Kryeministri Edi Rama deklaroi se sfida kryesore e Bashkimit Europian në vitet e ardhshme nuk lidhet vetëm me procesin e zgjerimit dhe vendet kandidate, por edhe me aftësinë e vetë unionit për të përballuar ndryshimet politike dhe ndikimin e mediave sociale.
Gjatë një bashkëbisedimi në Musée de l’Homme, në Paris, në kuadër të Forumit të Paqes, kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian dhe të ardhmes së brezit të ri, Rama u pyet se si e përfytyron Shqipërinë në BE pas dhjetë vitesh.
Kryeministri u shpreh se fillimisht shpreson që vetë Bashkimi Europian të arrijë të kapërcejë sfidat e brendshme, duke theksuar se Shqipëria do të jetë mirë, por mbetet për t’u parë se si do të jetë e ardhmja e Europës.
“Shpresoj që pikësëpari Bashkimi Europian t’ia dalë me sukses të shpëtojë prej vetvetes. E gjithçka tjetër pastaj do të jetë në rregull për ne”, tha ai.
Kjo, shtoi Rama, “është diçka që Bashkimi Europian duhet ta zgjidhë, sepse sfida e madhe nuk është kundrejt Shqipërisë, por kundrejt vetë Bashkimit Europian, në një botë që po ndryshon e në të cilën Europës i duhet të përballet me ‘djallin’ e medias sociale”.
Rama theksoi se vonesat në adresimin e ndikimit të medieve sociale rrezikojnë ta thellojnë polarizimin politik dhe ta dobësojnë qendrën e moderuar në politikën europiane.
“Sa më shumë i “zvarrit këmbët” Europa pa e trajtuar këtë çështje, aq më pak do të jetë në gjendje që të mbledhë veten. Sepse ajo çfarë po ndodh, është që politika europiane po humbet, po i bjerrët krejt qendra”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, “gjërat po shkojnë gjithmonë e më tepër në skaje dhe qendra është bërë si një varr masiv dhe në këtë varr masiv, Europa mund të rrëshkasë njëherë e përgjithmonë në qoftë se nuk do të përballet me këtë “djall””.
Gjatë diskutimit, Rama ndau edhe këndvështrimin e tij mbi kuptimin e lirisë, duke e lidhur atë me të drejtën për të udhëtuar, për të komunikuar dhe për të shprehur lirisht mendimet.
“Unë e përkufizoj lirinë si mundësia për të ardhur këtu e për të folur me ju diçka që kur isha në moshën tuaj 26-vjeçare, më duhej të luftoja që të kisha mundësi të kapërceja kufirin e Shqipërisë për të parë botën”, iu drejtua ai të rinjve pjesëmarrës.
“Kështu e përkufizoj unë lirinë. Të jem ku dua, të flas me kë dua, të them atë që mendoj sa më shumë të mundem, edhe pse në pozicionin që mbaj nuk them dot gjithçka dua”, tha Kryeministri.
Ndërsa, i pyetur për vijimin e projektit të Shtetit sovran Bektashi në Tiranë edhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Rama konfirmoi se puna për këtë nismë vijon.
“Po, po punojmë për këtë dhe le të shohim se ku do të mbërrijmë”, u përgjigj Rama.
© 2026 Argumentum
















































