Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, ka deklaruar se autoritetet malazeze disponojnë informacione serioze operative për një veprimtari të koordinuar hibride që synon destabilizimin e vendit.
Në një postim në rrjetin social “X”, Spajiç tha se mbyllja e kapitujve të rinj në negociatat e Malit të Zi me Bashkimin Evropian mund të shoqërohet me një fushatë të koordinuar, ku, sipas tij, do të përfshiheshin zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit.
“Sipas informacioneve që kemi, aktivitete të tilla kanë për qëllim destabilizimin e Malit të Zi, me mbështetjen e pritshme të aktorëve të caktuar politikë dhe një pjese të skenës mediatike në vendin tonë”, deklaroi Spajiç.
Kryeministri malazez shtoi se autoritetet janë në dijeni të këtyre synimeve dhe se përpjekjet e tilla nuk do të ndryshojnë kursin politik të vendit apo rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian.
Spajiç nuk i përmendi në deklaratën publike emrat e shteteve për të cilat bëhej fjalë.
“Vijesti”: Bëhet fjalë për Serbinë dhe Shqipërinë
Gazeta malazeze “Vijesti” raportoi më pas, duke iu referuar disa burimeve, se dy shtetet për të cilat Spajiç kishte folur janë Serbia dhe Shqipëria.
Sipas gazetës, informacioni është konfirmuar nga burime të saj, ndërsa në deklaratën e kryeministrit bëhej fjalë për përfshirjen e zyrtarëve nga të paktën dy vende të rajonit në veprimtarinë e pretenduar hibride.
“Vijesti” nuk publikoi emrat e burimeve dhe nuk paraqiti në artikull prova publike që dokumentojnë përfshirjen e institucioneve shtetërore të Shqipërisë apo Serbisë.
Milatović: Akuzat duhet të verifikohen
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović, reagoi më 28 gusht duke i cilësuar akuzat e bëra nga Spajiç si “shumë, shumë serioze”.
Milatović tha se çështja duhet të verifikohet institucionalisht dhe se publiku duhet të dijë se cilët zyrtarë të lartë të qeverisë dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete që mund të destabilizojnë Malin e Zi.
Ai njoftoi se do të thërrasë një mbledhje urgjente të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë për të shqyrtuar informacionin që disponojnë shërbimet e sigurisë dhe veprimet e ndërmarra deri tani.
Presidenti malazez paralajmëroi gjithashtu se çështjet e sigurisë kombëtare dhe akuzat për kërcënim ndaj stabilitetit të shtetit nuk duhet të përdoren në përplasjet e përditshme politike.
Deri tani, Spajiç nuk ka bërë publikisht të ditur se cilat shtete apo cilët zyrtarë konkretë janë në fjalë.
© 2026 Argumentum





















































