Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten ligjin që mundëson pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura shqiptare në operacionin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit (ISF) në Gaza, me një numër maksimal prej 40 ushtarakësh.
Ligji u miratua me 106 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Sipas ligjit, personeli shqiptar do të angazhohet në mbështetjen e operacioneve të sigurisë dhe stabilitetit, mbrojtjen e personelit, objekteve dhe infrastrukturës së misionit, mbështetjen e operacioneve humanitare, si dhe monitorimin dhe raportimin e situatës së sigurisë.
Në relacionin shoqërues thuhet se Shqipëria parashikon të dërgojë personel të Forcave të Armatosura në Gaza dhe në Karem Shalom, në Izrael. Numri i pjesëmarrësve, komandimi operacional, kohëzgjatja e misionit dhe shpenzimet do të përcaktohen me vendime të Këshillit të Ministrave.
Votimi u zhvillua pas një seance të tensionuar parlamentare, ku opozita kërkoi që në Kuvend të diskutohej edhe çështja e hetimit ndaj ish-drejtuese së SHISH, Vlora Hyseni. Pavarësisht përplasjeve politike, projektligji për pjesëmarrjen në ISF u miratua me 106 vota.
Shqipëria kishte deklaruar më herët gatishmërinë për të kontribuar në mision. Në fillim të shtatorit, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha tha se vendi ishte i përgatitur të kontribuonte në ISF dhe të mbështeste përpjekjet për siguri dhe paqe në Lindjen e Mesme.
Në të njëjtën periudhë, komandanti i ISF-së, gjeneralmajori amerikan Jasper Jeffers III, vizitoi Tiranën dhe u takua me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi. Të dyja palët theksuan partneritetin strategjik Shqipëri-SHBA dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.
Forca Ndërkombëtare e Stabilitetit është pjesë e mekanizmit të parashikuar në planin amerikan për Gazën dhe lidhet me Bordin e Paqes, të krijuar për mbikëqyrjen e zbatimit të planit dhe përpjekjet për stabilizimin dhe rindërtimin e territorit.
© 2026 Argumentum





















































