Boško Jakshiç-Osllobogjenje[i]
Aleksandar Vuçiçi ka bërë qartë me dije këta 12 muajt e fundit se është vetëm një kryetar i fisit të tij, dhe jo president i të gjithëve sikurse e urdhëron Kushtetuta dhe se është i gatshëm të bëjë gjithçka vetëm për të ruajtur pushtetin e tij despotik.
Me 1 nënor është njëvjetori i tragjedisë e cila mori 16 jetë njerëzish, i ditës kur nisi kërkimi për të vërtetën, drejtësinë, përgjegjësinë dhe zbulimin e korrupsionit të futur në themelet e tarracës së stacionit hekurudhor të Novi Sadit. Studentët para 12 muajsh vunë në lëvizje vendin anemik dhe apatik. Pushteti heshti ose gënjeu, gjë që ishte uverturë e krizës më serioze dhe politike në Serbinë e këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit. U bllokuan pesë universitete dhe, kudo nëpër rrugë, i’u bënë nderimet me heshtje viktimave. Në fillim 15 e më pas 16 minuta. Kërkohej të punonin institucionet të cilët Aleksandër Vuçiçi i ka marrë peng dhe i ka vënë nën kontrollin personal. Presidentin e injoruan si “institucion jokompetent” sepse nuk ka kompetenca kushtetuese për të përmbushur kërkesat e tyre.
Protestat e përditëshme nëpër qytete, e më pas nëpër qyteza. Marrshet studentore zgjuan solidaritetin i cili nuk ishte parë kurrë më parë. Pushteti mbylli shtëpitë e kulturës dhe pallatet e sportit, por ata e kaluan natën në qiell të hapur. Njerëzit u sollën ushqime dhe i pritën si çlirimtarë. Studentët ecën këmbë nëpër të gjithë Serbinë, nga fshati në fshat, duke mbartur mesazhin se kërkojnë drejtësinë dhe të vërtetën, se nuk duan të ndërtojnë vendet e tjera por vendin e tyre. Duan t’a “ndreqin” sistemin dhe jo t’a rrëzojnë. Fisnikëria e kërkesave të tyre shumë shpejt u përhap në mbarë rajonin. Mitingje solidariteti nga Ljubljana në Zagreb dhe në Vis, nga Sarajeva në Podgoricë dhe deri në Shkup. Studentët shkuan me biçikleta deri në Strasburg dhe vrapuan në maratonë deri në Bruksel, në mënyër që Europën e fjetur t’a njihnin me gjendjen në vend.
Vuçiçi mbeti i shtangur nga energjia që emetuan të rinjtë. U përpoq nëpërmjet trukesh të ndryshme të qetësojë popoullin i cili u rreshtua masivisht përkrah studentëve. U ofroi atyre banesa të lira. Ata i’a kthyen se nuk janë në shitje. U përpoq t’i ledhatojë duke përsëritur vazhdimsht se shumë prej tyre janë “të gënjyer” dhe se “komploti” vjen nga jashtë. Falenderoi autokratët në Moskë dhe në Pekin të cilët e paralajmëruan për “revolucionin e ngjyrosur” dhe premtoi se do të shkruajë një tekst shkollor mbi këtë temë i cili, sipas tij, do të bëhej bestseller.
Serbia vazhdoi të vlojë. Mitingu madhështor në Beograd me 15 mars mblodhi më shumë se 350.000 njerëz. Regjimi u’a ktheu me përdorimin e një arme ende të panjohur zanore e cila përdoret për shpërndarjen e demontratave. Vuçiçi e bëri të qartë me dije se ai është vetëm kryetari i fisit të tij, e jo presidenti i të gjithëve, sikurse e urdhëron Kushtetuta, se është i gatshëm për të bërë gjithçka vetëm për të ruajtur pushtetin e tij despotik. Pushtetmbajtësi për dhjetëvjeçarë të tërë e ka përçarë Serbinë, por gjatë 12 muajve të fundit e ka prerë përgjysëm. Në njërën anë Serbia e cila mblidhet vullnetarisht për revoltë, në anën tjetër rent-a-populli i cili transportohet me autobuzë nëpër mitingje në mënyrë që të marrë një falas racion qebapë dhe të thërrasë “Aco Serbin!”.
Të tijët janë kuadri komandues i ushtrisë dhe policisë. Ka krijuar gjykatësit dhe advokatët e tij, dekanët, profesorët, mësuesit, gazetarët. I paaftë për të menduar ndonjë gjë të re, nëpërmjet variantit copy-paste fitoi nxënësit dhe studentët e tij, veteranët dhe motoçiklistët e tij. Bllokadave iu përgjigj me antibllokada, nëpër marrshime dhe protesta solli pretorianët e tij që mbledhin frikë, para ose adhurim mesianik për shpëtimtarin e vendit dhe të popullit. Ky rrëfim përforcohet me premtime pothuajse të përditëshme për kombin dhe përpiqet të bindë njerëzit se, në situatën kur duan “të na rrëmbejnë shtetin”, gjithçka është e lejuar. nënkupton represion gjithnjë e më të madh i cili, sikurse ndodh zakonisht, është shenjë dobësie dhe jo force.
Angazhoi presidenti shkopaxhinjtë e paguar dhe lëshoi nga burgu kriminelët të cilët e blenë lirinë duke u thyer nofullat të rinjve me shkopinj bejsbolli. Solli njësitë e forcave speciale – për për të cilën është veçanërisht krenar – komandanti i të cilëve studentet e burgosura i kërcënon se do t’i përdhunojë. Studentin e plagosur dhe të prangosur e lidhin për shtratin e spitalit. Kolegun e këtij studenti me zinxhirë në këmbë e nxjerrin nga burgu për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të të atit.
Në fillim ishin mercenarë të shërbimit të kundërzbulimit kroat dhe të shpallur si ustashë. Më pas u bënë ekzekutorë të Revolucionit me ngjyrë të financuar nga Perëndimi, gjë që është akuzë pa prova. Protagonistët e protestave paqesore u ngritën më pas në nivelin “përdhunues” dhe përfunduan si “terroristë”. Studentët Al-Kaida. Guantanamo.
Studentët dhe populli, i cili gjithnjë e më masivisht i mbështet ata, nuk heqin dorë. Ministri i punëve të brendshme deklaron se që nga 1 nëntori i vitit 2024 e deri tani ka patur më shumë se 25.000 tubime. Pushteti përpiqet të shkaktojë pakënaqësinë e të paduruarve të cilët i pengojnë “16 minuta heshtje”. Me bllokada kundër bllokuesve. Që prej tetë muajsh ka bllokuar qendrën e Beogradit, hapësirën mes parlamentit dhe ndërtesës së Presidencës, ku në park, ka ngritur një kamp të shëmtuar çadrash të destinuar për “studentët përkrahës të Vuçiçit të cilët duan të mësojnë”- të quajtur “Cacilend”. Në radhët shkopaxhinjve, “personave të njohur nga organet e rendit” dhe pensionistët e partisë përparimtare gjendet edhe ndonjë “caci”.
Kriza e bë haptazi politike kur studentët zgjeruan listën e kërkesave dhe kërkuan shpalljen e zgjedhjeve parlamentare të parakohëshme, si e vetmja mënyrë racionale për daljen nga kriza. “Shpalli zgjedhjet, qyqar!”, deklaruan demonstrantët, por presidenti nuk do. E kuptueshme. Ka ai të dhëna se Lista Studentore me të cilën të rinjtë synojnë të dalin në kutitë e votimit ka rreth dhjetë pikë përparësi në krahasim me Partinë Përparimtare të Serbisë dhe koalicionin e saj në pushtet. Problemi i tij është se po i mungojnë para për blerjen e mijëra votave, por edhe fuqia njerzore e cila në pragun dhe ditën e zgjedhjeve t’i futë votuesve frikën. Vuçiçi gjithnjë e më nervoz përpiqet të blejë kohë duke llogaritur se makineria e studentëve do të mbetet pa karburant dhe do t’i fitojë zgjedhjet e vitit 2026. Qëllimi i tij është të ruajë me çdo çmim ekspozitën EXPO27, simbol i ambicjes faraonike dhe megapastruese e parave nëpërmjët së cilës do të kalojnë një miliardë euro.
Europianët nuk munden më të heshtin. Madje edhe Ursula von der Lajenit, e cila para një viti e quajti Vuçiçin “kampion të reformave”, i’u desh ti japë mesazhin se vlerat e BE-së “janë liria dhe jo represioni”, përfshirë edhe lirinë e tubimeve.
I shtypur nga sanksionet amerikane ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, mosgatishmëria e “vëllezërve rusë” për t’ia lehtësuar situatën, Vuçiçi nuk di çfarë të bëjë. Mbështetet në mashtrime të cilat i ka lexuar prej kohësh në skriptet e absolutistëve të botës së madhe. Në prag të marrshit të fundit të luftës studenore, kur të shtunën në Novi Sad do të mblidhen qindra mijëra qytetarë, është përpjekur për të pamundurën: t’i pengojë. Trenat atë ditë u ndaluan për shkak të “lajmërimeve për bombë”, ndërsa transportuesit me autobuzë u thirrën “në kontroll teknik të jashtëzakonshëm”. Kështu ishte edhe me 15 mars, kështu edhe me 28 qershor. U përpoq të sabotonte Marrshimin madhështor të studentëve nga Novi Pazari deri në Novi Sad deri aty sa servilët partiakë nuk u dhanë strehim për fjetje, ndërsa priftërinjtë e dëgjueshëm të Kishës Ortodokse serbe pro regjimit, mbyllën dyert e kishave.
Por edhe kjo nuk e ndihmoi. Njerëzit i ftuan nëpër shtëpitë e tyre novopazarasit, ndërsa edhe një mitropolit u hapi dyert e Manastirit të Graçanicës. Lufta për gërryerjen zhvillohet ende, por gjithnjë e më të paktë janë ata që besojnë në thirrjet e dëshpëruara të presidentit se “duan të asgjësojnë Serbinë”. Regjimi po shpërthen tegelash. Mbëshetetja për presidentin po shkokërrdhohet në mënyrë të dukshme.
Nëpërmjet forcimit të represionit, faljen e shkopaxhinje të cilët i ka shpallur si “heronjtë” e tij, ruajtjen me kryeneçësi të Cacilendit, me shpalljen e qindra mijëra njerëzve si “terroristë” dhe mbrojtjen e pronarit të gazetës pro regjimit “Informer”, i cili foli për “viktimat e tendës” së Novi Sadit, presidenti në mënyrë pakrahasimisht efikase po rekruton kundërshtarët e tij nga opozita. Endet nga një kanal televiziv në një tjetër, herë herë edhe i dehur, por menaxhmenti i tij i krizës është shpërbërë.
Sllogani popullor i studentëve “Studentët e fakultetit të makinerive, kundër makinerisë” është në kulmin e tij. Kjo luftë nuk duhet humbur kurrsesi.
Duhet ndryshuar gjithçka. Jepini fort!
[i] https://www.oslobodjenje.ba/dosjei/kolumne/srbija-pod-nadstresnicom-1087056/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA





























































