Fundi i neutralitetit europian

Dragan Biseniç [i]

Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA

Që nga fillimi i konfliktit ruso-ukrainas, një prej shenjave të revolucionit të politikës së jashtme që është duke u zhvilluar në Europë është edhe braktisja e konceptit të neutralitetit. Të gjithë shtetet që deri tani kishin status neutral- Austria, Zvicra, Suedia dhe Finlanda i braktisën pozicionet e tyre neutrale dhe u rreshtuan qartazi përkrah Ukrainës në kuptimin politik, diplomatik dhe atë ushtarak. Që nga momenti i ashpërsimit të krizës ruso-ukrainase në fundin e vitit të kaluar, filloi rishikimi themeltar i neutralitetit ushtarak skandinav dhe mbartësve të tij – Suedisë dhe Ukrainës. Që të dy vendet gjenden praktikisht para dyerve të NATO-s, me shpresë se do të pranohen në Samitin e ardhshëm të Aleancës në Madrid.

Hyrja në NATO e këtyre dy shteteve skandinave do ti sjellë Europës edhe një hapësirë tjetër konfrontimi me Rusinë, kështuqë praktikisht nuk do të ketë pikë në Europë, nga Deti Balltik në Detin e Zi, që nuk do të jetë e përballur ushtarakisht me Moskën. Kësisoj, Europa, në kuptimin e plotë të fjalës, do të shndërrohet në kontinent antirus.

Ky është rol gjeopolitik që asaj nuk mundën t’ia imponojnë as Napoleoni dhe as Hitleri.

POPULLI MË I LUMTUR: Thënë në përgjithësi, Finlanda mund të konsiderohet shtet pa detyra të politikës së jashtme. Ishte një shtet i cili as priste dhe as kërkonte asgjë, i cili në mënyrë rutinore dhe luajale ishte besnik i qendrës në Uashington dhe gëzonte frytet e kooperativitetit të tij

Finlandezët, sipas të gjitha anketimeve, janë prej vitesh populli më i lumtur,  fëmijët e tyre rreshtohen ndër më të mirët në testet PISA, ndërsa standarti i jetës nuk është vënë asnjëherë në pikëpyetje.

Qeveritë ishin të dobëta, rrëzoheshin lehtësisht, e kësisoj vendi thuajse nuk ishte në gjendje të bënte një politikë të jashtme të tijën. E vetmja detyrë e politikës së jashtme të finandezëve ishte ruajtja e neutralitetit mes Perëndimit dhe Rusisë. Në shekullin 19, gjatë luftërave ruso-suedeze, territori i Finlandës pati kaluar në përbërje të Perandorisë ruse. Megjithatë, Perandoria ruse deri në fund të shekulit 19 nuk synoi të rusifikojë finlandezët, duke u dhënë atyre mundësitë për të jetuar në harmoni me traditat e tyre, ndërsa inteligjenca finlandeze pati rastin të njihej me rrymat moderne në Shën Petërburg i cili ishte i hapur dhe territorialisht i afërt për finlandezët.

Në shekullin 20, me mbështetjen e Rusisë, u zhvillua gjuha finlandeze dhe nisën përpjekjet sistematike qër grumbullimin e mitologjisë dhe folklorit. Rusia i përgatiti finlandezët për të krijuar shtetin e tyre, gjë e cila ndodhi në vitin 1917, në sistemin bolshevik, kur u shpërbë Perandoria cariste ruse.

Pas shpalljes së pavarësisë, në Finlandë mbizotëronte rryma progjermane, me prejardhje nga finlandezët e bardhë. Gjermania e konsideronte Finlandën si  vatër antiruse. Por një pjesë e madhe e finlandezëve mbështeste finlandezët e kuq, të cilët synonin aleancë me Rusinë bolshevike. Finlandezët e bardhë e  konsideronin identitetin finlandez në kuadrin europianoperëndimor duke u fokusuar në Skandinavi dhe Gjermani, finlandezët e kuq ishin më afër orientimit euroaziatik, megjithëse me shprehje të veçantë ideologjike. Kufiri u imponua jo vetëm jo vetëm për nga afinitetet ideologjike, por edhe në gjeografi: territori i Finlandës së sotme është zonë e dominimit të orientimit europian, ndërsa Karelija, e banuar pothuajse nga i njejti grupim etnik, ështe qendër e orientimit prorus.   

Në Luftën e Dytë Botërore Finlanda u rreshtua në anën e Hitlerit, por me përfundimin e saj përzgjodhi një pozicion specifik: nuk bëri hapa vendimtarë drejt BRSS-së, por edhe refuzoi të përshpejtonte integrimin në  bllokun euroatlantik. Kjo u bë madje edhe shkak për një term të veçantë nga politologjia: finlandizëm. Nga pikëpamja gjeopolitike kjo do të thotë: as Perëndim euroatlantik kapitalist, as Lindje bolshevike. Ekulibrimi, maturia, qetësia dhe heqja dorë butësisht nga ambicjet e mëdha politike ishte një përzgjedhje e mençur e këtij populli të lashtë gjahtarësh dhe përpunuesish, i harmonizuar kësisoj me peisazhin e ftohtë verior.

Diplomatë të mëdhenj si puna e Henri Kizingerit dhe Zbignjev Bzhezhinskit, e konsideronin pikërisht finlandizmin si zgjidhje e pranueshme për Ukrainën.

Finlandezët nuk kanë fort dëshirë të heqin dorë  nga të gjithë këto benefice dhe të ballafaqohen me çfarëdolloj rreziku, e në këtë kuadër edhe braktisjen e neutralitetit të Luftës së Ftohtë dhe konfrontimn me Rusinë, por kështu siç janë punët, në të ardhmen Finlanda duhet të mësohet pa finlandizmin dhe përparësitë që i sillte ai.

DEFINLANDIZIMI: Ngjarjet në Lindje të Ukrainës me njohjet ruse të Donjeckut dhe Republikës Popullore të Luganskut e kanë ndryshuar rrënjësisht karakterin e diskutimeve mbi politikën e sigurisë në Finlandë. Helsinki pa asnjë hezitim e vlerësoi negativisht këtë njohje dhe ndërhyrjen e mëpastajme ushtarake ruse në territorin e Ukrainës dhe gjithashtu iu bashkua politikës së sanksioneve Perëndimore kundër Federatës Ruse. Konkretisht, reaksioni i parë ishte ky: presidenti Sauli Niniste e emërtoi operacionin “sulm ndaj rendit të sigurisë në Europë” dhe tha se raportet me Rusinë do të kalojnë në nivel të dytë dhe do të intensifikohen kontaktet me Shtetet e Bashkuara. Ministri për zhvillimin ekonomik, Mika Lintila mori në rishqyrtim realizimin e projektit ruso-finlandez NEH Hanhikivi-1 (leja e ndërtimit duhej të jepej në vitin 2022); brenda vendit ka filluar bllokimi i kanalit televiziv Russia Today, ndërsa kompanitë private finlandeze e kanë ndërprerë bashkëpunimin me Rusinë. Helsinki i ofroi ndihmë ushtarake Ukrainës: 2,5 mijë mitralozë, 150 mijë mbushje, 1.500 granatahedhës njëpërdorimësh dhe 70 mijë racione ushqimore.

Suedia dhe Finlanda po i ndryshojnë në mënyrë të përshpejtuar qëndrimet mbi antarsimin e mundshëm në NATO. Në të dy vendet ekziston një diskutim politik aktiv mbi këtë çështje. Anketimet e  opinionit publik kanë treguar se sot shumica e popullsisë së këtyre vendeve është për hyrjen në Aleancë.

Kryeministrja finlandeze, Sana Marin prej disa javësh ka bërë me dije se po e udhëheq vendin në drejtim të NATO-s. Ajo, duke folur në kongresin e partisë socialdemokrate me 2 prill, tha: “Rusia nuk është fqinji që mendonim se ishte”, dhe për këtë ka rëndësi thelbësore që “me kujdes por shpejt”, gjatë pranverës, të studiohet çështja e antarsimit të vendit në NATO. Parlamenti finlandez do të diskutojësë shpejti mbi strategjinë e re të mbrojtjes pas sulmit rus në Ukrainë. Vendimi do të duhet të miratohet deri në fund të muajit qershor.

Qëndrimi suedez është disi më i përmbajtur.

Kryeministrja suedeze Magdalena Anderson, pas takimit me kolegen e saj finlandeze, deklaroi se situata e re e sigurisë do të studiohet “shpejt dhe në mëyrë të detajuar”.

“Ne në Suedi mendojmë se fakti që kemi paqe që prej 200 vitesh, që nga koha e Napoleonit, duhet ti jemi mirënjohës asaj se gjithmonë i kemi refuzuar detyrimet ushtarake”, shpjegon eksperti suedez për mbrojtjen Jakob Vestberg. Por ai gjithashtu thotë se përfytyrimi mbi “neutralitetin efikas” tani është lëkundur. “Tani na duhet ta vlerësojmë ndryshe situatën  tonë të sigurisë”.

Në Finlandë dhe në Suedi janë shumë të forta pozitat e forcave politike që mbështesin antarsimin në NATO. Ish ministri i mbrojtjes i Finlandës, Jusi Niniste, mendon se vendi i tij duhet të hyjë në aleancë edhe pa miratimin e shumicës së popullsisë. Duke folur në emër të partisë Finlandezët e Vertëtë, ai propozoi që Finlanda të antarsohet në NATO pa referendum.

Kryeministri i dikurshëm suedez Karl Bildt është një prej mbështetësve kryesorë të politikës së re me orientim drejt NATO-s. Në Suedi, partia  socialdemokrate në pushtet fillimisht duhet ta ndryshojë qëndrimin e saj fillestar mbi NATO-n. Njëkohësisht, në Suedi në vjeshtë duhet të mbahen zgjedhjet dhe nuk është krejtësisht e qartë se si do të mund të merrej vendimi për braktisjen e neutralitetit.

PARTNERITET PËR PAQE:

Uashingoni ka bërë disa herë me dije se do ta përshëndeste përfshirjen e këtyre dy vendeve skandinave neutrale në Aleancën Veriatlantike. Në një brifing, zëvendësja e sekretarit të shtetit Viktorija Nuland, deklaroi se ShBA-të janë të gatshme të bisedojnë për hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO. Sipas fjalëve të saj,  gjatë “pesë adeministratave, antare e të cilave ajo ka qënë”, ShBA-të kanë punuar aktivisht në këtë drejtim, dhe që të dy vendet janë pothujase të gatshme për të qënë antare të aleancës, nëse këtë e dëshirojnë.

Procesi i përfshirjes graduale të këtyre dy vendeve nordike në Aleancë ka filluar që para 30 vitesh, që nga viti 1994 kur ato u antarsuan në Programin Partneritet për Paqe. Kujtojmë këtu se qëllimi kryesor i Programit për Paqe është të zhvillojë potencialin dhe aftësinë e ushtrive kombëtare për të ndërvepruar me forcat e NATO-s dhe vendet e tjera partnere. Që atëherë marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i Suedisë dhe Finlandës me NATO-n, si dhe prania e Aleancës në territorin e tyre vetëm janë zgjeruar. Kështu, në Kunsengun (Suesi) dhe në Tuusuli (Finlandë) u ngritën qendrat për trajnim dhe shkollim të Partneritetit për Paqe. Në vitin 2008 Finlanda iu bashkua forcave të NATO-s për ndërhyrje të shpejtë, ndërsa Suedia e bëri këtë në vitin 2014. Finlanda dhe Suedia, në Samitin e NATO-s të vitit 2014 në Vells, nënëshkruan marrëveshjen për mbështetjen e trupave të Aleancës në territorin e tyre. Kjo marrëveshje mundëson që, duke rënë dakord me vendin pritës, forcat e Aleancës  lejohen të kalojnë nëpër territorin e këtij shteti në kohë lufte, krize dhe paqeje.

Në muajin qershor të vitit 2016, Shtetet e Bashkuara dhe Suedia nënëshkruan deklaratën mbi synimet, thellimin e mirëkuptimit reciprok dhe forcimin e bashkëpunimit mes organeve të mbrojtjes dhe të forcave të armatosura të të dy shteteve. Dokumenti parashikon shkëmbim informacionesh, rritje të ndërveprimit, stërvitje ushtarake të përbashkëta, bashkëpunim më të ngushtë në zhvillimin e armatimeve dhe kërkimeve ushtarake (në mënyrë të veçantë në fushat e aviacionit dhe të luftës detare), si dhe punë të përbashkët në operacionet ndërkombëtare. Në muajin tetor të të njejtit vit, një dokument të ngjashëm nënëshkruan edhe ministritë e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara dhe Finlandës. Trupat amëerikane dhe kontingjenti  vendeve të tjera të NATO-s gjenden në mënyrë permanente në territoret e Suedisë dhe Finlandës. Duke realizuar stërvitje të ndryshme, trajnime dhe aktivitete të tjera, ato e kanë shndërruar territorin e Suedisë dhe Finlandës në një pozicion të avancuar të NATO-s drejt Rusisë.

Kufiri tokësor i NATO-s me Rusinë, të cilën kjo e dyta e përjeton si armiqësore, në rast se Finlanda do të antarsohej në aleancën ushtarake Perëndimore, do të dyfishohej, nga 1.300 do të bëhej 2.600 kilometër. Finlanda ka ende shërbimin e detyrueshëm ushtarak e kësisoj, në rast nevoje, ajo mund të mobilizojë 280.000 ushtarë, gjë që për kushtet europiane do të thotë një ushtri solide. Nëse kësaj aleance do ti bashkohej edhe Suedia, e cila në të vërtetë nuk kufizohet direkt me Rusinë, por në këtë rast ajo i mundëson NATO-s të kontrollojë më lehtë Detin Balltik. Në këto rrethana, të gjitha vendet që lagen nga Balltiku, me përjashtim  të Rusisë, do të ishin antare të NATO-s. Suedia do ti sillte NATO-s ishullin Gotland, nga i cili mund të mbrohet një pjesë e madhe e Detit Balltik dhe vetë shtetet Balltike. Rusia do ta kishte të vështirë të operonte në Detin  Balltik. Gjithashtu, Suedia ka pesë nëndetëse shumë moderne të cilat do ta plotësonin flotën e Polonisë dhe të Gjermanisë.

NDRYSHIM DRAMATIK I SITUATËS: Në historinë e gjatë të marrëdhënieve ruso-finlandeze, mundësia e sulmit mbi Rusinë nëpërmjet territorit finlandez dhe përpjekejet e Rusisë për ta përjashtuar këtë mundësi kanë shkaktuar shumë probleme dhe konflikte në marrëdhëniet reciproke mes dy vendeve. Rusia pohonte se injorimi i “interesave të sigurisë ruse, të kuptueshme dhe legjitime”, nuk ka qënë kurrë interes kombëtar i Finlands.

Me rastin e vizitës së fundit në Finlandë, presidenti rus Putin tha se Rusia, duke patur parasysh statusin neutral të Finlandës, ka kohë që i ka tërhequr trupat nga kufiri ruso-finlandez në një largësi prej 1.500 kilometër dhe u qëndron vendimeve të mëparshme në këtë fushë. Ruisa e ka mbajtur parasysh statusin neutral të Finlands madje dhe përkundër intensifikimit të aktiviteteve ushtarake të NATO-s në shtetet Balltike dhe në Detin Balltik në afërsi të kufinjve rusë. Presidenti rus ka kundërshtuar kurdoherë të gjitha insinuatat mbi agresivitetin  e Rusisë ndaj Finlandës, duke deklaruar se nuk ka argumente bindës që të vërtetojnë shqetësimin e finlandezëve mbi  aksionet agresive të Rusisë ndaj vendit të tyre.

Tani, sikurse deklaron pala ruse, situata do të ndryshojë në mënyrë dramatike.

Nëse Finlanda i bashkohet NATO-s, atëherë forcat e saj të armatosura do të bëhen pjesë e infrastrukturës ushtarake të aleancës veriatlantike e cila gjendet, përgjatë kufirit ruso-finlandez me gjatësi prej 1.300 kilometar, në kontakt direkt me forcat e armatrosura ruse, përfshirë edhe afërsinë direkte të Shën Petërburgut dhe Helsinkit. Kërcënimi nga sulmi i forcave të armatosura të NATO-s nga Finlanda do të rritet dramatikisht për Rusinë. Në këtë rast, Rusia nuk do të mund ti përmbahet politikës së deritanishme ndaj Finlandës dhe do të jetë e detyruar të sigurojë interesat e saj me të gjitha mjetet në dispozicion.

Dimitri Medvedevi informoi për grupim serioz të forcave tokësore ruse dhe të Mbrojtjes kundërajrore si dhe shpërndarjen e forcave të rëndësishme detare në ujërat e Gjirit të Finlandës. Gjë që është akoma më serioze, nuk do të jetë më e mundur të ruhet statusi jobërthamor i Balltikut dhe i Veriut të Europës. Kjo do të thotë se Rusia do të instalojë armë bërthamore në Kaliningrad.

Kësisoj, Veriu i ftohtë shndërrohet në një vatër tjetër të nxehtë europiane.


[i] https://www.danas.rs/nedelja/slom-evropske-neutralnosti/