aktuale mban përgjegjësi direkte për këtë klimë. Një pushtet që flet për stabilitet, por lejon që institucionet të prodhojnë tension, po luan me zjarrin. Sepse historia në këtë vend ka treguar se kur preket gjuha, historia dhe dinjiteti, pasojat nuk mbeten në sallat e gjykatave.
Në fund, pyetja nuk është nëse shqiptarët do të reagojnë. Pyetja është nëse shteti është i gatshëm të përballojë pasojat e një politike që, në emër të ligjit, po e çmonton barazinë. Dhe historia, zakonisht, nuk i fal këto gabime. Asnjëherë nuk i ka fal!
Marrë nga gazeta Koha.mk





























































