Promovohet libri “Lufta nën akuzë: Nga Del Ponte te Gjykata Speciale”, një analizë mbi narrativat ndërkombëtare, raportin e Dick Marty-t dhe zhvillimet politike e diplomatike që çuan në krijimin e Dhomave të Specializuara.
Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS), në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Artini nga Prishtina, organizoi promovimin e librit të Prof. Dr. Sylë Ukshinit, “Lufta nën akuzë: Nga Del Ponte te Gjykata Speciale”, një vepër që rikthen në vëmendje debatet politike, diplomatike dhe ndërkombëtare që shoqëruan luftën e Kosovës dhe krijimin e Dhomave të Specializuara.
Në diskutim morën pjesë Prof. Dr. Enver Hoxhaj, ish-Ministër i Punëve të Jashtme dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Dr. Arian Starova, ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe akademik, si dhe autori i librit, Prof. Dr. Sylë Ukshini.
Në fokus të diskutimit ishte mënyra se si, pas përfundimit të luftës dhe veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, çështja e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u shndërrua në një betejë të gjerë politike dhe diplomatike.

Hoxhaj: Kosova, viktimë e gjeopolitikës
Duke folur për zhvillimet që çuan në krijimin e Gjykatës Speciale, Enver Hoxhaj ish- Minister i Jashtëm i Kosovës e cilësoi periudhën pas vitit 2008 si një fazë të re të përballjes së Kosovës me atë që ai e përshkroi si “luftë hibride” dhe “luftë speciale”, të ndjekur nga Serbia dhe Rusia.
Hoxhaj u ndal te zhvillimi i narrativës mbi pretendimet për trafikim organesh, duke përmendur botimin e librit të ish-prokurores së Hagës, Carla Del Ponte, në vitin 2008, si dhe shkrimet e publikuara në vitin 2010 në media ndërkombëtare, përfshirë The Guardian, lidhur me pretendimet për “Shtëpinë e Verdhë”.
Sipas tij, raporti i Dick Marty-t në Këshillin e Evropës shënoi një tjetër fazë të këtij procesi, duke ndikuar në perceptimin ndërkombëtar për luftën e Kosovës.

Hoxhaj argumentoi se këto zhvillime duhet të shihen edhe në kontekstin e ndryshimit të rendit ndërkombëtar pas vitit 2014 dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia.
“Kosova është viktimë e gjeopolitikës”, ishte një nga mesazhet kryesore të Hoxhajt, i cili vlerësoi se Perëndimi ka bërë kompromise në kurriz të Kosovës.
Ai e cilësoi gjithashtu si të pazakontë vendosmërinë dhe urgjencën perëndimore për krijimin e Gjykatës Speciale, duke argumentuar se procesi kishte marrë gradualisht dimensione politike dhe diplomatike përtej aspektit juridik.
Sipas Hoxhajt, libri i Sylë Ukshinit dokumenton fazat përmes të cilave çështja kaloi nga një temë mediatike, në debat politik ndërkombëtar, më pas në një proces të institucionalizuar dhe, në fund, në një çështje të trajtuar si urgjencë diplomatike.

Starova: Një gjykim që prek edhe historinë e luftës
Në diskutimin e tij, Dr. Arian Starova, ish-Ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë vuri theksin te kohëzgjatja e hetimeve ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe te nevoja për një shqyrtim të hollësishëm të fakteve.
Ai argumentoi se procesi nuk duhet parë vetëm si një gjykim ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, por edhe si një përballje më e gjerë me interpretimin e historisë së luftës së Kosovës.
Sipas Starovës, lufta e Kosovës duhet vendosur në kontekstin e zhvillimeve të viteve ’90 në ish-Jugosllavi dhe të politikës së regjimit të Slobodan Millosheviçit.
Ai e përshkroi luftën e UÇK-së si pjesë të një procesi më të gjerë historik që lidhej me përpjekjen për korrigjimin e pasojave të copëtimit politik të shekullit të kaluar.


Një debat që shkon përtej Gjykatës Speciale
Libri i Prof. Dr. Sylë Ukshinit synon të ndjekë pikërisht këtë rrugëtim: nga pretendimet e para dhe debatet mediatike, te raportet ndërkombëtare, presioni diplomatik dhe institucionalizimi i procesit përmes Dhomave të Specializuara.
Në qendër të analizës qëndron edhe pyetja se si narrativat politike dhe historike mund të ndikojnë në politikën ndërkombëtare dhe në krijimin e institucioneve juridike.
Një nga argumentet kryesore të autorit lidhet me atë që ai e konsideron si përpjekje për të krijuar një simetri të rreme historike mes Serbisë, si agresore në konflikt, dhe UÇK-së, si forcë që luftonte për çlirimin e Kosovës.
Në këtë kuadër, libri e vendos raportin e Dick Marty-t dhe zhvillimet që pasuan në një kontekst më të gjerë politik e gjeopolitik, duke ngritur pyetje mbi mënyrën se si u formësuan perceptimet ndërkombëtare për Kosovën.
Diskutimi i organizuar nga AIIS e riktheu kështu në vëmendje një debat që mbetet ende i hapur: marrëdhënien mes drejtësisë, historisë, diplomacisë dhe gjeopolitikës në rastin e Kosovës.
Përtej fatit të procesit gjyqësor, pyetja që shtrohet është se si do të trajtohet në të ardhmen trashëgimia politike dhe historike e luftës së Kosovës dhe çfarë ndikimi do të ketë kjo në politikën e jashtme të Prishtinës.
© 2026 Argumentum





















































