Nga Fitim ÇAUSHI*
Në shkrimin e tij në ExLibris, më 15 gusht 2026, studiuesi Timo Mërkuri flet me entuziazëm për “eksperimente shkencore” në fushën e folkloristikës. Më konkretisht, duke iu referuar librit “Odiseja dhe sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit” të Akademik Vasil Toles, Mërkuri shkruan se « ai nuk mbeti thjesht një studim në fondin e etnomuzikologjisë shqiptare, por u bë pjesë e dokumentacionit me të cilin shteti shqiptar iu drejtua UNESCO-s, për të dëshmuar lashtësinë, origjinalitetin dhe vlerat e këngës sonë shumëzërëshe…libri u shndërrua në një nga zërat që shoqëruan një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës shqiptare në fillim të shek. XXI.”
Siç mund të shihet, studiuesi Timo Mërkuri, ekonomist me profesion, i jep të drejtën vetes të legjitimojë dhe të propagandojë diversionin e Vasil Toles në fondin e etnomuzikologjisë shqiptare, edhe 21 vjet pas botimit, si “ngjarja më e rëndësishme” e Kulturës shqiptare në shek. XXI, sepse ka provuar ekzistencën e “iso-polifonisë” qysh në kohërat e qytetërimeve antike, duke njohur si element kryesor kulturor të këtij qytetërimi, “iso-polifoninë” e sirenave greke! (Vasil S. Tole-Odiseja dhe sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit”, f. 7)
Me një sforcim, gati në shtërzim, Mërkuri sjell “argumente të reja” për mbrojtjen e sirenave greke të Vasil Toles: “Nëse sirenat janë qenie të mitit, ndërsa kënga e tyre shfaqet si një ngjarje muzikore konkrete, atëherë lind natyrshëm pyetja: ku e gjeti Homeri këtë këngë”? Mërkuri shtron lidhëzën kushtore “nëse sirenat janë qenie të mitit”! E gjithë bota e qytetëruar e di se sirenat janë mitologji, dhe nuk mund të pranohet, që sirenat organizojnë ngjarje konkrete muzikore! Përse duhet të vihet në pikëpyetje një fakt i pranuar nga bota e qytetëruar?!
Me këtë parashtresë të Mërkurit, mbyllen diskutimet, në Dosjen e UNESCO-s janë depozituar sirenat e mitologjisë greke, jo Polifonia Shqiptare. Mercenari i Vasil Toles është i vendosur të zhytet edhe më thellë në misionin e tij për ta pudrosur shëmtirën “iso-polifonike” të Vasil Toles: “Homeri për t’u dhënë zë sirenave të tij, u mbështet mbi një traditë muzikore, reale, shumë të lashtë, se poema homerike.”
Homeri nuk mund të ketë pasur mundësi komunikimi dhe bashkëpunimi me sirenat mitologjike, dhe ca më pak të ketë lënë ngjarje konkrete muzikore të sirenave me teksturë vajtimore, sikurse e konstaton Mërkuri tek libri i Vasil Toles: “Vasil Tole shkruan, se sirenat këndonin këngë shumëzërëshe iso-polifonike me tonalitet vajtimor.”
Ku e gjetën sirenat apo Homeri “iso-polifoninë”? “Iso-polifonia” ka lindur në vitin 2002 nga pseudo etnomuzikologu Vasil Tole! Si mund të shtrihet emërtesa e shek. XXI, edhe në epokën homerike? Ky nuk është qëndrim shkencor por arbitrar! Përse sirenat, nuk e mësuan këngën nga populli, por duhet të prisnin 400 vjet Homerin, tua “mësonte” këngën “iso-polifonike”?! Procesi i dhënies së këngës popullore sirenave, prej Homerit, është çmenduria e radhës e Vasil Toles dhe mercenar Mërkurit! Homeri i ka trajtuar sirenat, thjesht në aspektin figurativ, sikurse janë trajtuar Zanat, Orët, Shtojzovallet tek Eposi i Kreshnikëve! Por nuk mund të themi, se kënga e Zanave, që i këndoi Mujit, është “iso-polifoni”, ose polifoni, pavarësisht, nëse zanat “kënduan” në unison apo intonacion. Këtu mbyllet çdo diskutim dhe këmbëngulja e Vasil Toles dhe Mërkurit për tu mbajtur pas sirenave greke, është antishkencore dhe antikombëtare.
Të dy teoricienët i shmangen problemit themelor: Në traditën e cilit popull u mbështet Homeri për t’i dhënë këngën sirenave; në traditën e popullit shqiptar, trashëgimia e të cilit gjoja u depozitua për nominim në Dosjen e UNESCO-s, apo në traditën e sirenave greke, që u nominua dinakërisht me ndërhyrjen e Vasil Toles në UNESCO?!
Qëllimisht “shkencëtari” Mërkuri, sikurse edhe profesori i tij, Vasil Tole, ngatërrojnë traditën muzikore popullore me sirenat mitologjike tek poema “Odiseja”, të cilat duan t’i përdorin si ndërmjetëse të kulturës popullore! Kënga polifonike shqiptare për të treguar lashtësinë e saj, nuk ka pas nevojë të transmetohej me ndërmjetësinë e sirenave, nuk janë sirenat ireale, që dëshmojnë funksionin trashëgimtar të kulturës popullore shqiptare, është tradita e krijimtarisë folklorike shqiptare, që dëshmon natyrshëmtransmetimin gojor në breza njerëzorë, sikurse e kanë theksuar profesorët e Institutit të Kulturës Popullore. A mund të konsiderohet ky moment episodik, kënga e sirenave, vendimtar në përcaktimin e trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar, kur transmetimi folklorik i popullit tonë ka ardhur nga brezi në brez pa ndërmjetësimin e askujt, e ca më pak të sirenave greke?!
Mërkuri, me superlativat falso, për librin e sirenave të Vasil Toles, dekonspirohet në misionin e tij sekret: “Vasil Tole nuk synon të provoj origjinën e iso-polifonisë dhe ca më pak që këtë origjinë, ta sjell nga kënga e sirenave … Mjafton të lexojmë pa paragjykim “Odiseja dhe sirenat”, për të parë se Tole nuk shkruan askund, se “iso-polifonia” shqiptare buron nga kënga e sirenave”.
Pavarësisht mashtrimeve të Mërkurit, i gjithë libri i Vasil Toles, orvatet ta nxjerrë origjinën e “iso-polifonisë” nga sirenat greke, të cilën ua paska “mësuar” Homeri! Pa e kuptuar, Mërkuri e dekonspiron misionin e tij: “Vasil Tole nuk niset nga iso-polifonia për të mbërritur tek sirenat, niset nga sirenat për të kërkuar natyrën e një dukurie muzikore, që Homeri e ka vendosur në qendër të një prej episodeve më të famshme të Odiseut.”
Mërkuri pranon publikisht se Tole, nuk niset nga lënda folklorike, në përcaktimin e periodizimit të saj, niset nga inekzistenca – sirenat, “si faktor primar të “krijimit” të lëndës folklorike – “iso-polifonisë”! Për herë të parë Mërkuri bën një denoncim publik, që e fundos përfundimisht Vasil Tolen në diversionin e tij grek, sepse Tole niset nga sirenat greke, për të imponuar dukurinë muzikore të “iso-polifonisë” dhe jo nga trashëgimia folklorike, për të dalë tek sirenat, ndërkohë që dihet historikisht, se ka ekzistuar krijimtaria folklorike popullore e cilitdo popull, dhe më vonë janë shtuar mitologjitë e Homerit për sirenat. Vasil Tole e di mirë, se po të nisej nga polifonia, për të shkuar tek sirenat, nuk kishte shans ta konsideronte polifoninë shqiptare produkt të kulturës greke, sepse kënga “iso-polifonike” e sirenave ka ekzistuar në mitologjinë e Homerit. pas këngës së popullit, sikurse “thekson” vet Mërkuri!
Nëse Timo Mërkuri nuk e shikon origjinën e “iso-polifonisë” nga sirenat greke, nga erdhi kaq papritur “iso-polifonia” e sirenave greke në Dosjen e UNESCO-s? Vasil Tole ka pranuar: “Iso-polifonia si term, është përcaktuar nga etnomuzikologu V. Tole”. (V.Tole, Enciklopedia e Iso-polifonisë”, UEGEN, 2007, f. 122)
Termi “iso-polifoni”, nuk i përket kohës së sirenave, sepse Vasil Tole nuk ekzistonte në kohën e sirenave, por origjinën e “iso-polifonisë” e përcakton pikërisht nga sirenat, për të imponuar këngën polifonike shqiptare nga kultura greke, të cilës i përkasin sirenat: “Asgjë më shumë se muzika, iso-polifonike e Sirenave vajtore do t’i mësonte Uliksit vajtimin shumëzërësh iso-polifonik”. ( Odiseu dhe sirenat …f. 14)
Sikundër shihet është muzika “iso-polifonike” e sirenave që i ka “mësuar” Uliksit shumëzërëshin “iso-polifonik”! Kujt t’i besojmë, mercenar Mërkurit, që deklaron, se Vasil Tole nuk synon të provojë origjinën e iso-polifonisë nga kënga e sirenave“, apo Vasil Toles, që këmbëngulse Sirenat vajtore i mësuan Uliksit, (e më pas edhe tërë popullit shqiptar), vajtimin shumëzërësh “iso-polifonik”?!
Me delirin e “shkencëtarit” dështak, Mërkuri harron, se çfarë ka shkruar më parë dhe tjerr përralla: “Tole shkruan, se sirenat i mësuan këngën iso-polifonike edhe Odisesë”! Dhe vazhdon: “Ishte hera e parë që Odiseja dëgjonte këngë të kënduara pa instrumente … Odiseja ishte i vetmi njeri që e dëgjoi këngën e sirenave dhe mbeti gjallë për ta treguar … një këngë që pa rrëfimin e tij, do të ishte harruar”!
Si mund të harrohej një këngë, kur origjina e saj ishte nga populli dhe populli as vdes as harron?! Delirant Mërkuri ka një kontradiktë të madhe: ai shkruan, se Homeri e ka marrë këngën nga populli dhe ia dha sirenave! Sipas Mërkurit, po të mos e kishte dëgjuar Odiseja këngën e sirenave, kënga e popullit do të harrohej! Kjo na bind, se kënga e sirenave nuk ka ekzistuar kurrë në popull, përderisa e paska dëgjuar vetëm Odiseja! Këtu rrëzohet përralla e mercenar Mërkurit, se Homeri i dha sirenës këngën e popullit dhe kënga e sirenave u bë kënga “iso-polifonike” e popullit shqiptar! Nëse kënga e sirenave do të ishte kënga e popullit, ajo nuk do të harrohej kurrë, sikurse nuk u harrua dhe u trashëgua në breza. Nuk ishin sirenat që i “mësuan” këngën e popullit Odisesë, ishte populli që i dha këngë njerëzimit nëpër breza. Populli nuk i humbet këngët e tij.
Këngët e popullit shqiptar, duhet të “harroheshin” medoemos, që Vasil Tole, t’i mësonte popullit të Vorio-Epirit: në Delvinë, Gjirokastër, Vlorë Tepelenë, e Korçë, këngën “iso-polifonike” të sirenave greke, e cila me dinakërinë e Toles, u bë e përbotshme përmes UNESCO-s!
Mërkuri këmbëngul se ishin sirenat që i mësuan këngën “iso-polifonike” Odisesë! Cilën këngë i mësuan sirenat Odisesë, këngën greke apo këngën shqiptare?! Kësaj i shmanget Vasil Tole dhe mercenari i tij. Cila këngë do të harrohej në rast se nuk do të ishte Odiseja; kënga shqiptare apo kënga greke, sepse ato ishin dy krijimtari të ndryshme shpirtërore?! Në ç’gjuhë komunikoi një qenie njerëzore si Odiseja, me një qenie mitologjike si sirenat?! Si mund të dëgjonte Odiseja këngë vajtimi nga sirenat inekzistente, ndërkohë që duhet të kishte dëgjuar ligjërime mortore të nënës dhe gjyshes së tij në ceremoniale të ndryshme mortore! Përse duhej të dëgjohej kënga e sirenave për ta përcjellë këngën shqiptare nëpër shekuj, ndërkohë që këngët e popullit përcilleshin natyrshëm nga mijëra njerëz, pa qenë nevoja e Odisesë dhe ndonjë krijese tjetër?!
Argumentet bajate të Timo Mërkurit, i ka hedhur poshtë vetë Vasil Tole, i cili as i ka parë, as i ka dëgjuar sirenat, ai vetëm “beson” në ekzistencën e sirenave greke, sa herë ia kërkon misioni: “Ne besojmë, se zëri i Sirenave ishte karakteristik, jo vetëm për shkak të bukurisë së tyre në vetvete, por më e rëndësishme, për shkak të teksturës iso-polifonike vajtues, një veçori që e gjejmë akoma në Iso-polifoninë Labe të sotme në territoret e ish-Epirit të dikurshëm antik”.( V. S. Tole, Odiseja dhe sirenat…” (f. 24-25)
Sikundër shihet, Tole “beson”, se teksturën vajtimore të këngës së sirenave greke, e gjen edhe sot tek “iso-polifonia” labe! Tek cila këngë e Labërisë gjendet tekstura vajtimore e sirenave greke, sepse Tole nuk ka sjellë një këngë vajtimore të sirenave në festivale apo koncerte për t’i krahasuar?! Si e pranon këtë gëlasë të Vasil Toles Mërkuri, i cili hamendëson për cilësinë vajtimore të këngës së sirenave, por nuk na e konkretizon, në cilën këngë sirenat përcjellin emocione vajtimi, sikurse kemi këngët e Labërisë Toskërisë dhe Çamërisë: “Sinan Labi o, lule”, “Mbeçë mor shok mbeçë”, “Çelo Mezani”, “Janinës ç’i panë sytë, etj.? Ka ndonjë titull kënge vajtimore “iso-polifonike” të sirenave?
A mund të identifikohet “tekstura vajtimore e Sirenave” greke, me polifoninë labe, kur polifonia labe krijohet nga populli i Labërisë dhe “iso-polifonia” e sirenave “krijohet” nga hiçi, për rrjedhojë nuk ka teksturë sirenash; as vajtimore as gazmore!
Të dy “studiuesit” kanë preferuar për model të këngës vajtimore nga antikiteti, këngët e sirenave greke, ndërkohë që Homerikishte vënë në gojën e personazheve njerëzorë te “Iliada”, këngën vajtimore brilante:E gjithë “Iliada” mbyllet me vajtimin dhe ceremonialin e varrimit të Hektorit në këngën e XXIV:
Andromaka:
O burri im n’lule të jetës vdiqe
E mue të ve po m’len n’sarajet tua
Dhe jetim foshnjën……..
Na dy t’pafat .Tai s’kam fije shprese
Që n’fytyrë e trup im bir ndonjëherë t’burrnohet
Kulm e themel Ilioni do të shembet.
Pse ti që e mbrojte vdiqe o dalëzotës
Ti nuk i qase të liqtë, slepas të dytë)
dhe shpëtimtar i grave t’reja e i foshnjave
…E ti o bir do vish mbas meje
…Se n’luftë me armiqtë yt atë ka qenë i tmershëm .
Nëpër qytet prandaj vajtojnë gjithë popujt…
Kështu e vajtoi dhe gratë ja plasën vajit…
(Homeri …kënga e 24 v.861-883 f.396)
Hekuba :
Hekor, n’gjith bijt e mi ma i miri i zemrës
Vërtet për s’gjalli fort të deshën zotat
….Dhe tash I freskët më rrin shtrirë përpara
Sikur për t’dekun erdhe n’shtëpinë tënde
Pa u prishë e i njomë si ai që Apol harkëtari
Turret të vrasë me shigjeta t’ambla…
Kështu vajtoi dhe gratë ja plasën vajit
(Homeri …kënga e XXIV …v.891- f. 397)
Helena
Për zemrën time ti ke qenë më i dashuri
Mdër gjithë kunetërit , o HektoriI ndritur
Mbasi mua ora n’këto brigje më solli
Me qit fat vetes me Lekën e bukur.
Me dhe të zi ma mir martue le t’isha
Kur s’më rëndove me fjalë të liga dhe fyese
E kur ndonjëheri prej kunetësh
Jase kunatash,jase vjera e ndritur …
Me urtësinë tënde në paq na pajtoje
Prandaj un’qaj e fshaj me shpirt e zeza
Për veten tande dhe për mue, mos qofsha!
Pse n’Trojën vigane ma s’do t’kem dalzotës
…kështu e vajtoi me të dëneste turma.
(Homeri ..kënga e XXIV vargu 906, f. 397)
Studiuesi Tole dhe Mërkuri kanë prefereruar sirenat greke dhe i anashkaluan vajtmet tradicionale të botuara shumë para, se të botohej “Odiseja” dhe sirenat e tij, sepse ato janë trashëgimi e popullit dardan, sikurse ka shkruar Homeri.
Pavarësisht mungesës së sirenave fizikisht, Vasil Toles i duhet “iso-polifonia” labe në territoret e Epirit të dikurshëm, ndonëse Labëria nuk ka “iso-polifoni”, nuk ka as sirena. Akademia e Shkencave të Shqipërisë e ka studiuar për 50 vjet trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar, si Polifoni Shqiptare në territoret e Vorio-Epirit: Delvinë, Gjirokastër, Vlorë, Tepelenë, Përmet, Korçë, madje edhe në Çamëri. Përpjekja nga Vasil Tole dhe mercenarët e shovinizmit grek, bëhet, që në territoret e Vorio-Epirit, të vendoset “iso-polifonia” e sirenave greke, e nënkuptuar, si vend banim i grekëve të hershëm!
Pavarësisht realitetit të poezisë së Homerit, Timo Mërkuri boton në një gazetë serioze përralla, që synojnë ta legjitimojnë absurdin e Vasil Toles: “Nëse pranohet se kënga shumëzërëshe e ka fillesën në ligjërimet mortore, atëherë nuk është e pamundur të mendohet, se edhe në këngën e sirenave, kjo shtresë e hershme tingullore të ketë qenë e pranishme, jo ende si iso në kuptimin e sotëm teknik, por si embrioni i saj akustik”.
Mërkuri, e konsideron ende këngën e sirenave shtresë të hershme tingullore, të pranishme si embrion akustik! Ajo që e dekonspiron përfundimisht etnomuzikologun Vasil Tole dhe shërbëtorin e tij është lidhja e tij me qenie mitologjike greke dhe jo me qenie mitologjike shqiptare, për të vërtetuar hershmërinë e këngës polifonike popullore. Këngët e popullit të Shqipërisë së Jugut, janë të pasura me këngë të Zërave (Zanave, dukuri e rotacionit)
Syri yt një lir’ e tërë,
Dil në penxhere si Zërë
Moj Zërë e maleve,
Mir’ me gojë që s’me flet,
Pse s’ma bën me isharet?
Zërat trajtohen edhe në shumë ligjërime mortore:
Djemtë zogj e nuset Zëra,
djem o djem.
Ç’u kërreva nga dora,
Atje tek len dielli,
Të çahetë qielli!
Gjatë një ligjërimi mortor në Labëri, një ligjëruese e fisit, i përmend të vdekurit xhamadanin e punuar nga e shoqja:
Mënga me tre palë fletë,
Ta kish qepur Zëra vetë.
Ja edhe balada e murimit në zonën Gjirokstër-Delvinë:
Ditë për ditë punonin kot,
Ur’e shkretë s’qëndronte dot.
Ati shkoj një nuse e bukur,
Kjo s’qe nuse po qe Zërë,
Rrinte lart në Mal të Gjërë.
-Dëgjoni ju ustallarë,
Në doni t’u vejë mbarë,
Bëni një njeri kurban.
Këto tha Zëra dhe shkoi,
Malit të Gjerë fluturoi.
Mërkuri, që vlerëson me veneracion çdo « gëlasë » të Vasil Toles shkruan një dredhi helenike: “Duke iu referuar përshkrimit të Odiseut, Vasil Tole vëren se: “Në fakt zërat e sirenave përshkruheshin si të mahnitshëm … dhe të vazhdueshëm. Duket se përshkrimi i mahnitshëm ka të bëjë me bukurinë akustike të zërave, ndërsa përcaktori “i vazhdueshëm”, përcakton së paku një këngëtim polifonik të ndërthurur”. (Odiseja dhe sirenat, f. 9-10)
Në fakt, bota e Epirit ishte e mbushur me këngë popullore polifonike, por Tole dhe Mërkuri, e kërkojnë këngën e popullit tek përshkrimet e letrare të Homerit, jashtë fenomenit sonor! Ku ka pasur sirena, që të prodhonin bukuri akustike në përshkrimet poetike të Homerit?! Një përshkrim poetik, sado i mahnitshëm, nuk prodhon bukuri akustike muzikore, pavarësisht si mund t’i duket një diversionisti, si Vasil Tole, dhe Timo Mërkurit, i cili na “bind”, se Vasil Tole nuk e ka dëgjuar interpretimin e sirenave, por trajton përshkrimet poetike të Homerit, si fenomen akustik! Kjo përrallë i duhet Mërkurit për të justifikuar mungesën e fenomenit sonor nga ana e Vasil Toles në propagandimin e këngës së sirenave deri në Dosjen e UNESCO-s. Ky është kulmi i dekadencës së një akademiku dhe shërbëtorit të tij, gjithashtu edhe kulmi i dekadencës së institucioneve shtetërore!
Të njëjtin fenomen, Mërkuri e hyjnizon në një banalitet të depozituar në UNESCO nga Vasil Tole; për të imponuar katër zërat e sirenave si të njëjta me katër zërat e këngës polifonike të Labërisë: “Nga vëzhgimi etimologjik i emrave të Sirenave rezulton, se Ligea është mbartëse e të qarit me dënesë, (me ligje, e që lidhet aq ngushtë me vajtimin), Thelxipea është magjiplotë, Algaopea e veçantë dhe Peisinoe e bindur. Mbështetur në një përqasje të këtyre veçorive etimologjike, duket se gjejmë në tiparet e tyre, tashmë si këngëtare, edhe një rreshtim strukturor të ngjashëm me strukturën e vendosjes së zërave në iso-polifoninë popullore shqiptare.”( V. S. Tole, “Odiseja dhe sirenat .grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit, T. 2005, f. 37)
Kjo çmenduri ka përmasa botërore! Dirigjenti i sirenave greke, Vasil Tole, sikurse nga përshkrimi “mahnitës “ i sirenave prej Homerit gjen tingëllimin akustik të zërave muzikorë të sirenave, edhe nga vëzhgimi etimologjik i emrave të sirenave, “gjen” tiparet dhe strukturën e vendosjes së zërave në “iso-polifoninë” popullore shqiptare!
Kjo është më pak se padituri, sepse për të krahasuar dy vlera folklorike, duhet medoemos krahasimi i zërave natyrorë, jo etimologjia e emrave formalë! Etimologjia nuk artikulon zëra njerëzorë, sikurse artikulojnë këngëtarët e grupeve polifonike në Shqipëri. Të dy, Tole dhe Mërkuri, flasin për rreshtim strukturor të ngjashëm të zërave muzikorë të këngës së Labërisë dhe emrave të sirenave, ndonëse u mungon një gjë fare e vogël, zëri i vërtet i sirenave!
Mërkuri thekson, se: “Sirenat i përkasin botës së mitit”. Përderisa sirenat i përkasin botës së mitit, ç’kërkojnë sirenat greke në Dosjen e Polifonisë Shqiptare në UNESCO, kur kënga polifonike shqiptare është krijimtari e ndërgjegjshme e popullit shqiptar, jo mitologji?! Si u nominua “iso-polifonia” e sirenave mitologjike greke në UNESCO dhe jo Polifonia Shqiptare?! Cili ishti roli i Vasil Toles në këtë nominim?
Për kauzën greke të Mërkurit edhe Vasil Tole është kritikuar prej muzikantëve, shoqatave kulturore dhe intelektualëve të vërtetë, sepse libri tij për sirenat, imponoi diversionin mbi trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar, të depozituar në UNESKO, si produkt të sirenave greke!
Pak njerëz e njohin dinakërinë, me të cilën është maskuar “iso-polifonia” në Dosjen e UNESCO-s. Në studimin e Vasil Toles, që gjendet në Dosje, kënga “iso-polifonike” prezantohet me “shtratin e vërtetë” tek kënga e sirenave: “Lidhja e udhëtimit nistor të Uliksit, me parashikimin e Tirezias, është tjetër dëshmi e lidhjes që kanë Sirenat dhe kënga e tyre, me prejardhjen dhe shtratin e vërtetë të dukurisë së jashtëzakonshme muzikore të iso-polifonisë”. ( V. S. Tole, Odisja dhe sirenat grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit. T. 2005. f.14)
Për fat të keq studiuesi Mërkuri tenton të marr në mbrojtje pasaportën greke të librit të Vasil Toles, pikërisht, se kënga e sirenave, na “qenka” “iso-polifonike”, por edhe shtrati i vërtetë i muzikës “iso-polifonike” shqiptare!
Mërkuri propagandon veçoritë e përbashkëta tingullore të sirenave dhe “iso-polifonisë” së shqiptarëve, të pranuara në librin e Vasil Toles: ”Në lidhje me këtë veçori tingullore të sirenave, na vjen mirë të pohojmë, se ka një përqasje mbi veçoritë e zërave këngëtorë të iso-polifonisë së shqiptarëve“.(Odiseja dhe sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit”, f. 15)
Përderisa nuk ka sirena, si mund të ketë “iso-polifoni” të shqiptarëve dhe ca më pak përqasje veçorish tingullore të zërave të saj, me zërat “iso-polifonike” të sirenave?! Pas shumë përdredhjeve, Mërkuri perifrazon pyetjen e Vasil Toles: “Po çfarë ishin sirenat” dhe i shmanget përgjigjes së tij: “Në mitologjinë e lashtë greke, sirenat paraqiteshin si qenie gjysmë zogj dhe gjysmë gra.”(Vasil S. Tole, Odiseja dhe sirenat…f. 10)
Këtu mbyllen diskutimet, konfirmimi i Vasil Toles, se sirenat janë qenie të mitologjisë greke, e rrëzon përfundimisht librin “Odiseja dhe sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit”, njëkohësisht edhe vendimin e UNESCO-s, për “iso-polifoninë” si kryevepër të njerëzimit, sepse në UNESCO është nominuar një vlerë mitologjike greke, dhe jo folklori muzikor shqiptar!
Tjetërsimi i Polifonisë Shqiptare nuk është punë ngatërrese, është çështje misioni. E gjithë praktika e depozitimit të “iso-polifonisë” në Dosjen e UNESCO-s, ishte një manovrim djallëzor kundër trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar, çkadëshmon për tentativë të paramenduar politike.Në të vërtetë, synimi i Vasil Toles dhe i Mërkurit, nuk janë sirenat, është Epiri. Përse duheshin sirenat greke, dëshmitare e trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar qysh në antikitet, aq më pak në Epir, ku nuk ka pasur mitologji greke?!Për këtë Mërkuri shkruan: “Në këtë këndvështrim libri i Vasil Toles, merr një kuptim tjetër, pyetjet nuk mbyllen në faqet e librit të Vasil Toles, ato vazhdojnë drejt tekstit homerik, autorëve antik dhe traditave të këngës kolektive që kanë mbijetuar në hapësirën e Epirit që nga lashtësia…prandaj pyetja ku e dëgjoi Homeri këngën e sirenave…ndoshta ai e dëgjoi në brigjet e Epirit”. Studimet e institucioneve shkencore shtetërore shqiptare, kanë konfirmuar se traditat e këngës kolektive në hapësirën e Epirit që nga lashtësia, ka qenë kënga polifonike shqiptare.
Mirëpo, Prof. Dr. Beniamin Kruta, ish drejtori i Institutit të Kulturës Popullore, ka shkruar: ”Karakterin autokton të polifonisë shqiptare dhe lidhjet e saj me kulturën muzikore të lashtësisë ilire e provojnë, veç të tjerash dhe gjurmët e saj të ruajtura në trojet e vjetra ilire të Epirit … Një zhvillim të tillë nëpër shekuj, mund ta arrijë vetëm një kulturë muzikore, që shpreh me mirëfilltësi veçoritë etnike të një populli dhe gjallësinë krijuese kulturore të tij”. (Kultura Popullore”, nr. 2-1982, f. 467-468)
Atëhere, përse Akademik Vasil Tole nuk mbështet mbi këto studime 50 vjeçare por rend drejt sirenave greke? Për Epirin, Mërkuri, justifikon edhe banalitetet teorike të Toles: “Tole nuk kërkon të vërtetojë, se sirenat kanë ekzistuar si qenie reale, kërkimi tij është më i thellë. Ai kërkon terrenin kulturor, ku mund të ketë jetuar një traditë muzikore, që më pas Homeri e shndërron në këngë të sirenave”. Nënkuptuar në këngë greke!
Ky ka qenë i gjithë misioni i Vasil Toles me studimin e tij për sirenat greke dhe manovrimi i tij me dosjen e UNESCO-s! Pasi e ngulën sirenën e “iso-polifonisë” në UNESCO, si “kryevepër të njerëzimit” tani po kërkojnë të tjetërsojnë terrenin kulturor të Epirit, si territor gjeografik i antikitetit grek. Prandaj Mërkuri nuhat, se kërkimet e Vasil Toles janë të thella, ndonëse është i bindur se sirenat nuk kanë ekzistuar si qenie reale në Epir!
Mërkuri zbulon edhe arsyen e ekspozimit të sirenave në kërkimet folklorike, prej Vasil Toles: “Kjo është arsyeja që autori nuk përpiqet të nxjerrë një traditë historike nga një qenie mitologjike. Pyetja e tij është krejt tjetër; a është e mundur që Homeri për tu dhënë zë sirenave, të ketë huazuar një mënyrë këndimi që e njihte nga bota reale e kohës së vet”.
Mbasi Vasil Tole e “siguroi” traditën historike “iso-polifonike” në opinionin shkencor botëror, atij i intereson bota reale e kohës së Homerit, e shtrirë në Epir si bota greke, sikurse e zbulon Mërkuri misionin shovinist të Vasil Toles: ”Për të kuptuar këngën e sirenave, nuk duhet të kërkojmë vendbanimin e tyre mitik, por burimin njerëzor të atij zëri…duhet të pyesim se në çfarë bote kulturore mund të ketë dëgjuar Homeri, këtë mënyrë të kënduari”.
Sikundër shihet, duhet zbuluar burimi njerëzor, që i dha këngën “iso-polifonike”, sirenave! Interesi i vërtet i Vasil Toles, nuk është terreni shkencor, është synimi politik për terrenin kulturor të Epirit, të cilin Vasil Tole e shndërroi në këngë greke, të depozituar në UNESCO! Edhe Timo Mërkuri bie në grackën e shovinizmit grek: ai nuk vazhdon të kërkojë vendbanimin mitik të sirenave, sepse kjo e dëmton mision e tyre, i largon nga Epiri për në Gjirin e Sicilisë, ai kërkon botën kulturore ku ka burimin njerëzor, të cilin Homeri e ka “dëgjuar” gjatë lëvizjeve të tij në Epir! Dhe zëri njerëzor i sirenave në Epir, është kënga polifonike shqiptare, të cilën e asgjësuan në Dosjen e UNESCO-s, si këngë “iso-polifonike greke!
Për të populluar Epirin me popullsi greke, qysh në antikitet, në Dosjen e UNESCO-s ekziston transferimi i sirenave greke prej Vasil Toles, nga Sicilia në Sul të Çamërisë, pranë Konispolit:“Gjeografikisht është pranuar, se vendndodhja e sirenave është diku ne hyrje të portit të Sicilisë. Pavarësisht nga kjo, ne i përmbahemi idesë, se vendndodhjen e sirenave mund ta lokalizojmë pranë brigjeve të sotme shqiptare; kjo për shkak të lidhjes që kanë në përmbajtje sirenat me të kënduarën e tyre polifonike në kontekstin e parafolur”.
Pavarësisht se gjeografikisht, studiuesit botërorë e kanë pranuar vend-ndodhjen e sirenave, si përrallë të Homerit, në hyrje të portit të Sicilisë, tanimë në rolin e spekulatorit, Vasil Tole, i pasaportizon sirenat në Epir, pa lejen e shtetit shqiptar, madje edhe pa lejen e Bashkimit Evropian! Çvendosja e sirenave greke nga Sicilia në brigjet e sotme shqiptare, është gur themeli në Epir për pretendimet e sotme greke: Gjirokastër, Tepelenë, Vlorë, Përmet dhe Korçë, për ekzistencën e popullsisë helene në Vorio-EPIR, qysh në antikitet!
Studimi i Vasil Toles për sirenat greke është një paçavure por jo studim shkencor që u leverdis shumë fqinjëve tanë. Lidhur me këtë, Prof. Dr. Irakli Koçollari, në shkrimin kritik për Akademinë e Shkencave, ka shkruar: “Ka ndonjë individ i atyshëm, që me instrumente antishkencore ka tjetërsuar vlera të trashëgimisë tonë identitare, sikundër polifonia labe, duke ua dhuruar atë padrejtësisht dhe pa argumente shkencore fqinjëve grekë”! (Gazeta DITA, 11 nëntor 2024)
Këtë e dëshmon edhe Vasil Tole në librin e tij, ku hapësirat e Epirit, i trajton me prejardhje parahelene: “Iliada” dhe “Odisea” përbëjnë burimin e parë historik, monumentin e parë të shkruar, i cili përshkruan aktet e trimërisë së parahelenëve në këtë epokë”.(Odisea dhe sirenat, vep e cit. f. 65)
Sikuse shihet, Vasil Tole edhe Poemën “Odiseja”, e konsideron trimëri të parahelenëve, jo parailirëve, ndonëse Homeri na dëshmon, se popullsia e Trojës i përkiste Dardanisë së ILIRISË. Këtë hipotezë diversioniste, Vasil Tole e përforcon me një pretendim të maskuar në favor të kulturës greke: “Pjesëmarrësit në festat Dionisiake, shndërroheshin në bartësit e parë të trashëgimisë folklorike që po lindte në një truall shumë të begatë etnografik, siç ishte në fakt Greqia e lashtë”. ( V. S. Tole, Odisea dhe sirenat grishje drejt viseve isopolifonike të Epirit, T. 2005, f. 59)
Sipas Vasil Toles në Dosjen e UNESCO-s grekët konsiderohen si “bartësit e parë të trashëgimisë folklorike” në Ballkan, në të cilin Greqia ishte një truall folklorik shumë i begatë! Sipas tij, shqiptarët na qenkërkan pas tyre në fushën e folklorit, sepse të parat janë sirenat, që u mësuan shqiptarëve “iso-polifoninë” e depozituar në UNESCO!
Duke i propaganduar sirenat si teksturë iso-polifonike në territoret e Epirit antik: Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Vlorë, Tepelenë, Korçë, pra në brezin e Vorio-Epirit,Tole “vazhdon” ekzistencën e zërit “iso-polifonik” të sirenave në territorin e Epirit! Atje ku paska qenë zëri i sirenave greke, na “paska qenë” edhe popullsia greke, e cila ka “banuar” brenda Epirit të dikurshëm së bashku me sirenat e saj! Prandaj duhet të “pranohen” medoemos sirenat në Epir nga institucionet ndërkombëtare, për të legjitimuar ekzistencën e popullsisë greke në Vorio-Epir, qysh në antikitet!
Për pasojë, falë librit të Vasil Toles për sirenat greke, UNESCO ka shpallur Kryevepër të Njerëzimit mitologjinë greke dhe jo folklorin shqiptar. Kënga polifonike shqiptare, nuk është mitologji, është trashëgimi historike, shpirtërore e popullit shqiptar. Përzierja në UNESCO i Polifonisë Shqiptare me këngën e sirenave, me festat Dionisiake, me artin Apolonian, me panteonin Olimpik, etj simbole të kulturës greke, na bind, se Vasil Tole, e trajton polifoninë shqiptare si pjesë të kulturës greke. Përse duhet shpallur Kryevepër e njerëzimit, një falsitet i sajuar, një produkt i qenieve mitologjike greke, që nuk është pronë shpirtërore e popullit shqiptar, por e popullit grek? Përse duhet imponuar populli shqiptar të mbajë si “vlerë botërore”, një mashtrim, edhe për faktin, se nuk ka fizikisht sirena, që të këndojnë?! Po të kishte sirena, do t’i kishim parë në skenat e Athinës dhe do të ishin shpallur në UNESCO si kryevepra greke!Përse duhet të asgjësohet kultura popullore shqiptare, për të jetërsuar fosilet e mitologjisë greke?!
Tjetërsimi i polifonisë shqiptare në “iso-polifoni”, nuk përfaqëson trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar; ai solli ndryshimin e terminologjisë zyrtare ndërkombëtare si dhe ndryshimin e gjenezës së këngës polifonike shqiptare, duke u mbështetur në informacionin zyrtar të dhënë nga vetë shteti shqiptar. Trashëgimia kulturore nuk është pronë e një institucioni administrativ si Ministria e Kulturës, është pronë e popullit shqiptar dhe e historisë së tij. “Iso-polifonia” e sirenave greke mohon identitetin kombëtar, e poshtëron kulturën kombëtare, poshtëron popullin shqiptar, që e këndoi Polifoninë e tij nëpër shekuj.
*Autori i shkrimit, Fitim Çaushi, është ekspert i njohur i fushës dhe bën pjesë në grupin e 128 akademikëve, muzikologëve, etnologëve dhe personaliteteve të shquara të artit, kulturës dhe letërsisë, të cilët me Peticionin e tyre kohë më parë i kanë kërkuar autoriteteve tona më të larta dhe UNESCO-s zëvendësimin e “Iso-polifonisë” me “ Polifonia shqiptare”, siç ka qenë edhe tradita e deritanishme. Pas padisë së ngritur prej tij, kjo çështje është në proces gjyqësor.
© 2026 Argumentum




















































