NGA DR. JORGJI KOTE
Vlerësimet pozitive për Samitin e 36-të të NATO-s të zhvilluar në Ankara më 7 – 8 Korrik 2026 vazhdojnë të mbizotërojnë faqet e shtypit të shkruar, kronikat televizive, rrjetet sociale, etj. Me të drejtë, mbasi ky Samit shënoi më në fund kthesën e shumëpritur historike për Aleancën më të madhe politike dhe ushtarake të botës. Ca më tepër në momentet kur ishte vënë në pikpyetje edhe vetë mbijetesa esaj. ”Fryma pozitive e Ankarasë” siç u cilësua me të drejtë nga të gjithë liderët e NATO-s dhe Presidenti Trump çoi në rikonfirmimin e kohezionit dhe unitetit politiko- ushtarak të Aleancës, të pasqyruar edhe në Deklaratën e tij Përfundimtare.
Padyshim që për disa shkaqe dhe fakltorë jetikë, Samiti i Ankarasë përbën një ‘gur kilometrik’ me rëndësi përcaktuese për fatet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në botë. Ai u zhvillua në një klimë tejet të tendosur gjeopolitike, ku spikatin përshkallëzimi i konfliktit ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës, kriza shpërthyese në Iran, e cila pas armëpushimit 60 ditor ngjalli dyshime serioze nëse do të sillte paqe të qëndrueshme apo do të ishte thjesht një pauzë midis dy luftrave në atë rajon shpërthyes; dhe në fakt pikërisht ditën kur Presidenti Trump ndodhej në Ankara, SHBA-të goditën 80 objektiva ushtarake në shenjë ndëshkimi pas sulmeve iraniane, duke e rindezur konfliktin në Lindjen e Mesme; ndërkohë, NATO përballet me synimet strategjike të Kinës dhe aleatëve të saj dhe me sfida të tjera serioze, përfshirë edhe ato në Ballkanin Perendimor.
Vërtet që në Ankara nuk u muar ndonjë vendim dhe në fakt nuk kishte pse; por në Ankara u rivendos fryma e vullnetit, e unitetit dhe kohezionit politik dhe ushtarak të Aleancës; jo vetëm aq, por me po atë frymë pozitive nga të gjithë dhe Presidenti Trump aty u bë bilanci i arritjeve dhe mangësive; dhe mbi këtë bazë u bë kolaudimi i qëndrimeve dhe teknikalitetev përkatëse për zbatimin e vendimeve të Samiteve të mëparshme të Ëashingtonit (2024) dhe të Hagës (2025).
Kjo merr rëndësi akoma më të madhe kur mendon se ky Samit u zhvillua në momente të vështira kur ‘anija’ e Aleancës kishte filluar të “fuste ujë” si pasojë e fërkimeve midis disa vendeve, pozicioneve të paqarta dhe kërcënimeve amerikane deri në tërheqjen nga NATO; me paralajmërimet për marrjen e masave të njohura, si pakësimi i ndjeshëm i trupave ushtarake amerikane nga Europa e deri te heqja e ndihmave ushtarake amerikane ndaj Ukrainës.
Të gjitha këto zhvillime dhe tensione të tjera të njohura, bashkë me etiketimet dhe deklarimet e mëparshme të Presidentit Trump mbi NATO-n kishin hedhur hije dyshimi mbi aftësitë dhe mbijetesën e Aleancës përballë sfidave të sotme madhore.
Në këto situata dhe përballje të vështira për NATO-n, ishte fat dhe lehtësi e madhe politike që mikpritëse e Samitit ishte Tϋrkiye, shtet i madh dhe kyç për stabilitetin rajonal, ndërmjetësuese në konfliktin Rusi-Ukrainë, garant i lëvizjeve të mëdha migruese drejt Europës dhe vendi me ushtrinë e dytë më të madhe të Aleancës.
Kësisoj, ky Samit konfirmoi rolin gjeopolitik në rritje të Tϋrkiye dhe të Presidentit Erdogan. Nga ana tjetër, vetë prania e Trump, kur dihet se ai nuk i ka për zemër të tilla evente ishte nje sukses i shënuar për Samitin dhe Turqinë. Presidenti Trump e pohoi publikisht se ai shkoi në Samit vetëm në respekt të mikut të tij, Erdogan.
Po ashtu fakti që përveç deklarimeve ndaj Spanjës dhe kritikave të mëparshme ndaj Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe nuk pati asnjë incident serioz me Trumpin që të kompromentonte Samitin dhe Aleancën ishte arritje e shënuar e tij.
Arritje tjetër e madhe e Samitit për fatet e NATO-s ishte rikonfirmimi qysh në pikën e parë të Deklaratës mbi zbatimin e Nenit 5 të mbrojtjes kolektive të NATO-s në rastin e një sulmi nga një armik i jashtëm. Kjo është me rëndësi jetike sidomos tani kur Rusia, megjithë dështimet në Ukrainë po mat pulsin e NATO-s, me provokime të ndryshme ndaj
vendeve të saj, madje edhe ndaj Gjermanisë me luftë hibride, me dronë, subversion dhe mbështetje për Partinë djathtiste ‘AfD’
Komponenti i dytë madhor i këtij suksesi historik lidhet me axhendën dhe tri objektivat e tij, bazat e të cilave në fakt ishin hedhur qysh në Samitin e Uashingtonit dhe sidomos të Hagës vitin e kaluar. Më konkretisht u përshëndetën hapat premtues dhe u caktuan objektiva për shtimin e ndjeshëm të investimeve në fushën e mbrojtjes, të industrisë ushtarake dhe të ndihmave për Ukrainën. Të tria këto në varësi dhe të lidhura ngushtë me konkretizimin e objektivit të kontribuar secili vend me 5 për qind të GDP-së për NATO-n, nga e cila 1, 5 për qind për infrastrukturen ushtarake. Dhe kjo jo vetëm me fjalë por edhe me nënshkrimin e kontratave të shumta në këto fusha me dhjetra miliarda dollarë, shumica e tyre për blerje të armatimit ushtarak në SHBA.
Më konkretisht, ashtu siç deklaroi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, qysh tani vendet europiane dhe Kanadaja kanë filluar të japin 4 për qind të GDP-së së tyre për NATON, ndërsa të tjerat, me Gjermaninë në krye janë në proces.
Po ashtu është bërë përparim i mirë në realizimin e objektivit tjetër madhor që 1/5-ta e shpenzimeve të secilit vend anëtar për NATO-n t’i kushtohet shtimit të investimeve ushtarake. Kështu, gjatë vitit 2025, Europa i ka shtuar ato nga 90 në 139 miliard Euro. Ndërsa gjatë 2 viteve të fundit në këtë fushë ka realizuar shifrën rekord prej 258 miliard Euro.
Ndërkohë, ndërmjet disa marrëveshjeve të nënshkruara gjatë Samitit spikat ajo për ndërtimin e një rakete moderne tejet të shpejtë nga Britania e Madhe dhe vende të tjera, me një vlerë që kap shifrën prej 50 Miliard Euro, ajo për ndërtimin nga Gjermania të 10 nëndetësve për Kanadanë me vlerë 62 miliard dollarë, etj.
Vlen të theksohet se përfituese e arritjeve në fushën e prodhimit të armatimit ushtarak janë edhe vetë SHBA-të. Kështu, në këtë industri në Europë/Kanada gjatë këtyre 2 viteve janë çelur 200.000 vende pune për shtetasit amerikanë, etj.
Nisur nga sa sipër, krejt ndryshe nga Samiti i Hagës 2025, ku Europa ishte e detyruar të zbatonte ndaj Trumpit ‘diplomacinë përkëdhelëse ose në shqip të ‘lëpirjes’ në Ankara ajo nuk kishte pse të ndiqte më këtë politikë. Dhe Kjo pikërisht falë arritjeve dhe realizimeve konkrete premtuese të lartpërmendura, si ‘ armët ‘ e saj më të forta dhe më bindëse ndaj pretendimeve dhe qortimeve amerikane.
Shqetësimi i madh europian me Presidentin Trump, që ato të paktën hë për hë e kapërcyen me sukses ishte se në zbatim të Doktrinës Transaksionaliste të ujdive fitimprurëse, në vend të parimeve, vlerave dhe interesave të përbashkëta strategjike, ai dhe SHBA-të mund të synojnë që angazhimin e tyre në NATO ta kthejnë në një veprimtari biznesi, dhe vetë Aleancën në një automat parash. Dhe kjo duke detyruar europianët të blejnë armatime vetëm te SHBA-të. Duke e justifikuar këtë me kthimin nga europianët të kontributit financiar të SHBA-ve.
Lidhur me këtë aspekt, në Samit u ra praktikisht dakord për kalimin nga parimi “ burden sharing” në “ burden shifting” ose nga “ ndarja e barrës financiare” duke e kaluar më shumë barrën te Europa”. Vetëm se europianët me të drejtë i thonë aleatit të tyre se kjo kërkon kohën e vet, pa trysni dhe ultimatume; ndaj më me vend do të ishte ajo që përmend edhe Mark Rutte “ një ndarje më e drejtë e barrës” mes aleatëve, ku europianët të marrin më shumë përgjegjësi.
Samiti i Ankarasë shënoi sukses dhe risi të prekshme dhe të dukshme lidhur me konfirmimin e vazhdimit të ndihmës dhe mbështetjes ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën. Kështu, u ra dakord që në vitet 2026-2027 Kievit t’i jepen edhe 70 miliard Euro ndihma ekonomike dhe financiare. Ndërkohë, Europa do vazhdojë të paguajë SHBA-të për të gjitha armatimet që ajo do të blejë për Ukrainën nga SHBA-të.
Po aq i rëndësishëm është premtimi i Presidentit Trump për t’i dhënë Ukrainës licensën e prodhimit të sistemit të raketave të fuqishme “ Patriot”, fryma pozitive në takimin me Presidentin Zelenski dhe vlerësimi i përparimit në frontin e luftimeve. Kjo ripërtëritje e angazhimit amerikan është me shumë rëndësi për Europën dhe Ukrainën. Kjo sidomos tani kur Ukraina po korr suksese të bujshme kundër Rusisë, duke e goditur atë deri në thellësi të territorit rus. Situata ka ndryshuar tërësisht dhe Putini siç po duket mund t’i ketë ditët e numëruara. Në këto kushte, vendimtare mbetet vazhdimi dhe intensifikimi i mbështetjes ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, çka u konfirmua edhe në Samit, që ajo të thellojë arritjet në frontin e luftimeve, në mënyrë që kur palët të ulen në tryezën e bisedimeve, kushtet e paqes t’i diktojnë Ukraina dhe Europa dhe jo më Moska.
Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, sa i takon anës organizative, për herë të parë nuk u përmend takimi i ardhshëm i planifikuar në Tiranë. Edhe pse kjo u konfirmua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte në Konferencën e tij të shtypit, kjo do të vendoset më vonë me shumë gjasa që tani e tutje samitet e NATO-s të zhvillohen një herë në dy vjet. Kjo është e nevojshme për të lehtësuar barrën e madhe politike, teknike dhe organizative të Aleancës, për t’iu dhënë më shumë kohë dhe hapësirë vendeve anëtare për zbatimin e objektivave dhe vendimeve që merren në të tilla samite. Pastaj, të mos harrojmë se liderët e NATO-s marrin pjesë edhe në shumë samite të tjera, si ato të OKB-së, BE-së, Komunitetit Politik Europian, G – 7, G – 20, plus samitet rajonale, duke përfshirë Ballkanin, etj. Pastaj, NATO ka një mori formatesh, forumesh, komitetesh dhe drejtorish të cilat mblidhen rregullisht, krahas takimeve të rregullta të ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes, si dhe takimeve të Asamblesë së saj Parlamentare.
Dhe në fakt, samitet deri në vitin 1990 kanë qenë shumë më të rallë. Gjatë periudhës 1949 – 1990 u bënë vetëm 10 samite, ndërsa gjatë 36 viteve të fundit, 26 të tilla. Kjo ka qenë e justifikuar me axhendat dhe tematikat madhore shqetësuese, si zgjerimi i NATO-s, terrorizmi, agresioni rus, etj. Mirëpo tani, është koha që edhe samitet të normohen më mirë.
Dhe mbi të gjitha këto është edhe problemi me Presidentin Trump, i cili e ka shpallur edhe publikisht se nuk i ka fare për zemër të tilla samite, ndaj dhe mikpritësit i kanë shkurtuar dhe thjeshtësuar ato. Kështu, Deklarata e Samitit të Uashigtonit 2024 kishte 38 paragrafë të gjatë dhe me nënpika, ai i Hagës vitin e kaluar vetëm 5 dhe ky i Ankararsë 6 pika dhe fare shkurt.
Në përfundim duhen theksuar qëndrimet në përgjithësi pozitive dhe konstruktive të Presidentit Trump, njohja e kontributit dhe vlerësimet e tij pozitive për vendet e tjera të NATO-s, vlerësimin prej tij të rritjes së shpenzimeve europiane për mbrojtjen dhe përfitimet e shumta për vetë SHBA-të, etj.
Natyrisht këtu luajtën rolin e tyre mikpritësi, Presidenti Erdogan dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, të cilëve u duhej të lëviznin në çdo moment në një tel tejet të hollë ekuilibri mes aleatëve europianë dhe Presidentit Trump.
Gjithsesi, në këtë qëndrim të butë dhe pozitiv të Trumpit kanë pjesën e tyre jo më pak të rëndësishme edhe zgjedhjet e mesmandatit për Kongresin në Nëntor; dihet tashmë se trajtimi i aleatëve perendimorë është aspekt me ndjeshmëri të madhe për politikën në Uashington. Kësisoj, duke u kthyer në Uashington me “ frymën e Ankarasë” me atë Deklaratë pozitive dhe me shifra të begata “në xhep”, Presidenti Trump e përmirëson jo pak nivelin e pëlqyeshmërisë ndaj tij dhe Republikanëve.
Nga ana tjetër, më në fund Trump e ka kuptuar se sado e fortë të jetë SHBA-të, ato kanë nevojë për aleatë të sigurt në përballimin e sfidave të mëdha që kanë përpara. Dhe ashtu siç e ka përmendur edhe ish Komandanti i NATO-s për Europën, Gjenerali amerikan Ben Hodges, aleati më i besueshëm janë vendet e BE-së dhe të NATO-s. Ndaj, pavarësisht nga europianizimi i pritshëm i NATO-s, në Ankara u rikonfirmoi se ajo do të mbetet transatlantike si në frymë dhe në gërma.
© 2026 Argumentum





























































