Alexey Zaytsev
Ambasadori i Rusisë në Shqipëri
81 vjet më parë përfundoi Lufta e Madhe Patriotike e viteve 1941-1945, e cila i dha fund eksperimentit të përgjakshëm dhe çnjerëzor që Gjermania naziste kishte nisur në kontinentin evropian.
Ushtria e Kuqe, nëpërmjet një ofensive, mori Berlinin dhe Gjermania kapitulloi pa kushte. Kështu mori fund Rajhu i Tretë dhe krijesat e tij monstruoze – ideologjia e epërsisë racore, urrjetja ndaj njeriut, doktrina e luftës totale, gjenocidi ndaj popullit të BRSS dhe Holokausti.
Bashkimi Sovjetik mbajti barrën kryesore të shpartallimit të nazizmit, duke shkatërruar afërsisht 80% të forcave dhe aseteve të Wehrmacht-it, ndërsa u bë vendi vuajti më shumë nga lufta. Çmimi i Fitores ishte i paimagjinueshëm. 27 milionë qytetarë sovjetikë humbën jetën, dhjetëra mijëra qytete dhe fshatra u dogjën dhe
u shkatërruan, dhe 25 milionë njerëz u mbetën pa strehë. 19 prilli është shpallur në vendin tonë Dita e përkujtimit të gjenocidit ndaj popullit sovjetik.
Më shumë se një milion ushtarë të Ushtrisë së Kuqe ranë në betejë për çlirimin e Evropës së skllavëruar nga nazistët – të Polonisë, Çekosllovakisë, Hungarisë, Rumanisë, Austrisë, Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Norvegjisë.
Lidhjet e luftës së përbashkët kundër fashizmit bashkojnë Rusinë edhe me Shqipërinë, e cila arriti të çlirojë territorin e saj nga pushtuesit pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë të huaj, duke humbur më shumë se 28 mijë qytetarë të saj në këtë luftë.
Bashkimi Sovjetik ishte një nga vendet e para që mbrojti zyrtarisht rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë: më 18 dhjetor 1942, Komisariati Popullor i Punëve të Jashtme i BRSS lëshoi deklaratën “Mbi Pavarësinë e Shqipërisë”. Në të theksohej se Bashkimi Sovjetik nuk e njihte aneksimin italian të vitit 1939 dhe mbështeste të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje. Ky ishte një hap i rëndësishëm për partizanët shqiptarë që vazhdonin luftën, pasi forcoi autoritetin e tyre si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Në gusht të vitit 1944, një mision ushtarak i BRSS-së mbërriti në Shqipëri. Një grup oficerësh, radistësh, kriptografësh dhe përkthyesish, të udhëhequr nga majori K.P. Ivanov dhe më vonë nga koloneli S.V. Sokolov, u sollën nga një grup ajror
i detyrave të veçanta për të vendosur lidhje me partizanët në Ballkan. Ata u vendosën në selinë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë (UNÇ), duke përparuar bashkë me të në veri, ndërsa vendi çlirohej.
Misioni ushtarak sovjetik, pavarësisht se ishte i vogël në numër (vetëm 5-7 persona), pati një rëndësi të madhe. Ai ndihmoi në koordinimin e operacioneve të UNÇ -së, duke mbledhur informacion mbi numrin, vendosjen dhe lëvizjet e trupave gjermane (përfshirë grupin e ushtrive “E”, gjë që ishte shumë e rëndësishme në kushtet, kur Ushtria e Kuqe kishte filluar çlirimin e Rumanisë dhe Bullgarisë), duke analizuar informacionin mbi forcën aktuale të partizanëve shqiptarë dhe veprimet e kolaboracionistëve. Prania e një misioni sovjetik në Shqipëri i siguroi Moskës informacione të besueshme, të dorës së parë. Më parë, këto informacione vinin përmes jugosllavëve dhe britanikëve.
Nuk mund të harrojmë gjithashtu se, pavarësisht largësisë gjeografike të teatrit të luftimeve në Shqipëri, Bashkimi Sovjetik u dërgoi ndihmë ushtarake partizanëve, duke organizuar dërgesa nga ajri me armë, municione dhe medikamente. Këto furnizime nuk ishin në shkallë të gjerë, për shkak të vështirësive logjistike dhe ishin më modeste në vëllim se ato anglo-amerikane. Megjithatë, vlera e tyre ishte e madhe, duke marrë parasysh kompleksitetin e dërgimit. Me koordinimin e këtyre dërgesave nga ajri u mor gjithashtu misioni ushtarak sovjetik.
Mbërritja e trupave ruse u bë një sinjal politik vendimtar për të gjithë Shqipërinë që luftonte, dhe veçanërisht për Ushtrinë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë.
Në atë kohë, Ushtria e Kuqe ishte bërë simboli kryesor i fitores mbi fashizmin. Lajmi i triumfit në Stalingrad dhe Kursk dhe operacionet e shkëlqyera sulmuese të vitit 1944 frymëzuan të gjithë botën dhe u përdorën në mënyrë efektive për të rritur moralin e luftëtarëve të rezistencës shqiptare.
Sigurisht, deri në vitin 1944, në vend tashmë vepronin misionet ushtarake amerikane dhe britanike. Megjithatë, udhëheqja e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë ishte e kujdesshme në lidhje me aktivitetet e tyre, duke dyshuar se mbështesnin forcat reaksionare, madje edhe ato kolaboracioniste me qëllim parandalimin e forcimit të pozitave të partizanëve komunistë.
Prandaj, vetë prania e emisarëve sovjetikë në shtabin e partizanëve shqiptarë kishte një rëndësi të madhe morale dhe politike. Sinjali i mbështetjes nga BRSS-ja rriti ndjeshëm pozitat ndërkombëtare të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, duke i lejuar asaj të vepronte për interesat kombëtare, pa marrë parasysh presionin nga vendet e treta që përpiqeshin të shfrytëzonin kontradiktat e brendshme shqiptare.
Oficerët sovjetikë morën pjesë në Mbledhjen e Dytë e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë në Berat në tetor 1944, duke i dhënë asaj një rëndësi ndërkombëtare. Ishte në përfundim të kësaj mbledhjeje që u miratua një deklaratë zyrtare, në të cilën theksohej: “Ne e konsiderojmë Ushtrinë e Kuqe forcën kryesore që mundi armikun e betuar të njerëzimit. Për më tepër, për ne, ajo është një simbol i luftës antifashiste për liri, garancia më e madhe e të drejtave tona. Për këtë, ne i jemi mirënjohës Bashkimit Sovjetik dhe populli ynë nuk do ta harrojë kurrë ndihmën e madhe dhe luftën heroike të Ushtrisë së Kuqe, e cila na shpëtoi nga katastrofa”.
Misioni sovjetik qëndroi në Shqipëri deri në çlirimin e vendit. Në nëntor 1944, oficerët e saj, së bashku me njësitë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, hynë solemnisht në Tiranën e çliruar. Në dhjetor 1944, në bazën e UNÇSH u organizua një mision diplomatik i përkohshëm i BRSS-së, i cili u bë themeli për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike në vitin 1945.
Edhe pas ndërprerjes së marrëdhënieve me BRSS-në në vitin 1961, udhëheqja shqiptare e vlerësoi lart punën e oficerëve sovjetikë, duke i karakterizuar kontaktet me grupin si një “miqësi e pastër”.
Miqësia e pastër e bazuar në vëllazërinë në luftë, e forcuar nga Fitorja e përbashkët mbi armikun e dehumanizimit kafshëror, është një trashëgimi e pasur që na e kanë lënë paraardhësit tanë. Është kënaqësi të theksohet se në shumë familje shqiptare, kujtimi i këtyre lidhjeve ruhet dhe nderohet.
Edhe qytetarët tanë në Rusi kujtojnë mirë se kjo Fitore u arrit nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta me aleatët e Koalicionit antihitlerian. Ata e kujtojnë ndihmën e dhënë nëpërmjet Lend-Lease, ata kujtojnë zbarkimin në Normandi dhe i nuk i harrojnë bëmat e heronjve të lëvizjes së rezistencës antifashiste në Evropë.
Në Rusi çmohet historia e luftës së përbashkët kundër së keqes globale. Kjo histori, nëse çmohet dhe respektohet, mund të shërbejë gjatë si një themel i fortë për respekt të ndërsjellë, një ndjenjë uniteti në kontinentin evropian dhe një përgjegjësi të përbashkët për të ardhmen e tij.
Ndoshta kjo është pikërisht arsyeja pse kujtesa e përbashkët dhe e vërteta rreth luftës tani janë nën një sulm kaq të ashpër nga forca që, me sa duket, nuk kanë interes për paqen panevropiane.
Rishikimi i rezultateve të Luftës së Dytë Botërore është bërë një temë e debatuar ashpër në politikën bashkëkohore evropiane. Konsensusi i bazuar në vendimet e Tribunalit të Nurembergut dhe sistemit Jaltë-Potsdam po minohet në mënyrë aktive.
Në nivelin legjislativ, agresorët po barazohen me çlirimtarët. Në Rezolutën e Parlamentit Evropian të vitit 2019 “Mbi Rëndësinë e Kujtesës Evropiane për të Ardhmen e Evropës”, e bazuar në interpretime historike mjaft selektive dhe të anshme, Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik njihen si përgjegjës të barabartë për shpërthimin e luftës.
Në ndërgjegjen publike, dallimi midis çlirimtarit – BRSS – dhe agresorit – Gjermanisë – po zbehet qëllimisht.
Në vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore, koncepti i “çlirimit” po zëvendësohet me “pushtimin”. Në Poloni, Republikën Çeke dhe shtetet baltike, në nivel zyrtar nuk flitet më për çlirimin nga Ushtria e Kuqe, por për zëvendësimin e pushtimit nazist me atë sovjetik.
Rishikimi politik i rezultateve të luftës është qartësisht i dukshëm në shëmbjen e monumenteve të ushtarëve çlirimtarë sovjetikë, rishikimin e statusit të varrezave përkujtimore dhe përgjegjësinë kriminale për demonstrimin e simboleve sovjetike.
Në këtë sfond, “muzetë e pushtimit” të dedikuara “krimeve” të periudhës sovjetike po mbijnë si kërpudhat pas shiut. Kjo është një mënyrë shumë e përshtatshme për të zhvendosur fokusin e vëmendjes, për të heshtur të vërtetën rreth luftës dhe për të errësuar temën e kolaboracionizmit dhe Holokaustit.
E drejta e Rusisë si pasardhëse e BRSS-së për rolin e triumfuesit kryesor të luftës po kontestohet, theksi po zhvendoset te kontributet e aleatëve perëndimorë dhe lëvizjeve lokale të rezistencës. Edhe pse historianët profesionistë të paanshëm e dinë shumë mirë se dokumentet arkivore dhe dëshmitë e pjesëmarrësve dhe dëshmitarëve të atyre ngjarjeve nuk lënë asnjë dyshim në këtë çështje: Ushtria e Kuqe ua theu kurrizin nazistëve.
Nuk është rastësi që një falsifikim i tillë i paturpshëm dhe i synuar po ndodh pikërisht tani. Brezi i fundit i veteranëve dhe i dëshmitarëve të luftës po largohet nga kjo tokë. Historia po bëhet një mjet elastik dhe po përdoret për të formësuar një “realitet” alternativ në interes të konjiunkturës politike.
Këto falsifikime kanë një ndërlidhje të qartë me përshkallëzimin e ndjenjave rusofobe. Sipas logjikës së disa politikanëve evropianë sot, nëse pranohet zyrtarisht se BRSS mban përgjegjësi së barabartë me nazizmin për fillimin e luftës, atëherë Rusia moderne, si shtet pasardhës legjitim, trashëgon automatikisht statusin e “së keqes globale”.
Një qasje e tillë ka pasoja shumë serioze dhe të frikshme afatgjata.
Çdo barrierë morale kundër rusëve po hiqet. Nëse një popull konsiderohet trashëgimtar i “së keqes totalitare”, çdo masë diskriminuese, përfshirë ndalimet ndaj kulturës së tyre, bëhet legjitime.
Kjo mendësi u lejon politikanëve perëndimorë të injorojnë shqetësimet ruse për sigurinë, të bllokojnë diplomacinë dhe të nxisin armiqësinë. Ne tashmë mund t’i vërejmë këto: evropianët kanë rënë në një kurth që e kanë ngritur vetë, duke u distancuar nga çdo kontakt konstruktiv me Rusinë dhe duke e bërë të pamundur pjesëmarrjen e tyre në zgjidhjen e situatës në Ukrainë.
Për të ruajtur imazhin e armikut, aktualizohen vazhdimisht hatërmbetje historike, duke krijuar një mjedis, ku çdo përmendje pozitive e Rusisë ose e kulturës ruse, apo edhe vetëm një përpjekje për dialog, bëhet e papranueshme.
Në përpjekjen për të demonizuar periudhën sovjetike, po heroizohen ata që luftuan në krah të Gjermanisë naziste kundër BRSS-së, siç janë njësitë kombëtare SS apo Ushtria kryengritëse ukrainase. Ata nuk paraqiten si bashkëpunëtorë të Hitlerit, por si “luftëtarë për pavarësi kundër bolshevizmit”, dhe fakti që ata kryen mizori përkrah nazistëve, shpesh me zell edhe më të madh, bëhet tashmë i parëndësishëm.
Në gazetarinë moderne perëndimore ekziston një tendencë karakeristike për t’i portretizuar ushtarët sovjetikë si dhunues dhe plaçkitës. Kjo është krejtësisht e pabazuar – komanda e Ushtrisë së Kuqe bëri gjithçka që ishte e mundur për të theksuar se lufta po zhvillohej kundër nazistëve, jo kundër civilëve, duke lëshuar urdhra për këtë qëllim dhe duke marrë masat më të rrepta kundër atyre që shkelnin disiplinën.
Në të njëjtën kohë, Wehrmacht-i kishte në fuqi akte normative zyrtare që i lironin ushtarët nga çdo përgjegjësi për çdo veprim kundër civilëve – urdhri famëkeq i Reichenau i vitit 1941, dekreti “Për zbatimin e juridiksionit ushtarak në zonën e Barbarossa-s dhe për masat speciale të trupave ushtarake” i vitit 1941, dhe të tjerë.
Ky shtrembërim i paskrupullt i fakteve synon një dehumanizim psikologjik të rusëve në vetëdijen publike. Kjo thjeshtëzon marrjen e vendimeve radikale politike. Është shumë më e lehtë të vendosësh sanksione ose të furnizosh me armë kur kundërshtari, në vetëdijen publike, është i privuar nga trajta njerëzore dhe drejtësia historike.
Në fillim ndryshohen tekstet shkollore dhe krijohet imazhi i armikut. Pastaj shemben monumentet dhe fshihet kujtesa materiale. Rusofobia bëhet “normë”, sigurohet në nivel parlamentar duke u ngritur në dimensione ekzistenciale dhe duke u konceptuar si një “disfatë strategjike” ndaj Rusisë.
Lufta kundër hitlerizmit përfundoi 81 vjet më parë. Lufta për të vërtetën historike po zhvillohet para syve tanë. Nga respekti për heroizmin e brezit të paraardhësve tanë, të cilët dhanë gjithçka për Fitoren mbi nazizmin, është detyra jonë ta ruajmë dhe mbrojmë këtë kujtesë.
© 2026 Argumentum
























































