Çka po ndodhë në Shqipëri dhe si të dilet tutje?
Veton SURROI
1. Protestat në Shqipëri dhe përshkallëzimi i tyre në dhunë shënojnë një fazë të re të revoltës qytetare kundër pushtetit dhe të krizës së legjitimitetit të tij. Pushteti është personalizuar në masë të madhe te kryeministri Rama; rrjedhimisht, edhe revolta është përqendruar te kërkesa për dorëheqjen e tij.
2. Delegjitimimi i pushtetit ka filluar më herët, me dobësimin e kundërpeshave demokratike. Brenda PS-së, pushteti i personalizuar i kryeministrit nuk është përballur me një demokraci të brendshme që do ta kufizonte. Jashtë saj, opozita nuk ka arritur të ushtrojë një kontroll efektiv, pjesërisht për shkak të dobësive të veta. As pjesa mbizotëruese e medieve nuk e ka përmbushur këtë funksion, për shkak të ndërthurjes së interesave komerciale të pronarëve me interesat politike të pushtetit.
3. Në mungesë të baraspeshës demokratike, SPAK-u, me veprimet e tij kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, është perceptuar si kundërpesha ndaj pushtetit dhe është shndërruar në një institucion të paprekshëm, madje pa mbikëqyrje efektive nga institucionet formalisht demokratike. Akuzat e deritanishme të SPAK-ut tregojnë për ndërlidhje mes pushtetit dhe krimit të organizuar, nga njëra anë, dhe për qeverisjen me kulturë të lartë korrupsioni , nga ana tjetër.
4. Një pjesë e akuzave të SPAK-ut japin indikacione të qarta për shpërlarjen e parave nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Ky aktivitet në pesë vitet e fundit ka futur miliarda dollarë në qarkullimin financiar të vendit, ka krijuar një dinamikë ndërtimi dhe zhvillimi jashtë logjikës së ekonomisë së tregut, ka forcuar artificialisht lekun dhe nxitur inflacionin. Kjo e ka bërë barrën e kostos së jetesës për qytetarin e Shqipërisë më të rëndë në raport me të ardhurat, krahasuar me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian.
5. Një numër qytetarësh reagoi ndaj këtij pushteti në qershor të këtij viti me “revolucionin flamingo”, me ecejake kreative e paqësore, duke protestuar kundër disa prej shfaqjeve të personalizimit të pushtetit të kryeministrit në Zvërnec/Sazan, gjegjësisht kundër ligjeve që i mundësonin këto veprime. Kryeministri nuk e trajtoi këtë protestë në thelbin e saj: kundërshtimin e një mënyre vendimmarrjeje që e trajton pasurinë publike si domen të pushtetit të personalizuar. Shpërfillja e protestës paqësore dobësoi besimin se pushteti mund të ndikohet me mjete demokratike dhe krijoi terren për radikalizimin e pakënaqësisë.
6. Shqipëria ka hyrë në një krizë nga e cila nuk mund të dilet me kthim në gjendjen e mëparshme. Për më tepër, kjo mund të jetë hyrja në një krizë edhe më të thellë vitin e ardhshëm, nëse do të zvogëlohej në masë të konsiderueshme fluksi i parave që shpërlahen në ekonominë e vendit. Një gjë e tillë do të mund të trondiste financat dhe ekonominë e vendit. Në fund, kjo do të ishte edhe krizë e sigurisë në nivel shteti.
7. Vendi ka nevojë urgjente për një proces politik të menaxhimit të krizës. Paketa duhet të përfshijë shtendosjen, mbrojtjen e protestës paqësore, hetimin e paanshëm të dhunës dhe garanci për vazhdimin e pavarur të punës së drejtësisë. Ajo duhet të krijojë edhe kushtet ligjore e politike për zgjedhje të lira e të ndershme vitin e ardhshëm. Që zgjedhjet të prodhojnë dalje nga kriza, duhet të përgatitet një paketë e veçantë garancish zgjedhore që, mes të tjerash, do të kufizonte paraprakisht ndikimin e parasë së paligjshme, keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe pabarazinë në qasjen te mediet.
© 2026 Argumentum





















































