Dr. Jorgji KOTE*
Politika dhe diplomacia jonë e mbyllën pa lajm kryesimin një mujor të KS të OKB-së, i cili nisi me pompë dhe bujë në Janar. Dhe bëri shumë mire vërtet! Çfarë nuk u tha dhe nuk u premtua atëhere, a thua se vërtet do « të bënim namin! Ishte kjo ngjarje që na risolli në kujtesë temën e shkrimit të sotëm; realizmin dhe rëndësinë e tij jetike në politikën e jashtme dhe veprimet diplomatike, ca më shumë të një vendi të vogël me mundësi modeste. Bëhet fjalë për Realpolitik, dmth kuptimin, intepretimin dhe zbatimin e vlerave dhe interesave afat-gjatë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pavarësisht nga dështimet dhe sukseset, sensi i realizmit mbizotëron; me fjalë të tjera, të qëndrosh me këmbë në tokë, të njohësh rolin, fuqinë dhe mundësitë e tua reale në skenën botërore, pavarësisht se në tryeza takimesh ulesh dhe ndihesh si i barabartë, edhe pse realiteti në terren është krejt ndryshe.
Pa dyshim që dhe këto vitet e fundit, në politikën e jashtme dhe diplomacinë tonë ka patur, ka dhe do të ketë jo pak hapa dhe arritje të rëndësishme; më konkretisht kryesimi i OSBE-së më 2020 dhe zgjedhja Antar Jo i Përhershëm i KS të OKB-së dhe të tjera më parë. Janë hapa që meritojnë vlerësimet më të mira, mbasi i shtojnë mundësitë për më shumë zë në arenën ndërkombëtare dhe imazhin e vendit. Këto arritje nuk bëhen brenda natës, sepse diplomacia nuk funksionon » me metodën e aksionit » ; realizimi i tyre kërkon vite dhe dekada pune nga breza diplomatësh në Tiranë dhe kudo në botë, falë konsensusit dhe demarsheve të panumurta diplomatike në të gjitha nivelet, sipas parimit « jep e merr ». Ndaj, publiku, politika jonë dhe faktori ndërkombëtar i ka përshëndetur këto arritje diplomatike.
Megjithatë, ka ardhur koha për një vlerësim më të drejtë nga këndvështrimi i Realpolitikës, duke shmangur propagandën, fetishizimin dhe hiperbolizimin e tyre; ca më pak për t’i kthyer sukseset diplomatike në « tollumbace dhe fishekzjarre» politiko-elektorale, si « municion » ndaj kundërshtarit politik apo si « pronë » e një force të vetme politike. Për fat të keq, vazhdon të theksohet prirja për show dhe spektakël dhe në fushën e politikës së jashtme, duke dhënë idenë se të gjithë i kanë kthyer sytë nga ne si shpëtimtarë dhe protagonistë të situatave më kritike planetare!. Mjafton të shihen pamjet nga Samiti i NATO-s në Madrid më 30 Qershor, ku Kryeministri Rama tregohet duke biseduar me Macron dhe liderë të tjerë, në përpjekje demek për të çbllokuar veton bullgare. Kur në fakt, ne nuk kemi asnjë rol dhe punë aty, mbasi gjithçka është në duart e Parisit, Sofjes dhe Shkupit zyrtar!
Euforizmi i tepëruar i shfaqur në jo pak raste të rikujton periudhën e monizmit, kur bëheshim butaforikë duke hyjnizuar disa gjoja arritje. Kështu, në vitin 1986, një shoqatë e panjohur në Meksikë na akordoi « Çmimin e Ushqimit » që u pompua me të madhe nga rregjimi i asaj kohe! Edhe pse njerëzit gdhiheshin dhe shtyheshin në radhët e gjata për mish, qumësht, vezë dhe kafe!
Më konkretisht në rastin e OSBE-së, pa mohuar meritën e kryesimit të saj më 2020, nuk do harruar se kjo ndodhi 29 vjet pas antarësimit tonë, kur nuk kishte mbetur vend tjetër pa e drejrtuar të paktën një herë! Pastaj, kryesimi i saj dhe vetë OSBE-ja nuk ka më vlerat e dikurshme; praktikisht, dhe kryesimi i saj i rradhës konsiston thjesht në organizimin e veprimtarive të forumeve dhe takimeve të saj, pa ndonjë peshë dhe efektivitet në vendimarrje, ca më tepër kur je vend pa « këllqe » politike, ekonomike dhe ushtarake!
Veç kësaj, për nga roli dhe rëndësia, OSBE-ja e sotme është shumë larg asaj të 25 viteve më parë; sepse në plan të parë kanë dalë BE-ja dhe NATO, ku janë antarësuar pothuajse të gjitha vendet ish lindore! Në fakt, ne kryesuam OSBE-në 15 vjet pas hedhjes së idesë dhe fillimit nga demarshet tona diplomatike. Mirëpo, për shkaqe të ndryshme dhe kryesisht të krizave të shumta shqiptare dhe vështirësive në sigurimin e mbështetjes sëë nevojshme, kjo nuk ishte bërë e mundur më parë; u desh më në fund që të mos kishim konkurent tjetër që ta merrnim kryesimin e saj për vitin 2020.
Dhe tani lidhur me KS të OKB-së. Gjë e madhe vërtet që për herë të parë jemi në forumin më të lartë të sigurisë së botës për dy vjet. Mirëpo dhe ky ishte rezultat i një procesi të gjatë demarshesh derisa sërish nuk patëm kanditaturë tjetër që të na konkuronte! PO, është ngjarje pozitive, por tejet e vonuar. Në fakt, janë 32 dhe jo 67 vite sa ç’thuhet, sepse në periudhën e monizmit nuk denjuam të hynim në KS, për shkak të qëndrimit nihilist dhe denoncues ndaj saj! Me logjikën e asaj kohe, ne nuk mund të qëndronim në një sallë e ca më pak në tryezë me përfaqësuesit e SHBA, BS, Britanisë së Madhe, etj të cilët i konsideronim si armiqtë më të mëdhenj të njerëzimit! Ju kujtohet, as ndeshje sportive nuk bënim me to. Dhe në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të OKB-së, përfaqësuesit tanë dilnin nga salla kur flisnin sovjetikët dhe amerikanët !
Dhe diçka tjetër, veç meritës sonë, vendin e përkohshëm në Këshillin e Sigurimit e përfituam dhe për reciprocitet, sepse në 32 vitet e fundit, dhe ne u kemi dhënë mbështetjen dhe votën dhjetra e dhjetra shteteve të ndryshme, nga më të voglat deri te të mëdhatë.
Realizmi dhe mungesa e euforisë në këtë pikë ka të bëjë dhe me faktin se ka vende shumë më të vogla, që ndonëse kanë arritur shumë më tepër se ne dhe në këtë fushë, sillen me modesti dhe pa zhurmë. Kështu, në 30 vitet e fundit, Luksemburgu i vogël i ka dhënë BE-së dy Presidentë të Komisionit Europian, Slovenia, Suedia dhe Slovakia kanë patur dhe kanë ndërmjetësues ndërkombëtarë për Kosovën dhe Ballkanin Perendimor, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë patur Kryetarin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tani së fundi Malta e vogël ka Presidenten e Parlamentit Europian; po kështu, Finlanda ka Marti Ahtissarin, kryenegociatorin për çështjen e Kosovës ; e megjithatë, ato dhe ata nuk i kanë rënë asnjëherë gjoksit! Le pastaj vende më të mëdha e të zhvilluara si Belgjika, Holanda, Spanja, Portugalia, etj të cilat i kanë dhënë botës dhe Europës personalitetet më të larta drejtuese të OKB-së, BE-së dhe NATO-s, veçse gjithmonë profil modest.
Për të qenë dhe më realistë, nëse në OSBE mund të bënin diçka, në KS të OKB këto mundësi janë shumë më të vogla, sepse veç të tjerash aty janë dhe 9 antarë të tjerë jo të pëhershëm; vende shumë më të mëdha dhe me peshë, deri te Norvegjia dhe Irlanda, veç “Pesë të Mëdhenjve” që nuk » të lenë të bësh xhap », madje as rezoluta, të cilat sado të forta të jenë nuk kanë asnjë fuqi detyruese. Ca më pak me peshën tonë super të lehtë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku pavarësisht nga retorikat, « as nuk prishim dhe as nuk ndreqim gjë ». Po, fitojmë përvojë diplomatike në formulimin e akteve dhe rezolutave përkatëse dhe prononcimin për problemet planetare, shtojmë kontaktet, e themi më fort fjalën tonë, pavarësisht se sa dëgjohet, përmirësojmë imazhin, etj. Padyshim që bashkëpenësia me SHBA për rezolutat është përvojë pozitive, por nuk ka pse të hiperbolizohet!
Edhe pse këto dhe të tjerë faktorë, bashkë me performancën brilante të stafit tonë diplomatik në Nju Jork e shtojnë peshën e suksesit tonë, ai mbetet gjithsesi simbolik dhe diplomatik, që siç shprehet një gazetar i njohur « nuk të ngop » ; ndaj, është momenti të tregohemi realistë, modestë dhe pa shfaqur shenja euforie, sikur çoç po bëjmë. Ca më pak duke gjykuar, duke ui dhënë mend e qortuar me thumba, kunja e batuta absurde të tjerët, sidomos BE-në, siç ndodhi dhe në Samitin e saj në Bruksel më 30 Qershor! Kur ne ende nuk po çeluim negociatat me ta!
Po aq gabim të deklarosh me të madhe në Nju Jork se 30 vite më parë do të quhej çmenduri të mendohej antarësia në KS !! Kujdes, OKB-ja nuk është si KiE, OSBE, as BE-ja dhe NATO, atje janë 193 vende antare, demokratike, autoritare dhe diktatoriale ! Ia arritëm tani kësaj dite sepse ai është proces i gjatë, veç kësaj, ne kishim objektiva shumë më madhorë dhe të qenësishëm si antarësimi në BE, NATO dhe gjetkë, që nuk kanë të krahasuar me OKB-së. Ndaj, antarësimi ynë dy vjeçar në KS të OKB-së nuk ka si të cilësohet festë dhe ngjarje historike, por vetëm sukses diplomatik dhe aq.
Dukuritë euforike shfaqen dhe në dakordësinë kohë më parë me Greqinë për ta dërguar dosjen e Detit në Hagë! Ministrja Xhaçka ështëë shprehur që ky rast, në fakt dështim i diplomacisë sonë, të shërbejë si model dhe për të tjerët! Jo, zonja Ministre, nuk ka pse të bëhemi model, duam vetëm zgjidhje për këtë dosje të nxehtë, që të mos na kthehet në « bombë me sahat » apo të ecet si deri tani, siç i thonë fjalës vetëm me « fjalë të mira dhe gurë në trastë »
Një aspekt tjetër shqetësues ku shfaqet euforia është mania e gjigandizmit në fushën e ekonomisë dhe veprave publike. Ja, vetëm disa ditë më parë një ministre « dha sihariqin » se rritja jonë ekonomike ia kalon asaj të BE-së! Kështu na thuhej dhe 25 vite më parë, se demek ia kalonim Gjermanisë! Statistikisht kjo mund të jetë e vërtetë, por ju lutem, mos i nxirrni nga konteksti shifrat statistikore! Mos harroni se ne as që mund të krahasohemi me BE-në, sidomos në këtë fushë, sepse baza e zhvillimit tonë ekonomik vazhdon të jetë “ lilipuite” përballë “ gjigandit ekonomik” Ndaj, do të na duhen 50 vjet të kapim nivelet e BE-së!
Kulm tjetër i habitshëm gjigandizmi, që u njoftua me shumë bujë dhe zhurmë ishte synimi për të dërguar në Mars dhe Qershor të këtij viti jo një, por dy satelitë në hapësirë! Ndërkohë, po reklamohet me të madhe se ky apo ai port, aeroport apo terminal që do të ndërtojmë do të jetë më i madhi në Europë, se do kemi tregun më të madh bujqësor e të turizmit në rajon e kështu me radhë!
Mesa duket, qeveritarët tanë harrojnë se jemi vend i vogël, me telashe të mëdha, ndaj nuk ka nevojë për gjigandizma të kësaj natyre; mjafton të zgjidhim hallet e panumurta të të përditshmes për qytetarët kudo, të kemi qendra mjeksore efektive në qytete, të ngrejmë nivelin e jetesës për shtresat më të varfëra, të çlirojmë biznesin nga krimi dhe korrupsioni, të bëjmë funksionale institucionet shtetërore nga maja poshtë në fshat e bashki; të frenojmë largimin e rinisë nga vendi, të forcojmë drejtësinë, të rregullojmë rrugët, të mbledhim plehrat, të krijojmë më shumë siguri dhe shumë e shumë të tjera.
Boll vuajtëm në monizëm nga ky gjigandizëm me ndërtime veprash që na kushtuan vërtet « sa frëngu pulën » Kur mburreshim dhe i thurnim këngë « uzinës së dytë më të madhe në Ballkan » « O Berat çe pate fat » etj.
As të mos përsërisim traditën e dëmshme të asaj kohe kur donim të bëheshim « fanar i socializmit « në Europë dhe në botë.
Së fundi, veç peshës sonë të vogël politike dhe diplomatike me jashtë, pavarësisht çdo kombinacioni, euforia është e pajustifikueshme dhe për faktin se të keqen më të madhe 30 vitet e fundit nuk e kemi patur nga jashtë, por nga « nga brenda » ; me problematika të nxehta, për zgjidhjen e të cilave është angazhuar në vazhdimësi dhe komuniteti ndërkombëtar, madje për ironi të fatit dhe vetë OSBE-ja, pikërisht kur e kryesonim më 2020. Kemi « gangrenën » sociale të azilit masiv, me 57 për qind të popullsisë që jeton jashtë vendit dhe shumicën që kërkon sërish të iki nga vendi, me tregues nga më negativët në shumë drejtime jetike, sidomos në shëndetësi, arsim, punësim, ku Europa që synojmë tash 30 vjet duket shumë e largët. Këto janë faktorë që na e ulin ndjeshëm besueshmërinë tonë jashtë vendit. Mirëpo, siç thotë ish kryeministri emblematik britanik William Gladsonte, « parimi i parë i suksesit në politikën e jashtme është mirëqeverisja e brendshme »
Ja pse është koha për më shumë realizëm, më pak eufori butaforike, me këmbë në tokë dhe mend në kokë!
*Autori i shkrimit u nderua disa ditë më parë, me titullin “ Mjeshtër i Madh”në diplomaci dhe publicistikë.
© 2022 Argumentum