Në mbledhjen e 8 mes qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, u firmosën 19 marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi në disa fusha.
Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, firmosën në Prishtinë 19 marrëveshje dhe memorandume në fushën e drejtësisë, arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit dhe sigurisë publike.
Ministrat e Energjisë dhe Infrastrukturës prezantuan marrëveshjen për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë. Fondi për këtë projekt është 1 milion e 980 mijë euro,ku Shqipëria do të mbulojë 51% të këtij financimi ndërsa pjesën tjetër do e mbulojë Kosova.
Po në këtë fushë, u firmos edhe një marrëveshje, për ndërtimin e përbashkët të rrugëve në fshatrat që ndodhen pranë dy anëve të ndryshme të kufirit.
Dy kabinetet qeveritare ranë dakord që të mos ketë kufij mes vendeve gjatë ditëve të festave dhe në fundjavë në periudhën 1 qershor-30 shtator. Me këtë marrëveshje qytetarët e dy vendeve mund të kalojnë pa u regjistruar në kufi gjatë kësaj periudhe.
Një tjetër marrëveshje e firmosur është për pranimin e studenteve në universitetet e dy vendeve. U ra dakord që të unifikohen të gjitha proceduarat që lidhen me aplikimin apo regjistrimin e studenteve.
Dy ministrat e Brendshëm, nënshkruan marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale për gjendjen civile. Pra në rast se një shtetas i Kosovës martohet në Shqipëri do të njoftohet në kohë reale gjendja civile në Kosovë
Ndërsa ministrat e Financave, nënshkruan marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave për realizimin e të drejtës për pension.
Dy vendet kanë si qëllim që të shkojnë drejt bashkimit doganor dhe këtë këtë firmosën për ngritjen e një grupi pune që do të bëjë gati planin.
Marrëveshjet dhe memorandumet ndërqeveritare të firmosura në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Shqipëri – Kosovë:
- Marrëveshje bashkëpunimi për pranimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës;
2. Protokoll për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë/Kukës;
3. Protokoll për regjimin e trafikut lokal të kufirit në zonat kufitare ndërmjet kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës;
4. Memorandum bashkëpunimi për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për bashkim doganor;
5. Marrëveshje administrative për zbatimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore;
6. Memorandum mirëkuptimi për sektorin e energjisë;
7. Memorandum bashkëpunimi për bashkëpunim mbi zhvillimin e terminalit të Vlorës;
8. Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e zbatimit të programeve të mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural;
9. Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e gjendjes civile;
10. Marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbim përvojash në proceset teknike;
11. Marrëveshje bashkëpunimi për vlerësimin e gjendjes dhe përmirësimin e rrugëve të fshatrave ndërkufitare që lidhin zonat kufitare Shqipëri-Kosovë;
12. Marrëveshje bashkëfinancimi për studimin e fizibilitetit dhe projektidesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë;
13. Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë për shërbimin e ndërsjelltë ndërkufitar;
14. Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën farmaceutike dhe të pajisjeve mjekësore;
15. Marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e një platforme të përbashkët digjitale të informacionit dhe promovimit turistik;
16. Marrëveshje për bashkëpunim në fushën e rinisë;
17. Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e kërkim-shpëtimit malor dhe ujëra territoriale;
18. Deklaratë e përbashkët e Ministrave të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës;
19. Marrëveshje bashkëpunimi për bashkëfinancimin e projektit madhor në albanologji enciklopedia shqiptare.
/Argumentum.al