Mario Stefanov[i]
Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
Në këto momente e tërë politika e jashtme e BE–së dhe e Gjermanisë është reduktuar vetëm në raportin me Rusinë, së cilës i jep ritëm politika amerikane dhe britanike, autonomia gjeopolitike e BE-së nuk ka më shanse të krijohet dhe të mbesë e këtillë edhe për kohë të gjatë, ndërsa ëndërrat për “Bashkimin Europian global” u shndërruan në pluhur dhe hi.
Pas pushtimit rus në Ukrainë fuqia gjeopolitike e Gjermanisë dhe për pasojë edhe ajo e Bashkimit Europian, përkundër pohimeve të nëpunësve europianë, është në rënie të lirë. Ndërsa krahasimisht me këtë rënie, dalngadalë po rritet ndikimi i Uashingtonit dhe i Londrës në krijimin dhe vënien në jetë të politikës europiane kontinentale.
Shfaqja publike e harmonisë dhe e unitetit transatlantik vështirë se mund ta mbulojë faktin se në të vërtetë të gjitha levat e politikës europiane në këtë bashkësi të re euroatlantike janë në duart e ShBA-ve dhe Mbretërisë së bashkuar.
De facto Bashkimi Euroipian mbeti pa aftësitë e tij gjeopolitike, të cilat për vite me radhë u përpoq më kot ti ndërtonte, si dhe mundësinë e veprimtarisë së pavarur në planin ndërkombëtar, madje edhe në vetë skenën europiane. Gjermania, e sëbashku me të edhe Bashkimi Europian, në rendin e ri të bashkësisë transatlantike, të krijuar vetëm për disa javë pas fillimit të luftës në Ukrainë praktikisht është e detyruar ta transformojë politikën e saj të jashtme dhe t’ia adoptojë veprimtarisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe ShBA-ve të cilët morën në duart e tyre udhëheqjen e rezistencës kundër Rusisë.
Drejtim i qartë
Ndërsa në këto momente e tërë politika e jashtme e BE–së dhe e Gjermanisë është reduktuar vetëm në raportin me Rusinë, së cilës i jep ritëm politika amerikane dhe britanike, autonomia gjeopolitke e BE-së nuk ka më shanse të krijohet dhe të mbesë e këtillë edhe për kohë të gjatë, ndërsa ëndërrat për “Bashkimin Europian global” u shndërruan në pluhur dhe hi.
Gjendja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian është e kundërta e asaj që u përpoq ta paraqiste në faqet e agjensisë elektronike për punë të jashtme EEAS, në artikullin që mban emrin e tij, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Josep Borell. Madje edhe sikur të lëmë mënjanë faktin se ai e ka treguar veten se është nëpunës që nuk ka as minimumin e idesë dhe afinitetit për veprimtari diplomatike, tezat e artikullit të tij janë për të vënë duart në kokë. Në situatën në të cilën politika e jashtme e Bashkimit Europiuan në kushtet e luftës është plotësisht e varur nga udhëheqja amerikane dhe britanike, Borelli pohon: “BE-ja është forcuar si lojtar ndërkombëtar madje mund të flitet edhe për lindjen e unionit gjeopolitik”. Këtë tezë – të motivuar qartësisht nga përshpëritjet nëpër koridoret diplomatike mbi dështimin e politikës gjermane dhe për pasojë edhe të politkës së jashtme të BE-së – Borelli, kundër çdo logjike e shpjegon pikërisht me lidhjen e ngushtë me politikën amerikane dhe britanike. Borelli nënvizon si sukses se “BE-ja, sëbashku me ShBA-të, Britaninë e Madhe, Kandanë, Japonjnë dhe partnerët e aleatët e tjerë, mbështën mbrojtjen ndërkombëtare të Ukrainës. Përgjigja ishte e koordinuar që në ditën e parë, sepse të dhënat e shërbimeve të sigurisë u ndanë mes vedi në mënyrë të paparë”.
Kjo thjesht nuk i përgjigjet së vërtetës. Ndërsa shtetet udhëheqëse të Bashkimit Europian, me në krye Gjermaninë, përllogaritnin të gjenin një mënyrë për të ndalur Putinin pak a shumë në stilin e Nevil Çamberleinit, mbrojtjen e Ukrainës nga invazioni rus e përgatitën dhe e ndihmuan që në ditën e parë ekskluzivisht ShBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar.
Ëndërr e parealizuar
Me këtë Uashingtoni dhe Londra arritën një përparësi në skenën politike europiane të cilën Bashkimi Europian dhe shtetet udhëheqëse, para të gjithëve Gjermania dhe Franca, nuk mund ta arrijnë më. Politika amerikane dhe britanike dominojnë në çështjet europiane dhe, si pasojë të zhvillimit të ngjarjeve, edhe veprimtarinë aktorëve të përfshirë.
Përshembull, tani është plotësisht e qartë se planet për krijimin e ushtrisë europiane dhe forcimin e bashkëpunimit europian në fushën e industrisë ushtarake të bazuara në boshtin Berlin-Paris tani janë bërë ëndërr e parealizueshme. Rolin udhëheqës në Europë në periudhën e ardhshme edhe për një kohë të gjatë e ka siguruar ekskluzivisht NATO-ja që drejtohet nga Uashingtoni me asistencën e Londrës. Industria ushtarake europiane dhe integrimet ushtarake gjithsesi do të zhvillohen vetëm në kuadrin e NATO-s, asnjë devijim nga kjo linjë, cilido të jetë çmimi, nuk është më i mundur.
Pas pushtimit rus në Ukrainë tërë vendimmarrja lidhur me çështjet europiane është përqëndruar në strukturat politike euroatlantike dhe të NATO-s e cila, sikurse dihet mirë, udhëhiqet nga Uashingtoni. Për këtë kishte të drejtë Komandanti i forcave të bashkuara aleate në Europë, admirali amerikan Xhejms Stavdridhis, kur deklaronte se invazioni rus në Ukrainë ka arritur për disa ditë atë që ai nuk kishte arritur ta bënte për katër vite me radhë, duke patur parasysh në këtë rast integrimin e plotë të Gjermanisë dhe Bashkimit Europian në strukturat politike dhe ushtarake të kompleksit euroatlantik.
Politika gjermane dhe europiane gjenden praktikisht në bankën e të akuzuarve. Për këtë, Thomas Kleine-Brockhof, zëvendës president i German Marshall Fund-it, think thank amerikan i formuar me synim zhvillimin e marrëdhënieve amerikano-gjermane, në një intervistë për FRANCE 24, shprehet hapur: “Europa nuk ka gabuar, por Gjermania dhe Franca po. Franca dhe Gjermania kanë vazhdimisht nevojë për të folur në emër të pjesës së mbetur të Europës, por gabimet politike në raportet ndaj Rusisë janë kryer në Paris dhe në Berlin, dhe askund tjetër. Europa Lindore nuk gaboi. Europa veriore nuk gaboi”.
Fuqi e fituar rishtas
Sipas Kleine-Brockhoffit, lufta në Ukrainë kërkon ndryshimin uergjent të politikës gjermane ndaj Rusisë. “Jo vetëm që rendi europian po shëmbet para syve tanë, por po shkatërrohen edhe strategjitë që zbatuan Gjermania dhe Franca”, shton ai. Dështimi i politikës gjermane dhe franceze nuk është asgjë tjetër veçse dështim i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, gjë të cilën zëvendëspresidenti i German Marshal Fundit nuk dëshiron ta thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë por tërthorazi.
Në situatën e krijuar Franca, në sajë të aftësive manovruese të Makronit dhe pjesëmarrjes së kufizuar franceze në projektet energjetike me Rusinë, arriti t’i kundërvihej disi akuzave që synojnë praktikisht bashkëpunimin me Putinin, por Gjermania në këtë drejtim është copë-copë. Për këtë flet qartë presidenti gjerman Frank-Valter Shtejnmejer – të cilit Ukraina ia ndaloi hyrjen në territorin e saj, gjë që dëshmon për fuqinë e fituar rishtas të Kievit në skenën politike europiane me mbështetjen britanike dhe amerikane – në autokritikën e tij në stilin e ndonjë të burgosuri të penduar komunist që pranon devijimet ideologjike nga vija e drejtë politike.
Shteinmejeri praktikisht kërkon falje nga udhëheqja e politikës euroatlantike të cilën tani e kanë shtërnguar fort në dorë Uashingtoni dhe Londra dhe pranon i turpëruar: “Mbajtëm në këmbë urat drejt Moskës.. gjë për të cilën na kanë paralajmëruar partnerët tanë… Nuk e kam besuar se Vladimir Putini do ta pranonte dështimin e plotë ekonomik, politik dhe moral të vendit të tij për shkak të çmendurisë së tij imperialiste. Si edhe shumë të tjerë jam mashtruar”. Mund të pritet që në autokritikën e tij të ardhshme ai do ta drejtojë gishtin për nga të gjithë ata nëpunës të tjerë politikë europianë me të cilët ai është shoqëruar dhe ka ndarë me ta të njëjtat devijime ideologjike. Po ashtu është për tu pritur edhe vazhdimi i rrëfimeve pendestare të nëpunësve në mbarë Europën me sulme të hapura autokritike ndaj vetvetes.
Shpërthim autokritike
Sa serioze është situata dhe sa i thellë është honi i turpit ku kanë shkelur politika gjermane dhe ajo europiane, dëshmon edhe fakti i cili, megjithë sarkazmën e tij, nuk duhet hequr nga mendja – bëhet fjalë për presidentin e shtetit gjerman, shtetit më të fuqishëm dhe udhëheqës të Bashkimit Europian dhe jo për ndonjëfarë politikani lokal të nivelit të tretë. Nëse vetë presidenti gjerman është i shtërnguar të bëjë shpërthime autokritike dhe ta mbulojë veten me hì, mund të shtrohet me të drejtë pyetja se në çfarë balte gjeopolitike ka shkelur Gjermania dhe politika e Bashkimit Europian. Zëvendëspresidenti i German Marshal Fund-it, Tomas Klejn-Brokhofi konkludon: “Lufta në Ukrainë e ka shfryrë ballonin në të cilin jetonte Gjermania që nga vitet 1990”. Sipas tij, në këtë ballon Gjermania argëtohej në pozitën e këndshme të sigurimit të energjentëve të lirë nga Rusia dhe mungesën e nevojës për investime ushtarake, gjë që asaj ia mundësoi rritjen e industrializimit, rritjen e pasurisë së shtetit dhe të qytetarëve dhe gjendje të qetë në planin e politikës së jashtme sipas idesë se Gjermania mund të bjerë dakord me të gjithë dhe se për këtë nuk ka pse të shqetësohet për mbrotjtjen e saj. Jo pa njëfarë doze pasioni Tomas Klejn –Brokhofi paralajmëron se kësaj periudhe i ka ardhur fundi.
Goditje të tilla ndaj politikës gjermane dhe sëbashku me të edhe ndaj asaj të Bashkimit Europian, vinë nga shumë drejtime të integrimit europian. Kështu, think-thanku tjetër i njohur i cili merret gjithashtu me raportet mes ShBA-ve dhe Gjermanisë Instituti amerikan për studime bashkëkohore gjermane (American Institute for Contemporary German Studies -AICGS) në artikullin “Fundi i Europës kështu siç e njohim?” i shkuar nga Xhefri Ratke, që ditën e parë të sulmit rus mbi Ukrainë, përgjegjesinë për lëshimet ndaj Rusisë e orienton drejt politikës europiane dhe në veçanti asaj gjermane. Në artikull nënvizohet: “Do të ketë mjaft kohë për analiza, akuza dhe autokritika – politika Perëndimore nuk arriti ta ndalë Rusinë nga sulmi i përgjithshëm brutal kundër fqinjit të tij të qetë ukrainas dhe prej një dhjetëvjeçari themel i paqes në Europë, por tani ka rëndësi që ky shok të shndërrohet në vendosmëri dhe veprimtari konkrete dhe kjo askund më urgjent sesa në Gjermani… Gjermania është është qendra e gravitetit e veprimtarisë europiane për t’iu imponuar Moskës dhe për të zbutur plagët e Europës nga agresiviteti rus. A dëshiron Berlini të nxjerrë konkluzionet e duhura dhe të drejta nga kjo kthesë historike apo do të përpiqet të tërhiqet”.
Pararoja ushtarake
Në thelb, sugjerohet që të veprohet ndaj Gjermanisë në një mënyrë të tillë që ajo ta ndryshojë politikën e gabuar dhe me këtë indirekt edhe ndaj politikës së Bashkimit Europian, si dhe të ndikohet në Berlin që për kurrfarë çmimi ai të mos i kthehet më politikës së bashkëpunimit me Rusinë. Gjatë tërë artikullit përpunohet teza mbi nevojën e mbajtjes së politikës dhe ekonomisë gjermane larg Rusisë, megjithëse për këtë, pas invazionit rus në Ukrainë, objektivisht nuk ka nevojë sepse në kushtet e agresionit dhe të luftës në Ukrainë dhe në Europë asnjë bashkëpunim mes Gjermanisë dhe Rusisë nuk është i mundur.
Bizneset kontinentale europiane po përpiqet të rikthehen në bazat e vjetra gjeopolitke nga koha e Luftës së Ftohtë, kur kuadri i lidhjes europiane ishte Bashkësia Ekonomike Europiane (BEE), pra në periudhën para krijimit të Bashkimit Europian. BE-ja kësisoj praktikisht humb identitetin e saj politik nën presionin e zhvillimeve të luftës, për fajin e Gjermanisë dhe shteteve europiane, për shkak vartësisë dhe bashkëpunimit ekonomik me Rusinë, në mënyrë të veçantë në planin energjetik, dhe për shkak të rimarrjes së iniciativës dhe udhëheqjes nga politika britanike dhe amerikane si pasojë e agresionit rus në Ukrainë. Artikulli në fjalë parashikon mundësinë e kthimit të qetë dhe faktik në funksionimin e integrimit europian sipas modelit të BEE-së, pra bashkim europian pa vullnet të pavarur politik.
Nga Gjermania pritet të ketë rol të njejtë me atë të kohës së Luftës së Ftohtë – njëfarë pararoje ushtarake e NATO-s.
Dallimi është vetëm në atë që kësaj here nga Gjermania, e cila është poshtëruar për shkak të lidhjeve të saj ekonomike me Rusinë vitet e kaluara, pritet ta shfrytëzojë ndikimin e saj në Bashkimin Europian, integrimin politik i cili ende vazhdon të funksionojë si subjekt i pavarur politik për inerci, në mënyrë që si tërësi të lidhet me kompleksin eurtoatlantik, ose me politikën amerikane dhe britanike e cila është në rritje të fuqisë së saj në territorin europian. Gjermania e bashkuar e tanishme gjithsesi ka ndikim më të madh politik te shtetet europiane të përfshira në BE sesa në kohën e përballjes me rusët në kohën e Luftës së Ftohtë dhe kjo fuqi e fituar nga substrati i Bashkimit Europian duhet shfrytëzuar në përfitim të bashkësisë euroatlantike.
Avionët amerikanë
Nga Gjermania kërkohet koordinimi i të gjithë shteteve antare të BE-së në politikën e përbashkët dhe, kuptohet, kontribut më i madh në planin ushtarak, gjë që nënkupton edhe bashkëpunim më të madh ushtarak me ShBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar. Në vend të krijimit të njëfarë industrie të integruar ushtarake të BE-së dhe zhvillimit të sistemeve ushtarake europiane të gjeneratës së re, tani kërkohet bashkëpunim më i madh ushtarako-teknik dhe industrial me palën amerikane dhe britanike të integrimit euroatlantik. Në këtë kontekst është indikativ vendimi gjerman për blerjen e avionëve luftarakë amerikanë F-35 me gjoja kushtin gjerman që industria europiane të përfshihet në prodhimin dhe në zhvillimin e mëtejshëm të këtij avioni luftarak. Është fjala pikërisht për interesin amerikan dhe përsëritjen e historisë nga koha e Luftës së Ftohtë kur avioni luftarak amerikan F-104 i quajtur “Starfighter” u bë avioni kryesor luftarak i antarëve europianë të NATO-s. Gjermania atëbotë porositi 1.000 avionë dhe këta, me licencë të Lokhed-it amerikan, prodhoheshin në uzinat europiane, në FIAT-in italian, Mesershmidt-in gjerman (më vonë MBB) dhe në fabrikat e kompanisë belge SABCA.
Tani, sipas idesë së gjermanëve, me avionët F-35 do të përsëritet historia e “Starfighterve”. Prodhimi i tyre, me licencë të Loocheed-it, si edhe në rastin e “Startfighterëve”, do të bëhet në shumë shtete europiane për nevojat e aviacionit të tyre. Politika gjermane, me kërkesën që të mundësohet pjesëmarrja gjermane dhe europiane në prodhimin e avionëve F-35, faktikisht bën bllof dhe vetëm përsërit atë që thonë amerianët. Kësisoj F-35 do të bëhet avioni kryesor luftarak i pjesës europiane të NATO-s sipas të njejtit shabllon të raporteve politike dhe ushtarake si në kohën kur këtë rol e kishte F-104 “Starfughteri”. Për pasojë tani në telashe është projekti franko-gjerman i zhvillimit të avionit luftarak europian të gjeneratës së gjashtë.
Është më se e qartë, Gjermania dhe Bashkimi Europian, pas agresionit rus në Ukrainë, janë nën presionin e politikës amerikane dhe britanike për shkak të krijimit të urës ekonomike me Rusinë, e cila ishte në përfitimin në radh të parë të Gjermanisë sepse merrte energjentë me çmim të lirë për industrinë e saj, po ashtu përfitim kishte dhe Rusia drejt së cilës rridhnin teknologjia dhe komponentët industrialë si dhe produktet e gatshme të Perëndimit.
Vartësia nga energjia
Përveç kësaj, Gjermania e udhëhequr nga politika e gjelbër, mbylli plotësisht burimet e saj energjetike që kishte në dispozicion, termocentralet bërthamore dhe ato me qymyrguri. Në mënyrë të pamenduar aspak mirë ka lënë mënjanë edhe burimet alternative të lëndëve djegëse hidrokarbure, naftës dhe gazit, dhe është lidhur fort pas Rusisë dhe energjentëve të saj. Kësisoj është krijuar njëfarë pakti mes Moskës dhe Berlinit dhe sëbashku me të edhe Moskës e tërë BE-së. Kuptohet, Gjermanisë nuk i shkuan për shtat ndërhyrjet ushtarake ruse në Çeçeni dhe Gjeorgji si dhe as aneksimi i Krimesë teritor ukrainas, por Gjermania gjithsesi vazhdoi ta mbante në njëfarë mënyre këtë lloj pakti dhe tërhoqi pas vetes edhe një pjesë të madhe të BE-së, duke balancuar kështu mes interesave të saj dhe atyre të bashkësisë euroatlantike e cila, e udhëhequr nga Uashingtoni, kërkonte ndërprerje të bashkëpunimit dhe vënien e Rusisë nën fré.
Por ky pakt më në fund dështoi. Divizionet ruse në sulmin e përgjithshëm në Ukrainë e bënë copë copë këtë pakt energjetik dhe ekonomik të Gjermanisë dhe BE-së nga njëra anë me Rusinë në anën tjetër, të cilët ngelën në baltë duke bërë kësisoj të mos ketë asnjë zgjedhje tjetër për Gjermaninë veçse ti nënështrohet unitetit të ri të krijuar në Perëndim si dhe vënies në rresht brenda bashkësisë euroatlantike.
Amerika dhe Britania morën frymë të lehtësuar kur Hitleri sulmoi Rusinë
Pakti Moskë-Berlin për herë të dytë brenda njëqind viteve dështoi në mënyrë tragjike në përsëritjen groteske të historisë.
Pas sulmit gjerman kundër BRSS-së në muajin qeshor të vitit 1941, para se ShBA-të të hynin në luftë, Foreign Affairs, revista gjysmëzyrtare amerikane, në artikullin “Luftë për Europën Lindore” të Brus Hoperit të publikuar me 1 tetor 1941, pra vetëm 14 javë pas sulmit gjerman ndaj BRSS-së, pasqyronte pa dilema qëndrimin e politikës amerikane ndaj bashkëpunimit dhe paktit mes Berlinit dhe Moskës. Brus Hoperi nënvizonte në këtë artikull: “Sulmi nazist kundër Rusisë bolshevike i jep fund një makthi por hap një të tillë të ri. Mundësinë e mjegullt të aleancës së dy krahëve të revolucionit botëror, e cila i frikësonte aq shumë politikanët Perëndimorë, e asgjësuan divizionet tankiste të Hitlerit”. Siç mund të shihet nga artikulli i Foreign Affairs-it i muajit tetor 1941, marrëveshja Ribentrop-Molotov ose sikurse quhej zyrtarisht “Pakti për mossulmimin mes Gjermanisë dhe Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike” i vitit 1939 ishte makth nate për demokracitë e atërhershme Perëndimore, fuqitë detare ShBA-të dhe Britaninë e Madhe. Me sulmin e Gjermanisë kundër BRSS-së ata morë frymë të lehtësuar. Pakti gjermano-rus dështoi.
Në të njejtën mënyrë politika amerikane dhe britanike morën frymë të lehtësuara edhe kësaj here kur divizionet e korracuara ruse nisën luftën kundër Ukrainës e cila, për nga vetë natyra e gjërave, shkatërroi në njëfarë mënyre paktin mes Rusisë dhe Gjermanisë.
Europa do ta paguajë çmimin më të lartë ekonomik
Krisja e politikës lindore gjermane ka pasoja edhe te Bashkimi Europian që Gjermania udhëheq. Faji i Gjermanisë dhe nënështrimi i interesave të përbashkëta të tërë bashkësisë euroatklantike bllokuan busullën gjeopolitike të BE-së, cilado të jetë rëndësia e saj. Në sajë të një loje politike dinake, Uashingtoni dhe Londra, në kushtet e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe luftës së re në Europë, morën në mënyrë plotësisht të justifikuar udhëheqjen mbi çështjet politike të Europës kontinentale. Gjermania dhe Europa, për shkak të lidhjeve të tyre me Moskën në këto kondita nuk kanë çfarë të bëjnë. Lufta ndryshoi plotësisht qëndrimin e Bashkimit Europian si integrim dhe e orientoi Gjermaninë drejt të vetmit drejtim të lirë, drejt qendrës eurooatlantike amerikane dhe britanike. Busulla strategjike e BE-së u gjend befasisht e bllokuar, ndërsa Bashkimi Europian për vitet në vazhdim humbi fuqinë potenciale dhe mundësinë e bërjes së politikës të jashtme të pavarur nga Uashingtoni dhe Londra.
Për pasojë, Europa dhe Bashkimi Europian, sëbashku me qytetarët e tyre, do të paguajnë çmimin më të madh ekonomik të luftës së re europiane. Anxhela Merkeli u zhduk në heshtje nga skena politike, ndërsa e tërë Europa, përsëri në heshtje, do të paguajë faturat gjermane dhe çeqet bianco që ka dhënë Bashkimi Europian në përpjekje për të ndërtuar fuqinë e tij globale.Pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, Gjermania dhe Bashkimi Europian në sytë e tërë botës kanë humbur potencialin e tyre gjeopolitik, çfarëdo që të thonë nëpunësit e tyre.
[i] https://www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-zbog-rata-u-ukrajini-eu-nece-postati-globalna-sila/