Kryeministri Edi Rama ka përsëritur ftesën për dialog me studentët dhe qytetarët, duke promovuar platformën e re digjitale “Fol me Kryeministrin”, përmes së cilës synon të krijojë një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me publikun.
Përmes një postimi në rrjetet sociale këtë të diel, Rama ka shpërndarë platformën, e cila u prezantua fillimisht më 6 nëntor, duke ftuar qytetarët ta përdorin atë për të paraqitur pyetje, kritika, shqetësime dhe propozime.
“Mirëmëngjes dhe me pasqyrën e Dialogut në telefonin apo kompjuterin tuaj, ju uroj një të diel të paqtë”, shkroi kryeministri.
Platforma, e aksesueshme përmes adresës folmekm.al, është menduar fillimisht për studentët, por është e hapur për të gjithë qytetarët. Ajo parashikon katër kategori komunikimi: pyetje, kritika, shqetësime dhe propozime.
Sipas informacionit të publikuar, përdoruesit mund të identifikohen përmes portalit e-Albania, ndërsa identiteti i tyre nuk bëhet publik pa pëlqimin përkatës. Mesazhet do të shqyrtohen nga ekipi përgjegjës dhe çështjet individuale do t’u përcillen institucioneve kompetente, ndërsa temat me interes të gjerë mund të marrin përgjigje publike.
Gjatë prezantimit të platformës, Rama e cilësoi atë si një “urë komunikimi” të hapur 24 orë, ku një ekip i dedikuar do të administrojë shkëmbimin e informacionit dhe opinioneve.
Nisma vjen në një periudhë kur protestat studentore kundër qeverisë vijojnë në Tiranë, me kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit dhe adresimin e problematikave që lidhen me arsimin, korrupsionin dhe mundësitë për të rinjtë.
Rama e ka lidhur krijimin e platformës me vështirësitë e dialogut në klimën e protestave, ndërsa ka përsëritur se komunikimi mbetet një instrument për adresimin e pakënaqësive qytetare.
Mbetet për t’u parë se si do të funksionojë platforma në praktikë dhe në çfarë mase shqetësimet e paraqitura nga qytetarët do të përkthehen në përgjigje dhe masa konkrete institucionale.
____________________________
*Foto ilustruese e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale (AI).
© 2026 Argumentum





















































