Zoran Meter-Gjeopolitika*
Shumë lehtë Bashkimi Europian mund të shndërrohet në oaz demografik të shkretuar dhe oaz turistrik të vjetëruar, njëlloj me Venecien e vjetër pas shekujsh lavdie, të cilën për çdo vit do të mund ta vizitojnë me dhjetra milionë turistë nga e tërë bota për të shijuar trashëgiminë e pasur kulturore dhe bukuritë e ndryshme natyrore, ndërsa këto të fundit do t’i rrethojnë fushat me panelë elektrikë diellorë dhe parqe ere që shkatërrojnë po këtë bukuri në emër të zhvillimit të qëndrueshëm ekologjik. Ndërsa nga zhvillimi i qëndrueshëm, e lë më pastaj nga autonomia strategjike, në fund të fundit do të mbetet shumë pak ose aspak.
Mbledhjen vjetore të aksionerëve të Volkswagen-it në Berlin, të mbajtur në muajin maj, e ndërprenë protestuesit e zemëruar, njëri nga të cilët madje edhe hodhi njëfarë lëngu kremoz në grumbullin e drejtorëve dhe presidentit Hans Dieter Pötsch. Për këtë ngjarje shkruan me 20 qershor media amerikane POLITICO, duke shtuar se arësyeja e zemërimit të protestuesve ishte një fabrikë e kësaj kompanie në rajonin kinez Xingjiang, “ku Pekini ka zhvilluar një fushatë burgosjesh masive, riedukimi nëpërmjet punës së detyruar gjë të cilën Shtetet e Bashkuara e cilësuan si genocid ndaj pakicës etnike ujgure”. Volkswagen-i i cili mohon të ketë shfrytëzuar ndonjëherë punën e detyruar në Xinjgiang, nuk kishte vullnet të justifikohej për akuzën sipas së cilës “duke mbajtur fabrikat me kërkesë të Pekinit, kjo kompani- dhe me këtë edhe qeveria gjermane, e cila mbështet investimet e prodhuesve të automobilëve në Kinë- ofron mbulesë për krime kundër njerzimit”. Më tej media në fjalë shkruan se Volkswagen-i si udhëheqës i depërtimit perëndimor në tregun kinez në vitin 1980, “mbetet i varur nga biznesi i atjeshëm në 15% të fitimit të tij para taksimit dhe 37% të shitjes së automobilëve në vitin e kaluar”.
“…Raporti i Volkswagen-it ndaj Pekinit dhe shkelja e të drejtave të njeriut që kryhet atje janë ilustrative për vartësinë e pakëndshme të Berlinit nga Pekini – dhe sfida me të cilat Gjermania ndoshta do të duhet të përballet ndërsa Perëndimi këmbëngul ta shndërrojë uljen e rrezikut nga fjalët në vepra”- shkruan më tej kjo media amerikane.
“Madje edhe sikur të mos ketë punë të detyruar, kjo është një simbol kaq i madh për qeverinë kineze që t’i tregojë botës së ata sjellin begati në atë rajon”, tha Eva Stocker, drejtuese e lartë e Kongresit botëror ujgur, grupim që lufton për të drejtat dhe autonominë e Ujgurëve. “Por ne këtë e shohim si genocid”, konkludon POLITIKO.
Dinjiteti gjerman ka rënë në zero.
E tani, si ta kuptosh gjithë këtë, ndoshta vetëm duke menduar se sa poshtë ka rënë dinjiteti i Gjermanisë në afro një vit e gjysëm, para së gjithash që nga fillimi i invazionit rus në Ukrainë, por kurrsesi jo për shkak të asaj që shkruan POLITIKO.
Këtë po përpiqem të shpjegoj menjëherë.
Pikërisht, të gjithëve u ka rënë në sy mungesa e orientimit të kancelarit federal Olaf Sholc dhe pafuqia e tij e plotë në përpjekje, nga njëra të shprehë besnikërinë e plotë ndaj aleatëve atlantikë (në këtë drejtim edhe ka sukses, para së gjithash ndaj komponentes angloamerikane të NATOS), pas gjithë atyre “mëkateve” të strukturave paraardhëse politike gjermane (sikur të gjithë paraardhësit e Shlocit na paskan qënë idiotë dhe nuk paskan ditur se çfarë bëjnë dhe nëse e bëjnë për interesin gjerman: nga Wili Brandti, krijuesi i politikës Lindore gjermane dhe inicuesi i normalizimit të marrëdhënieve me BRSS-në që në fillim të viteve 70-të të shekullit të kaluar (në kulmin e Luftës së Ftohtë) dhe bashkëpunimi dypalësh energjetik i inicuar, si burim e çudisë dhe begatisë gjermane, nëpërmjet Helmut Kolit dhe Angela Merkelit)- ndërsa nga ana tjetër, të përpiqet të mbrojë interesat vitale ekonomike gjermane, para së gjithash nëpërmjet vazhdimit të njëfarë bashkëpunimi në këtë fushë.
E gjitha kjo kur Gjermania, në kuptimin e plotë të fjalës, nën presionin e Uashingtonit paraprakisht i “shkurtoi” të gjitha lidhjet fitimiprurëse ekonomike dhe tregtare me Rusinë për shkak të invazionit nga ana e kësaj të fundit ndaj fqinjit të saj perëndimor, ndërsa ato politike i reduktoi në zero – pothuajse në nivelin e atyre në pragun e Luftës së Dytë Botërore (nëpërmjet dëbimit të ndërsjelltë të diplomatëve, uljen e numurit të përfaqësive diplomatike, retorikën tejet të ashpërsuar etj.).
E gjitha kjo ndoshta edhe nuk do të ishte fort e çuditëshme nëse sikur vetë Shtetet e Bashkuara ditëve të kaluara këmbëngulën intensivisht të bëjnë të kundërtën e asaj që i’a kërkojnë Gjermanisë: përveç që këmbëngulin të rivendosin lidhjet dhe kanalet e ndërprera të komunikimit me Kinën, këmbëngulin që me këtë vend, me të cilin kanë shkëmbimin më të madh tregtar (siç e kanë edhe Kina dhe Bashkimi Europian), të ruajnë edhe bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik në fushat me interes të përbashkët (e të tilla janë pothuajse të gjitha, përveç sferës së teknologjisë së lartë kur ShBA-të i frikësohen më shumë konkurencës kineze). Sa do t’ia arrijnë kësaj ShBA-të është ende heret të prognozohet duke patur parasysh rezistencën e fortë të brendshme, por nuk ka dyshim se këtu synohet. Natyrisht për shumë gjëra këtu duhet pyetur edhe Kina.
Përveç kësaj, nuk mund të përfytyrohet që në ndonjëfarë mbledhjeje vjetore të kompanive më të mëdha multinacionale amerikane që bëjnë biznes në Kinë të vinë ndonjëfarë grupi aktivistësh amerikanë dhe t’ua ndëpresin punimet sepse ata na qënkan kundër biznesit të tyre me atë vend, sikurse ndodhi me Volkswagen-in në Gjermani.
Gjithashtu, në kuadër të mungesës gjermane të orientimit, është me rëndësi të theksojmë se në fund të muajit maj ishin për vizitë në Pekin përfaqësues amerikanë të biznesit të madh si puna e Elon Maskut, pastaj drejtorit të Apple-a dhe Xhejms Dajmonit (pronar i bankës amerikane JP Morgan Chase), si dhe drejtorit të CIA-s Willaim Burnsit. Të gjithë këta si pararojë e vizitës në Pekin të sekretarit të shtetit Antoni Blinken.
Përshtypjen e vlerësuar pozitivisht edhe në Uashington e (madje edhe vetë Bajdeni e vlerësoi kësisoj), për ndonjë arësye që e di vetëm ai, e prishi vetë presidenti Bajden, duke e quajtur në fushatën parazgjedhore në Kaliforni, kreun kinez Xi Qinping diktator i cili nuk e di se se ku gjenden ballonët e tij spiunë të cilët Bajdeni në muajin shkurt urdhëroi ushtrinë amerikanë t’i rrëzojë, gjë që edhe u bë. Kjo deklaratë, po atë ditë nxiti MPJ kineze të japë një përgjigje tejet të ashpër ndaj Bidenit dhe të dënojë politikën e tij ndaj Kinës.
Por lë t’i kthehemi për një moment përsëri tekstit të lartpëmendur të medias amerikane POLITICO.
Është interesante të vëmë në dukje se ky artikull u publikua pikërisht në kohën kur Kina dhe BE-ja po bënin përpjekje serioze për të ruajtur sëpaku një pjesë të bashkëpunimit të deritanishëm tregtar dhe ekonomik, gjë që u intensifikua pas vizitës në Pekin të presidentit francez Emanuel Makron dhe presidentes së Komisionit europian Ursula von der Leyen. Pikërisht, me 22 qershor Kina nënshkroi letrën e synimeve për bashkëpunim me shumë kompani të mëdha europiane si puna e Airbus (EADSF), MBW, Mercedes-Benz, Volkswagen (VLKAF), Siemenes (SIEGY) dhe BASF. Pra, që të gjitha me radhë megakompani si dhe divi francez për prodhimin e avionëve (Airbus)- biznesi i të cilit pa Kinën as që mund të mendohet.
Dëshirë e bukur nga ana e Pekinit, Berlinit dhe Parisit, por dihet mirë se kush e ka fjalën e fundit kur është puan për politikën e bashkëpunimit me Kinën te dyshja gjermano-franceze, e për këtë do të na duhet të presim sesi do të shkojnë punët.
Në vend të investimeve dhe të ardhmes, mbledhje frutash si në epokën e gurit.
Por le t’i kthemi tani Volkswagen-it dhe fabrikës së tij, gjoja të dyshimtë, në rajonin kinez Xingjang. Eva Stocker që u përmend më sipër (sipas emrit duket qartë se nuk ka kurrfarë lidhje me prejardhjen ujgure) deklaroi pra: “Madje edhe sikur të mos ketë punë të detyruar (në fabrikën e lartpërmendur- Shën. i autorit), kjo gjithsesi është simbol i madh për qeverinë kineze për t’i treguar botës se ata po sjellin begati në atë rajon”. Deklaratë e pabesueshme! Pra, nëse ujgurët në atë fabrikë vërtetë nuk punojnë pa pagesë dhe të detyruar si robër, gjithsesi Pekini dhe Partia komuniste kineze e bëjnë këtë fabrikë si reklamë për veten- kjo del nga deklarata e Stockerit.
Me fjalë tjera, çraëdo që të bëjë Pekini nuk mundet (dhe nuk guxon) të jetë diçka e mirë. Nga kjo del se është më mirë që qeveria kineze (dhe Volkswageni) të mos investojnë asgjë në këtë rajon me shumicë popullsi ujgure (popullsi me besim fetar musliman) dhe të mos punësojë askend në atë vend, por t’i lërë që të gjithë “të mbledhin fruta nëpër pyje”- si në kohën e epokës së gurit. Kësisoj në civilizmin njerzor ka qënë në kohën e komunizmit, sepse në atë kohë që të gjithë ishin pak a shumë të barabartë dhe vareshin nga njëri tjetri. Kjo do të përputhej gjithashtu edhe me pamjen e sotme dominuese për Kinën në Perëndimin politik dhe ekonomik: si vend i ashpër komunist, megjithëse, për hir të së vërtetës, përveç ndërtimit politik ai ekonomik është plotësisht kapitalist, me pronësinë dominuese private në pothuajse në të gjitha sferat. Me kthimin e ujgurëve në epokën e gurit ndoshta kritikët e Pekinit do të ishin të kënaqur (nuk ka skllavopronari dhe as propagandë shtetërore).
Deindustrializimi dhe epoka postindustriale si utopi
Gjermani dhe pozita e saj e tanishme, për fat të keq, nuk mund të përfundoje mirë edhe për “pjesën tjetër” të Bashkimit Europian duke patur parasysh faktin se ky vend deri tani ka qënë “lokomotiva” e zhvillimit të saj të përgjithshëm. Industria e fuqishme gjermane furnizon pothuajse me gjithçka të nevojshme shumicën e shteteve anëtare në të cilët ndërkohë sektori i shërbimit është bërë dominues në raport me industrinë. Në kuadrin e njëfarë epoke postindustriale të cilën është utopike ta synosh.
Para Gjermanisë (së cilës ky proces i është imponuar nga jashtë, ndërsa elitat gjermane e kanë pranuar këtë pozicion duke ecur në linjën e rezistencës më të vogël të mundshme – sepse cili është ai që mund t’i kundërvihet Uashingtonit dhe me këtë të mos kërcënojë mirëqënien në një kohë që gjithsesi Gjermania që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore është shtet me sovranitet të kufizuar) hoqën dorë nga prodhimet industriale (ose ua shitën të huajve) shumë vende, mbi të gjitha ato pastkomuniste, por jo vetëm ato.
Deindustralizimi i Gjermanisë po ecën me shpejtësi. Përjashtim ndoshta (theksojmë: ndoshta) bën kompleksi ushtarako-industrial. Duke patur parasysh se edhe ai gjithsesi do të jetë nën goditjen e atij amerikan dhe i reduktuar në prodhime jorentabël. Pikërisht tani vihet rè, jo vetëm prirja por edhe fakti, se shumë vende europiane po blejnë, në vend të atyre europiane, avionë amerikanë luftarakë (si puna e F-35), sisteme antiraketë amerikane (si puna e Patriot, ndërsa Gjermani dëshiron për vete dhe për BE-në edhe sistemin amerikano-izraelit Arrpw-3, gjë të cilën e kundërshton presidenti francez Emanual Makron duke këmbëngulur te sistemi italian PRO Mamba) etj.
Me fjalë të tjera gjendja me industrinë ushtarake europiane duket pak a shumë kaotike, megjithëse Gjermania ndërkohë ka vendosur të investojë madje 100 miliardë euro dhe forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse. Megjithatë, uzinat – prodhuesit e materiale ushtarake, kërkojnë nënshkrimin e kontratave të qëndrueshme me shtetin sepse nuk duan të investojnë në projekte të shtrenjta dhe tejet të rrezikshme të prodhimit të armëve, vetëm për të qëndruar konform prirjes së përgjithshmme të armatimit që ka nisur me luftën ukrainase. Kontrata të tilla tani për tani nuk ka.
Europa e mplakur (BE) do të bëhet si Venecia
E vetmja industri që vazhdon të imponohet nga kreu politik, në Berlin, Bruksel dhe në Paris, është pikërisht ajo nga sfera e teknologjisë së lartë të lidhur me transformimin e gjelbër ose energjetik. Por edhe këtu janë të pranishëm shumë probleme: separi, largimi i kompanive që merren me këtë industri në “porte më të qeta” në Shtetet e Bashkuara të cilët i ndjellin me subvencione dhe me kushte më të lira për prodhimin (energjia ndërkohë në BE është bërë disa herë më e shtrenjtë në këtë një vit e gjysëm të fundit në raport me Amerikën); e dyta, çmimi i lartë i një energjie të fituar në këtë mënyrë në një kohë inflacioni kurrë më parë kaq të lartë; dhe e treta, konkurenca e stërmadhe kineze (Kina po bëhet prodhuesi më i madh i automobilëve elektrikë në botë, është lider global në prodhimin e baterive të litiumit, panelëve solarë, termocentraleve me erë etj)
Në fund, shumë lehtë Bashkimi Europian mund të shndërrohet në oaz demografik të shkretuar dhe oaz turistrik të vjetëruar, njëlloj me Venecien e vjetër pas shekujsh lavdie, të cilën për çdo vit do të mund ta vizitojnë me dhjetra milionë turistë nga e tërë bota për të shijuar trashëgiminë e pasur kulturore dhe bukuritë e ndryshme natyrore, ndërsa këto të fundit do t’i rrethojnë fushat me panelë elektrikë diellorë dhe parqe centralesh më erë që shkatërrojnë po këtë bukuri në emër të zhvillimit të qëndrueshëm ekologjik.
Kësisoj, nga zhvillimi i qëndrueshëm në fund mund të mbesë vetëm turizmi dhe veprimtaritë e shërbimeve të lidhura me të, por nga kjo gjithsesi nuk do të munden të gjithë të jetojnë, sikurse e dinë mirë këtë fakt vendet më të zhvilluara turistike europiane të Mesdheut.
Me fjalë të tjera, mbi gjithçka tjetër BE-ja do të jetë e varur nga të tjerët domethënë nuk mund të bëhet fjalë për ndonjëfarë vetëzhvillimi e le më pastaj për autonomi strategjike të BE-së. Pikërisht e kundërta! Për ilustrim shërben më së miri titulli gjenial dhe fotografia e publikuar në median e lartpërmendur POLITICO të datës 15 qershor 2023: „Europe’s strategic impotence“, shoqëruar me një foto të tankeve me gryka të kthyera drejt tokës.
Bashkimi Europian, nëse do të ketë fat (sëbashku me disa elita të tjera) ndoshta në fund edhe mund të mbetet njëfarë fuqie e caktuar financiare, por gjeopolitike, gjë të cilën e ka synuar përherë, kurrsesi.
Shok: në industrinë europiane të naftës e gjelbëra ka dalë mode, po kthehet e zeza
Megjithatë, diçka e çuditshme po ndodh edhe në Europë, por përsëri me përjashtim të Gjermanisë, ku madje edhe energjia bërthamore konsiderohet ndotëse e ambjentit, megjithëse emetimi i gazit karbonik te reaktorët bërthamorë është në një masë të neglizhueshme. Për këtë, tashmë plotësisht haptazi, politikën energjetike të Berlinit, i cili para pak kohësh mbylli edhe centralin e fundit bërthamor, po e ironizojnë në mbarë BE-në: më së shumti në Paris, por edhe në Poloni e Hungari ku të gjithë me radhë, të vetëdijshëm për krizën energjetike dhe çmimet e larta të energjentëve, po lajmërojnë projekte të reja pikëriusht në fushën e energjisë bërthamore.
Në këtë rast, të cilit po i kushtoj vemendje, fjala është jo më për energjinë bërthamore, por për rikthimin në atë “ndotësen”- domethënë në rritjen e prodhimit të naftës – megjithëse për hir të së vërtetës- që vitin e kaluar në disa vende të BE-së (edhe në atë Gjermaninë e çorientuar drejtimi politik i tanishëm i së cilës lavdërohet vetëm nga analistët analfabetë dhe komentatorë të indoktrinuar dhe të angazhuar, për të cilët interesat e Gjermanisë janë në vend të fundit)- ka rinisur përsëri prodhimi i qymyrgurit të urreyer ose “djallit të zi”, sikurse e quanin deri dje mbrojtësit e zellshëm të klimës dhe këta jo vetëm nga radhët e të gjelbërve.
“Divët energjetikë po ndryshojnë mendim mbi energjinë e gjelbër: nafta sjell më shumë para”- ishte titulli i javës së kaluar të medias amerikane me ndikim Bloomberg.
“Zbulim i vërtetë për tregun energjtik ishte vendimi i Shell-it, kompanisë anglo-hollandeze, për të rritur prodhimin e naftës dhe të gazit, dhe jo pjesën energjisë së gjelbër. Një prej divëve botërorë energjetikë do të zhvillojë atë energji që sjell më shumë fitime për aksionerët”- shkruan Bloomberg-u.
“Në industrinë europiane të naftës e gjelberta ka dalë mode, ndërsa e zeza po rikthehet. Kjo prirje po zhvillohet prej muajsh, por kulmoi të mërkurën kur Shell-i paralajmëroi diçka që shpie në kthim drejt karburantëve fosilë dhe premtimin se do t’u kthejë më shumë fitime aksionerëve”, shkruan më tej media amerikane dhe shton se drejtori i ri ekzekutiv i Shell-it Wael Sawan ka premtuar se kompania “do të investojë në modele që punojnë, në ata që sjellin më shumë fitime dhe ndihmojnë në realizimin e përparësive”.
Bloomberg-u mendon se Shell-i ka ende përpara një betejë të vështirë për t’i bindur aksionerët se planet e rishikuara janë serioze.
“Por investitorëve mund t’u falet skepticizmi. Ka patur tejet shumë endje dhe pasiguri këto pesë vitet e fundit dhe kjo jo vetëm te Shell-i por edhe te BP dhe TotalEnergies, duke i lënë aksionerët të pasigurtë rreth asaj se çfarë do të ndodhë më tej”. Mendojnë se ndryshimi i tanishëm në industrinë europiane të naftës nuk ka për të qënë i fundit, por tashmë është e qartë se qeveritë europiane e kanë kuptuar rrezikun e zvoglimit të investimeve në karburantet fosile pas izolimit të Rusisë.
Këtë prirje e vërteton edhe prognoza e Organizatës ndërkombëtare për energjinë, e cila beson se konsumi i naftës do të rritet në pesë vitet e ardhshme dhe do të arrijë shifrën 106 milionë barela në ditë deri në vitin 2028, kjo edhe përkundër zhvillimit aktiv të qarkullimit me energji elektrike.
Japonia vepron sipas logjikës dhe ligjësive të saj
Këtu do të përmendja shembullin e Japonisë. Ky vend, tejet i varfër për energjentë por i zhvilluar tejet shumë nga pikëpamja e teknologjisë, edhe përkundëer përfshirjes në politikën amerikane antiruse (ndër të tjera edhe atë të sanksioneve), nuk e la veten të përfshihej në luftën energjetike me Rusinë. Tokio dhe Moska tani jo vetëm që nuk bien dakord për gjithçka, por po i thellojnë dallimet në një nivel të rrezikshëm që kërcënon me uljen e nivelit të marrëdhënieve mes tyre në atë të armiqësisë (sikurse tashmë ekzistojnë marrëdhëniet mes Moskës dhe Berlinit ose më mirë të themi tërë Perëndimit të përbashkuar).
Kësisoj investitorët japonezë Mitsui dhe Mitsubishi qëndruan si nëninvestitorë brenda projekteve fitimprurëse të naftës dhe LNG Sahalin-1 dhe Sahalin-2 që prodhojnë sasitë më të mëdha botërore të gazit të lëngshëm, madje edhe pasiqë, nën presionin e qeverive të tyre, u tërhoqën nga këto projekte Shell-i anglo-hollandez dhe divi energjetik amerikan Exxon Mobil. Nga këta dy projekte Japonia siguron 9 përqind të nevojave të saj energjetike, për të mos folur pastaj për çmimin e përshtatshëm dhe sigurinë e furnizimit duke patur parasysh edhe afërsinë gjeografike të këtyre kapaciteteve prodhuese.
Qeveria në Tokio, e më vonë këtë e mbështeti edhe parlamenti japonez, mbështet fort këto kompani në mbrojtje të investimeve të tyre por edhe interesat energjetike të vendit të saj dhe në fund pranoi për ndryshimine strukturës së pronësisë së vetë projekteve që miratoi qeveria ruse pas sanskioneve të rënda perëndimore. Më saktë, me urdhër të presidentit Vladimir Putin qeveria ruse vitin e kaluar organizoi operatorë të rinj për projektet Sahalin-1 dhe Sahalin-2 nën juridiskionin rus, të cilëve iu kalua e tërë pronësia e projekteve. Pjesëmarrësit e huaj duhej të pohonin pjesën e tyre te operatorët e rinj ose përndryshe mund të tërhiqeshin nga projektet, domethënë Moska i vuri ata para alternativës “merre ose lëre”. Tokio në fund vendosi për obsionin “merre” dhe deri tani nuk është penduar për një gjë të tillë.
Në projektin Sahalin-1 SODECO japoneze ka 30% të aksioneve, ndërsa në Sahalin-2, Mitsui ka 12,5% ndërsa Mitsubishi 10% të aksioneve.
Juanë kinezë në vend të dollarëve.
Megjithatë, sikurse njofton agjensia Nikkei, aksionerët japonezë në këto projekte para pak kohësh për herë të parë, morën nga Rusia dividendet në juanë kinezë nga ana e Gazprombankës ruse në llogaritë e tyre në Singapor. Sepse Rusia, për shkak të sanksioneve, rishikoi valutën e pagesave. Natyrisht, deri tani aksionerët i kishin marrë dividendet e tyre, dy herë në vit, në dollarë amerikanë. Tani pra, kompanitë japoneze dhe indiane (të cilat vitin e fundit kanë kërcyer gjithë dëshirë duke zëvendësuar kompanitë angloamerikane në projektet energjetike ruse, mes tjerash edhe ato në Artik) morën dividentet e tyre në juanë kinezë valutë të cilën aksionerët japonezë nuk është se e preferojnë për shkak të ekzistencës së kufizime ndërkufitare.
Ishte si ishte, edhe përkundër largimit nga këto projekte të ExonMobil-it dhe Shell-it anglo-hollandez, ato këtë vit arritën sasinë e mëparshme të prodhimit dhe furnizimit me naftë dhe LNG.
Është interesant të vëmë në dukje se Bashkimi Europian në paketën e 11 të miratuar javën e kaluar të sanksioneve antiruse (e cila kryesisht ishte e orientuar për vendosjen e mbikqyrejs ndaj realizimit të 10 paketave të deritanishme, duke patur parasysh një sërë “vrimash” të cilat rusët i shfrytëzojnë për anashkalimin e tyre) do të zgjasë përjashtimet nga kufiri i sipërm i çmimit të naftës (60 dollarë për barelë) për naftën ruse nga Sahalini e cila hyn në Japoni deri në fund të muajit mars të vitit 2024.
Elitat gjermane dështuan në mbrojtjen e interesave të tyre kyçe.
Pra Japonia di se çfarë bën. Në këtë kontekst është për të ardhur keq teksa sheh që Gjermania dhe elitat e saj nuk arritën të sigurojnë në Uashington mbrojtje më të mirë të interesave të saj kryesore. Këtë mbrojtje në një masë të madhe “e vodhën” të gjelbërit me politikat e tyre të kota të tranzicionit energjetik. Po ato politika të cilat një sërë vendesh të po këtij Perëndimi, me përjashtim natyrisht të Gjermanisë, po i “ngrijnë” gradualisht për t’i patur për kohë më të mira .
Sikur të kishte sukses Gjermania për mbrojtjen e interesave të saj vitale (kryesisht ato energjetike – para hundëve asaj ia hodhën në erë gazsjellësin “Rryma e Jugut”), do ta kishte shumë më lehtë edhe pjesa tjetër e Europës për të tejkaluar vështirësitë e krizës ekonomike dhe energjetike pasojat e vërteta të së cilës mbetet t’i ndjejmë së shpejti.
Pikërisht për këtë Gjermania javën e kaluar miratoi strategjinë e parë për sigurinë kombëtare, e para në llojin e vet pas Luftës së Dytë Botërore. Gjoja në të thuhet se forcohet politika autonome gjermane në sferën e mbrojtjes megjithëse të gjithë e kanë të qartë se kjo strategji është e lidhur ngushtë me interesat kombëtare amerikane.
Sa do të arrijë Gjermania me këtë të kompensojë humbjet e mëdha ekonomike mbetet për t’u parë sepse edhe kompleksi ushtarako-industrial dhe politika energjetike duhet të kalojnë në një periudhë të madhe ndryshimesh në raport me gjendjen aktuale.
Por ajo që të bie në sy në këtë dokument, domethënë është vendosur në vend të parë, është se kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare gjermane shënohet Rusia, ndërsa në vend të dytë është Kina, e cila, sikurse nënvizohet, përbën rrezik rajonal.
Kjo e fundit ka të bëjë me rajonit Indopacifik dhe Taivanin, megjithëse kjo, me këtë bien dakord shumë veta, bash edhe nuk ka ndonjëfarë lidhje të madhe me vetë Gjermaninë dhe sigurinë e saj. Por gjithsesi, kjo bëhet për të qëndruar në trendin e kohës, domethënë që ndonjë prej aleatëve tasrësisht të mos mendojë ndonjë gjë të keqe në lidhje me besnikërinë e Berlinit ndaj politikave, demokracisë dhe vlerave të përbashkëta (megjithëse mbetet në pikëpyetje se cilat na qënkan këto vlera të përbashkëta, gjë që pakkush sot mund t’i përgjigjet).
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA