Kryeministri Rama po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris, me ftesë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Mbrëmjen e sotme kryeministri Rama u prit në një takim dypalësh nga presidenti Macron, në Pallatin Élysée (Palais de l’Élysée).
“Me Presidentin Emmanuel Macron, për të gjitha temat me interes të përbashkët, në vigjilje të Forumit të Paqes nesër”, shkruan Rama.
Forumi i Paqes është një platformë ndërkombëtare që këtë vit sjell në vëmendje rëndësinë e qeverisjes efektive për garantimin e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit, në një kontekst të karakterizuar nga ndryshimet gjeopolitike, zhvillimet teknologjike dhe sfidat klimatike.


Në kuadër të Forumit, kryeministri Rama do të jetë pjesë e sesionit të posaçëm në formatin “Spotlight”, ku do të diskutojë mbi perspektivën evropiane dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për brezat e rinj.
Rama do të jetë gjithashtu pjesë e seancës plenare të Forumit të Paqes në Paris, me temë “From Sovereignty to Cooperation”, e cila do të trajtojë dimensione të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar.
/Argumentum.al





















































