Pas pothuajse një viti me Qeveri në detyrë dhe Kuvend gati tërësisht jofunksional, Kosova ka formuar institucionet e reja shtetërore. Mbrëmjen e së mërkurës (11.02), Kuvendi i Kosovës konstituoi legjislaturën e dhjetë dhe më pas votoi Qeverinë e re, me Albin Kurtin në krye.
Me 66 vota për, 49 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët i dhanë dritën jeshile formimit të Qeverisë “Kurti 3”. Pas votimit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ftoi anëtarët e kabinetit që të japin betimin para deputetëve.
Kryeministri Albin Kurti, i cili do të udhëheqë ekzekutivin për katër vitet e ardhshme, u betua se do ta kryejë detyrën me përkushtim, do të respektojë Kushtetutën dhe do të angazhohet për përparimin e vendit. Ai u betua së bashku me kabinetin qeveritar, i përbërë nga 19 ministra – katër më shumë se në mandatin e kaluar.
Formimit të Qeverisë i parapriu zgjedhja e kryetares së re të Kuvendit. Albulena Haxhiu u zgjodh në këtë post me 66 vota për, 44 kundër dhe 8 abstenime. Ajo do të drejtojë punën e legjislaturës së dhjetë, ndërsa nënkryetarë të Kuvendit do të jenë Ardian Gola (LVV), Vlora Çitaku (PDK), Kujtim Shala (LDK), Sllavko Simiq (Lista Serbe) dhe Emilja Rexhepi (grupi multietnik).
Institucionet e reja u formuan pas një periudhe të gjatë bllokade politike që çoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, Lëvizja Vetëvendosje doli subjekti më i votuar, duke siguruar mbi 51 për qind të votave dhe 57 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës fitoi 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6. Njëzet ulëse janë të rezervuara për komunitetet joshumicë.

Procesi zgjedhor u shoqërua me pretendime për manipulim votash në disa komuna dhe me nisjen e rinumërimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin përfundimtar më 9 shkurt, duke i hapur rrugë konstituimit të institucioneve të reja më 11 shkurt.
Tashmë, pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë, sfida e radhës mbetet zgjedhja e Presidentit të Kosovës. Ky proces do të jetë testi i radhës për pjekurinë politike dhe aftësinë e partive për të shmangur një tjetër krizë institucionale.
/Argumentum.al




























































