Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mohuar përfshirjen e partisë që ai drejton në protestat e zhvilluara në Tiranë.
Sipas Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk u qëndron në prapaskenë protestave, por, kur angazhohet në to, u del hapur në ballë.
Në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të zhvilluar sot, Kurti tha se tashmë kjo parti është forcë qeverisëse dhe jo protestuese, ndaj nuk lejon që të tjerët ta instrumentalizojnë.
“Shqipërinë e duam gjithmonë dhe pavarësisht rrethanave. Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë kombëtare. Prandaj, zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, kujdes, përgjegjësi dhe dashuri. Përparimi demokratik i Shqipërisë është edhe përgjegjësi historike kombëtare. Është e rëndësisë jetike që ne shqiptarët t’ia dëshmojmë vetes se dimë të ndërtojmë demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisje që nuk i përkulen oligarkisë”, u shpreh ai.
“Ne nuk kemi pasur rastin të flasim për protestat në Tiranë, të zënë siç kemi qenë me fushatën dhe zgjedhjet e qershorit e më pas me tensionin pothuaj dramatik që na shoqëroi deri te zgjedhja e presidentes. Kam parë me habi se si zëra të ndryshëm janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta, por ne sot jemi forcë qeverisëse dhe jo forcë protestuese. Edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi qëndruar anonimë. Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e ‘hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës’ dhe u kemi qëndruar larg instrumentalizimeve. As nuk kemi pranuar të na instrumentalizojë kush, as nuk kemi instrumentalizuar të tjerët”, është shprehur Kurti.
© 2026 Argumentum





















































