Prof. Dr. Enver Bytyçi
Vendimi i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ka shkaktuar reagime kundërshtuese të mëdha ndër shqiptarët. Emocionet u shkarkuan këto ditë si kurrë më parë, ndërkohë që politika e shfrytëzoi këtë situatë për qëllimet e veta. Si gjithnjë, kur emocionet zevendësojnë të vërtetën, kur mitet hyjnë në lojën politike, kur kujtesa historike bëhet histori, edhe në këtë rast e vërteta rri në shpellat e errëta dhe nuk lakmon të bëhet e gjallë. Miti, kujtesa historike, fallsifikimet e së vërtetës, gënjeshtrat, pra anti- e vërteta është katakteristikë dhe vesi i kthyer në vyrtyt i shoqërisë serbe. Shqiptarët duhet të dëshmojnë të kundërtën. Megjithatë në rastin e shpalljes së vendimit të Hagës edhe shqiptarët po fshehin shumë të vërteta, me të cilat duhet të ballafaqohemi:
Së pari, nuk është e vërtetë se Kuvendi i Kosovës mundet ta zhbëjë ose ta modifikojë ligjin kushtetues dhe të posaçëm për Gjykatën Spesciale në fjalë. Kushtetua e Kosovës e votuar nga tre nga katër prej atyre që morën dënime nuk e lejon as zhbërjen, as modofikimin e ligjit. Mos ushqeni iluzione dhe mos e gënjeni qytetarin e painformuar me tezën se mund të ndodhë diçka e tillë. Edhe sikur të ishte e mundur ndryshimi kushtetues, këtë nuk do ta pranonte shumica e përcaktuar e minoriteteve.
Së dyti, nuk është e vërtetë se të dënuarit janë të pafajshëm. Mund të diskutojmë gjithë ditën për masën e dënimit, por jo për pafajësinë e tyre. Edhe pse këtë kompetencë e ka në mënyrë përfundimtare Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara, sërishmi teza se ata janë dënuar pa faj nuk shpreh të vërtetën. Ballafaqohuni me të vërtetën, sepse vetëm ajo na ndihëmon të dimë se çfarë mund të arrihet më shumë në dobi të kësaj çeshtjeje. Manipulimi me të vërtetën, vetëm se e rëndon pozitën e ish-komandantëve të luftës, nuk i ndihëmon lehtësimit të kësaj pozite.
Së treti, nuk është e saktë të thuash se të katër ish-komandantët u dënuan për shkak se luftuan kundër Serbisë dhe për çlirimin e Kosovës. Nëse thua këtë, ke thënë gjysmën e ndoshta çerekun e të vërtetës. E vërteta tjetër është se qeveria e përkohshme e Kosovës me Thaçin kryeministër e krijuar në prill 1999 ishte jo kushtetuese dhe jo legjitime në përpjekje që pas luftës këta krerë të UÇK-së të merrnin edhe pushtetin. E vërteta është se Behajdin Hallaçi është ekzekutuar për shkak të rivalitetit. Ata 13 deputetët e parlamentit të udhëhequr nga Rugova janë mbajtur 48 orë për shkak të luftës për pushtet. Vetë ish-presidenti Rugova është cilësuar “tradhtar” pa bërë asnjë tradhti, me qëllim denigrimin e figurës së tij, si rival i pakonkurueshëm për ambicjet për pushtet të zotit Thaçi dhe të tjerëve. Atentati ndaj Rugovës dhe bashkëpunëtorëve të tij ka lidhje me ambiciet për pushtet. E vërteta është se Hashim Thaçi asokohe i kishte “buzët me qumësht” dhe ndoshta nuk kishte si ta kuptonte se kishte rënë në kurthin e Fatos Klosit, Rexhep Meidanit e Rexhep Qosjes.
Së katërti, nëse i përmbahemi kriterit të së vërtetës, atëherë nuk do të kishte dënim të njëjtë të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Sepse kurrë nuk mund të ketë përgjegjësi identike dhe rol identik të dy personave edhe në kryerjen e veprave të dënueshme. Mjafton fakti që zoti Thaçi organizoi presionin mbi dëshmitarët, ndërkohë që zoti Krasniqi nuk kishte lidhje me këtë, për ta shënuar diferencën midis tyre. Nuk po jap dhe fakte të tjera.
Së pesti, është shumë e vërtetë se jashtë dhe brenda qelisë së Hagës është bërë presion ndaj dëshmitarëve, që ata të ndërronin dëshminë ose të mos dëshmonin. Janë likuiduar gjithashtu dëshmitarë të tjerë. Kjo e vërtetë është turpëruese edhe për ne dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me dëshmitarë për krime kundër serbëve. Në këto rrethana merr vlerë që të njohim të drejtën e çdokujt për ta treguar e thënë të vërtetën e tij përmes asaj që njerëzit kanë parë ose kanë dëshmuar. Kjo e drejtë i njihet, nëse ajo e ka dëshmuar, edhe Donika Gërvallës. T’i shpallësh luftë Donikës pse ka dëshmuar të vërtetat e saj në Hagë, nëse ajo e ka bërë këtë, do të thotë të përgatitesh për krime të tjera, sepse kriminelin e pengon vetëm zbulimi i të vërtetës. Mohimi i të vërtetës prodhon një krim të ri kriminal. Kjo metodë e ndëshkimit publik të dëshmitarëve në këtë gjyq më kujton demaskimin që shteti e shoqëria serbe u bëti atyre serbëve që kanë dëshmuar për lokacionet ku janë varrosur shqiptarët e masakruar nga makineria ushtarake dhe policore e Milosheviçit.
Së gjashti, duhet pranuar e vërteta se Gjykatën Speciale, përveç Serbisë dhe Rusisë, e kanë ndihëmuar të krijohet edhe politikanë shqiptarë, të cilët kanë pasur dhe kanë axhendë anti-shqiptare. Madje këta të paudhë shkojnë deri atje sa të propozojnë t’i shpallin zyrtarisht heronj ata katër të dënuarit në Hagë. Dhe ne shqiptarët duhet ta dimë të vërtetën e madhe se ky propozim i të burgosurit Erion Veliaj nuk bëhet për të shpërblyer Hashim Thaçin e të tjerët, por për të evidentuar edhe njëherë pretendimin e tij si hajdut “i burgosur politik”! Nëse e pranojnë këtë vlerësim katër të dënuarit e Hagës do të meritojnë gjithashtu si të provuar edhe një tjetër të vërtetë, të thënë e të stërthënë, se ata bënë lufton jo vetëm për pushtet, por edhe që të pasuroheshin vetë.
Së fundmi, shoqëria shqiptare e sidomos ajo kosovare duhet ta pranojë tashmë të vërtetën e padiskutueshme se vetëm Albin Kurti ka mbajtur qëndrime stoike në favor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në favor të shtetit e vendit të tij. Koha provoi profecitë e tij. Prej këtej buron e vërteta tjetër, se Gjykata Speciale është ngritur edhe për ta përçarë shoqërinë tonë, sidomos në Kosovë dhe për t’i vënë shqiptarët kundër njëri-tjetrit. Ata që kanë gabuar duhet t’u kërkojnë ndjesë atyre që kanë vepruar me dinjitet dhe e kanë parë në sy të vërtetën e patjetërsueshme.
Pa i pranuar këto e të tjera të vërteta, ne do vazhdojmë të gabojmë edhe në të ardhmen.
© 2026 Argumentum
















































