Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu e konsideron “thellësisht shqetësuese” që në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të interpretohet muzika e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Haxhiu thekson se “një forum që synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian nuk mund të përcjellë mesazhe që bien ndesh me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit të shteteve”.
Kryeparlamentarja e Kosovës tha se presim sqarim nga Komisioni Evropian për këtë përzgjedhje të papërgjegjshme.
“Institucionet evropiane duhet të tregojnë kujdes dhe ndjeshmëri ndaj historisë së rajonit dhe mesazheve që përcjellin”, deklaroi Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu do të zhvillojë sot një vizitë në Bruksel ku do të marrë pjesë në Konferencën Botërore për e-Parlamentin.
Konferenca mbahet më 17 dhe 18 nëntor në Parlamentin Evropian dhe organizohet nga Unioni Ndërparlamentar dhe Parlamenti Evropian.
Në këtë konferencë marrin pjesë deputetë, sekretarë të përgjithshëm dhe zyrtarë të lartë të parlamenteve nga e gjithë bota, ndërsa tema qendrore është forcimi i demokracisë dhe i institucioneve parlamentare përmes transformimit digjital, me theks të veçantë në përdorimin e inteligjencës artificiale.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Haxhiu do të takohet me presidenten e PE-së Roberta Metsola, kryetarin e Senatit belg Vincent Blondel, deputetë të PE-së dhe zyrtarë të tjerë të lartë, me të cilët do të diskutojë për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, si dhe kërkesën e vendit për anëtarësim në BE.





















































