Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi nga Forumi Strategjik i Bledit se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një proces me rëndësi strategjike për të ardhmen e Evropës.
Hoxha mori pjesë në panelin “Zgjerimi si Mjeti i Ardhshëm Gjeopolitik i Evropës”, së bashku me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ku vuri theksin te nevoja për ruajtjen e besueshmërisë së procesit të anëtarësimit dhe të ritmit të negociatave.
Sipas Hoxhës, zgjerimi duhet të vijojë të mbetet një proces i bazuar në meritë, por njëkohësisht duhet të jetë i besueshëm për vendet kandidate.
“Ne kemi bërë dhe po bëjmë zgjedhje të vështira, kemi ndërmarrë reforma të gjera dhe mbetemi plotësisht të angazhuar në fuqizimin e institucioneve demokratike”, deklaroi ministri.
Duke folur për perspektivën evropiane të Shqipërisë, Hoxha theksoi se vendi nuk e sheh anëtarësimin vetëm si një mundësi për të përfituar nga projekti evropian, por edhe si një mundësi për të kontribuar në të.

“Anëtarësimi në BE është njëkohësisht një aspiratë dhe një ofertë. Ne kërkojmë përfitimet e përkatësisë, por jemi po aq të gatshëm të kontribuojmë në forcën, konkurrueshmërinë dhe sigurinë e Unionit të cilit do t’i bashkohemi”, u shpreh ai.
Ministri i Jashtëm shqiptar argumentoi se historia e Bashkimit Evropian dëshmon se çdo valë zgjerimi ka ndikuar në forcimin e Unionit, duke e bërë atë më të begatë dhe më me ndikim në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, edhe zgjerimi i ardhshëm nuk do të jetë ndryshe.
“Përkundrazi, në mjedisin gjeopolitik të sotëm, është një investim strategjik në një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar”, përfundoi Hoxha.
Forumi Strategjik i Bledit zhvillohet në një periudhë kur zgjerimi i BE-së është rikthyer në qendër të debatit strategjik evropian, veçanërisht në kushtet e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike dhe të nevojës për forcimin e sigurisë së kontinentit.
© 2026 Argumentum















































