REAL POLITIK NR. 118
1 – 22 DHJETOR 2025
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i Madh në Diplomaci
DR. JORGJI KOTE
1. Strategjia që mund të ndryshojë botën! Strategjia e re Sigurisë Kombëtare e shpallur më 5 Dhjetor shpalosi karakterin dhe synimet gjeopolitike amerikane si një ndarje me thikë me doktrinat e mëparshme. Ajo ka shkaktuar tronditje të mëdha, veçanërisht në vendet europiane, sepse me pasojat e saj të pritshme dhe sidomos me largimin e SHBA-ve nga pozita e “ policit botëror” mund të ndryshojë botën. Ajo hedh dyshime të mëdha mbi rendin e sotëm botëror, duke mbështetur ligjin e forcës mbi forcën e ligjit ndërkombëtar.
SHBA-të synojnë të dobësojnë organizatat ndërkombëtare, OKB me filialet e saj, OBSH, OBT, UNESCO, OSBE dhe vetë BE-në. Ashtu siç pohon gazetari i shquar Gille Paris në editorialin e datës 10 Dhjetor te « Le Monde » « me kujdesin për Rusinë dhe me menaxhimin e Kinës, Presidenti Trump synon ndarjen e botës në tri zona influence në dëm të Europës“
Ca më keq akoma, kjo Strategji nuk e sheh më BE-në si aleate historikë vlerash, parimesh dhe interesash, por më tepër si kliente të çastit. Madje, Strategjia në fjalë synon forcimin e “kundërshtimit patriotik” dmth përkrahjen e ekstremit të djathtë në vendet europiane.
Ja pse kjo strategji konsiderohet “ zilja e fundit e zgjimit” për BE-në që të shfaqë vetëdije dhe të dalë me strategjinë e vet, ku të afirmojë vazhdimin e aleancës transatlantike, promovimin e vlerave, parimeve dhe traditave më të mira të demokracisë liberale dhe shtetit të së drejtës.

2. Europa në Berlin u mblodh në Samitin e datës 15 Dhjetor me praninë e 11 liderëve kryesorë europianë. Ishte reagimi i mirëpritur ndaj planit të Paqes me 28 pika të SHBA-ve. Ishte vërtet historik se për herë të parë në 80 vitet e fundit, Europa mori përsipër përgjegjësinë për fatet e veta, me ose pa SHBA-të. Këtyre të fundit u dha mesazhin se pa Europën nuk mund të ketë paqe të vërtetë as në Ukrainë dhe as gjetkë. Por, edhe sepse ashtu si në Samitin e Uashingtonit më 18 Gusht, ajo kundërshtoi Planin e Paqes të SHBA-ve dhe Rusisë, duke dalë me propozimin me 20 pika. Kështu, Europa tregoi sërish unitet dhe kohezion politik.
3. Pse kompromis historik?
Kompromisi i arritur më 19 Dhjetor në Samitin e BE-së në Bruksel lidhur me miratimin e huamarrjes së përbashkët të BE-së në shumën prej 90 miliard Euro për Ukrainën për vitin 2025 – 2026 ishte historik për tre arsye themelore. Historik se tani Ukraina i ka burimet e nevojshme financiare për të vazhduar luftën. Presidenti Zelenski i kishte pralajmëruar liderët europianë që “nëse nuk do të paguajnë për Ukrainën me Euro sot, nesër do të paguajnë me gjak“.
Kompromisi i Brukselit ishte i domosdoshëm dhe historik mbasi shmangu skenarin më të keq, atë të përdorimit të aseteve ruse që ishte “thikë me dy presa” me disa pluse por më shumë me minuse. Së treti, shmangeshin kundërshtimet e Francës dhe Gjermanisë, të cilat kanë qenë kategorikisht kundër huave të përbashkëta dhe në favor të konfiskimit të aseteve ruse, si mjet trysnie ndaj Moskës.
Dhe së fundi, duke përdorur këto asete, ato u hiqeshin nga dora SHBA-ve dhe Rusisë, sepse sipas planit të Paqes me 28 pika, asetet ruse do të ndaheshin me SHBA-të në të ashtuquajturin fond të investimeve, etj.
Mirëpo, krahas anëve pozitive, si finacimi i menjëhershëm i Ukrainës, mosrëndimi i buxheteve kombëtare dhe shmangja e përvetësimit të tyre nga SHBA-të dhe Rusia sipas Planit prej 28 pika të paqes, kishe më shumë efekte negative. Kështu, përdorimi i aseteve ruse do të krijonte një precedent të keq dhe shqetësime të mëdha ligjore dhe të sigurisë për Belgjikën. Sepse në Bruksel janë depozituar 185 miliard asete ruse nga 2010 miliard gjithsejt në Europë. Në këto kushte, Kryeministri belg Bart de Wever kundërshtoi deri në fund me vendosmëri një projekt të tillë për shkak të pasojave në fjalë. Kundërshtime kishin edhe Hungaria, Slovakia, Çekia dhe deri në momentet e fundit Italia, të cilat mbështetën Belgjikën. Gjithsesi, problemi dhe pengesa më e madhe për konfiskimin e aseteve ruse sidomos për qeverinë belge dhe ‘Euroclear’ ishte se asaj nuk i jepeshin me përgjegjësi dhe me shkrim garancitë e nevojshme financiare dhe të sigurisë në rastin e masave të mundshme ndëshkuese nga ana e Rusisë ndaj Belgjikës. Mirëpo dështimi në këtë aspekt do të tregonte publikisht dobësinë e BE-së dhe do të shtonte kaosin në Bruksel, sidomos në këto momente vendimtare. Por këto pasoja do të shtriheshin edhe në vende të tjera të BE-së, duke kërcënuar edhe sigurinë e tyre. Po ashtu, Rusia do të kundërpërgjigjej me konfiskimin e depozitave dhe të investitorëve belgë dhe europianë në Moskë.

Mbi të gjitha, në fushën e sigurisë, konfiskimi i aseteve ruse nga BE-ja do t’i jepte shkas Moskës të akuzonte më tej Europën e cila, sipas Putinit është hipokrite, mbasi këtej kërkon paqe, andej provokon me luftë.
Ca më keq akoma, me konfiskimin e atyre aseteve, ishte e sigurt se Rusia do vinte si kusht thelbësor për një marrëveshje armëpushimi/paqeje kthimin e aseteve të saj nga Belgjika dhe Europa, duke e kompromentuar seriozisht procesin e paqes dhe duke e vendosur BE-në në kushte tejet të vështira.
4.Vetëm diplomaci sharmi!U pa gjatë vizitës së shumëpritur të Ministres së Europës dhe Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali më 15 – 16 Dhjetor në Athinë. Në fakt, atmosfera miqësore dhe takimet e formatit më të lartë ishin pozitive dhe ogur i mirë për të ardhmen e marrëdhënieve tona. Mirëpo veç pohimeve dhe deklarimeve euforike, nuk u pa dhe as u dëgjua ndonjë gjë konkrete, madje as për marrëveshjen e pensioneve, megjithë premtimet e mëparshme. Pra në “menunë„ diplomatike të kësaj vizite mungonte “mishi“ dmth substance. Ishte më tepër një vështrim kalimthi dhe kujtesë e butë e problematikave të nxehta që kemi, si vende fqinje, me shumë interesa të përbashkëta dhe sidomos objektivi ynë madhor për përfundimin e negociatave të anëtarësimit në BE brenda vitit 2027.

Tamam kur Greqia do të ketë edhe Kryesimin e saj të radhës. Por është edhe Marrëveshja e Detit, e cila ka 15 vite që na qëndron “si shpata e Demokleut te koka“ dhe po ulëret për zgjidhje qoftë edhe në Hagë, siç ka 5 vjet që na thuhet. Gjithesi, shpresojmë dhe urojmë që kjo vizitë të jetë një hyrje dhe prelud i mbarë për të dy vendet, sidomos tani në prag të Krishtlindjeve dhe ndërrimit të viteve.
© 2025 Argumentum





























































