Nga Dr. Jorgji KOTE
Ashtu siç ishte parashikuar, zgjedhjet rajonale të 6 Shtatorit në landin/shtetin ish lindor gjerman në Saksoni Anhalt me rezultatet e tyre tronditëse ishin tërmeti më i fortë politik i 25 viteve të fundit që, siç e pohoi edhe në daljen e tij përpara medias gjermane më 7 Shtator Kancelari Merz ka tronditur nga themelet koalicionin qeveritar gjerman, politikën dhe partitë tradicionale gjermane dhe mbi të gjitha CDU/CSU-në.
Partia ” Alternativa për Gjermaninë ( AfD) fitoi shumicën me kandidatin e saj karizmatik 35 vjeçar, Ulrich Siegmund me 43,8 për qind të votave ose 2 herë më shumë se 4 vjet më parë. Gjithsesi, ajo nuk arriti dot shumicën absolute, ndaj dhe nuk mund të krijojë dot e vetme qeverinë e landit, çka do të shënonte për herë të parë në 80 vitet e fundit ardhjen në pushtet të një partie të ekstremit të djathtë dhe me Kryeministrin e saj në Gjermani.
CDU/CSU e Kancelarit Merz, e cila ka drejtuar koalicione të ndryshme edhe në Saksoni Anhalt në 25 vitet e fundit pësoi katastrofën e saj më të rëndë zgjedhore. AfD-ja e ” masakroi” atë politikisht duke ia përgjysmuar rezultatin në vetëm 17,3 për qind të votave ose 2 herë më pak se në zgjedhjet e vitit 2021. Të Majtët, SPD-ja dhe të Gjelbërit periferikë siguruan 9 dhe 8 për qind, ndërsa liberalët nuk e kapërcyen dot pragun 5 për qind. Ndërkohë, Partia e politikanes së majtë Sahra Waggenknecht (BSW) mundi të futet në Parlament, duke ia prishur planet AfD-së për të siguruar shumicën absolute.
Kjo ishte një fitore historike për AfD-në dhe një sfidë më shumë se herkuliane për gjithë politikën dhe shoqërinë gjermane, partitë e saj të moderuara që ndodhen në ditët e tyre më të këqia, me një rrënim të besueshmërisë. Ndërsa Kancelari Merz ndodhet në pozita edhe më të dobta se paraardhësi i tij Scholz 2 vite më parë, duke humbur shumë nga besimi publik te ai, si prijës i ndryshimit dhe përparimit të pritshëm historik për Gjermaninë. Tani do të shihen pasojat e këtij tërmeti politik.
Gjithsesi, ky rezultat nuk ishte i papritur se të gjitha sondazhet e muajve te fundit tregonin rritjen galopante të AfD-së dhe rënien drastike të CDU/CSU-së.
Madje, AfD-ja vazhdon të renditet e para edhe në nivel federal me 27 për qind. Ndërsa në nivel landi, në prag të zgjedhjeve, AfD-ja në Saksoni Anhalt kishte arritur nivelin rekord në sondazhe prej 43 për qind!
Kësisoj, 6 Shtatori sakson ndëshkoi politikat e dështuara të qeverisë federale dhe asaj në Saksoni Anhalt me rënie të dukshme të treguesve kryesorë socialë dhe ekonomikë, të sigurisë, krimit dhe imigrimit shqetësues, me premtime të shkelura.
Kështu, ky land me 2,1 milion banorë po rrudhet dhe palaket shpejt dhe pas 10 vitesh popullsia e tij do të ulet nën 2 milion banorë. Varfëria aty është më e larta e vendit me të ardhura mujore për frymë me vetëm 3633 Euro. Papunësia është 8,5 nga 6 për qind që është mesatarja gjemane. AfD-ja i vendosi këto dhe të tjera mungesa dhe mangësi, sidomos krimin dhe migrimin në qendër të debatit politik.
Mirëpo, përballë këtyre treguesve mjeranë dhe përgjegjësisë së tyre, partitë qeverisëse bënë gabimin tjetër të madh; të paafta për të bindur elektoratin pë zbatimin e premtimeve të bujshme qysh përpara 18 muajve në zgjedhjet e parakohshme federale dhe në vazhdim, si shansi i fundit për partitë tradicionale, ato nuk u angazhuan në debate dhe diskutime për të bindur njerëzit se veç emrit, AfD-ja nuk ka alternativa të vërteta qeverisëse në asnjë fushë të jetës; se ajo vepron vetëm duke mohuar, denoncuar dhe demonizuar të tjerët. E pra vend të tyre, ato u angazhuan në sulme dhe propozime për ta nxjerrë atë jashtë ligjit, për kordone sanitare dhe mure mbrojtës dhe se nuk do bashkëpunonin nëse vinte në pushtet.
Këto qëndrime vetëm sa ”çuan ujë në mullirin” e AfD-së dhe u kthyen në bumerang për partitë tradicionale. Ndaj, më 5 Shtator, lideri i AfD-së në Saksoni, Ulrich Siegemund u shpreh me ironi se ” ndihmësi i tij më i madh në fushatën zgjedhore ishte vetë Kancelari Merz!
Këtu vlen të theksohet se duke manipuluar frikën nga të huajt, shtimin e kriminalitetit dhe ngjarje të tjera tragjike me autorë emigrantë, AfD-ja e krijuar në vitin 2013 ka ardhur duke e shtuar vazhdimisht pjesën e saj në peisazhin politik gjerman. Kështu, nga 5 për qind në zgjedhjet parlamentare federale të vitit 2017, në ato të vitit 2021 ajo siguroi 12 për qind dhe në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2025 22 për qind ose gati 2 herë më shumë vota. Ajo është partia e dytë më e madhe në Bundestag me 151 deputetë, vetëm 3 për qind më pak se CDU/CSU e Kancelarit Merz dhe duke lënë shumë prapa SPD-në dhe partitë e tjera të njohura, si Liberalët, Të Gjelbërit dhe të Majtët.
Por, edhe në nivelet vendore, AfD-ja është e pranishme me grupe deputetësh në 14 nga 16 parlamentet e landeve, ose ndër tre partitë më të votuara. Fitorja e parë e madhe e tyre u shënua në zgjedhjet në Landin e Tyringenit më 1 Shtator 2024, ku AfD-ja doli e para, duke fituar 32 për qind të votave, kundrejt 23 për qind të CDU/CSU-së. Por, duke mos siguruar dot shumicën absolute dhe në pamundësi të krijimit të një koalicioni, ajo qëndroi në opozitë, me shpresën e sigurimit të shumicës absolute në zgjedhjet e ardhëshme.
Padyshim që ashtu si edhe në Tyringen, në rritjen dhe rezultatet historike të AfD-së në Saksoni Anhalt ka ndikuar ndjeshëm ndihma dhe mbështetja në forma nga më të ndryshme e Rusisë, propaganda e saj zgjedhore në favor të AfD-së, etj.
Në këtë drejtim, Rusia dhe AfD-ja përfitojnë nga fakti se në Gjermani dhe sidomos në zonat ish lindore ka një numër të madh, madje rekord të miqve dhe dashamirësve të Rusisë ose «Putin’s Verstehers » siç njihen atje. Kështu, deri vonë atje ishin aktive 17 komitete dhe shoqata gjermano-ruse dhe mbi 10 forume dialogu me emrat e qyteteve kryesore ruse/gjermane ku bëheshin takimet.
Rusia ka vazhduar të ndihmojë, mbështesë dhe bashkëpunojë intensivisht me liderët dhe përfaqësues të AfD-së, e cila shquhet për orientimin e saj të qartë pro-rus, anti-europian, anti-migrim dhe anti-Ukrainë.
Lidhjen e fortë me Rusinë e tregon krahas të tjerash edhe projekt-ligji që kanë hartuar deputetët e saj, ku në fushën e arsimit AfD-ja kërkon që në shkolla të mësohet “Më shumë rusisht nëpërmjet një ofensive të gjuhës ruse dhe të jepen më shumë dije mbi Rusinë”. Po ashtu të nxiten kontaktet, partneritetet, binjakëzimet dhe shkëmbimet e vizitave me shkollat ruse.
Për treguar sa të afërt janë me Rusinë liderët AfD-së, javnë e kaluar mediat gjermane treguan një video të Zv.Kryetarit të saj për Saksoninë, Tillschneider, i cili është piketuar si ministër i ardhshëm i Arsimit. Ai mbante në zyrën e vet zgjedhore dhe qeraste si pa gjë të keq të ftuarit me një tas të madh kafeje, me emblemën dhe emrin e Ushtrisë Ruse. Vitin e kaluar ai kishte qenë edhe në Ambasadën ruse në Berlin për të festuar ditëlindjen e Putinit. Po ashtu, në shkurt 2022, ai kishte përshëndetur agresionin rus kundër Ukrainës, si një të drejtë të Putinit.
Qëndrimin e saj kundër Ukrainës AfD-ja e ka treguar me një projekt-ligj tjetër të titulluar “Austostrada në vend të Ukrainës“ Ajo kërkon që të ndalen ndihmat financiare për Ukrainën dhe këto fonde të përdoren për ndërtimin e rrugëve dhe autostradave. Jo vetëm aq por në përgjithësi, AfD-ja kërkon heqjen e ndihmave për zhvillim që Gjermania jep prej dekadash për vendet e tjera sipas slogabnit ” Paratë për autostrada dhe jo për botën”!
AfD-ja është kundër BE-së së sotme dhe për ribërjen e saj, me koncepte dhe vizione joliberale dhe për uljen e ndjeshme të kontributit të Gjermanisë, e cila jep 25 për qind të të ardhurave të BE-së.
Akoma më kategorik është qëndrimi i AfD-së ndaj të huajve në favor të Remigrimit ose dëbimit jo vetëm të emigrantëve pa leje qëndrimi, por edhe të gjithë të huajve në Gjermani dhe në të gjitha vendet e BE-së; për ta kthyer këtë të fundit në një kështjellë të mbyllur. Edhe pse shumica dërmuese e banorëve të saj me origjinë të huaj janë mësues, mjekë, inxhinierë dhe ekspertë të afirmuar dhe të lmirëintegruar në jetën gjermane.
Në fushën edoktrinave të mendimit, slogani i ri do jetë “Të mendojmë gjermanisht“ në vend të ”Të mendojmë në mënyrë moderne” që e ka aktualisht Saksonia.
Në këtë linjë, në shtator 2025 AfD-ja i ka propozuar Parlamentit të landit mënjanimin e ” indokrinimit“ në shkolla, që atje të mësohet historia “e duhur“. Duke e zëvendësuar atë me doktrinën e re të AfD-së ”Dije në vend të opinioneve“.. Gjithashtu, mësuesit dhe metodat e mësimdhënies, sipas AfD-së, nuk duhet të ushtrojnë ndikim politik mbi nxënësit. Për këtë qëllim, ata kërkojnë më shumë dije mbi historinë e vendlindjes, traditës dhe “të mirës së popullit” në lëndët mësimore.
Ndërkohë, nisur nga shkalla e madhe e lënies së shkollës, AfD-ja ka propozuar “mësimin në shtëpi në vend të detyrimit shkollor“.
Nisur nga këto dhe faktorë të tjerë negativë, parashikohet që një shumicë e madhe e shtetasve, deri ¼ -ta të largohet nga Saksonia në landet e tjera, mbasi do ta kishin të pamundur të bashkëjetonin me të tilla dukuri. Këtu bëhët fjalë për punonjës policie, avoketër, mjekë, mësues dhe të tjerë. Për të lehtësuar dhe mundësuar procedurat e këtyre transferimeve, po rishihen ligjet dhe rregullat aktuale në fuqi në të gjitha landet dhe në nivel federal.
Gjithsesi tani duhet të pritur krijimi i mundshëm i koalicionit të AfD-së; i vetmi shans shihet bashkëpunimi me BSW-në, pavarësisht nga dallimet e shumta që kanë në program, pas shprehjes së gatishmërisë së lideres së saj, Sahra Wagenknecht. Pastaj, në pamundësi të atij koalicioni, do të shihet nëse do të bihet dakord për një koalicion të CDU-së, SPD-së, Të Gjelbërve dhe BSW-së, çka duhet tejet e vështirë, madje e pamundur, sidomos me BSW-në.
Ndërkohë, AfD-ja do të tentojë, siç edhe ka filluar që të bëjë për vehte qoftë me votë por edhe duke kaluar në anën e saj edhe të paktën tre deputetë të CDU-së, aq sa i duhen për të siguruar shumicën absolute, për krijimin e qeverisë së atij landi e vetme, çka mbetet si mundësi.
Ndryshe, ashtu siç paralajmëroi Siegmund mbrëmjen e fitores, AfD-ja do provokojë zgjedhje të parakohshme për të fituar 50 – 55 për qind të votave dhe kështu të jetë në gjendje të qeverisë e vetme.
Nga ana tjetër, ka një trysni në rritje ndaj Kancelarit Merz, deri në mendime për largimin e tij. Mirëpo kjo është disi e parakohshme dhe nuk mjafton pa gjetur një kandidaturë tjetër bindëse dhe fituese. Ndaj, gjasat janë më të mëdha që këtë radhë koalicioni qeveritar të mjaftohet me masa dhe reforma gjithëpërfshirëse në fushat më jetike; për të bindur elektoratin se CDU/CSU dhe SPD-ja e kanë kuptuar mesazhin e „tërmetit“ të 6 Shtatorit dhe do të bëjnë shpejt kthesën e shumëpritur.
Kjo është tejet e nevojshme dhe urgjente mbasi jehona dhe efektet e 6 Shtatorit gjerman pritet të ndikojnë ndjeshëm në zgjedhjet e 20 Shtatorit në Berlin, në Mecklenburg Vorpommern dhe në disa lande të tjera në gjysmën e parë të vitit 2027, ku ”Alternativa për Gjermaninë” mund ta zgjerojë hartën gjeopolitike dhe të vijë në pushtet. Ky ndikim do jetë i madh edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2027 në shumë vende të BE-së, ku rreziku i fitores së ekstremit të djathtë është shumë i madh, sidomos në Francë, Poloni dhe Spanjë.
Fitorja e thellë e AfD-së në Saksoni Anhalt ishte thirja e fundit për demokratët dhe demokracinë në Gjermani, e cila gjithsesi jeton dhe shpreson me ndryshime dhe reforma të guximshme në fushat më të ndjeshme, aty ku zuri vend fjala e AfD-së.
© 2026 Argumentum





















































