Daim ILAZI*
Gjuha është një nga shenjat themelore të identitetit të një populli. Ajo nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe bartëse e historisë, kulturës dhe kujtesës së tij. Prandaj, mënyra se si e përdorim gjuhën në hapësirën publike nuk është çështje thjesht individuale; ajo ka edhe një dimension kulturor e shoqëror.
Në këtë kumtesë dëshiroj të ndalem në dy hapësira ku sot vërehen dukuri shqetësuese të përdorimit të shqipes: studiot televizive dhe debatet publike, nga njëra anë, dhe tekstet e këngëve hip-hop e rap, nga ana tjetër.
1. Gjuha në studiot televizive dhe debatet publike
Televizioni ka një ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e gjuhës së përditshme. Në ekran flasin politikanë, gazetarë, analistë, profesorë, intelektualë dhe figura publike, të cilët dëgjohen çdo ditë nga mijëra e miliona njerëz.
Pikërisht për këtë arsye, gjuha e tyre duhet të jetë edhe gjuhë e përgjegjësisë,gjuhe me tonalitet të butë, me kulturë e ngjyra të bukura, gjuhë që nuk ofendon,që nuk denigron.
Megjithatë, në disa studio televizive dëgjojmë një shqipe të përzier, me shprehje banale, fjalor ofendues,madje edhe primitiv, të varfëruar dhe shpesh të deformuar. Përdoren me tepri fjalë të huaja, shprehje të importuara dhe konstrukte gjuhësore që mund të zëvendësohen fare mirë me fjalë të shqipes.
Problemi nuk është ekzistenca e fjalëve të huaja. Shqipja, si çdo gjuhë e gjallë, gjatë historisë ka pasur kontakte me shumë gjuhë dhe ka përvetësuar edhe huazime. Problemi lind kur fjala e huaj përdoret pa qenë e nevojshme, vetëm për t’i dhënë ligjërimit një pamje të rreme moderniteti apo intelektualizmi.
Ndonjëherë krijohet përshtypja se sa më shumë fjalë të huaja të përdorë dikush, aq më i kulturuar apo më profesionist është. Por kjo është një iluzion. Kultura gjuhësore nuk matet me numrin e fjalëve të huaja, por me aftësinë për ta shprehur një mendim saktë, qartë dhe bukur.
Një dukuri tjetër është varfërimi i fjalorit. Shpesh përdoren të njëjtat fjalë dhe të njëjtat shprehje,
Veçanërisht problematike bëhet kjo dukuri kur shfaqet tek njerëzit që merren me arsim, kulturë, letërsi dhe shkencë. Është paradoksale të flasim për mbrojtjen e kulturës kombëtare dhe njëkohësisht të mos tregojmë kujdes për gjuhën me të cilën e përfaqësojmë atë kulturë.
Televizioni nuk është vetëm pasqyrë e shoqërisë; ai është edhe model gjuhësor. Një shprehje e përsëritur çdo mbrëmje në ekran mund të hyjë shumë shpejt në komunikimin e përditshëm, veçanërisht te brezi i ri.
Prandaj, studioja televizive duhet të jetë hapësirë ku gjuha shqipe kultivohet dhe pasurohet, jo vend ku ajo varfërohet.
2. Gjuha në tekstet e këngëve hip-hop dhe rap
Një tjetër fushë ku ndikimi gjuhësor është shumë i madh është muzika bashkëkohore, veçanërisht hip-hopi dhe rap-i.
Këto zhanre kanë një komunikim të drejtpërdrejtë me të rinjtë dhe shpesh përdorin zhargon, fjalor pis, shkurtime, barbarizma dhe forma të ndryshme të gjuhës së përditshme.
Duhet të pranojmë se përdorimi i zhargonit në art nuk është domosdoshmërisht gabim. Por dukuri që meriton vëmendje është përdorimi i fjalorit vulgar, fyes dhe denigrues në një pjesë të teksteve të këngëve hip-hop dhe rap. Në disa raste, fjalët e pahijshme, banalitetet dhe shprehjet që cenojnë dinjitetin e individit paraqiten si elemente të zakonshme të komunikimit artistik.
Nuk bëhet fjalë këtu për censurimin e artit apo për mohimin e lirisë krijuese të artistit. Arti ka të drejtë të trajtojë edhe anët e errëta të shoqërisë. Por duhet bërë dallimi ndërmjet pasqyrimit artistik dhe bastardimit ë gjuhës shqipe. Kur vulgariteti, seksizmi, dhuna, poshtërimi dhe sjelljet degraduese paraqiten si modele të dëshirueshme jetese në textet e kengëve aty më nuk ka art,nuk ka mesazhe humane,pra kalon ne anti vlerë dhe shund.
Në disa tekste të këngëve hip-hop dhe rap vërehet një përdorim i tepruar i fjalëve angleze dhe i shprehjeve të huaja. Shpesh ato nuk përdoren sepse mungon fjala shqipe, por sepse konsiderohen më moderne ose më atraktive.
Këtu lind pyetja: A po e pasurojmë shqipen me fjalë të reja, apo po i harrojmë fjalët që i kemi?
Kjo është një pyetje që meriton vëmendje.
Një gjuhë pasurohet kur përvetëson elemente të reja duke ruajtur strukturën dhe identitetin e vet. Por ajo varfërohet kur fjalët e veta zëvendësohen pa nevojë dhe kur gabimi gjuhësor përsëritet aq shumë sa fillon të konsiderohet normal. Këngëtarët dhe autorët e teksteve kanë, pra, edhe një përgjegjësi kulturore. Ata nuk duhet të shihen vetëm si argëtues, sepse fjala e tyre dëgjohet dhe imitohet nga një numër i madh të rinjsh. Prandaj, sfida për autorët dhe interpretuesit nuk është vetëm të krijojnë muzikë që dëgjohet, por edhe të mendojnë për mesazhin që përcjellin dhe modelin gjuhësor që u ofrojnë brezave të rinj
Në këtë kuptim, hip-hopi dhe rap-i nuk janë domosdoshmërisht armiq të gjuhës shqipe. Përkundrazi, mund të bëhen një mjet i fuqishëm për ta pasuruar dhe modernizuar shprehjen shqipe. Rap-i ka potencial të madh për lojë me fjalën, rimën, ritmin, metaforën dhe figurën artistike.
Prandaj, nuk duhet të luftojmë muzikën moderne, por të kërkojmë që edhe muzika moderne të tregojë respekt për gjuhën.
Në të dyja këto hapësira – televizion dhe muzikë – gjuha shqipe përballet me të njëjtën sfidë: ndikimin e madh të gjuhëve të huaja, varfërimin e fjalorit dhe normalizimin e formave të pasakta dhe banalitet..
Shqipja duhet të jetë e hapur ndaj botës, por jo e dorëzuar përballë saj.
Ne mund të përdorim fjalë të huaja kur ato janë të nevojshme, mund të dëgjojmë muzikë moderne dhe të komunikojmë me kulturat e tjera, por pa harruar se kemi një gjuhë me një pasuri të jashtëzakonshme.
Në fund, përgjegjësia nuk është vetëm e gjuhëtarëve,linguistëve,akademkëve. Është e të gjithëve: e gazetarit, e politikanit, e profesorit, e artistit,e shitësit,e mjekut,punëtorit, e moderatorit dhe e secilit prej nesh.
Sepse gjuha nuk ruhet vetëm në fjalorë dhe në libra. Ajo ruhet në fjalën,në fjalorin e në komunikimin tonë çdo ditë.
Gjuha nuk ruhet vetëm në fjalorë dhe në libra. Ajo ruhet në fjalën që themi, në mënyrën si debatojmë, në mënyrën si shkruajmë dhe në mënyrën si krijojmë art. Prandaj, ta pyesim veten: Çfarë gjuhe po përdorim sot dhe çfarë gjuhe duam t’u lëmë brezave që vijnë? Sepse ta duash shqipen nuk do të thotë vetëm të krenohesh me të por ta përdorim me kulturë, me përgjegjësi dhe me dinjitet.
*Daim Ilazi është diplomat, poet dhe shkrimtar shqiptar nga Tetova. Ka shërbyer për rreth 22 vjet në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, në poste diplomatike në Zvicër, Francë, Belgjikë dhe Turqi. Është autor i disa veprave poetike e publicistike dhe një figurë aktive e jetës kulturore shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ka marrë edhe dekoratën franceze “Kalorës i Palmës Akademike”.
© 2026 Argumentum





















































