Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit malazez Milojko Spajiç dhe raportimet mediatike që pasuan, përfshirë pretendimin e gazetës malazeze “Vijesti” se në veprimtarinë e pretenduar hibride përfshihen Serbia dhe Shqipëria.
Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha theksoi se ndaj Shqipërisë nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht.
“Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër”, deklaroi ministri.
Hoxha u bëri thirrje aktorëve politikë dhe mediave që të mos nxitojnë në interpretimin e deklaratave dhe raportimeve që kanë pasuar.
Ai tha se raportimet mediatike janë pjesë e debatit publik, por duhet të trajtohen me rezervën e nevojshme, veçanërisht kur përmbajnë interpretime të ndryshme ose kontradiktore.
Sipas Hoxhës, Shqipëria ndjek një qasje të kundërt me destabilizimin, duke investuar në bashkëpunimin, mirëkuptimin, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
“Hamendësimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona”, u shpreh ai.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se Tirana është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet malazeze dhe se për këtë çështje ka komunikuar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, si dhe me zëvendëskryeministrin Nik Gjeloshaj.
Hoxha theksoi në fund se politika e jashtme kërkon “qetësi, maturi dhe përgjegjësi”, duke paralajmëruar që politika e jashtme e Shqipërisë të mos kthehet në objekt apo instrument të debateve të brendshme partiake.
© 2026 Argumentum





















































