Genc Mlloja
Nga vargu i shpifjeve të pafund lidhur me të drejtat e njeriut në Republikën Popullore të Kinës, e veçanërisht në Rajonin autonom Xinjiang-Ujgur që shtrihet në pjesën veriperëndimore të këtij vendi të madh aziatik, trillime të cilat institucionet e ndryshme të SHBA-së po i shpërndajnë me zell histerik veçanërisht këta muajt e fundit nëpërmjet mjeteve të tyre të propagandës apo edhe deklaratave të politikëbërësve të lartë të saj sa në vend të tyre e sa në veprimtari të aleancave të mbyllura të kryesuara prej saj, duket qartë se Uashingtoni e ka humbur fillin e logjikës së një shteti të madh normal e serioz duke iu rikthyer vijës së vjetër të sjelljes si ‘xhandar ndërkombëtar’ ndaj të gjithë popujve të botës që i konsideron ‘jo miqësor’. Në çdo veprim politik e ekonomik të ‘çunit të mirë’ të globit të vetëshpallur si kampion i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut shtohen vazhdimisht dozat e shpifjeve dhe fabrikimeve, që shkojnë deri në haluçinacione të një të çekuilibruari unikal ndërkombëtar. Zemërimi legjitim i opinionit publik mbarëbotëror ndaj mashtruesit e shpifësit recitivist po shoqërohet me qesendi por edhe shqetësim për pozitat e errta ku ka rënë SHBA ndërsa përpiqet të njollos të tjerët në lloj-lloj mënyrash që i vijnë përdore.
Në vend që të shikonin tek ‘superfuqia’ e dikurshme veprime konstruktive dhe logjike përballë situatës kritike komplekse në të cilën ndodhet i gjithë njerëzimi e tani në radhë të parë Europa dhe të shpresonin në mbështetjen e saj për të kapërcyer pandeminë dhe të gjithë pasojat e saj ekonomike, financiare e sociale, për të kontribuar me përgjegjësi në shuarjen e luftës në Ukrainë, që vazhdon të shkaktojë humbje të shumta njerëzore e shkatërrime masive të cilat të kujtojnë Luftën e Dytë Botërore, për të luajtur rol konstruktiv në vendosjen e paqes, stabilitetit e sigurisë në botë në të mirë të popujve që aspirojnë për mirëqenie e jetë normale, komuniteti ndërkombëtar po ndeshet me arrogantin e luftënxitësin, ngatërrestarin e minuesin e demokracisë së vërtetë në botë, komplotistin kundër qeverive të ligjshme, të cilat nuk pranojnë më të hedhin vallen sipas muzikës së çakorduar amerikane.
Pjesë e këtij skenari obskurantist ishte edhe i ashtuquajturi ‘Raport i Trafikimit të Personave’ i paraqitur ditët e fundit (19 korrik 2022) nga Departamenti amerikan i Shtetit në të cilin Kina është renditur si një ndër vendet e nivelit 3 për trafikimin e qenieve njerëzore. Sipas standarteve të kësaj renditje të përcaktuara nga Uashingtoni, në nivelin 3 përfshihen vende, qeveritë e të cilave nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale të Aktit të Mbrojtjes së Viktimave të Trafikuara për eliminimin e trafikimit dhe nuk bëjnë përpjekje të konsiderueshme për t’i përmbushur ato.
Duke i hedhur një sy çfarë serviret në këtë raport nuk gjen asgjë të re veç riformulimit të serialit të trillimeve të mëparshme amerikane të paraqitura në formë akuzash kundër “politikës së qeverisë (kineze) ose modelit të punës së detyruar, duke përfshirë ndalimin e vazhdueshëm masiv arbitrar të ujgurëve, kazakëve etnikë, kirgizëve etnikë dhe anëtarëve të grupeve të tjera të pakicës turke dhe/ose myslimane në Xinjiang”.
Por të tërheq vëmendjen se në morinë e këtyre fabrikimeve këtë vit Departamenti i Shtetit i referohet edhe trafikimit të qenieve njerëzore në kuadrin e iniciativës ‘Një Brez, Një Rrugë’ (BRI), një megaprojekt i iniciuar nga Kina për projekte të infrastrukturës e komplekse zhvillimi në fusha të ndryshme në mbarë botën. Projekte minerare, fabrika e ndërtime të përmasave të mëdha në vendet e Afrikës, Evropës, Lindjes së Mesme, Azisë, Paqësorit, Amerikës Latine dhe Karaibeve, pothuajse në të gjitha vendet e botës, që janë pjesë e BRI, po përjetojnë, sipas imagjinatës së shthurur amerikane, rekrutim mashtrues nën skllavërinë e borxhit, mbajtje të pagave, parregullsi në kontrata, konfiskim të dokumentacionit të udhëtimit dhe identitetit, e punë të detyruar jashtë orarit.
Foto:VCG
SHBA e ka montuar këtë të ashtuquajtur Raport të Trafikimit të Personave duke gënjyer veten se i gjithë komuniteti ndërkombëtar do të mashtrohej nga halucionacioni i ri amerikan duke harruar se jemi në vitin 2022, se OKB-ja nuk ka më një grusht vendesh si në kohën kur kjo organizatë u krijua duke qenë nën diktatin amerikan, por ka plot 193 anëtarë, që përfaqësojnë vende sovrane me integritet politika e pjesës dërmuese të të cilëve nuk përputhet as me hegjemoninë e numrit një, as më diktatin e tij arrogant.
Realiteti është se SHBA-ja është fuqia më e madhe e trafikimit të qenieve njerëzore, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin në një konferencën për shtyp më 20 korrik duke iu referuar këtij truku amerikan. Asnjë ‘zbukurim’ nuk mund të shlyejë faktin se SHBA është fuqia më e madhe e trafikimit të qenieve njerëzore, sipas zëdhënësit.
Kurse zëdhënësi i ambasadës kineze në Uashington Liu Pengyu e hodhi poshtë raportin si një përpjekje e SHBA-së për të “bërë akuza të pajustifikuara kundër vendeve të tjera”. Ai theksoi se qeveria kineze ka arritur progres të njohur botërisht në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ndërkohë që SHBA ka një histori famëkeqe lidhur me këtë çështje.
Nëse SHBA-së i pëlqen të cilësojë vendet që angazhohen në trafikimin e qenieve njerëzore, së pari ai duhet të drejtojë gishtin drejt vetes, deklaroi diplomati kinez në Uashington Pengyu.
Dhe ka një shprehje kuptimplot, e cila është përdorur fillimisht nga poeti i mirënjohur anglez Geoffrey Chaucer (1342/43 – 25 tetor 1400) në poemën me titull “Troilus dhe Criseyde” më 1385 dhe më pas nga poeti anglez me origjinë uellsiane George Herbert (1593 -1633), që i përshtatet vijës së sjelljes arrogante amerikane: Kur jeton në një shtëpi prej xhami, mos gjuaj me gurë të tjerët!
Mirëpo kur humbet logjika veprimet janë të pakontrolluara dhe autorët e tyre, në këtë rast konkret, SHBA-ja ose kanë harruar historinë ose kujtojnë se të tjerët janë të paditur dhe të verbër përballë faktit tronditës anti-njerëzor se ai vend është ndër më të urryerit botërisht lidhur me tregtinë e skllevërve. Sistemi i skllavërisë ka qenë mbështetur ligjërisht në SHBA për një të tretën e 246 viteve të themelimit të saj si vend. Midis viteve 1514 dhe 1866, të paktën 360.000 ekipe ekspedite të trafikimit të skllevërve trafikuan miliona skllevër me ngjyrë në SHBA.
Foto:VCG
Kur nuk kemi të bëjmë me kohët e lashta, por me periudhën e viteve 1514 – 1866, a mundet kush të fsheh apo të deformojë natyrën e një mizorie të tillë? A guxon kush të falsifikojë historinë dhe të fshehë krimet barbare të SHBA-së si vend i origjinës, tranzitit dhe destinacionit të punës së detyruar? Jo, kurrë! Nuk e bën dot as Departamenti i Shtetit të dhëna të të cilit sado të rezervuara dëshmojnë se çdo vit rreth 100.000 njerëz trafikoheshin në SHBA duke iu nënshtruar punës së detyruar. Ky është një kapitull në vete i makabritetit të shoqërisë kapitaliste amerikane gjurmët e të cilit nuk shlyhen kurrë. Megjithatë nuk ka patur ndalim sistemi i skllavërisë në SHBA; ai ka vazhduar e vazhdon por në forma të skllavërisë me kamuflazh ‘modernist’. Kështu, për shembull, në pesë vitet e fundit, secili nga 50 shtetet e SHBA-së dhe Distrikti i Kolumbias kishin raportuar punë të detyruar dhe raste të trafikimit të qenieve njerëzore. Sipas Linjës Kombëtare të Trafikimit të Njerëzve, numri i rasteve të raportuara u rrit nga 3200 në 11.500 midis viteve 2012 dhe 2019, duke treguar një tendencë të konsiderueshme në rritje.
Nga 100.000 njerëz të trafikuar jashtë shtetit për t’u përfshirë në punë të detyruar, gjysma janë të mitur. Jo shumë kohë më parë, Teksasi raportoi një rast tronditës të trafikut të qenieve njerëzore në një furgon, duke shkaktuar vdekjen e rreth 50 emigrantëve.
Por janë me miliona e miliona emigrantë nga vende të ndryshme, kryesisht nga Amerika Qendrore (e dallohet Meksika), që pasi futen nëpërmjet grupeve klandestine të trafikantëve të qenieve njerëzore në SHBA, shfrytëzohen në mënyrë çnjerëzore në punë të zeza. E fatkeqësisht nuk mund të quhen ndryshe veçse ‘punë të zeza’ sepse ata bëjnë punët më të rënda e të rrezikshme në kushte tejet të vështira, gati-gati primitive, me një pagë nga më të ulëtat në botë. Ata nuk kanë rrugë tjetër veç kësaj pune të detyruar sepse nuk kanë asnjë dokument dhe i nënshtrohen një presioni të paparë psikologjik të deportimit. Është e tepërt të zgjatemi për kushtet e jetesës, shërbimet shëndetësore, sigurimet shoqërore, arsimimin e fëmijëve dhe elementë të tjerë të formatit të të drejtave të njeriut. Nga ana tjetër, janë ata së bashku me popullsinë legale më ngjyrë që i nënshtrohen dhunës më të egër raciale dhe numri i viktimave të tyre nga veprimet genocidiale të organeve policore veç rritet në të gjithë Amerikën, duke krijuar një tronditje të rendit social në këtë vend.
Pavarësisht këtyre pak fakteve sepse vetë shoqatat e popullsisë me ngjyrë amerikane apo organizata ndërkombëtare të specializuara japin shifra rrënqethëse të pafund të diskriminimit më të egër racial në SHBA, autorët e Raportit të sivjetshëm të lartëpërmëndur ishin përpjekur ta ‘zbukuronin’ vendin e tyre si shteti i ‘nivelit 1’ lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore dhe dhunën ndaj popullsisë me ngjyrë e emigrantëve. Por nuk ka si të mos bëjë përshtypje se si ka mundësi që realiteti në këtë aspekt i së kaluarës dhe i të tashmes nuk i turpëron fare jo vetëm hartuesit e Raportit por as edhe figura si Sekretari i Shtetit Antoni Blinken, që u bë zëdhënësi i këtij dokumenti famëkeq si edhe në raste të tjera.
Nga ana tjetër kur ndërmarrin veprime të tilla ata nuk vetëpërmbahen sadopak sepse realiteti për çfarë përpiqen të njollosin Kinën është krejt tjetër. Skllavëria është ‘trademark’ amerikane e perëndimore, nuk është kineze; skllevërit kanë mbushur Amerikën e Europën Perëndimore në një tregti makabër të qenieve njerëzore e jo Kinën; pakicat me ngjyrë me dokumente apo ilegalë vuajnë mizorisht në SHBA e jo në Kinë; zezakët ndërrojnë jetë duke ua marrë frymën forcat policore kurse në Kinë edhe mjedisi po bëhet gjithnjë e më i pastër plot oksigjen dhe i shëndetshëm për tërë popullin pa dallim.
Meqë bateritë edhe ky Raport, por në vazhdimësi e gjithë propaganda amerikane, i ka përqendruar tek rajoni Xinjiang duke tejkaluar çdo shpifje kur referohet edhe për genocid kundër asaj popullsie, disa fakte lidhur me atë rajon e popullsinë e tij duhet ta bëjnë me turp tërë sistemin propogandistik të SHBA-së.
Natyrshëm lind pyetja e thjeshtë por kuptimplote: si mund të argumentohet akuza për shkelje të të drejtave të njeriut e aq më tepër për genocid kur popullsia e Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit ka pësuar rritje nga viti ne vit? E disa të dhëna më të fundit të Zyrës Rajonale të Statistikave evidentojnë një dinamikë në rritje të shtimit të popullsisë, por edhe të shkallës së zhvillimit arsimor e kulturor të kësaj popullsie.
Kështu sipas këtyre të dhënave popullsia atje arriti në 25.85 milionë banorë deri në tetor 2020, një rritje 18.5 për qind nga regjistrimi i gjashtë i popullsisë së vendit në vitin 2010. E për më tepër shkalla e rritjes së popullsisë në rajon gjatë dekadës së fundit ishte më e lartë se sa mesatarja e Kinës! Nga popullsia e përgjithshme e përhershme në Xinjiang, pakica kombëtare Han përbën 42,24 për qind, ndërsa pakicat e tjera zënë 57,76 për qind. Pakica ujgure, pakica më e madhe në rajon, zë gati 45 për qind. Popullsia e kësaj pakice u rrit me 1.62 milionë, ose më shumë se 16.2 për qind në krahasim me një dhjetëvjeçar më parë. Rajoni i Xinjiang-ut ka gjithashtu një popullsi mjaft të re në moshë. Përqindja e njerëzve të moshës 60 vjeç e sipër ishte 11.28 për qind, krahasuar me 18.7 për qind në mbarë vendin.
Rajoni është bërë gjithashtu më i urbanizuar dhe më i arsimuar. Përqindja e popullsisë urbane u rrit me më shumë se 13 pikë përqindje në 10 vjet, ndërsa numri i të arsimuarve u rrit 16.5 për 100 banorë, nivel ky më i lartë se mesatarja e vendit, sipas të dhënave.
Ndërkohë koinçidencë apo jo, por tani është sezoni veror turistik në Kinë dhe Xinjiang-u është një nga destinacionet më tërheqëse për t’u vizituar. Gjatë festës së Kurban Bajramit para pak javësh, Xinjiang priti gjithsej 8.857.800 turistë shifër që është 9.84% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Zhvillimi ekonomik ka shtuar punësimin. Në 5-mujorin e parë të këtij viti, në qytetet e Xinjiang-ut u krijuan 263.000 vende të reja pune. Në sfondin e rënies së ekonomisë globale, ky rezultat është vlerësuar prej bashkësisë ndërkombëtare. Sipas të dhënave, nga viti 2016 deri vjet, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të Xinjiang-ut u shtua nga 139.8 miliardë juanë në 156.9 miliardë juanë, dhe partnerët tregtarë të rajonit janë mbi 170 vende e rajone të botës. Në 5-mujorin e parë të këtij viti, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të rajonit arriti në 67 miliardë e 410 milionë juanë, duke u shtuar 30.9 %.
Ndërkohë Departamenti i Tregtisë i Rajonit Autonom të Xinjiang Ujgur bëri të ditur se investimet nga jashtë rajonit kanë parë rritje të fuqishme në gjysmën e parë të vitit. Sipas departamentit, në rajon është regjistruar një investim i kombinuar prej afro 355.3 miliardë juanë (rreth 52.7 miliardë dollarë amerikanë), 37 për qind më shumë nga viti në vit, raporton agjencia “Xinhua”.
Departamenti rajonal i Tregtisë bëri të ditur se performanca e Xinjiang-ut në tërheqjen e investimeve në gjashtë muajt e parë i atribuohet mjeteve të orientuara nga tregu nga departamente të ndryshme dhe masave inovative të promovimit të investimeve. Departamenti gjithashtu njoftoi se do të vazhdojë të angazhohet për të përmirësuar mjedisin e investimeve të Xinjiang dhe të promovojë përmirësimin e industrive të rajonit.
Por çfarë tërheq vëmendjen është fakti se Rajoni Autonom i Xinjiang-Ujgurit është ura e Kinës me Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme dhe Europën. Ai luan një rol të rëndësishëm në nismën kineze “Një brez, një rrugë”, e cila është një kornizë e rrjeteve tregtare e infrastrukturore që lidhin Azinë me Europën dhe Afrikën përgjatë e përtej Rrugës së Mëndafshit të lashtë.
Gjatë vizitës në Xinjiang (12-15 korrik, 2022), Presidenti Xi Jinping e quajti këtë rajon “qendër” të bashkëpunimit në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”.
“Xinjiang-u është shndërruar nga një rajon relativisht i mbyllur i brendshëm në frontin e hapjes”, u tha presidenti Xi punonjësve në Zonën e Portit Tokësor Ndërkombëtar të Urumqit, ndërsa Kina po promovon zgjerimin e hapjes, zhvillimin e rajoneve perëndimore dhe ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë.”
Në vitin 2016, Porti Tokësor Ndërkombëtar i Urumqit nisi shërbimin e trenave të mallrave Kinë-Europë, dhe që nga ajo kohë janë shtuar vazhdimisht trenat që kalojnë nëpërmjet këtij porti. Pavarësisht nga ndikimi i pandemisë së COVID-19, numri i trenave të mallrave Kinë-Europë që kanë hyrë dhe dalë nëpërmjet portit Horgos në vitin 2020 ishte mbi 4720, duke shënuar një rritje 43 % në krahasim me vitin 2019.
Sipas zyrtarëve vendorë të doganave, trenat e mallrave Kinë-Europë janë mirëpritur nga më shumë kompani gjatë pandemisë për arsye të çmimit të ulët, të kapacitetit të madh transportues dhe të stabilitetit e të ndërlidhshmërisë së mirë. Alashankou është porti hekurudhor më i afërt i Kinës me Europën. Në janar të vitit 2020, ky port nisi tregtinë elektronike ndërkufitare, dhe që atëherë mallrat, si lodra, produkte dixhitale, veshje etj., të prodhuara nga Kina, janë transportuar në Europë.
Të dhënat nga doganat tregojnë se që nga janari i vitit 2020, më shumë se 57 milionë pako të tregtisë elektronike ndërkufitare me vlerë mbi 1 miliard juanë (rreth 160 milionë dollarë amerikanë) janë eksportuar nëpërmjet këtij porti.
Uniteti etnik është linja e shpëtimit për njerëzit e të gjitha grupeve etnike në Kinë dhe se të gjitha grupet etnike në Xinjiang janë anëtarë të pandashëm të familjes së kombit kinez, deklaroi Presidenti Xi gjatë udhëtimit të tij në Xinjiang.
“Njerëzit duhet të vlerësojnë stabilitetin dhe unitetin aktual në Kinë, me të gjitha 56 grupet etnike që qëndrojnë së bashku. Për më tepër, mbështetja e njerëzve është jetike për të siguruar stabilitetin e qëndrueshëm të Xinjiang-ut”, tha ai në Xinjiang, i cili tradicionalisht ka qenë shtëpia e njerëzve nga më shumë se 13 grupe etnike dhe ndan një kufi me tetë vende.
Një deklaratë e tillë nënkupton qartë se SHBA e aleatët e tyre më të ngushtë perëndimorë e kanë përqendruar ofensivën diversive për të nxitur separatizmin etnik dhe ekstremizmin fetar me objektiv kryesisht rajonin Xinjiang me synimin e përhershëm të destabilizimit të Kinës, përpjekje që ka dështuar me turp në të kaluarën e nuk ka të ardhme. Gjithashtu, kjo propagandë synon të krijojë nje hendek midis popullit kinez, prandaj Xi deklaroi se Kina është një vend i bashkuar multietnik, ku populli kinez i të gjitha grupeve etnike të bashkuar në diversitet është një tipar i spikatur. “Teoritë dhe politikat etnike në vend janë të shëndosha dhe efektive”, tha Presidenti Xi gjatë vizitës në Universitetin Xinjiang në Urumqi. Presidenti theksoi se Kina, një vend me unitet etnik, është i pathyeshëm dhe do të ketë një të ardhme të ndritur.
Përkundrejt sa më sipër makina propagandistike amerikane bën mirë në një farë mënyre që qarkullon raporte e dokumente të tjera të këtij lloji trillues sepse nuk bën gjë tjetër veçse demaskon veten në shekullin 21. Nivelet 1, 2, 3, 4, e gjithë shkalla ‘vlerësuese’ amerikane për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut duhet në radhë të parë të kapërcehen nga vetë SHBA në mënyrë që të gjitha shtresat e popullsisë amerikane, të bardhë e me ngjyrë, përfshi edhe emigrantët ilegalë këta miliona skllevër të kohërave moderne, të gëzojnë çdo të drejtë njerëzore ashtu sikurse ndodh me popullin kinez së bashku me 56 grupet etnike në të katër anët e vendit të tyre.