Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me ngjarjen e djeshme në Vlorë, ku u shënua një përplasje mes dy biznesmenëve.
Përmes një videomesazhi, Rama u shpreh se qeveria ka vendosur ta shpronësojë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme, dhe sipas ligjit ta kthejë në një aset publik dhe turistik për të gjithë.
Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:
Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe nga ana tjetër një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë na ka bindur se duhet jo vetëm t’i japim fund asaj historie, po duhet edhe t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike.
Ata duhet të kuptojnë që nuk mund ta cenojnë me qasjet dhe me sjelljet e tyre lënduese atë që është një mision i madh kombëtar, misioni ynë i Shqipërisë turistike, i cili shkon shumë përtej transformimit fizik të vendit dhe u imponon të gjithë aktorëve të vetë në radhë të parë, nga investitorët tek kamarierët, që të mendojnë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar edhe me njëri-tjetrin.
Lëre pastaj me shoqërinë shqiptare dhe me vizitorët e panumërt që trokasin në dyert e Shqipërisë.
Prandaj banaliteti dhe brutaliteti i çdo natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar dhe autorët e veprimeve lënduese të çdo niveli me dhunë mbi tjetrin, me harbutllëk mbi klientët, me papërgjegjshmëri mbi hapësirën e përbashkët publike apo me akte arrogance ose me zhurma shurdhuese mbi komunitetin duhet të bëhen shembull. Shembull të një vije të kuqe të domosdoshme për Shqipërinë turistike.
Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme, dhe sipas ligjit ta kthejmë në një aset publik dhe turistik për të gjithë.
Një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit. Një park i gjallë ku do të mbillen dhe do të ruhen varietet autoktone shqiptare dhe ato më përfaqësuese të Mesdheut, si edhe do të ekspozohen tërë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri.
Një adresë e re informimi, një hapësirë e re e dijes e turizmit të eksperiencës, një tokë që i ndau me dhunë dy investitorë fqinj duke pështirosur tërë Shqipërinë, do të kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë në një territor paqeje, nën hijen dhe bekimin e pemës së paqes, pemës së bekuar të ullirit.
© 2026 Argumentum





















































