Artikull i Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri, A.Zaytsev me rastin e 80-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike*
Çdo vit, më 9 maj, ne, qytetarët rusë, dhe së bashku me ne qytetarë të shumë shteteve të tjera, festojmë një datë të veçantë në historinë e vendit tonë – Ditën e Fitores së popullit sovjetik në Luftën e Madhe Patriotike 1941-1945. Pikërisht 80 vjet më parë, atmosfera e tragjedisë së rëndë, e vuajtjeve të mëdha njerëzore dhe e luftës së përgjakshme u shpërnda dhe i la vendin ndjenjës së paqes së shumëpritur, lirisë, ngazëllimit dhe shpresës. Në hapësirat e kontinentit evropian mbretëroi më në fund qetësia duke i lejuar njerëzit të krijojnë dhe të ndërtojnë përsëri.
Në këtë ditë, njerëzimi mori frymë thellë, u bë dëshmitar i triumfit të drejtësisë, i fitores të së mirës ndaj të keqes. E keqja absolute – nazizmi dhe fashizmi dhe gjithçka që lidhej me ta: ideologjia njeriurryese, etja për sundim botëror, teoria e epërsisë racore – u shpall e paligjshme nga Tribunali i Nurembergut dhe u refuzua nga e gjithë bota si diçka e pamoralshme dhe e papranueshme.
Duke festuar Ditën e Fitores, ne jo vetëm nderojmë heronjtë-fitimtarë, pikëllohemi për ata që mbetën përgjithmonë në fushat e betejave, duke sakrifikuar jetën e tyre për të drejtën e brezave të ardhshme për të jetuar, dashuruar dhe rritur fëmijë, por gjithashtu përpiqemi të nxjerrim mësime nga e kaluara historike, t’ua përcjellim ato të rinjve, të cilët nuk i njohën tmerret e luftës dhe dhimbjen për humbjet e hidhura të atyre, që u vranë nga bombardimet, humbën jetën, duke u tretur në kampet e përqendrimit, u pushkatuan apo u varën.
Nuk duhet të harrojmë se çfarë ishte ajo që solli një kthesë kaq të trishtë të ngjarjeve. Ndërsa “murtaja naziste” po përhapej në gjithë Evropën, kryeqytetet perëndimore, me shpresën për të garantuar sigurinë e tyre në kurriz të të tjerëve, bënë zgjedhjen dritëshkurtër në favor të politikës së pajtimit me regjimin hitlerian, apoteoza e të cilit u bë anschluss-i (aneksimi) i Austrisë në mars 1938 dhe Marrëveshja e Mynihut në shtator 1938. Marrëveshja për ndarjen e Çekosllovakisë, e nënshkruar në Mynih më 30 shtator 1938 nga kryeministrat e Britanisë së Madhe (N.Chamberlain), Francës (E. Daladier), Italisë (B. Mussolini) dhe kancelari i Rajhut gjerman (A. Hitler), shërbeu si një “shkas”, pas të cilit lufta e madhe në Evropë u bë e pashmangshme.
Fillimi i saj u parapri nga konfliktet ushtarake në pjesë të ndryshme të botës, të tilla si sulmi i Italisë ndaj Etiopisë (tetor 1935) dhe Shqipërisë (prill 1939), lufta civile në Spanjë (korrik 1936-prill 1939), agresioni i Japonisë kundër Kinës (korrik 1937-shtator 1945).
Madje edhe në vitin 1939, kur u bë e qartë se konflikti i armatosur ishte i pashmangshëm, Parisi dhe Londra nuk dëshiruan të pranonin propozimet e përsëritura të BRSS për krijimin e një sistemi të përbashkët të sigurisë kolektive dhe formimin e një koalicioni antihitlerian. Duke besuar në mënyrë naive se nuk do të prekeshin nga lufta, fuqitë perëndimore bënë një lojë të dyfishtë, duke u përkjekur të drejtonin agresionin hitlerian në Lindje, me shpresën se Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik do të përplaseshin dhe do të shkatërronin njeri-tjetrin.
Si rezultat, më 1 shtator 1939, trupat hitleriane hynë në Poloni, ndërsa në 22 qershor 1941, në agim, Gjermania naziste, pasi shkeli Traktatin e mos-sulmit, të nënshkruar me BRSS në gusht 1939, pa i shpallur luftë, në mënyrë të pabesë, hyri në një front të gjerë në territorin e vendit tonë.

Banorët e Moskës gjatë njoftimit të qeverisë në radio për sulmin e pabesë
të Gjermanisë naziste ndaj Bashkimit Sovjetik. 22 qershor 1941. Autor: E.
Khaldey.
Bashkimi Sovjetik u përball me ushtrinë më të stërvitur, më të mobilizuar dhe më të fuqishme në botë, për të cilën punonte i gjithë potenciali ushtarak, ekonomik dhe industrial i pothuajse të gjithë Evropës së asaj kohe. Në këtë pushtim vdekjeprurës mori pjesë jo vetëm Vermahti, por edhe satelitet e Gjermanisë, kontigjentet e shumë shteteve të kontinentit evropian. Kundër makinerisë pushtuese moderne naziste, gjakftohtë dhe të armatosur gjer në dhëmbë u ngrit e gjithë shoqëria sovjetike, e bashkuar me qëllimin për të mbrojtur tokën mëmë, për t’u hakmarrë ndaj armikut që nëpërkëmbi jetën paqësore, planet dhe shpresat për të ardhmen.
Për popujt e BRSS lufta zgjati rreth katër vjet. Dëmi, i shkaktuar Bashkimit Sovjetik, ishte kolosal. Dy të tretat e pasurisë kombëtare kishin humbur në territoret e pushtuara. Pushtuesit gjermano-fashistë shkatërruan e dogjën 1710 qytete dhe qyteza, si edhe më shumë se 70 mijë fshatra sovjetikë. U rrënuan më shumë se 6 milionë ndërtesa, rreth 32 mijë ndërmarrje industriale, 84 mijë shkolla dhe institucione arsimore, 40 mijë spitale dhe poliklinika. 25 milionë njerëz mbetën të pastrehë. E gjithë kjo duhej të restaurohej dhe të ndërtohej nga e para.
Që në orët dhe ditët e para të luftës, udhëheqja e lartë politike dhe ushtarake e BRSS kreu një punë shumë të madhe organizative si për të ristrukturuar ekonominë e vendit, duke e fokusuar atë në fushën ushtarake, ashtu edhe për të bashkuar popullsinë civile dhe ushtrinë, me qëllim zmbrapsjen e agresorit. Në luftë kundër pushtuesve fashistë u ngrit pothuajse i gjithë populli sovjetik. Në momentin e sulmit të Gjermanisë ndaj BRSS në shërbimin ushtarak ndodheshin afro 5 milionë njerëz. Gjatë viteve të luftës, në ushtri dhe në flotën detare kishte tashmë 34,5 milionë njerëz. Në përbërje të Ushtrisë së Kuqe me armë në duar luftuan përfaqësues të popujve të ndryshëm: rusë, ukrainas, bjellorusë, uzbekë, kazakë, armenë, azerbajxhanë, taxhikë, kirgizë, turkmenë, hebrenj, përfaqësues të popujve të vegjël të Veriut dhe Kaukazit shumëkombësh, të cilët u ngritën në mbrojtje të Atdheut të tyre të përbashkët.

Pionierët mbushin thasë me rërë për të shuar bombat gjermane ndezëse. Korrik 1941. Autor: S.Vasin

Në makineritë e etërve. 1941. Autor: I.Shagin
Pikërisht Bashkimi Sovjetik dhe Ushtria e Kuqe dhanë një kontribut vendimtar në mposhtjen e nazizmit. Në betejat për çlirimin e territorit të Atdheut të tyre dhe të një sërë vendesh të Evropës humbën jetën 27 milionë qytetarë sovjetikë. Më shumë se 600 mijë ushtarë të Ushtrisë së Kuqe ranë në betejat për çlirimin e Polonisë; rreth 140 mijë për çlirimin e Hungarisë, po kaq për çlirimin e Çekosllovakisë, ku mbrojtja naziste ishte më e fortë. Humbjet e pakthyeshme të Ushtrisë së Kuqe gjatë çlirimit të Gjermanisë arritën në 102 mijë; të Rumanisë – në 69 mijë, të Austrisë – në 26 mijë, të Jugosllavisë – në 8 mijë, të Norvegjisë – në 3,5 mijë, të Bullgarisë – në 1 mijë persona. Është për të ardhur keq që në librat e historisë së shumë vendeve të Evropës së sotme këta të rënë nuk përmenden, herë-herë BRSS madje nuk përfshihet mes vendeve të koalicionit antihitlerian. Sikur e gjithë kjo të mos kishte ndodhur kurrë!
Një rol kyç në çlirimin e territoreve të pushtuara përkohësisht të BRSS luajtën Beteja e Moskës, e Stalingradit dhe e Kurskut, operacionet sulmuese të Bjellorusisë dhe të Berlinit. Një domethënie të madhe pati fitorja e Ushtrisë së Kuqe në betejën e Stalingradit (korrik 1942-shkurt 1943). Ajo i lejoi Bashkimit Sovjetik të ndryshonte rrjedhën e luftës, të rrëmbente iniciativën strategjike dhe të mos e lëshonte atë deri në fitoren e plotë mbi Gjermaninë fashiste. I rëndësishëm ishte edhe fakti që aleati i Gjermanisë, Japonia, pas rezultateve të kësaj beteje, hoqi dorë përfundimisht nga planet e saj për të hyrë në luftë kundër BRSS. Si rezultat i fitores së Ushtrisë së Kuqe në betejën e Kurskut në verën e vitit 1943, operacionit të suksesshëm sulmues në Bjellorusi në verën e vitit 1944, u krijua një themel i rëndësishëm për ofensivën e mëvonshme të trupave sovjetike, me qëllim çlirimin e Polonisë dhe përparimin e mëtejshëm të ushtrisë së Kuqe në Gjermani dhe në Ballkan. Operacioni sulmues në Berlin i trupave sovjetike i dha fund Luftës së Madhe Patriotike. Ai është një nga betejat më të mëdha dhe më të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore. Më 20 prill 1945 nisi sulmi ndaj Rajhstagut, dhe për më pak se dy javë armiku u thye dhe u mposht. Më 8 maj 1945 (9 maj sipas orës së Moskës) në Karlhorst pranë Berlinit u nënshkrua Akti i Kapitullimit të Plotë dhe pa Kushte të Gjermanisë.

Gratë shoqërojnë ushtarët gjermanë të kapur afër Moskës.
Rezistenca heroike e popujve të BRSS kundër ushtrive hitleriane me fuqi superiore frymëzoi miliona qytetarë të vendeve evropiane në luftë kundër fashizmit dhe nazimit. Ushtarët e Ushtrisë së Kuqe, partizanët sovjetikë, anëtarët e Lëvizjes së Rezistencës në Itali, Francë, Jugosllavi, Çekosllovaki, Greqi, Belgjikë, Hollandë, Norvegji dhe vende të tjera të Evropës – njerëz të kombësive, pikëpamjeve dhe besimeve të ndryshme, e ndjenë veten si një trup i vetëm kundër forcave të së keqes.

Fishekzjarrët e Fitores në Moskë. Pamje e Sheshit të Kuq. 9 maj 1945

Banorët e Pragës së çliruar përshëndesin një makinë me ushtarakë sovjetikë. 9 maj 1945. Autor: A.Egorov
Së bashku me Bashkimin Sovjetik, fitoren ndaj “murtajës naziste” e afroi edhe Shqipëria, e cila ishte pjesë e koalicionit antihitlerian. Që nga viti 1943 në këtë vend nisi një lëvizje masive partizane dhe filloi formimi i Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare. E gjithë kjo solli më 17 nëntor 1944 çlirimin nga pushtuesit gjermanë të kryeqytetit të vendit, Tiranës, dhe më 29 nëntor të po atij viti – të të gjithë Shqipërisë. Kjo u bë e mundur, në një masë të madhe, falë shpartallimit të trupave fashiste në frontin sovjeto-gjerman. Për shembull, në Deklaratën e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë, miratuar në Mbledhjen e Dytë në Berat (tetor 1944) thuhej si më poshtë: “Ne e konsiderojmë Ushtrinë e Kuqe si forcën kryesore që mposhti armikun e betuar të njerëzimit. Për ne, ajo është simbol i luftës antifashiste për liri, garancia më e madhe e të drejtave tona. Për këtë, ne i jemi mirënjohës Bashkimit Sovjetik, dhe populli ynë nuk do të harrojë kurrë ndihmën e madhe dhe luftën heroike të Ushtrisë së Kuqe, e cila na shpëtoi nga fatkeqësia”.
28 mijë patriotë trima ranë në luftë për lirinë e Shqipërisë. Në Rusi kujtojnë dhe nderojnë heroizmin, guximin dhe trimërinë e tyre të pashembullt që ndihmuan në thyerjen e kreshtës së fashistë në Ballkan. Në radhët e Ushtrisë së Kuqe luftuan edhe luftëtarë me rrënjë shqiptare. Midis tyre janë A.D.Spartak (fshati Lekdush), Y.P.Lobaçov (q.Shkodër), E.I.Tanjev (q.Mezhin) etj. Historia e rrugëtimit të tyre ushtarak është përjetësuar në portalin rus “Kujtesa e popullit”[1].
Çfarë mësimesh kemi nxjerrë nga historia e Luftës së Dytë Botërore? Sigurisht, janë shumë. Megjithatë, mësimi kryesor pas përfundimit të saj ishte ndërgjegjësimi i përgjithshëm se ideologjia e nazizmit është një e keqe absolute dhe se ajo nuk duhet të rilindë më asnjëherë dhe askund. Khatyn-i bjellorus, Buchenwald-i gjerman, Auschwitz-i polak – këta janë emrat e vetëm tre prej dyzetë mijë vendeve, që treguan fytyrën e vërtetë të nazizmit. Është e vështirë të imagjinohet, se sa e përbindshme do të kishte qenë bota nën udhëheqjen e Gjermanisë naziste dhe e aleatëve të saj.
BRSS pësoi humbjet më të mëdha në Luftën e Dytë Botërore, duke paguar një çmim të paimagjinueshëm për Fitoren. Vetëm sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 27 milionë qytetarë sovjetikë humbën jetën, nga të cilët të paktën dy të tretat ishin civilë. Por, pas kësaj shifre qëndron tragjedia e përmasave të pazakonta. Miliona të burgosur lufte të torturuar në birucat e kampeve të përqendrimit, të vrarë brutalisht, të vdekur nga uria, të copëtuar dhe të djegur për së gjalli nga forcat ndëshkuese të SS-së dhe mbështetësit e tyre, të vrarë barbarisht nga artileria dhe sulmet ajrore. Miliona fate të thyera. Miliona fëmijë të palindur. Në vendin tonë nuk ka familje që nuk ka humbur dikë në atë luftë.
Viktimat kolosale mes popullsisë sovjetike ishin rezultat i politikës së planifikuar të udhëheqjes hitleriane. Nga materialet e procesit të Nurembergut, bota mësoi për dokumente, të tilla si “Plani i urisë”, i cili parashikonte ndërprerjen e plotë të furnizimit me ushqime të qyteteve sovjetike (i zbatuar pjesërisht gjatë bllokadës së Leningradit), dhe “Dekreti për mosgjykim në Frontin Lindor”, i cili e përjashtonte Vermahtin nga përgjegjësia për krimet e luftës. Në territoret e pushtuara të Rusisë, Bjellorusisë, Ukrainës, Moldavisë dhe vendeve baltike hitlerianët zbatuan politikën e eliminimit të “popullsisë së tepërt”, e cila mbartte të gjitha tiparet e një genocidi. Me fjalë të tjera, rusët dhe popujt e tjerë të Bashkimit Sovjetik zhvilluan një luftë për ekzistencë fizike.

“Kombat” është një nga fotografitë më të famshme të Luftës së Madhe
Patriotike. Fotoja përshkruan instruktorin politik A.G.Eremenko duke ngritur
ushtarët për sulm, disa sekonda para vdekjes së tij. 12 korrik 1942. Autor:
M.Alpert
Po çfarë shohim sot? Koha ka kaluar dhe shumë pak dëshmitarë të krimeve të nazizmit kanë mbetur gjallë. Kjo po përdoret nga propagandistët e angazhuar, të cilët nëpërmjet heshtjes, revizionizmit dhe falsifikimit, po vendosin në një anë të peshores edhe çliruesit, edhe kriminelët nazistë. Në shtetet e Evropës u shfaqën ata, që papritur vendosën të heqin dorë nga e kaluara e tyre heroike dhe të shpallin heronj bashkëpunëtorët dhe kolaboracionistët e Hitlerit dhe të Gëbelsit, dhe të cilësojnë si “të huaj” dhe persona të padëshirueshëm ata, që çliruan nga tmerri nazist Auschwitz-in, Ravensbrück-un, dhe pasardhësit e tyre.

Fëmijë të burgosur të kampit të përqendrimit të Auschwitz-it në orët e
para pas çlirimit të tij nga Ushtria e Kuqe. Janar 1944. Autor: B.Fishman
Kështu, në vendet baltike dhe në vende të tjera të Evropës zhvillohen marshime të neonazistëve dhe nacionalistëve që lëvdojnë dhe heroizojnë ata që vranë, varën dhe torturuan mijëra qytetarë të pafajshëm në emër të “Rajhut të Tretë”, të së mirës dhe sundimit të tij botëror. Ne vërejmë prishje masive të monumenteve të heronjve sovjetikë çlirimtarë, përdhosje të varreve, përndjekje të veteranëve, etj. Përpjekjet për të hequr qafe dëshmitë materiale të Luftës së Dytë Botërore është një favorizim i drejtpërdrejt i harresës historike. Nëse ditaret e Ana Frank dhe vajzës leningradase, Tanja Saviçeva janë monumente madhështore në letër, që rrëfejnë për ideologjinë çnjerëzore të nazizmit, atëherë varrezat ushtarake, monumentet e ushtarëve dhe udhëheqësve ushtarakë të rënë janë një monument i gdhendur në gur dhe i shkrirë në metal.
Edhe një shembull tjetër. Pas grushtit të shtetit në 2014, regjimi i Kievit filloi të zbatojë teorinë dhe praktikën e nazizmit në legjislacion dhe në jetën e përditshme; pa hezitim, nisi të organizojë në qendër të Kievit dhe qyteteve të tjera të Ukrainës marshime me pishtarë nën flamujt e divizioneve të SS-së; të praktikojë diskriminim në bazë gjuhësore dhe etnike, viktima të të cilit, meqë ra fjala, nuk janë vetëm rusët, por edhe komunitetet e tjera kombëtare që jetojnë në Ukrainë. Në mënyrë aktive, u inkurajua në nivel shtetëror glorifikimi i kolaboracionistëve ukrainas që në vitet e luftës bashkëpunuan me pushtuesit nazistë nën maskën e pjesmarrësve në lëvizjen “nacionalçlirimtare”. Bandera, Shukhevich dhe të tjerë, fajtorë për vrasjet e tmerrshme të hebrenjve, polakëve dhe rusëve, u bënë ikona të Ukrainës moderne. Ndjekësit e tyre aktualë shpallën në vitin 2014 popullsinë e Donbasit “terroriste”, atëherë edhe dogjën për së gjalli 48 persona në Shtëpinë e Sindikatave në Odesa (më 2 maj) dhe ndëshkuan banorët e Mariupolit në Ditën e Fitores (më 9 maj). Duket se Evropa që mbështet me zell politikën e autoriteteve të Kievit, e ka harruar ferrin që i solli gjithë botës ideologjia e fashizmit dhe e nazizmit të shekullit të kaluar.
Në arenën ndërkombëtare kanë kumbuar fjalë për epërsinë e një grupi shtetesh ndaj shteteve të tjera, për detyrimin e secilit për të ndjekur një lloj “rendi të bazuar në rregulla”, për ekskluzivitetin dhe të drejtën, që rrjedh a priori prej tij, në të gjitha veprimet dhe hapat. Organizata e Kombeve të Bashkuara, e lindur në zjarrin e Luftës së Dytë Botërore dhe e krijuar për të garantuar paqen e sigurinë, nuk gëzon respektin e merituar. Dispozitat e Kartës së saj respektohen vetëm në mënyrë selektive. Vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që janë të detyrueshme për të gjithë, shpesh injorohen, si në rastin e Marrëveshjeve të Minskut 2015.
Tendencat për glorifikimin e nazizmit u ndërthurën me nxitjen e rusofobisë. Përpjekjet për “anulimin” e kulturës, sportit, shkencës ruse, shkelja e të drejtave të qytetarëve rusë për motive politike u bënë tipar tmerrues i epokës. Rusofobia është bërë normë e peizazhit modern politik evropian.
Për të parandaluar shfaqjen e një “murtaje naziste” të re, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me iniciativën e Rusisë dhe me mbështetjen e bashkëmendimtarëve dhe aleatëve të saj, miraton çdo vit rezolutën për kundërveprimin ndaj glorofikimit të nazizmit. Është e trishtueshmë që vendet e Evropës, të udhëhequra nga pikëpamje konjiunkturore, gjatë tre viteve të fundit kanë votuar kundër këtij dokumenti të rëndësishëm.
Duam të besojmë që kujtimi për Luftën e Dytë Botërore dhe mësimet e nxjerra prej saj, do të na ndihmojnë të shmangim një katastrofë të re në shkallë të gjerë me viktima të shumta dhe shkatërrime njerëzore edhe më të mëdha. Rusia, ashtu si edhe Shqipëria, e dinë nga përvoja e tyre se çfarë është nazizmi dhe fashizmi. Është në interesat tona që të ndalojmë çdo manifestim modern të epërsisë kombëtare, të mos lejojmë të harrohet bëma e madhe e gjyshërve dhe e stërgjyshërve tanë, falë të cilëve ne jetojmë dhe jemi të lirë, të ndihmojmë në garantimin e qëndrueshmërisë, sigurisë dhe lulëzimit të shteteve dhe popujve në planet. Pa ekzagjerim, kjo është detyra dhe përgjegjësia jonë e përbashkët para të gjithë botës, para brezave të sotëm dhe atyre të ardhshëm.
[1] https://pamyat-naroda.ru/
*Ky artikull është publikuar ekskluzivisht në edicionin special të Revistës online “ARGUMENTUM“
© 2025 Argumentum