Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook detajet e takimit të punës të zhvilluar të premten në mbrëmje me drejtuesit politikë dhe përfaqësues të qeverisë, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri qeverisës.
Sipas Ramës, gjatë mbledhjes u vijua puna për detajimin e programit të sezonit të ri, duke nisur me kalendarizimin e “Pranisë Besnike” në çdo territor dhe mekanizmat e rinj të ndërveprimit mes qeverisë dhe deputetëve, me synim përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve publike qendrore dhe vendore.
Në fokus të diskutimeve ishte gjithashtu hartimi i ndryshimeve ligjore për PasqyrAlbania, ndërsa kryeministri bëri me dije se u diskutua edhe progresi i bërë në hartimin e nismës së integruar “Shqipëria Sociale”.
Rama njoftoi se kësaj nisme do t’i kushtohet një Konferencë e posaçme Kombëtare në muajin nëntor, duke e cilësuar atë si një tjetër pikë të rëndësishme të agjendës së qeverisë për sezonin e ri.
Postimi i kryeministrit nuk jep detaje të tjera mbi diskutimet, por rendit si prioritete kryesore praninë e qeverisë në territor, bashkëpunimin me deputetët, ndryshimet ligjore për PasqyrAlbania dhe avancimin e nismës “Shqipëria Sociale”.
© 2026 Argumentum





















































