Zoran Preradoviç-Radar[i]
Brukseli pas hapjes së frontit ukrainas pret besnikëri pa asnjë kundërshtim dhe ndëprerje të marrëdhënieve me Kremlinin, ndërsa rusët presin mbështetje aktive nga ane Serbisë në atë që në mënyrë megallomane ata e quajnë luftë për të ardhmen e botës.
Sapo presidentja e Bashkimit Europian Ursula von der Lajen para pak kohësh në Beograd e porositi qartazi Aleksandër Vuçiçin se nuk ka më kohë, se politikën e tij të ballancimit e kanë konsumuar ngjarjet dhe se është koha për sanksione ndaj Rusisë, verifikimi e këtyre më sipër erdhi nga Këshilli i Europës në formën e vendimit për ndalimin e tranzitit të gazit rus nëpërmjet vendeve BE-së drejt vendeve të treta, dhe se kjo masë hyn në fuqi që nga 1 janari. Thelbi është se Bullgaria nuk do të lejojë kalimin e gazit rus nëpër gazsjellësin “Rryma Ballkanike” dhe me këtë do të vërë Serbinë në një situatë pa rrugëdalje.
Ajo që Vuçiçi nga Budapesti deklaron se Europa po ngre një perde ndaj Federatës Ruse dhe se europianët nuk dëshirojnë që askush të jetë neutral pas kësaj perdeje, është gjykim i një sharlatani pasionant pa aftësi për të parë botën jashtë vetes dhe të dëgjojë të tjerët. Sikur të shihte, nuk do të ngelej i shokuar me këtë qëndrim të BE-së, i cili ka kohë që paralajmërohet.
“Serbia nga pikëpamja energjetike është zënë në kurthin e minjve, ‘lehtësim” është fakti se ky është një kurth ‘vëllazëror’. Duhet të kujtojë se sa me verbëri i ka besuar Rusisë dhe gazit rus. Sesi janë hedhur poshtë, pa kërkesë faljeje, të gjithë paralajmërimet që i janë dërguar qeverisë serbe se duhet të diversifikojë edhe burimet e furnizimit edhe rrugët e furnizimi me energjentë. Ka lindur një erë e re në sigurinë energjetike, dhe është paralajmëruar për këtë mundësi dhe situatë”, thotë për Radarin diplomati serb Sreçko Gjukiç, amnbasador i dikurshëm i Seërbisë në Bjellorusi.
Kompania NIS si gjeopolitikë
Po të shtojmë këtu edhe faktin se Amerika i ka vendosur sanksione kompanisë NIS (Naftna Industria Srbije-Industria e Naftës e Serbisë), sepse nuk dëshiron që Kremlini të ketë paketën kontrolluese të aksioneve, ndërsa rusëve nga ana e tyre as që u shkoi mendja që gjatë këtyre gati dhjetë muajve, aq sa u shty afati i vënies së sanksioneve, t’a zgjidhin këtë problem nëpërmjet shitjes së disa përqindjeve Serbisë, për në shumë nga Moska erdhi mesazhi se janë të gatshëm t’ia shesin Uashingtonit pjesën e tyre, bëhet e qartë se në Lindje dhe në Perëndim politikën e Vuçiçit e shohin si matrapazllëk. Për këtë Igor Bandoviç, drejtor i qendrës së Beogradit për politikën e sigurisë, gjithçka që po ngjet me NIS-in e konsideron se mesazh të Kremlinit se nuk i beson më Vuçiçit: “Kur Rusia refuzon të shesë pjesën e saj të NIS-it, ky nuk është biznes, kjo është gjeopolitike. Moska e mban Serbinë në shah enegjetik”, mendon bashkëbiseduesi i Radarit.
Çfarë ndodhi në të vërtetë? Përfundoi një cikël i sundimit të Vuçiçit në të cilin, edhe përkundër katastrofës së epokës, arriti të dalë i prepekur. Kaloi përballë të gjithë palëve të interesuara, duke u’a ngritur me shkathtësi horizontin e pritmërive. Me Perëndimin “bëri Pazar” me Marrëveshjen e Brukselit, me rusët me faktin se nuk u vendosi sanksione, megjithëse Ukrainës i shiti armë. Fundi i këtij cikli është i shenjuar me faktin se asnjë pale nuk i hyn më në punë kjo që bën Vuçiçi. Brukseli, në të vërtetë, pas hapjes së frontit ukrianas pret besnikëri të pakundështueshme dhe ndërprerje të marrëdhënieve me Moskën, ndërsa rusët presin mbështetje aktive nga ana e Serbisë në atë që ata e kuptojnë si kuptim megallomanik të së ardhmes së botës. Ndoshta të dyja palët besojnë se Vuçiçi mund të bëjë ende ndonjë gjë për ta, por mosbesimi i tyre rritet deri në masën që për Serbinë është bërë e papërballueshme.
Analisti politik Dragomir Angjelkoviç thotë se Rusia është e vetëdijshme se Vuçiçi ka për detyrë që nëpërmjet patriotizmit të rremë t’u hedhë hi syve qytetarëve të Serbisë, ndërsa forcave të NATO-s u bën lëshimet që duan. “Moska në njëfarë mënyre e paralajmëron se nuk i beson dhe nëse kalon vijën e kuqe të kërcënimit të interesave të tyre, Kremlini mund të nisë punën për ‘ngritjen e revoltës’ tashmë brenda në radhëve të tij, gjë që për Vuçiçin nuk është e sigurtë nëse, duke patur parasysh situatën kaq të stuhishme brenda vendit, do të jetë në gjendje të mbijetojë politikisht”.
Nga ana tjetër, Gjukiçi mendon se Serbia është mendërisht thellësisht e varur nga Rusia, por edhe se nuk varet vetëm nga ajo. Ai thekson se vazhdimisht i drejtohet dikujt për ndihmë. Sepse për dhjetëvjeçarë të tërë nuk po i zgjidhim dot problemet tona. Nënvizohet se pavarësinë tonë e përcaktojnë problemet tona të grumbulluara dhe të pazgjidhura dhe se rusofilizmi i pushtetit aktual, nga ana tjetër, e pengon tejet shumë në politikën e jashtme.
“Ndikimi i ‘fuqisë së butë’ ruse është i pabesueshëm. Opinioni publik është në shumicën e tij prorus, ndërsa paratë vinë nga Perëndimi. Racionalja serbe është në Perëndim, iracionalja në Rusi. A nuk e merr pushteti në konsideratë Rusinë dhe si do të reagojë ajo nëse i vendosim sanksione? A nuk ka frikë nga ‘tradhëtia’ ruse e Kosovës? Si të lidhen këto ‘dy’ të mira? Nuk ka formulë. Megjithatë është fakt se Serbia është e rrethuar nga vendet e BE-së dhe të NATO-s dhe është gjeopolitikisht jo e lidhur me Rusinë”- thekson Gjukiçi.
Me vlerësimin se Moska realizon një ndikim të thellë gjeostrategjik në Serbi edhe përkundër faktit se është e rrehtuar nga vende të NATO-s, është dakord edhe Bandoviçi. “Ky ndikim nuk është ushtarak, ai është para së gjithash në fushën e sigurisë, zbulimit dhe mediatik. Sipas raporteve të aksesueshme shërbimet ruse të aparatit të sigurisë veprojnë nëpërmjet bashkëpunimit me disa pjesë të aparatit serb të sigurisë, si dhe nëppërmjet rrjetit të orgnizatatve të orientuara proruse dhe mediave që përhapin rrëfimet mbi ‘popujt vëllezër’ dhe ‘Perëndimin armik’. Një infrastrukturë e këtillë i vjen në ndihmë Rusisë të ndikojë në opinionin publik, vendimet politike dhe ato të sigurisë së Serbisë, duke e mbajtur këtë vend në zonën mes Lindjes dhe Perëndimit. Kampet për trajnimin e agjentëve rusë në Serbinë Pedrëndimore, të cilët u zbuluan nga shërbimet moldave dhe gazetarët investigativë, treguan qartazi sesi ‘patriotimi’ mund të instrumentalizohet – duke u shndërruar në mjet të mobilizimit politik dhe destabilizimit potencial të rajonit të gjërë”.
“Nëse me të vërtetë kampi ka ekzistuar, atëherë pas tij nuk mund të qëndronin “të pavarur” çfarëdolloj bashkëputorësh të shërbimeve ruse në Serbi, por ato i ka organizuar shërbimi sekret serb dhe levat e tjera të regjimit të Vuçiçit. Ka mundësi që sipas modelit të tij të vjetër të pazarllëkut me palë të ndryshme, PPS-ja dhe karteli sundues kanë bërë disa kombinacione me rusët, dhe më pas u’a ka shitur oponentëve të tyre, por gjithsesi në qendër të të gjithave është Vuçiçi dhe askush tjetër”, mendon Arangjelkoviçi.
“Flirtim“ me Kremlinin
Përsëri, Vuçiçi nuk është se u mendua dy herë kur, nën hundën e Perëndimit, ktheu në Moskë disa oficerë të FSB-së rangut të ulët në momentet kur ishte i sigurtë se Vladimir Putinit nuk mund t’ia shiste dy herë të njëtjin mall, e lerë më pastaj ukarianasve armë fshehurazi. Sikur të mos ishte, përshembull Aleksandër Vulini, Serbia nuk do t’a dinte sesi djersitej prapanica e Vuçiçit për shkak të presioneve nga Perëndimi dhe “njollat” nuk do të kishin dalë derisa e tha edhe vetë publikisht se ish drejtori i shërbimit sekret serb nuk ishte agjent rus, edhe përkundër faktit se dihet se disa disidentë rusë i ka përgjuar dhe ka flirtuar me Moskën. Perëndimi, idenë e Vulinit mbi “Botën Serbe” e ka kuptuar si projekt të Vuçiçit. Në këtë ide, Rusia ndoshta është guri themeltar. Por gjithsesi jo i vetmi. Ndërsa Vulini, me bindjet e tij bizneso-kartel erdhi si çekiç ideal për shkatërimin e kësaj ideje. Dhe këtu Vuçiçi nuk mundi të bënte asgjë. Në të vërtetë, aspak më i mjerë se Vulini nuk u duk Patriarku serb Porfirije i cili me diplomaci, para presidentit rus, denoncoi studentët serbë të cilët medemek po përgatisin revolucion me ngjyrë.
Gjithsesi, raporti i Serbisë ndaj Rusisë, është gjëja kryesore që u jep formë raporteve të saj me Perëndimin. Kur bie fjala për Moskën, raportet e saj me Perëndimin Serbia i ballancon me atë që pohon se nuk qëndron ulur në dy karrike, por në atë në të cilën shkruhet Bashkimi Europian. Tani, pas mesazheve të fundit nga Brukseli, ky argument nuk do të pijë ujë. Thjesht sepse, hendeku që ekziston mes BE-së dhe Rusisë është kaq i madh se edhe një pëllëmbë e vogël e këtij hendeku të quajtur Serbi nuk mund të kalojë pa u vënë ré. Në një mënyrë ose në një tjetër…
Mbetet për t’u patë se çfarë roli do të luajnë te qytetarët, në një kthim potencial të politikës serbe drejt Perëndimit, sentimenti shprehimisht rus që vetë pushteti e ka përhapur. Bandoviçi thotë se është përdorur si mjet i politikës së brendshme nëpërmjet të cilit pushteti ndërton legjitimitetin e tij para zgjedhësve, dhe se thirrja për raporte vëllazërore me Rusinë shërbën për t’u paraqitur si mbrojtes të traditës dhe sovranitetit ndërsa në të njëjtën kohë te qytetarët nxitet besnikëria emocionale ndaj Moskës. Në këtë mënyrë, trashëgimia historike bëhet instrument për ruajtjen e mbështetjes për regjimin, dhe jo shprehje autentike e afrësisë kulturore, thotë Bandoviçi, drejtori i qendrës beogradase për politikë të jashtme dhe të sigurisë.
“Moska e shfrytëzon këtë narrativë që të ruajë ndikimin e saj në rajon. Kremlini nëopërmjet idesë së “vëllazërisë ortodokse” dhe historisë së përbashkët ndërton pamjen e Rusisë si mbrojtëse e interesave serbe, në mënyrë të veçantë në lidhje me Kosovën. Megjithatë, pas kësaj simbolike, shumë shpesh nuk, qëndron mbështetja e vërtetë, por interesi strategjik që Beogradi medoemos të mbahet jashtë integrimeve perëndimore. Me këtë, afërsia historike shndërrohet në levë politike, me të cilën Rusia përhap propagandën, dezinformimin dhe ndikimin në hapësirën mediatike dhe të sigurisë në Serbi. Falenderimi drejtuar shërbimeve ruse të sigurisë në mesin e luftës në Ukrainë ndoshta janë treguesi më i mirë sesa këto lidhje e kanë humbur kuptimin e tyre kuluror dhe janë bërë shenjë e besnikërisë dhe jo e traditës. Në rrethanat e kohëve të sotme, historia ka pushuar së qëni hapësirë e ndjenjave të përbashkëta – është shndërruar në mjet të fuqisë dhe manipulimit, të cilën të dyja palët e përdorin për interesat e tyre”, nënvizon Bandoviçi.
Zgjedhje e paevitueshme
Në fund, përzgjedhja mes Rusisë dhe Perëndimit nuk do të jetë vetëm e fushës së politikës së jashtme, por edhe të asaj të sistemit – mes rrugës europiane të bazuar në reforma, shtetin e së drejtës dhe transparencën, dhe modelit në të cilin dominojnë mbyllja, besnikëria ndaj shërbimeve sekrete dhe kontrolli i narrativave. Në këtë kuptim, pyetja që shtrohet nuk është nëse Vuçiçi do të dojë të zgjedhë ose jo, por kur do të jetë i detyruar t’a bëjë një gjë të tillë. Sepse në kontekstin e sotëm, Serbia nuk mund të qëndrojë gjatë njëherësh me Europën dhe me FSB-në, konkludon Bandoviçi.
Dhe kjo nënkupton se Vuçiçi do të duhet të dalë nga faza e sundimit në të cilin ka mbjellë gjërësisht pritmëritë e deritanishme. Do të jetë i detyruar ta bëjë një gjë të tillë, sadoqë në dhëmbë do të vazhdojë të mbajë fort politikën e ballancimit. Dhe kjo sepse nuk do të mundet njëkohësisht edhe Shutanovaci (aktualisht ambasadori serb në ShBA, ish ministër i mbrojtjes në presidencën e Tadiçit. Shën. përkth), edhe Boçan Harçenko (ambasadori rus në Beograd) edhe Trampi junior (inicues i një projekti madhor në Serbi), edhe Marrëveshja e Brukselit edhe Bota serbe, edhe Informeri (e përditëshme mbështetëse e Vuçiçit. shën., i përkth) edhe Danasi, edhe Shmidi edhe Dodiku edhe përçmues edhe i ashpër….
[i] /https://radar.nova.rs/politika/meka-moc-i-kremaljska-tvrda-stolica/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA



























































