Nga Redion LULI| ARGUMENTUM
Ekspert i së Drejtës Ndërkombëtare,
Lidhjet zyrtare midis Azerbajxhanit dhe BE-së filluan të merrnin formë që në vitet e para të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe njohjes së shtetetve të pavarura të hapësirës post-sovjetike.Në vitin 1991, Bashkimi Europian e njohu Azerbajxhanin si shtet sovran dhe filloi t’i ofrojë mbështetje politike dhe ekonomike. Në vitin 1996, midis Republikës së Azerbajxhanit dhe BE-së, u nënshkrua “Marrëveshja e Partneritetit dhe Bashkëpunimit” në Luksemburg, e cila hyri në fuqi në vitin 1999. Marrëveshja krijoi një kornizë për bashkëpunim në dialogun politik, tregti, investime, reformat ligjore, shkencë dhe kulturë. Azerbajxhani iu bashkua “Politikës Europiane të Fqinjësisë” të BE-së në vitin 2004 dhe iniciativës “Partneriteti Lindor” në vitin 2009. Këta hapa shënuan një fazë të re në procesin e integrimit europian të Azerbajxhanit, duke kontribuar në përshpejtimin e reformave dhe zhvillimin institucional.
Në fillimet e viteve 1990-të, BE-ja i ofroi ndihmë teknike dhe humanitare Azerbajxhanit (programet TACIS dhe ECHO).Azerbajxhani, nga ana tjetër, tërhoqi vëmendjen e BE-së si një partner tërheqës falë potencialit të tij të tranzitit, burimeve të energjisë dhe vendndodhjes strategjike gjeografike.Në vitin 2006, në Bruksel u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi mbi një Partneritet Strategjik në fushën e energjisë, i cili përcaktonte drejtimet kryesore të bashkëpunimit në këtë sektor.Në vitin 2014, marrëveshjet për lehtësimin e regjimit të vizave dhe ripranimit midis Azerbajxhanit dhe BE-së hynë në fuqi, duke ndihmuar në lehtësimin e lëvizjes së njerëzve.Në vitet pasuese, dialogu dhe bashkëpunimi vijuan në fusha të ndryshme, me BE-në që ofroi mbështetje financiare dhe teknike për diversifikimin ekonomik të Azerbajxhanit, forcimin e sundimit të ligjit dhe nisma të tjera reformuese. Në përgjithësi, në një kontekst historik, marrëdhëniet Azerbajxhan-BE janë formësuar në bazë të interesit dhe respektit të ndërsjellë, megjithëse herë pas here janë përballur me sfida që rrjedhin nga zhvillimet globale dhe rajonale.
Marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Azerbajxhanit kanë pësuar një ndryshim të jashtëzakonshëm në 15 vitet e fundit. Edhe pse BE-ja synonte një partneritet të bazuar në vlera dhe standarde normative të qeverisjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në fund të viteve 2000 – fillim të viteve 2010, marrëdhëniet janë zhvilluar gradualisht, duke u kthyer në marrëdhënie ekskluzivisht strategjike. Nga njëra anë, kjo qasje është një pasqyrim i ndryshimit të realiteteve rajonale në të cilat ka arritur Azerbajxhani: një riorientim i rrugëve të furnizimit me burime energjetike dhe ndërlidhjes logjistike midis shteteve – “Korridori i Mesëm” që e vendos Azerbajxhanin në zemër të zhvillimeve tregtare nga BE-ja drejt Azisë Qendrore dhe Kinës. Nga ana tjetër, ajo pasqyron dinamikën në zhvillim e sipër në një sistem më të gjerë ndërkombëtar, shpesh të përkufizuar si rritja e multipolaritetit, dhe njohjen e realitetetve të reja gjeopolitike nga Bashkimi Europian, çka reflektohet qartazi në përgjigjen e tij ndaj këtyre ndryshimeve.
Axhenda normative e BE-së ka qenë gurthemeli i marrëdhënieve të saj me vendet e Kaukazit Jugor.Azerbajxhani nuk përbënte përjashtim nga kjo.Politikat e Brukselit mbështesnin reformën institucionale, ndërtimin e shoqërisë civile dhe përafrimin ligjor, duke përdorur mjetet dhe instrumentet e “Politikës Europiane të Fqinjësisë” dhe komponentit të saj nën-rajonal, “Partneritetit Lindor”. Por ky ishte një vizion normativ që filloi të shkërmoqej, kur Azerbajxhani refuzoi të shkonte drejt një asociimi më të ngushtë politik me BE-në. Refuzimi i Qeverisë së Azerbajxhanit për nënshkrimin e një Marrëveshjeje Asociimi – të llojit që Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina kanë nënshkruar me BE-në – çoi në një ndërprerje themelore të “bashkëpunimit të bazuar në vlera”, të cilin Azerbajxhani e karakterizoi si “asimetrik” për nga vetë natyra e tij.Azerbajxhani në procesin e negocimit me BE-në kurrë nuk ka shprehur dëshirën apo synimin për t’u bërë në të ardhmen shtet-anëtar i BE-së me të drejta të plota. Azerbajxhani ka deklaruar qartazi qëllimin e krijimit të një partneriteti me të drejta të barabarta për të dyja palët, të një bashkëpunimi pa kushte, duke shmangur “respektimin e kritereve” që BE-ja vendos si kërkesa bazë për vendet që synojnë aderimin në BE.
Për të kuptuar më qartë orientimin e politikës së jashtme të Azerbajxhanit duhet vënë në dukje se Azerbajxhani që nga viti 2011 është anëtar i Lëvizjes së të Paangazhuarve (Non-Alignment Movement), e cila përfaqëson një organizatë të madhe ndërkombëtare shtetesh që nuk janë të lidhura zyrtarisht me ndonjë bllok të madh fuqish, e formuar gjatë Luftës së Ftohtë për të promovuar pavarësinë, paqen dhe zhvillimin për vendet në zhvillim. Azerbaixhani ka mbajtuar presidencën e kësaj organizate në 5 vitet e fundit, çka dëshmon qartazi që Bakuja zyrtare nuk dëshiron të rreshtohet në aleanca të kryesuara nga fuqitë e mëdha të kohës, një prej të cilave është edhe BE-ja. Politika e jashtme e Azerbajxhanit kur bëhet fjalë për bashkëpunim fokusohet tek partneriteti i barabartë dhe i pakushtëzuar.Ndërsa Azerbajxhani mbetet politikisht i shkëputur nga BE-ja, ai është ekonomikisht i integruar brenda hapësirës gjeoekonomike të Unionit. Kjo varësi e ndërsjellë, e rrënjosur në tregti dhe fushën e resurseve energjetike, krijon një partneritet de facto – pavarësisht mungesës së marrëveshjes zyrtare të asociimit.
Pashkah këtyre zhvillimeve, ajo që doli në pah ishte një ndërgjegjësim gjithnjë e më i ndërsjellë se interesat strategjike, jo vlerat e përbashkëta politike, do të ishin themeli i marrëdhënieve mes BE-së dhe Azerbajxhanit.
Azerbajxhani dhe Bashkimi Europian zënë një vend të rëndësishëm në interesat gjeopolitike të njëri-tjetrit. Një nga qëllimet kryesore të BE-së në Kaukazin e Jugut është promovimi i stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik.Nga kjo perspektivë, Azerbajxhani mbart rëndësi strategjike për BE-në në disa aspekte. Së pari, burimet energjetike të Azerbajxhanit – veçanërisht nafta dhe gazi natyror – luajnë një rol kritik në strategjinë e BE-së për diversifikimin e furnizimeve me burime energjetike. Në vitin 2022, Brukseli nënshkroi një marrëveshje me Bakunë për të dyfishuar importet e gazit në të paktën 16 miliardë metra kub në vit deri në vitin 2027. Por Presidenti Aliev ka deklaruar se këto qëllime mund të jenë të paarritshme, duke pasur parasysh sfidat në lidhje me sigurimin e financimit të infrastrukturës nga Brukseli. “Të gjitha projektet tona të mëdha energjetike – nafta ose gazi – janë realizuar me një model financimi të përbërë prej 70% huazimesh dhe 30% financim nga korporatat. Institucionet europiane duhet t’i rikthehen kësaj qasjeje”, – është shprehur Aliev në prill të këtij viti, duke vënë në dukje se kërkesat e BE-së janë në rritje, por kontributi financiar i Unionit për zgjerimin e infrastrukturës së gazsjellësve mungon. Po në prill të këtij viti Presidenti Ilham Aliev deklaroi se: “Bashkimi Europian duhet të rivlerësojë financimin dhe politikat e tij mbi nënshkrimin e kontratave afatgjata, nëse dëshiron të vazhdojë të importojë gaz natyror nga Azerbajxhani”, duke shtuar se në të kundërt Baku mund të kërkojë tregje të tjera eksporti.
Së dyti, vendndodhja gjeografike e Azerbajxhanit mes Europës dhe Azisë e bën atë një qendër kyçe transporti dhe logjistike; pjesëmarrja e tij në iniciativa të tilla si rruga Trans-Kaspike dhe Korridori i Mesëm i ofron BE-së mundësi të reja për lidhje me Azinë Qendrore dhe Kinën. Së treti, Azerbajxhani vepron si një urë kulturore midis Lindjes Muslimane dhe botës Perëndimore, duke u dalluar si një vend laik dhe multikulturor.
BE-ja gjithashtu mban një vend të rëndësishëm në prioritetet e politikës së jashtme të Azerbajxhanit. BE-ja është partneri më i madh tregtar i Azerbajxhanit dhe një burim i madh investimesh. Një pjesë e konsiderueshme e eksporteve të Azerbajxhanit – veçanërisht nafta bruto dhe gazi natyror – drejtohen në tregjet europiane, duke i dhënë BE-së shumë ndikim në ekonominë e Azerbajxhanit. Politikisht, Azerbajxhani e sheh bashkëpunimin me BE-në si një platformë për të avancuar interesat e tij në nivel ndërkombëtar.Për shembull, njohja zyrtare nga BE-ja e kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Azerbajxhanit forcon besimin e Baku-së në Union.Përveç kësaj, në përputhje me strategjinë e ekuilibruar të politikës së jashtme, Azerbajxhani e sheh BE-në si një aktor të rëndësishëm përkrah Rusisë, Turqisë dhe Kinës në peizazhin më të gjerë gjeopolitik. Duke kultivuar marrëdhënie të ngushta me BE-në, Azerbajxhani synon të mbrojë interesat e tij të sigurisë dhe sovranitetit, duke u integruar më thellë në sistemin ekonomik global.
Bashkëpunimi në fushën e energjisë është një nga dimensionet kryesore të marrëdhënieve Azerbajxhan-BE. Rezervat e pasura të hidrokarbureve të Azerbajxhanit dhe pozicioni i favorshëm gjeografik i japin atij një vend të veçantë në politikën e sigurisë energjetike të BE-së. Për shumë vite, Bashkimi Evropian ka ndjekur një strategji të diversifikimit të furnizuesve të energjisë, duke shikuar veçanërisht rajonin e Kaspikut – dhe veçanërisht Azerbajxhanin. Memorandumi i vitit 2006 mbi partneritetin strategjik të energjisë dhe dialogët pasues formuan bazën e bashkëpunimit energjetik Azerbajxhan-BE. Një nga rezultatet më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi ishte krijimi i infrastrukturës së Korridorit Jugor të Gazit. I përfunduar në vitin 2018, ky sistem i gjerë tubacionesh ka mundësuar furnizimin direkt të gazit natyror azerbajxhanas në tregjet europiane që nga fundi i vitit 2020. Ky ishte një ndryshim i madh në hartën energjetike të Evropës, duke i siguruar BE-së një alternativë të besueshme ndaj gazit rus.
Roli i Azerbajxhanit në furnizimin me energji të BE-së është zgjeruar më tej vitet e fundit.Në veçanti, dialogu për energjinë midis Bakusë dhe Brukselit është intensifikuar në sfondin e përpjekjeve të BE-së për të zvogëluar varësinë e saj nga gazi rus pas luftës ruso-ukrainase të vitit 2022. Në korrik 2022, u nënshkrua një Memorandum i ri Mirëkuptimi mbi bashkëpunimin në fushën e energjisëndërmjet BE-së dhe Azerbajxhanit, duke vendosur qëllimin e dyfishimit të furnizimeve me gaz nga Azerbajxhani drejt BE-së deri në vitin 2027. Deri në vitin 2024, vëllimi vjetor i gazit të eksportuar në BE u rrit ndjeshëm krahasuar me një dekadë më parë. Azerbajxhani ka qenë gjithashtu prej kohësh një furnizues i madh i naftës në Europë – nafta bruto e Kaspikut transportohet në Mesdhe nëpërmjet tubacionit Baku-Tbilisi-Ceyhan dhe prej andej në tregjet botërore, përfshirë Europën.Azerbajxhani aktualisht mban një pjesë të qëndrueshme në bilancin energjetik të shumë vendeve europiane dhe mban statusin e furnizuesit strategjik, veçanërisht për disa shtete të Europës Jugore.
Bashkëpunimi në fushën e energjisë nuk kufizohet vetëm te lëndët djegëse fosile. BE-ja dhe Azerbajxhani po eksplorojnë mundësi partneriteti në energjinë e rinovueshme dhe “ekonominë e gjelbër”. Duke pasur parasysh potencialin e fortë të energjisë së erës dhe diellore të Azerbajxhanit, vendi po bashkëpunon me disa kompani europiane për zhvillimin e centraleve të energjisë së erës dhe zgjidhjeve dighitale të energjisë. Në vitin 2022, qeveritë e Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, Rumanisë dhe Hungarisë nënshkruan një marrëveshje për ndërtimin e një kablli elektrik nënujor përgjatë Detit të Zi.Ky projekt mund të mundësojë eksportin e energjisë elektrike të rinovueshme të gjeneruar në rajonet bregdetare të Kaspikut në Azerbajxhan drejt vendeve të BE-së në të ardhmen. Kështu, Azerbajxhani synon të kontribuojë në sigurinë afatgjatë energjetiketë Europës jo vetëm përmes naftës dhe gazit, por edhe përmes burimeve alternative të energjisë.
Lufta e Dytë e Karabahut, e cila zgjati 44 ditë, në vitin 2020 krijoi realitete të reja gjeopolitike në Kaukazin e Jugut. Pas luftës, Azerbajxhani rimori kontrollin mbi shumicën e territoreve të tij që më parë ishin nën pushtim, dhe një deklaratë trepalëshe armëpushimi u nënshkrua më 10 nëntor 2020, me ndërmjetësimin e Rusisë.Megjithatë, arritja e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve Armeni-Azerbajxhan mbeti një çështje urgjente.Në këtë fazë, Bashkimi Europian u angazhua më aktivisht në procesin rajonal të paqes.
Që nga fundi i vitit 2021, drejtuesit e BE-së – veçanërisht Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel – ndërmori hapa për të lehtësuar dialogun e drejtpërdrejtë midis udhëheqësve të Azerbajxhanit dhe Armenisë.Takimi i parë trepalësh i ndërmjetësuar nga BE-ja u zhvillua më 14 dhjetor 2021, në Bruksel midis Presidentit Ilham Aliev dhe Kryeministrit armen Nikol Pashinjan.Takime të tjera të nivelit të lartë u mbajtën në Bruksel në prill dhe maj 2022.Këto angazhime ndihmuan në krijimin e komunikimit të drejtpërdrejtë midis palëve dhe mundësuan marrëveshje fillestare mbi çështje kyçe, të tilla si formimi i një komisioni të përbashkët për përcaktimin e kufijve.Pas çdo takimi, Charles Michel theksoi mbështetjen e BE-së për procesin dhe rëndësinë e hapave konkretë – të tilla si rivendosja e rrugëve të transportit dhe adresimi i çështjeve humanitare – për arritjen e paqes afatgjatë në rajon. Për herë të parë, Armenia njohu zyrtarisht integritetin territorial të Azerbajxhanit brenda platformës së BE-së. Në përgjithësi, në vitet 2021-2023, BE-ja kontribuoi pozitivisht në përpjekjet për paqe.Megjithatë, probleme të caktuara u shfaqën edhe në marrëdhëniet gjatë periudhës pas konfliktit.
Pavarësisht zhvillimeve përgjithësisht pozitive, disa sfida dhe tensione kanë dalë në pah në marrëdhëniet Azerbajxhan-BE. Një numër i këtyre rrjedhin nga vendimet dhe deklaratat e lëshuara nga institucionet e BE-së në lidhje me Azerbajxhanin.Parlamenti Europian, në veçanti, ka miratuar disa rezoluta në vitet e fundit që Azerbajxhani i konsideron të anshme.Për shembull, në fillim të vitit 2023, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që akuzonte Azerbajxhanin për krijimin e një bllokade në lidhje me situatën humanitare në Karabah.Më vonë në vjeshtën e vitit 2023, bazuar në pretendimet armene, Parlamenti i bëri thirrje BE-së t’i etiketonte veprimet e Azerbajxhanit si “spastrim etnik”.Baku i hodhi poshtë me vendosmëri këto akuza, duke e përshkruar qëndrimin e Parlamentit si të anshëm dhe dëmtues për besimin e ndërsjellë.
Një çështje tjetër lidhet me misionin monitorues të BE-së të vendosur në Armeni. I themeluar në anën armene të kufirit Armeni-Azerbajxhan në vitin 2023, ky mision u përball me kundërshtime nga Azerbajxhani, i cili e sheh iniciativën si të njëanshme dhe të zbatuar pa pëlqimin e tij. Sipas zyrtarëve azerbajxhanas, misioni inkurajon Armeninë të mbajë një qëndrim më pak konstruktiv në negociatat e paqes.Kështu, misioni monitorues i BE-së është bërë një faktor që dëmton besimin e ndërsjellë.
Një burim tjetër tensioni është qëndrimi i disa shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht i Francës.Në periudhën pas konfliktit, Franca ka mbajtur hapur një qëndrim pro-armen.Pas luftës së vitit 2020, zyrtarë të lartë francezë lëshuan akuza të ashpra ndaj Azerbajxhanit. Për më tepër, të dy dhomat e Parlamentit Francez miratuan rezoluta në vitin 2022 dhe 2023, duke bërë thirrje për sanksione kundër Azerbajxhanit dhe madje edhe për njohjen e entitetit separatist në Karabah. Këto hapa shkaktuan reagime të forta nga Bakuja, duke e bërë Azerbajxhanin të refuzonte rolin e Francës si ndërmjetës.
Korniza ligjore e marrëdhënieve Azerbajxhan-BE është aktualisht e përcaktuar nga Marrëveshja e Partneritetit dhe Bashkëpunimit e vitit 1999. Megjithatë, vitet e fundit, të dyja palët kanë punuar për të përditësuar këtë kornizë dhe për të nënshkruar një marrëveshje partneriteti strategjik më gjithëpërfshirës.Negociatat zyrtare për një marrëveshje të tillë filluan në vitin 2017.Qëllimi është të krijohet një kornizë më e thellë bashkëpunimi që mbulon dialogun politik, lidhjet ekonomike, tregtinë, energjinë, transportin, të drejtat e njeriut dhe fusha të tjera.Megjithatë, qasjet e ndryshme ndaj çështjeve të caktuara e kanë komplikuar finalizimin e marrëveshjes.
Nëse nënshkruhet, marrëveshja e re gjithëpërfshirëse pritet t’i japë një shtysë të re marrëdhënieve Azerbajxhan-BE. Ajo mund të përcaktojë më qartë angazhimet reciproke, të institucionalizojë dialogun politik dhe të lehtësojë aksesin e Azerbajxhanit në tregjet e BE-së. Një marrëveshje e tillë, e cila do t’i ngrinte marrëdhëniet dypalëshe në nivelin e partneritetit strategjik, do të varet kryesisht nga progresi në procesin e paqes në vazhdim dhe prania e vullnetit të mjaftueshëm politik. Nëse bëhen përparime të konsiderueshme në normalizimin e mosmarrëveshjeve Armeni-Azerbajxhan dhe rritet besimi i ndërsjellë, nënshkrimi i marrëveshjes do të jetë më real.
Në përfundim, duhet theksuar se marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Bashkimit Europian janë shumëplanëshe dhe strategjike. Zhvillimi historik tregon se bashkëpunimi i bazuar në përfitimin e ndërsjellë ka prodhuar arritje të rëndësishme.Një nga shtyllat kryesore të këtij partneriteti është kontributi i Azerbajxhanit në sigurinë energjetike të Evropës. BE, nga ana tjetër, ka mbështetur modernizimin ekonomik dhe zhvillimin institucional të Azerbajxhanit përmes programeve të ndryshme. Megjithatë, marrëdhëniet politike herë pas here janë përballur me sfida – veçanërisht për shkak të pasojave të ish-konfliktit Armeni-Azerbajxhan dhe pikëpamjeve të ndryshme mbi çështje të caktuara politike.Në përgjithësi, nga një perspektivë konceptuale, partneriteti midis Azerbajxhanit dhe BE-së është kompleks, por mbart potencial të fortë për zhvillim të mëtejshëm. Realizimi i këtij potenciali do të kërkojë pragmatizëm, besim të ndërsjellë dhe dialog të qëndrueshëm. Ndërsa palët thellojnë bashkëpunimin e bazuar në interesa të përbashkëta strategjike, mund të arrihet një partneritet afatgjatë që kontribuon në paqe dhe prosperitet si për Azerbajxhanin ashtu edhe për Bashkimin Evropian.
© 2025 Argumentum





























































