Danas[i]
Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
Konflikti tragjik ruso-ukrainas sikurse pritej, në njëqind ditët e para të kohëzgjatjes së tij, megjithëse ende nuk është përmbyllur me ndonjëfarë marrëveshje paqesore, e ka ndryshuar botën duke e vënë para sfidës së Luftës së Tretë Botërore. Sepse vetëm luftrat botërore kanë sjellë këtë lloj zhvendosjesh gjeopolitike, në këtë vëllim dhe në kësi situatash, sikurse ka shkaktuar ky konflikt.
Në 100 ditët e para të luftës Rusia po i realizon qëllimet e saj, në të vërtetë më ngadalë sesa pritej, por gjithsesi ecën përparon hap pas hapi. Pohon se deri tani ka nën zotërim 70 përqind të Donbasit. Por edhe Perëndimi nuk ka dyshim se në një drejtim ka qënë i suksesshëm. Ky konflikt i erdhi si dhuratë nga qielli për të realizuar konsolidimin e tij dhe për të përcaktuar përsëri qendrën e tij e cila, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kishte filluar të ndahej, të polarizohej dhe të dezintegrohej. Uashingtoni u imponua si qendra e vetme e Perëndimit në të cilën merren vendime, hidhen ide dhe bëhen plane dhe, sipas nevojës, edhe komandohet, ndërsa të gjithë faktorët e tjerë perëndimorë të cilët deri tani pretendonin për njëfarë pavarësie dhe autonomije, si puna e Bashkimit Europian, e kanë pranuar me vullnet rolin e ekzekutorit.
Diplomacia nuk e tregoi veten, megjithëse në fillim premtonte se do të vepronte me shpejtësi dhe efikasitet. Nga shumë oferta ndërmjetësimi, vetëm Turqia ia arriti të realizojë bisedime të të dy palëve të cilat ishin një përpjekje që meritonte vëmendje. Edhe në këtë krizë, Turqia bëri me dije se ka mjaft fuqi për një politikë të pavarur. Nuk i vendosi sanksione Rusisë, vuri veton ndaj hyrjes së Suedisë dhe të Finlandës në NATO. Kështu siç janë punët, Turqia do të rrisë ndikimin e saj politik, diplomatik dhe gjeopolitik në këtë krizë.
“XHO I PËRGJUMUR“
Perëndimi ishte në gjendje të nxirrte mësime nga vështirësitë e tij të para pak kohëve, po mobilizohet me shpejtësi, ka lënë mënjanë grindjet dhe përçarjet e dhjetëvjeçarëve të fundit dhe po vepron si front i bashkuar kundër kundërshtarëve dhe konkurentëve të përbashkët. Një rol të madh në këtë konsolidim që është duke u zhvilluar ka luajtur edhe administrata e Xhozef Bajdenit dhe personalisht presidenti i 46 i Shteteve të Bashkuara, i cili kursesi nuk i meriton ato cilësime fyese dhe tallëse me të cilat gazetarët budallenj e shpërblejnë me mjaft bujari. Sepse është pikërisht ky “Xho i përgjumur” i cili po udhëheq ShBA-të dhe Perëndimin në një prej ndryshmeve më të mëdha dhe më dramatike të historisë botërore.
Ndërkohë presidenti amerikan, në pragun e 100-ditëshit të luftës, publikoi një artikull programor në Njujork Tajms, që ka të bëjë me pasojat e mundshme të krizës ukainase për raportet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj Perëndimorë me Rusinë. Pjesa kyçe e këtij teksti ka të bëjë me diskutimin mbi “vijat e kuqe”, ose thënë më mirë, mbi atë që Amerika “nuk do të bëjë në Ukrainë”.
“Ne nuk kërkojmë luftë mes NATO-s dhe Rusisë. Sadoqë nuk bie dakord me zotin Putin, duke iu konsideruar veprimet e tij të padëgjuara, Shtetet e Bashkuara nuk do të kërkojnë përmbysjen e tij në Moskë. Përderisa Shtetet e Bashkuara ose aleatët tanë nuk do të sulmohen në mënyrë direkte, ne nuk do të përfshihemi në mënyrë direkte në këtë konflikt, qoftë nëpërmjet dërgimit të trupave amerikane për të luftuar në Ukrainë ose me sulme kundër trupave ruse. Nuk inkurajojmë dhe nuk e lejojmë Ukrainën të luftojë jashtë kufinjve të saj. Nuk duam ta zgjasim luftën në mënyrë që të dëmtojmë Rusinë”, shkruan Xho Bajdeni.
Një dekaratë e tij është interesante dhe ka të bëjë me temën që e mban bashkësinë botërore në ankth – mundësia që konflikti ukrainas të përshkallëzohet në luftë bërthamore.
“E di se shumë njerëz në mbarë botën janë të shqetësuar për shkak të mundësisë së përdorimit të armëve bërthamore. Momentalisht nuk shohim asnjë shenjë që Rusia ka ndonjëfarë synimi për të përdorur armët bërthamore, megjithëse herë pas here retorika ruse e cila bën thirrje për vringëllimin e shpatave bërthamore në vetvete është e rrezikshme dhe tejet e papërgjegjshme. Që të jem i qartë: çdo përdorim i armëve bërthamore të çfarëdolloj madhësie në këtë konflikt do të jetë plotësisht i papranueshëm për ne dhe pjesën tjetër të botës”, tha Xho Bajdeni.
Ai paraqet edhe një ide ekstravagante- ti hiqet Moskës embargoja për energjentët me kushtin që ajo ti shesë ato shumë më lirë se çmimi i tregut.
Artikulli i Bajdenit, edhe përkundër një sërë formulimesh të ashpra, në Moskë përjetohet si gjesti më pajtues ndaj saj gjatë kohëzgjatjes së aksionit të ushtrisë ruse në Ukrainë. Edhe një pohim i faktit se administrata amerikane shpejtohet të përcaktojë një kuadër shtërngues për mundësinë e përzierjes në konfliktin ukrainas ishte edhe deklarata e ambasadores së ShBA-ve në OKB, Linda Tomas Grinflid dhënë të martën në në Nju Jork.
BISEDIME MES USHTRISË AMERIKANE DHE RUSE:
Shpjegimet e Xho Bajdenit dhe të ekipit të tij erdhën pas intervistës që dha të hënën në Foks Njuz, Shefi i Shtabit të forcave të armatosura të ShBA-ve, Mark Milli. Duke konstatuar se situata në Ukrainë mund të bëhet akoma më e rrezikshme, zyrtari i lartë ushtarak amerikan bëri thirrje të ndërmerren hapa urgjëntë për të penguar përshkallëzimin e konfliktit. Sipas fjalëve të tij, një prej hapave mund të ishin bisedimet mes ushtrisë amerikane dhe asaj ruse. Në lidhje me këtë, Milli përmendi edhe bisedën e tij telefonike të muajit maj me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura të Rusisë Valeri Gerasimov, si dhe bisedën e Shefit të Pentagonit Lloj Ostin me ministrin rus të mbrojtjes Sergej Shojgu.
“Besoj se gjithmnonë ekziston mundësia për përshkallëzim, këtë duhet ta studiojmë dhe të vlerësojmë shanset për përshkallëzim. Ne këtë po bëjmë, për këtë keni parë ministrin Ostin të bisedojë më kolegun e tij, ndërsa edhe unë nga ana ime, bisedoj me kolegun tim rus, në mënyrë që të pengojmë që ky konflikt të rritet në diçka më të tmerrshme sesa është tani”, tha Mark Milli.
“Besoj se zgjidhja e situatës nëpërmjet bisedimeve mund të ishte zgjedhja e logjikshme”, shtoi Mark Milli duke konstatuar se “të dyja palët duhet të vinë vetë te ky konkluzion”.
Mjafton vetëm të rregjistrojmë ngjarjet e tri ditëve të fundit dhe të kemi një ide mbi tempon me të cilën po ndryshon bota e sotme. Këshilli i BE-së miratoi paketën e gjashtë të sanksioneve nëpërmjet të cilës pamundësohet eksport i naftës ruse në BE. Aq sa sanksionet janë të drejtuara kundër Rusisë po aq janë edhe kundër Gjermanisë dhe politikës së saj Lindore ndaj Rusisë. Gjermansë i është pamundësuar shfrytëzimi i gazsjellësit Rryma e Veriut 2 dhe çfarëdolloj përfitimi i mëtejshëm nga bashkëpunimi me Rusinë. Mund të thuhet se mbetet për tu parë roli kyç i Rrymës së Veriut 2 në krizën ukrainase.
Gjermania po ndërton me tempo të përshpejtuar ushtrinë e saj pas miratimit të buxhetit prej 100 miljardë euro për pajisjen e saj. Kancelari Olaf Sholc deklaroi së së shpejti, në radhët e vendeve të NATO-s, do të shfaqet “ushtria më e madhe tradicionale në Europë”. Europa do të armatoset me shpejtësi Për herë të parë në historinë moderne, që nga koha kur ushqimi dhe energjia u bënë burime strategjikke, Europa gjendet e ndarë nga prapavija e saj energjetike dhe agrare. Kërcimi i çmimeve dhe inflacioni janë pasojat e këtij vendimi.
Gjithsesi është ende herët për të parashikuar ecurinë e konfliktit, por pa marrë parasysh faktin nëse Rusia i ka sendërtuar synimet e saj ose jo, është e qartë se ajo si “kështjellë Rusi” do të largohet nga Europa. Kundër Rusisë janë vendosur tashmë më shumë se 6.000 sanksione të ndryshme, gjë që është dyfish më shumë se sa kundër Iranit, i cili është nën sanksione prej më shumë se 40 vitesh. Në Kremlin janë gjithnjë e më shumë të bindur se një skenar i tillë qëndron edhe para Rusisë. Por sanksionet nuk arritën të thyejnë dhe ta bankrotojnë ekonominë ruse sikurse pritej.
“DESTRUKSION KONSTRUKTIV I RAPORTEVE”
itleri she Stalni ishin
Hitleri dhe Stalini ishin kundërshtarë ideologjikë për vdekje, por gjithnjë në kuadrin e konceptit europian. Hitleri udhëhoqi një luftë të tërë botërore në mënyrë që kufirin e tij ta zhvendoste 500 kilometër në Lindje dhe të siguronte që Rusia të ishte hambari i drithërave të Gjermanisë. Stalini e mundi Hitlerin dhe arriti 1.200 kilometër në thellësi të Europës, deri në Berlin ku u vendos kufiri i ri. Kësaj here perdja e hekurt ra nga Deri Balltik deri në Detin e Zi.
Stalini nuk kishte raporte me Perëndimin por gjithsesi i dëshironte. Rusia e ardhshme nuk do të ketë raporte me Perëndimin dhe as do të dëshirojë të ketë të tilla. Këtë e paralajmërojnë studimet strategjike të eskspertëve rusë të lidhur me Kremlinin. Në këto studime konstatohet se në vitin 2021, Rusia filloi një fazë të re në politikën e saj të jashtme. Ata e quajnë këtë fazë “destruskion konstruktiv” në politikën “neoizolacioniste” të Rusisë.
Vendi më rusofob në botë është Polonia, ku niveli i rusofobisë është më i ulët së Ukraina (87%, ndaj 80% Polonia). Kjo e dhënë është marë nga Indeksi i perceptimit të demokracisë. Ndër vendet europianoperëndimore, Portugalia ka përqindjen më të lartë të rusofobisë. Niveli i rusofobisë në Gjermani, Francë, madje edhe në ShBA dhe në Britani është më i ulët se në Portugali. Vendi më rusofil në Europë është Hungaria. Serbia nuk përmendet në këtë studim.
Para një jave Italia bëri publik planin e saj paqesor. Me sa duket pas tij qëndrojnë Franca dhe Gjermania. Për Krimenë, Donbasin dhe bregdetin ukrainas përdoret termi “territore të diskutueshme”, gjë që për udhëheqjen ukrainase ishte një shenjë se, sipas këtij plani, ekziston gatishmëria që ato ti lihen Rusisë. Ky plan flet për një kthesë në politikën europiane dhe demonstron gatishmërinë e fuqive europiane që të luftojnë për statusin europian të Rusisë. Në muajt në vazhdim, diku në vjeshtë, do të bëhet e qartë nëse Rusia do të mbetet fuqi europiane dhe perëndimore dhe nëse do të jetë e mundur një marrëveshje e re mes Rusisë dhe Perëndimit.
Konsolidimi i botës vështirë se mund të kalojë pa përpjekje për të zhvendosur kufinjtë e saj jashtë “Perëndimit historik”. Po shohim një luftë kryeneçe për të bërë për vete “shpirtërat” e vendeve si puna e Indisë, Indonezisë, Nigerisë, Afrikës së Jugut, Brazilit dhe Meksikës. Do të vazhdojë flirtimi me Turqinë, ndërtimi i urave me Venezuelën, përpjekjet për bisedime me Iranin etj. Në mënyrë të padiskutueshme do të zhduket kundërvënia mes pastërtisë së shpallur ideologjike dhe shqyrtimit të adoptueshmërisë politike, e cila, sikurse ka ndodhur shumë herë në histori, më së shpeshti është zgjidhur në favor të kësaj të dytës. Mund të supozohet se liderët Perëndimorë, për arësye teknike, linjën kryesore të ndarjeve në politikën botërore gjithnjë e më shumë do ta heqin jo mes demokracive dhe autokracive, por mes subjekteve të përgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm në skenën botërore.
Në të vërtetë, në vend të botës multipolare, propozohet përsëri krijimi i një sistemi ndërkombëtar të bazuar në ndërveprimin mes bërthamës botërore (Perëndimi) dhe periferisë botërore (jo-Perëndimi), si në fillimin e shekullit, supozohet se një ndarje e këtillë nuk do të shpjerë në formimin e botës klasike bipolare, meqënëse periferia globale nuk do të mundet dhe nuk do të dëshirojë të bashkohet kundër Perëndimit.
Mbetet për të parë nëse kjo ide do të jetë e suksesshme? Kundërshtitë politike brenda Perëndimit nuk është se janë zhdukur. Një gjë është të bashkohesh në prapavijën e krizës aktuale kundër një kundërshtari të zakonshëm, kundër Moskës pothuajse të parëndësishme nga pikëpamja ekonomike, e krejtësisht tjetër gjë është të bëhet luftë afatgjatë dhe cfilitëse me superfuqinë ekonomike që përfaqëson Kina si dhe vendet e tjera të botës.
[i] https://www.danas.rs/nedelja/novo-rodjenje-zapadnog-centra-u-vasingtonu/