Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përdori podiumin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të mbrojtur luftën e Izraelit në Gaza dhe sulmet ndaj Iranit, ndërsa u përplas drejtpërdrejt me kritikët e tij. Fjalimi u shoqërua me largimin e dhjetëra delegatëve nga salla në shenjë proteste, ndërsa Netanyahu i cilësoi ata si “frikacakë moralë”.
“U përpoqët të më heshtni. Por nuk mund të më heshtni. Nuk mund ta heshtni të vërtetën”, tha Netanyahu, duke iu drejtuar kritikëve të tij, përfshirë kryebashkiakun e Nju Jorkut, Zohran Mamdani. Ai akuzoi kundërshtarët e Izraelit për përhapjen e asaj që e quajti “gënjeshtra” për vendin dhe ushtrinë izraelite.
“Sulmi ndaj Iranit ishte një nga vendimet më të lehta”
Irani zuri një pjesë qendrore të fjalimit. Netanyahu mbrojti vendimin e Izraelit për të goditur objektet bërthamore iraniane dhe tha: “Shkatërrimi i objekteve bërthamore të Iranit ishte i vështirë. Por për mua ishte një nga vendimet më të lehta që kam marrë si kryeministër. Nëse nuk do ta kisha bërë, do të kishim vdekur.”
Ai pretendoi gjithashtu se Izraeli, duke u mbrojtur, po mbronte edhe vende të tjera dhe tha se disa prej liderëve që nuk e mbështesin publikisht Izraelin e falënderojnë privatisht për veprimet kundër programit bërthamor iranian.
Gaza dhe 7 tetori
Duke folur për Hamasin dhe sulmin e 7 tetorit 2023, Netanyahu përshkroi në detaje vrasjet e civilëve izraelitë dhe tha se rreth 1,200 izraelitë u vranë atë ditë. Ai e krahasoi shkallën e humbjeve, në raport me popullsinë e Izraelit, me rreth 40,000 amerikanë të vrarë në më pak se 24 orë.
Netanyahu hodhi poshtë akuzat se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra më e madhe e shekullit”. Izraeli i ka mohuar vazhdimisht akuzat për gjenocid dhe krime lufte.
Përplasja me delegatët
Largimi i delegatëve ishte një nga momentet më të spikatura të fjalimit. Kur Netanyahu u ngjit në podium, një numër i madh përfaqësuesish u larguan nga salla. “Nëse ka ende frikacakë të tjerë moralë që nuk janë larguar nga salla, ju lutem bëjeni këtë”, tha ai.
Në fjalimin e tij, Netanyahu sulmoi gjithashtu disa liderë dhe qeveri që kanë kritikuar Izraelin, përfshirë Turqinë dhe Katarin, si dhe Mamdanin. Ai e akuzoi kryebashkiakun e Nju Jorkut për mbështetje ndaj Hamasit, pretendim që Reuters e përshkruan si të pavërtetë.
Në përfundim, Netanyahu falënderoi Presidentin amerikan Donald Trump për mbështetjen ndaj Izraelit dhe deklaroi: “Ne do të vazhdojmë të mbrojmë shtetin tonë. Ne do të vazhdojmë të fitojmë, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër.” Ai e cilësoi Trumpin si partnerin më të madh të Izraelit në këtë përballje.
Ndërsa lufta në Gaza dhe konflikti me Iranin vazhdojnë të ndajnë thellë komunitetin ndërkombëtar. Prania e Netanyahut në OKB u shoqërua me protesta në Nju Jork dhe me një bojkot të dukshëm të fjalimit nga një numër delegacionesh.
© 2026 Argumentum





















































