Dr. Ermir I. Hajdini
Këshilltar Ligjor & Lektor Universitar
Rendi global i energjisë, i ankoruar për dekada tek vendimmarrja kolektive e kartelit të Vjenës, sapo ka pësuar një frakturë historike. Njoftimi i djeshëm [1] se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) do të tërhiqen nga OPEC dhe OPEC+ më 1 maj 2026, po interpretohet në Uashington si një fitore e “tregut të lirë”. Megjithatë, një vështrim më i thellë në tabelën e shahut strategjik—veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në Pekin—sugjeron se ky nuk është thjesht një largim, por një ndryshim rrënjësor paradigme (Paradigm Shift).
Nga “Ekonomia e Kontrolluar” te “Diplomacia e Biznesit”
Për gjashtë dekada, politika e naftës së Abu Dhabit ishte e lidhur me interesat e koordinuara të boshtit Moskë-Rijad. Duke këputur këto “zinxhirë kuotash”, Emiratet po përqafojnë një doktrină të re: “Përgjegjësinë Sovrane”. Me një kapacitet prodhimi që synon 5 milionë fuçi në ditë [4], Abu Dhabi nuk mund të lejojë më që investimet e tij kolosale prej 150 miliardë dollarësh të qëndrojnë pezull për të mbrojtur buxhetet fiskale të fqinjëve.
Këtu kalojmë nga një mendësi reaktive e shekullit XX—ku kapitali bazohej te kufizimi i produktit për të rritur çmimin—te një mendësi proaktive e biznesit global. EBA po dëshmon se epoka e “çmimit të diktuar” ka perënduar; ata po zëvendësojnë diplomacinë e fuçive me diplomacinë e tregtisë dhe investimeve.
Plani i Pekinit: 24 Marrëveshje si Korridore Tregtare
Vetëm dy javë më parë, gjatë vizitës zyrtare të udhëheqjes së lartë të EBA-së në Kinë, u nënshkruan 24 marrëveshje strategjike [3]. Nëse dikur këto shiheshin si bashkëpunime tregtare, sot ato duken si infrastruktura e një bote post-OPEC.
- Energjia si Karburant për Diversifikim: Duke dalë nga OPEC+, Emiratet mund të përmbushin kërkesat energjetike të këtyre 24 marrëveshjeve—që mbulojnë inteligjencën artificiale, hidrogjenin dhe qytetet inteligjente—pa pasur nevojë për leje nga një komitet në Vjenë.
- Versatiliteti i BRICS+: Si anëtare me të drejta të plota të BRICS+, EBA po shfrytëzon këtë platformë jo për të rregulluar çmimet, por për të ndërtuar korridore logjistike dhe financiare që anashkalojnë dollarin. Ky është “biznesi mbi politikën”.
Rusia dhe Paradoksi i BRICS+
Pozicioni i Rusisë në këtë tranzicion është kompleks. Në afatshkurtër, Moska humbet mjetin e saj kryesor për inflacionin e çmimeve. Megjithatë, siç kam argumentuar së fundmi [5], sovraniteti tradicional po riformësohet nga ndërvarësitë digjitale dhe energjetike. Versatiliteti i BRICS+ lejon që EBA dhe Rusia të mbeten partnerë politikë dhe tregtarë, edhe pse nuk janë më “ortakë” në tregun e naftës. Abu Dhabi po shkëputet nga partneriteti i çmimeve, por jo nga aleanca multipolare.
Një “Divorc” Sinkron
Largimi i Emirateve nga OPEC është një kryevepër e Realpolitikës. Ai kënaq kërkesën e SHBA-së për çmime më të ulëta, por në planin afatgjatë i jep avantazhin strukturor Pekinit dhe ekosistemit BRICS+.
Abu Dhabi ka zgjedhur të mos jetë më thjesht një furnizues energjie, por një aksionar kryesor në ekonominë e re globale. Ata kanë shkëmbyer një karrige në një tryezë të mbushur në Vjenë, me një hyrje VIP në motorin më të madh prodhues të botës. Ky ndryshim paradigme tregon se në vitin 2026, fuqia nuk vjen nga kontrolli i produktit, por nga shpejtësia dhe volumi i biznesit.
Referencat
[1] BNN Bloomberg (28 Prill 2026): “Emiratet e Bashkuara Arabe njoftojnë largimin nga OPEC me efekt nga 1 maji.” [2] The Guardian (28 Prill 2026): “EBA lë OPEC-un, një fitore për Trump ndërsa karteli dobësohet.” [3] Economy Middle East (13 Prill 2026): “EBA dhe Kina nënshkruajnë 24 marrëveshje për të rritur investimet dypalëshe.” [4] Gulf News (28 Prill 2026): “Arsyet pse dalja e EBA nga OPEC+ është një lëvizje e madhe për tregjet globale… synohet 5m bpd.” [5] Argumentum (20 Prill 2026): Hajdini, E. I., “Realpolitik vs dritëhijeve të tabuve Gjeopolitike: Përse Tirana zyrtare duhet të shohë nga Pekini.”
© 2026 Argumentum



























































