Prof. Asoc. Dr. Bledar Kurti
Gjatë javëve të protestave të dhunshme u dëshmua, ndër të tjera, se çfarë ndodh kur pritshmëria për rënien e një pushteti kthehet në një provë për të gjithë ata që nxitojnë të trashëgojnë vendin e tij.
“Gjithçka që nuk më vret, më bën më të fortë,” shkroi Friedrich Nietzsche. Në politikë, krizat nuk janë vetëm momente rreziku për ata që qeverisin. Ato janë, mbi të gjitha, momente zbulese. Zbulojnë karakteret, ambiciet, besnikëritë, interesat e fshehura dhe, ndonjëherë, edhe boshllëqet e mëdha që fshihen pas zhurmës publike.
Protestat e fundit në Shqipëri krijuan një klimë të tillë. Për shumëkënd, ato nuk ishin thjesht një përballje politike me qeverinë, por fillimi i fundit të një epoke. Shumë menduan se Edi Rama do të rrëzohej. Disa e besuan, të tjerë e dëshiruan dhe jo pak filluan të sillen sikur kjo kishte ndodhur tashmë.
Partia Demokratike mendoi se më në fund kishte ardhur çasti i saj. Pas vitesh në opozitë, protestat u panë si mundësia për të shndërruar pakënaqësinë publike në një ndryshim të menjëhershëm pushteti. Mobilizimi u interpretua si shenjë e një përmbysjeje të afërt, ndërsa retorika politike filloi të ndërtohej mbi bindjen se qeveria ishte në prag të rënies. Në atë atmosferë, kufiri mes dëshirës politike dhe analizës realiste u bë gjithnjë e më i paqartë. Dhe kundrejt dëshirës dhe padurimit Partia Demokratike u zhgënjye rëndë, sidomos kur përfaqësuesit e saj u përzunë nga bulevardi.
Por edhe brenda Partisë Socialiste ndodhi diçka domethënëse. Një pjesë e madhe e deputetëve dhe përfaqësuesve politikë u strukën në heshtje. Nuk dolën publikisht për të mbrojtur qeverinë, nuk morën përsipër të artikulonin argumentet e saj as në rrjete sociale e as në studio televizive, dhe nuk u shfaqën si mbështetës të kryetarit apo të një drejtimi politik që, në kushte normale, duhej ta përfaqësonin. Disa treguan frikë, mosdije, e ndoshta prisnin të shihnin se nga do të anonte historia, të tjerë menduan me egoizëm thjesht për të ardhmen e tyre politike. Në momente të tilla, heshtja nuk është gjithmonë neutralitet. Shpesh është një formë pritjeje, një mënyrë për të mos u identifikuar me një anije që mendohet se po fundoset. Thënë shkurt: frikëcakëri.
Protestuesit, nga ana tjetër, menduan se ishin në prag të një momenti historik. Për shumë prej tyre, pjesëmarrja në shesh përfaqësonte jo vetëm kundërshtimin ndaj qeverisë, por edhe mundësinë për të qenë pjesë e një ndryshimi të madh. Kjo është një nga karakteristikat e lëvizjeve politike: ato krijojnë ndjesinë se historia po ndodh pikërisht aty, në atë çast, dhe se secili pjesëmarrës mund të jetë pjesë e saj. Por, pa asnjë program konkret, pa dëshirë e vullnet për dialog, me slogane utopike me efekte të paprekshme, arritën një asgjë konstruktive politike por vetëm dëme destruktive të pronës private e publike.
Në këtë klimë, edhe disa pedagogë, analistë dhe komentatorë publikë nxorën kryet nga një pozicion më i tërhequr, duke parë mundësinë e një karriere të re publike. Për disa, kriza dukej si një trampolinë drejt protagonizmit politik, drejt një pozicioni të ri në hierarkinë e opinionit publik ose drejt një roli që deri atëherë nuk ua kishte ofruar realiteti politik. Papritur, disa filluan ta shihnin veten jo thjesht si interpretues të ngjarjeve, por si aktorë të mundshëm të rendit të ri. Interesant është fakti që kjo kategori në jetëshkrimin e vet publik ka përfshirje të hershme në parti apo lëvizje politike të rezultuara të pasukseshme për ambicjet e tyre. Ky ishte momenti që më në fund të riktheheshin me lavdi, jo thjesht në politikë, por në krye të saj.
Edhe një pjesë e televizioneve dhe portaleve kombëtare e lokale menduan se po kontribuonin në një moment historik. Në vend që të mjaftoheshin me pasqyrimin dhe analizimin e zhvillimeve, disa prej tyre u përfshinë në atmosferën e pritshmërisë për përmbysje, sikur ndikimi mediatik të ishte vetë një instrument për ndryshimin e pushtetit. Në këto rrethana, kufiri mes raportimit, interpretimit dhe aktivizmit politik u bë i brishtë duke tejkaluar misionin e medias së pavarur por duke kapërcyer në realitetin aspak profesional të njëanësisë dhe përcjelljes së vetëdijshme të imazheve dhe lajmeve të rreme (rastet janë të shumta, si me imazhe të gjeneruara me AI, ashtu edhe me lajme të rreme për humbje jete apo të rinj të intubuar.)
Në diasporë, disa elementë filluan të projektonin veten në një realitet të ri politik, ku, pas një ndryshimi të mundshëm të qeverisë dhe të drejtimit të vendit, roli i tyre do të ishte shumë më i madh. Disa e imagjinuan veten si pjesë të strukturave të reja të vendimmarrjes, si këshilltarë, përfaqësues apo kontribuues të një Shqipërie që ende nuk ekzistonte. Ndërkohë, elementë radikalë politikë dhe fetarë panë në këtë klimë një mundësi për të shtyrë përpara agjendat e tyre, duke shpresuar se një vakum i mundshëm institucional do t’u hapte rrugën për të fituar ndikim me doktrinat e tyre.
Ndërsa një pjesë protestonte kundër qeverisë, një pjesë tjetër kishte filluar tashmë të imagjinonte se si do të dukej Shqipëria pas saj. Të gjithë, në mënyrën e tyre, po përgatiteshin për një realitet të ri, por një gjë e kishin të përbashkët: e kishin konsideruar rënien e Ramës si një përfundim pothuajse të sigurt.
Por Rama nuk ra. E as nuk u tut.
Dhe pikërisht këtu fillon pjesa më interesante e kësaj historie.
Një krizë politike që nuk prodhon përmbysjen e imagjinuar mund të prodhojë diçka tjetër: një proces të thellë vetëdijesimi për atë që qeveris. Rama pati mundësinë të shihte gjëra që në rrethana të zakonshme mund të mbeteshin të padukshme. Kuptoi se cilët njerëz mund të qëndronin përballë vështirësive dhe cilët preferonin të heshtnin. Pa kapacitetet njerëzore që kishte në dispozicion, por edhe kufijtë e tyre. Kuptoi se cilat shqetësime të qytetarëve kishin marrë përmasa më të mëdha nga sa mund të ishin perceptuar brenda zyrave të qeverisë. Identifikoi kundërshtarët e hapur, por edhe ata që deri atëherë kishin qëndruar të fshehur pas një fasade besnikërie.
Kësisoj, kriza i dha një informacion politik dhe njerëzor që asnjë sondazh, raport institucional apo mbledhje partie nuk do të mund t’ia ofronte me të njëjtën qartësi. Ajo i tregoi se ku qëndronin dobësitë, ku ishin pakënaqësitë dhe cilat marrëdhënie politike kishin nevojë të rishikoheshin.
Mbi të gjitha, i krijoi mundësinë të rishpikë veten politikisht. Një drejtues që kalon një krizë dhe mbijeton prej saj nuk del më asnjëherë i njëjtë. Ai del më i vetëdijshëm për rreziqet, më selektiv në zgjedhjen e njerëzve, më i kujdesshëm në komunikim dhe më i përgatitur për betejën e ardhshme.
Kjo është sfida që mund të shfaqet përpara tij në zgjedhjet e ardhshme. Jo thjesht të përsërisë fitoret e mëparshme, por të ndërtojë një raport të ri me elektoratin, të adresojë pakënaqësitë, të korrigjojë dobësitë dhe të tregojë se ka nxjerrë mësime nga momentet e vështira. Mbijetesa politike nuk është e njëjtë me suksesin politik. Të mos rrëzohesh është një gjë; të kuptosh përse u trondite dhe çfarë duhet të ndryshosh është krejt tjetër.
Ekziston edhe një dimension psikologjik i politikës që shpesh nënvlerësohet. Këtë dua ta theksoj për nga rëndësia. Politikanët profesionistë, veçanërisht ata që kanë kaluar shumë beteja, nuk ushqehen vetëm me pushtetin, por edhe me sfidën. Ata kanë një prirje të natyrshme për të kërkuar përballjen e radhës, për të testuar forcën e tyre, për të provuar se mund të kapërcejnë pengesa që të tjerët i konsiderojnë të pakapërcyeshme. Në një farë mënyre, ata jetojnë për betejën politike. Në fakt, politikanët profesionistë marrin energji nga sfidat e reja dhe përballjet politike. Ata jetojnë pikërisht për të përjetuar sfida të tilla.
Sot, Rama, pasi kaloi këtë periudhë, e sheh betejën e ardhshme jo vetëm si një detyrim elektoral, por edhe si një mundësi për të provuar sërish aftësinë e tij për të mbijetuar, për t’u përshtatur dhe për të fituar.
Megjithatë, ka një mësim edhe për të gjithë të tjerët. Opozita duhet të kuptojë se dëshira për rënien e një qeverie nuk është e barabartë me aftësinë për ta rrëzuar atë. Deputetët duhet të kuptojnë se heshtja në momente të vështira është po aq zbuluese ndaj paaftësisë dhe frikës së tyre sa edhe deklaratat publike. Analistët duhet të dallojnë ambicien personale nga përgjegjësia intelektuale. Mediat duhet të kuptojnë se historia nuk shkruhet duke shpallur paraprakisht fituesit. Dhe ata që presin të trashëgojnë pushtetin duhet të kujtojnë se një post nuk është një pronë që lihet bosh për t’u ndarë mes atyre që mbërrijnë të parët.
Menduan se Rama do të rrëzohej. Disa menduan se do të vinin në pushtet, disa se do të fitonin famë, disa se do të merrnin një rol të ri dhe disa se më në fund do të realizonin agjendat e tyre.
Por kriza nuk prodhoi atë që prisnin. Ajo prodhoi një të vërtetë më të rëndësishme: në politikë, nuk mjafton të imagjinosh fundin e kundërshtarit. Duhet të jesh i përgatitur për ditën kur ai mbijeton, mëson dhe rikthehet në betejë me një përvojë të re.
Historia ka treguar gjithmonë se ata që presin të festojnë rënien e dikujt, pa e kuptuar, po i japin atij kohën dhe arsyen për t’u bërë edhe më i fortë.
© 2026 Argumentum





















































