Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në takimin e Ministrave të Ekonomisë dhe Tregtisë të Ballkanit Perëndimor, zhvilluar në Cetinje të Malit të Zi, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në një postim në Facebook, Ibrahimaj bëri të ditur se në qendër të diskutimeve ishin Tregu i Përbashkët Rajonal, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe integrimi gradual i ekonomive të rajonit në Tregun Unik Europian.
Sipas saj, një integrim më i thellë i Ballkanit Perëndimor në tregjet europiane forcon ekonomitë e rajonit dhe kontribuon në rritjen e konkurrueshmërisë së Europës dhe të hapësirës mesdhetare.

“Shqipëria, e cila këtë vit mban drejtimin e CEFTA-s, po avancon masa konkrete për lehtësimin e tregtisë, nxitjen e investimeve dhe rritjen e produktivitetit, duke forcuar njëkohësisht lidhjet e ekonomive të rajonit me zinxhirët europianë të vlerës”, shkroi ministrja.
Ministeriali ekonomik mblodhi ministrat e Ekonomisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me përfaqësues të Komisionit Europian, organizatave rajonale dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.

Diskutimet u përqendruan te zbatimi i planit të veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, reduktimi i barrierave tregtare dhe rritja e konkurrueshmërisë së ekonomive të rajonit.
Në kuadër të drejtimit shqiptar të CEFTA-s, në 20-vjetorin e marrëveshjes, Ibrahimaj prezantoi prioritetet për lehtësimin e tregtisë dhe uljen e kostove për bizneset. Ndër masat e parashikuara janë zgjerimi i Korsive të Gjelbra, harmonizimi i orareve të autoriteteve në pikat kufitare dhe thjeshtimi i kontrolleve për frutat dhe perimet.
Në fokus është edhe nxitja e investimeve që sjellin teknologji dhe aftësi të reja, rrisin produktivitetin dhe krijojnë vende pune, si dhe zhvillimi i zinxhirëve rajonalë të vlerës në sektorë si agroushqimi, prodhimi, turizmi dhe shërbimet.
Ibrahimaj theksoi se Tregu i Përbashkët Rajonal nuk duhet parë si alternativë ndaj integrimit europian, por si një instrument për ta përshpejtuar atë.

“Për Shqipërinë, Tregu i Përbashkët Rajonal nuk është alternativë ndaj integrimit europian. Ai është një instrument praktik për përshpejtimin e tij”, u shpreh ministrja.
Ajo nënvizoi gjithashtu rolin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit vendet e rajonit synojnë akses gradual në fusha të Tregut Unik Europian, përfshirë mallrat, shërbimet, lëvizjen e punonjësve, SEPA-n, transportin, energjinë dhe integrimin digjital.
Në përfundim të takimit, ministrja ftoi homologët dhe partnerët ndërkombëtarë në Tiranë, në kuadër të 20-vjetorit të CEFTA-s, për vijimin e diskutimeve mbi fazën e ardhshme të integrimit ekonomik të rajonit.
© 2026 Argumentum




















































