Alma Ferhat– [i]
Mbi shkallën e lartë të mostolerancës dhe presionit ideologjik që ekziston momentalisht në Izrael flet mjaftueshëm edhe raporti ndaj atyre të cilët kërkojnë që pengjet të çlirohen me çdo çmim, si dhe raporti ndaj organizimit të grupeve të vogla të nënave të ushtarëve të cilat kërkojnë që ata të cilët marrin pjesë në invazionin ushtarak në Gaza të kthehen në Izrael. Pas qëndrimit fillestar, në pamje të parë të njëzëshëm, mbi problemin e të marrurve peng, në shoqërinë izraelite shumë shpejt erdhi ndarja e opinioneve në opinionin publik rreth kërkesës mbi lirimin e pengjeve. Të rrëmbyerit u bënë një grup i urryer në shoqëri qëkur u bë e qartë se përforcimi i operacioneve ushtarake nuk po ecën në favor të lirimit të tyre dhe qëkur qëllimet e shpallura të luftës (asgjësimi i Hamasit dhe lirimi i pengjeve) kanë filluar të pengojnë njëri tjetrin. Dëshira për hakmarrje për shkak të sulmeve të tetorit është forcuar pa masë, dhe kësisoj kërkesa për lirimin e pengjeve tani shihet si diçka që ideologjikisht i përket së majtës dhe përbën pengesë për realizimin e planit të hakmarrjes. Me kalimin e kohës, pengjet kanë mbetur në hijen e dëshirës që palestinezët të ndëshkohen për shkak të Hamasit. Fakt i trishtueshëm se edhe për ushtrinë, shpëtimi i qytetarëve të rrëmbyer, nuk është në vendin e parë dhe se në radhët e ushtarakëve nuk po e kuptojnë se cili do të jetë çmimi shoqëror i anashkalimit të fatit të të rrëmbyerve. Këtu bëhet fjalë jo vetëm për aktin e kthimit të izrealitëve të rrëmbyer por edhe për shkaljen e marrëveshjes mes ushtrisë dhe qytetarëve që mund të shkaktojë traumë më të madhe në bashkësi se sa ajo e 7 tetorit.
Megjithëse dita në Izrael fillon me lajme mbi numurin gjithnjë e më të madh të ushtarëve të vrarë në Gaza, grupi i cili kërkon që ushtarët të kthehen prapa përbëhet vetëm nga gjashtëdhjetë prindër. Nuk shihet ndonjë rezistencë kundër vazhdimit të luftës, duket se mbizotëron heshtja, pajtimi dhe nënështrimi me vendimet e qeverisë dhe kabinetit të luftës. Këtë e ndjejnë mjaft nënat e ushtarëve, nga ta cilat disa janë aktiviste shumëvjeçare kundër pushtimit, të cilat megjithëse e shohin se çfarë po ndodh me civilët palestinezë, kërkesën e tyre e kanë reduktuar vetëm në ndërprerjen e operacioneve tokësore. Frika e tyre është se nëse kërkojnë më shumë, nuk do të arrijnë të realizojnë asnjë kërkesë. Megjithatë, as kërkesa e lartpërmendur për tërheqjen e trupave tokësore nuk ka gjetur mirëpritje në opinionin publik i cili kërkon nga ushtria përgjigje të vendosur e cila do të kënaqë nevojat për hakmarrje. Në diskutimet publike në Izrael momentalisht nuk ka vend për racionalizëm dhe për këtë thirrja e nënave shkakton reaksion armiqësor dhe mospajtim të një pjese të opinionit publik.
Predispozicioni hakmarrës i opinionit publik është identik me atë që dominon në ushtri. Sociologu izraelit Jagil Levi, i cili merret me militarizmin në shoqërinë izraelite, u përpoq të ofrojë shpjegim për përputhjen e predispozicionit të opinionit publik me atë të ushtrisë. Ai sjell në kujtesë se brenda ushtrisë prej vitesh ekziston kryengritje kundër vlerave të vjetra për shkak të religjiozitetit që ka marrë hov dhe të cilin e realizojnë dy grupe shoqërore me ndikim. Një pjesë përbëhet nga ushtarakë nacionalistë të thekur, ndërsa të dytët janë ata që e quajnë veten nacionalistë mizrah të cilët shërbejnë në radhët e policisë në Bregun Perëndimor. Dhjetëvjeçarët e fundit kanë ndodhur ndryshime dhe ushtria tani më shumë mbështetet nga popullsia religjioze nga periferia, ndërsa në të kaluarën mbështetja kryesore e saj ishte klasa e mesme shekullare.
Teokratizimi i ushtrisë izraelite që u vendon pas Intifadës së dytë dhe tërheqjes nga Gaza, rrodhi sëbashku me forcimin e ndikimit të rabinëve në sektorët e arsimimit ushtarak. Ushtarakët religjiozë që vinë nga radhët e stukturave të organizuara religjioze përbëjnë masën kritike në njësitë operative. Të dhënat tregojnë se numuri i oficerëve që vinë nga shkollat shtetërore fetare është rritur nga 2,5 përqind në 35 përqind. Rekrutimi i tyre organizohet nëpërmjet programeve që kombinojnë mësimet e Thora-s dhe trajnimin e ushtarit. Strukturat religjoze diktojnë kushte që përfshijnë këndvështrime të veçanta siç është qëndrimi negativ në lidhje me rekrutimin e vajzave ose refuzimin për tu përfshirë në transforimimin e vendbanimeve jolegale në territore. Ndikimi i tyre i lartë shihet më qartazi nëpërmjet motiveve emocionale siç është hakmarrja, gjë që është në kontradiktë me statusin e ushtrisë në shoqërinë moderne sepse legjitimiteti ushtarak ndërkombëtar bazohet në tezën se bëhet fjalë për një aktor që vepron në mënyrë racionale. Për këtë është e papranishme që hakmarrja të jetë pjesë e rrëfimit publik ose motiv i brendshëm i ushtrisë, e për pasojë sot janë të bërë të zakonshme thirrjet për hakmarrje të cilat dëgjohen në radhët e oficerëve dhe shfaqen nëpër rregjistrime, sëbashku me pjesë të teksteve fetare që bëjnë fjalë për vrasje dhe rinovimin e vendbanimit Gush Katifa.
Nuk është problematik vetëm motivi nxitës i ushtrisë izraelite, aktivitetet e saj janë lëndë për hetimin nga institucione të respektuara ndërkombëtare. Raportuesit e lartë të Kombeve të Bashkuara në muajin shkurt të vitit 2023 akuzuan Izraelin për domicid për shkak të përgjegjësisë për shkatërrimin sistematik të shtëpive në Bregun Perëndimor gjë së cilës i janë shtuar edhe pasojat e bombardimeve të Rripit të Gazës në këtë luftë. Sipas të dhënave të organizatës Shelter Cluster Palestine, e cila mbledh në vetvete organizatat e OKB-së dhe organizata të tjera humanitare, që nga fillimi i luftës janë asgjësuar 70 njësi banimi në Rripin e Gazës (jo të gjithë pjesët janë dëmtuar njëlloj). Krahas kësaj ushtria ka asgjësuar selinë e Parlamentit palestinez, gjykatës së lartë, spitale, shkolla që shërbenin si vendstrehime, kampusin universitar. Ekspertët pohojnë se edhe ngjyra e truallit të Gazës ka ndryshuar ngjyrë për shkak të fortësisë së shkatërrimeve kur shihet nga satelitët.
Gjykata Ndërkombëtare penale me seli në Hagë, në vitin 2021, inicioi hetimin e krimeve të kryera në luftën paraardhëse në Gaza në vitin 2014, për të cilën akuzohen zyrtarët e Hamasit dhe të Izraelit, e tani akuza është zgjeruar edhe për periudhën që nga 7 tetori. Pas ftesës së Gjykatës që të dorëzohen të gjitha të dhënat relevante, organizata Democracy for the Arab World Now (DAWN), të cilën e pati themeluar gazetari i vrarë Xhamal Kashogi, dërgoi listën me emrat e 40 zyrtarëve dhe ushtarakëve izraelitë të akuzuar. Kjo listë përfshin ministrin e mbrojtjes Joav Galanta, shefin e shtatmadhorisë Herci Halevija dhe zëdhënësin e ushtrisë Daniel Hagari, të cilët akuzohen për bombardim joselektiv, përdorimin e urisë së armë, pengimin e ndihmës humanitare, mosndarjen e shënjestrave ushtarake nga ato civile, asgjësimin e pronës, asgjësimin e vendeve kulturore dhe fetare.
Izraeli nuk e njeh këtë Gjykatë që merret me hetimin e personave privatë për të cilët dyshohet se kanë kryer krime, por gjithsesi është nënëshkrues i Konventës për Genocidin. Në bazë të saj Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë ka kompetenca për të dëgjuar akuzën të cilën me 30 dhjetor e ka paraqitur Republika e Afrikës së Jugut, në të cilën kërkohet hapja e hetimit për shkak të krimeve të kryera në Rripin e Gazës. Meqënëse procesi mund të zgjasë me vite të tëra, Republika e Afrikës së Jugut kërkon që të miratohet urdhëri i përkohëshëm kundër Izraelit ku të kërkohet ndërprerja në moment e luftës. Bazën e akzuës e përbëjnë deklaratat për krime kundër njerzimit dhe krime lufte, si dhe të disa krimeve të tjera që përmbushin kushtet për tu cilësuar si genocid. Akuza është shumë e detajuar dhe madje përmban edhe pjesë që janë marrë nga mediat izraelite që përfshijnë deklarata të rënda jo vetëm të zyrtarëve por edhe të vetë gazetarëve dhe komentatorëve. Zyrtari i lartë izraelit i drejtësisë e ka paralajmëruar ushtrinë dhe shtabin e saj të përgjithshëm se, nëse gjyakata në fjalë merr vendimin për ndërprerjen e zjarrit, Izraeli duhet t’i bindet. Në prokurori dhe në ushtri janë duke u kryer përgatitje në rast të një politike të mundshme të izolimit të shtetit, sanksioneve dhe bojkotimit të firmave izraelite.
Megjitëse akuzat më të rënda janë kundër ushtrisë, ato nuk merren seriozisht dhe në vend vazhdon të flitet për drejtësinë dhe etikën e padyshueshme të ushtarëve dhe oficerëve izraelitë. Vrasja masive e civilëve palestinezë dhe shkatërrimi tmerrues i Rripit të Gazës nuk arrijnë deri te vetëdija e qytetarëve dhe me sa duket kështu do të vazhdojë. Pozita e viktimës e liron shtetin dhe qytetarët nga përgjegjësia, duke justifikuar veprimet e bëra me tmerret që ka shkaktuar sulmi i tetorit, ndërsa çdo kritikë interpretohet si formë e antisemitizmit. Opinioni publik izraelit ende qan për veten, ndërsa në horizontin politik momentalisht nuk ka asnjeri që të mund të përballet me implikimet e veprave të ndërmarra në emër të tij.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https://pescanik.net/groznica-osvete/




























































