Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se ka indikacione të qarta nga institucionet e sigurisë dhe inteligjencës për përpjekje që tubimi i nesërm në Gazimestan të marrë përmasa të mëdha.
Në adresimin e tij para mbledhjes së 263-të të Qeverisë së Kosovës, Kurti potencoi se për festën e Vidovdanit janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina për të hyrë në Kosovë, me qëllim që të marrin pjesë në këtë aktivitet, i cili, siç tha ai, tradicionalisht ka qenë i mbushur me provokime.
Kurti theksoi se këto grupe shpesh bartin simbole nacionaliste serbe dhe ruse, veprime që ai i konsideron jo vetëm si shkelje të Kushtetutës së Kosovës, por edhe si kundërshtim me vlerat evropiane dhe demokratike që promovon shteti i Kosovës.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve dhe paralajmëroi se institucionet nuk do të lejojnë asnjë cenim të rendit, sigurisë apo paqes publike.
“Pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur inicdente në Gazimestan. Sipas vlerësimeve të institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Prandaj, janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër. Tradicionalisht grupet e tilla kanë qenë provokuese duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë gjithashtu kundër vlerave demokratike dhe evropiane… U bëjmë thirrje bashkatdhetarëve tanë që mos të bien pre e asnjë provokimi nga kushdo qoftë në ditën e nesërme. Nuk do të tolerojmë veprime që cenojnë rendin, sigurinë dhe paqen publike në Kosovë”, tha Kurti.
Vidovdani shënohet si festë kombëtare dhe fetare nga serbët, por ka edhe rezonancë më të gjerë në Ballkan për shkak të ngjarjeve historike që lidhen me të.
Vidovdani lidhet me Betejën e Kosovës më 28 qershor 1389 forcave ballkanase të udhëhequra nga princi serb, Lazar dhe Perandorisë Osmane të udhëhequr nga Sulltan Murati I.
/Kosovapress/